loader image
October 11, 2024

Problemet e vjetra në Ballkan kërkojnë korniza të reja të vetëqeverisjes

Nuk ka indikacione se pas reagimit të zyrtarit të partisë Alternativa në Shkup, Zeqirija Ibrahimi, rreth asociacionit do të kemi ndonjë qasje të re nga politika shqiptare në Ballkan. Të gjithë kanë  frikë se mos po njollosen nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe papritmas bëhen pjesë të listave të zeza. Politika shqiptare në Maqedoni të Veriut është në funksion të forcimit të prestigjit të popullit maqedonas dhe të legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit. Dhe, për habi, shqiptarët sillen sikurse janë në gjendje të ndihmojnë të tjerët, kur dihet se nuk i kanë punët mirë në shtetin që i diskriminon në palcë.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Autonomia dhe vetëqeverisja nuk janë fenomene të reja në historinë e politikës ndërkombëtare. Në mesin e shekujve 19-20, aplikimi i autonomisë përfshiu vetëqeverisjen hungareze në Perandorinë Habsburge të vitit 1868. Duka i Madh i Finlandës, midis viteve 1809-1917 e gëzonte autonominë brenda Perandorisë Ruse, ndërsa pas Kongresit të Vjenës (1815) të njëjtën gjë e kishte Polonia brenda Perandorisë Ruse. Në praktikë, autonomia përdoret si “instrument për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve që kanë të bëjnë me vetëvendosjen”. “Në thelb autonomia i mundëson një grupi etnik të rregullojë në mënyrë të pavarur çështjet qendrore. Megjithatë, duke qenë se autonomisë i mungon sovraniteti i plotë, gjithë ky proces ndodh brenda kuadrit më të gjerë kushtetues dhe legjislativ ‘të vendit pritës të pakicës’”.

Në hapësirën ballkanike, autonomia ose vetëqeverisja ka kuptim tjetër nga autonomitë e vendeve perëndimore. Ajo shfrytëzohet për qëllime të shkëputjes nga shteti dominues ose nga pjesa tjetër që është shumicë dhe i administron çështjet qendrore të brendshme dhe të jashtme. Pavarësisht aspekteve historike, të zbresim në hapësirën shqiptare, duke i parë raportet dhe mosmarrëveshjet me “Botën sllave” në Ballkan nga perspektiva e ndryshimeve në politikën globale dhe të fragmentimit të vetë “Botës shqiptare”. Më 18 mars kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë pajtuar në Ohër për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, por pa nënshkrime. Diplomatët perëndimorë, në përgjithësi, e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur, e në veçanti Aneksin e Zbatimit, i cili sipas tyre do të shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes Beogradit dhe Prishtinës. Pika 7 e marrëveshjes, ku të gjithë të huajt janë përqendruar, është formimi i Asociacionit Serb (AKS). Është për t’u habitur se sa më shumë që rritet presioni ndaj Kosovës për ta themeluar Asociacionin dhe zbatuar Aneksin, aq më pak kërkesa kanë shqiptarët ndaj vetes dhe të huajve qoftë kjo tërthorazi ose drejtpërsëdrejti. Njëkohësisht si duket shqiptarët në Maqedoni të Veriut (MV) janë të kënaqur me statusin e tyre dhe aspak nuk kanë reaguar rreth asaj se çfarë ndodhë në Kosovë, në përjashtim gjatë muajit shkurt dhe mars.

Pse BDI çështjet e hapura sistemore të shqiptarëve i konsideron të mbyllura me MO-në?

Nga biseda e fundit e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, po në Ohër, mund të përfundohet se shqiptarët e MV-së aktualisht nën udhëheqjen e Ahmetit nuk do të shkojnë më tej me avancimin e të drejtave, pasi partia e Ahmetit çështjet ende të hapura sistemore të shqiptarëve i konsideron të mbyllura me Marrëveshjen e Ohrit (2001). Më tej, Ahmeti ka dalë në kundërshtim me veten e tij me lëvizjet që ka treguar gjatë vitit 2022-2023, pra me paraqitjen e tij të parë me Vuçiqin, Ramën dhe priftin serb në Ohër. Kësaj here, kur përfundimisht u takua në Ohër me kryeministrin Kurti dhe diplomatin amerikan Gabriel Escobar (DOS), ia veshi vetes xhaketën e një diplomati dhe të një mendimtari të lartë të çështjeve globale. Vallë, shtrohet pyetja, mos Ahmeti po e emiton Kisinxherin, Brzhezhinskin apo ndonjë figurë të rëndësishme presidenciale të shek. 20 si Josip Broz Titon?! Këtë dukje të Ahmetit e konfirmoi edhe ministri i tij Bujar Osmani, i cili tha se pa Ahmetin asgjë nuk bëhet në rajon. “Me zgjidhjen e problemit të Kosovës kanë dobi edhe shqiptarët e Maqedonisë së V.”, ka deklaruar Ahmeti për RTV Dukagjini.

18 marsit i parapriu takimi i Brukselit, ku u shfaqën disa reagime rreth Asociacionit për serbët në Kosovë. Realisht nuk ka indikacione se pas reagimit të zyrtarit të partisë Alternativa në Shkup, Zeqirija Ibrahimi, rreth asociacionit, dhe paraleles që bëri ai do të kemi ndonjë qasje të re nga politika shqiptare në Ballkan. Të jemi të sinqertë, politika nuk reflektoi duke u nisur nga ata që janë në qeveri në Shkup dhe të tjerët. Të gjithë kanë frikë se mos po njollosen nga BE-ja dhe SHBA-të dhe papritmas bëhen pjesë të listave të zeza. Ndërkohë, një kongresmen amerikan (D), i ka shkruar Departamentit të Shtetit rreth formimit të asociacionit në Luginë të Preshevës si kundërmasë nga ajo që duhet ta bëjë Kosova, që të njëjtën duhet ta aplikojë edhe Serbia. Në plan afatshkurtër kjo nuk do të ndodhë, pasi SHBA-ja dhe BE-ja janë në fazë të lëshimeve të jashtëzakonshme ndaj Serbisë. Dhe, duke e parë raportin me Kosovën, që Serbia për çështje të politikës së brendshme duhet të bëjë, asociacioni në Luginë nuk vjen në konsideratë tani. Shkrimi i zyrtarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, edhe pse erdhi në një kohë kur partia e tij doli nga qeveria për shkak të veprimeve joparimore të LSDM-së dhe BDI-së, meriton ende vëmendje serioze nga aktorët politikë. Disa kritikë mund të thonë se ajo çka është në Kosovë nuk mund të aplikohet në vendet tjera, sepse modeli është vetëm për atje. Jo, kjo nuk ka logjikë politike, sepse interpretimi i idesë mbi baza të njëanshme etnike e pamundëson  ngritjen e debatit demokratik tek shqiptarët e MV-së rreth një bashkësie ose qoftë edhe të decentralizimit të mirëfilltë që buron nga Marrëveshja e Ohrit (2001). Për më shumë, Kosova, për shkak të disa gabimeve që nga viti 2008, tani detyrohet si shtet me 5 për qind serbë dhe me të gjitha të drejtat e garantuara nga Ahtisari dhe kushtetuta multietnike t’ua mundësojë serbëve një vetëqeverisje të re speciale, e cila nuk dihet se si do të përfundojë në të ardhmen. Dhe, gjithnjë duke e parë rolin destabilizues historik të Serbisë në veri të Kosovës dhe në rajon, vetëqeverisja serbe, pavarësisht garancive, mund të bëhet çështje e ndërlikuar për Prishtinën.

Në MV njësitë mbi baza etnike dhe fetare si në Kosovë as që vijnë në shprehje

Për ironi, shqiptarët në MV, me 30 për qind të popullsisë, të betonuar në shtetin etnik maqedonas me të gjitha ligjet si pakicë, dhe me një realitet që tregon se shteti është multietnik, detyrohen për arsye të raporteve të jashtme dhe të brendshme të jetojnë nën hijen e diskriminimit të sistemit unitar, që tashmë promovohet fatkeqësisht si politikë e suksesshme edhe nga partitë shqiptare në qeveri. E gjithë kjo ka një histori e cila fillon me grupin pro shtetësisë maqedonase të PPD-së dhe vazhdoi me BDI-në, e cila u ngjit në pushtet në vitin 2002. A mund të pritet diçka nga këta drejtues të rinj dhe të vjetër që e mbajnë pushtetin në MV, pra nga këta përfaqësues shqiptarë?! Jo, asgjë, sepse këta janë mësuar lehtë, që duke qëndruar në qeveritë e Shkupit të mos e shohin mirë gjendjen reale të shqiptarëve dhe të grupeve tjera etnike. Këta drejtues shohin nga lartë dhe jo nga poshtë. Frika nga ndëshkimet e jashtme dhe kompromiset e klaneve që pasojnë kur vijnë në pushtet në Shkup janë ndër shkaqet kryesore të ndryshimit të pozicioneve të partive shqiptare.

Më tej, kur jemi tek asociacionet rajonale dhe simbolika nga takimi i fundit në Ohër, për shqiptarët e MV-së dhe të Kosovës ka dy interpretime të mundshme: e para, është se Ahmeti si prijës i gueriljes në Malësinë e Tetovës në vitin 2001 bashkë me liderët e PPD-së dhe PDSH-së arritën që pas bisedimeve në Ohër shqiptarët etnikë përsëri t’i lënë me statusin e pakicës dhe jo të popullit shtetformues. Dhe, e dyta, për Kosovën, po qe se kryeministri Kurti do të nxjerrë mësime nga Ohri dhe politika maqedonase ndaj shqiptarëve, ai mund ta kopjojë të njëjtën politikë dhe ta replikojë në Kosovë ndaj serbëve. Meqenëse përballë ka një Serbi të fortë, që ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, zbatimi i Aneksit do të kërkojë mjeshtëri dhe kohë. Për të qenë të sinqertë, shqiptarët e MV-së nuk duan më shumë nga ajo çka ofron politika zyrtare e tyre. Në krahasim me serbët dhe maqedonasit që luftojnë për më shumë të drejta kudo që jetojnë, shqiptarët jashtë kufijve të vitit 1912, me përjashtim të kosovarëve, për habi janë të kënaqur me pozitën e tyre kushtetuese. Themelimi i njësive mbi baza etnike dhe fetare si në Kosovë as që vjen në shprehje. Qeveritarët shqiptarë në Shkup nuk janë në gjendje ta përmirësojnë infrastrukturën, të krijojnë vende të lira pune dhe shkollim në gjuhën amtare në qytetet ku shqiptarët janë pakicë, e të mos diskutojmë  për projekte të vetëqeverisjes. Komunat që sot i qeverisin shqiptarët etnikë janë në gjendje të mjerueshme dhe nuk u ngjajnë të paktën atyre si në Maqedoninë Lindore. Nuk ka asnjë nismë legjitime ndaj qeverisë qendrore në Shkup e cila ua merr buxhetin.

Pse shqiptarët janë të kënaqur me minimumin?!

Shqiptarët në MV janë të kënaqur me minimumin dhe do të vazhdojnë për një kohë të gjatë të jenë në gjendje “kome” përderisa në pushtet do të jetë BDI-ja dhe partitë e tjera që i shkojnë pas. Në gjendjen aktuale të zhvillimit të shtetit maqedonas dhe me kontributin e shqiptarëve e sidomos pas vitit 1994 dhe deri më sot me politikat aktuale të Ahmetit, Grubit, Osmanit, Besimit, Bytyqit, Selës dhe shumë të tjerëve, do të jetë e vështirë që shqiptarët ta ndryshojnë politikën ekonomike dhe ngritjen e një debati për më shumë të drejta. Forcimi, dita-ditës, i shtetit maqedonas me teknologji ushtarake dhe armatim, largimi i popullatës shqiptare nga pjesa veri-perëndimore e vendit, varfërimi i tyre, ngritja e një shtrese intelektuale dhe edukative servile në shërbim të partisë në pushtet dhe partive në qeveri, do ta bëjë të pamundur çdo artikulim të ideve për ndonjë projekt menaxhues të komunave në kuadër të debatit demokratik ose edhe të funksionimit sa më mirë të qeverisë në mjediset e përziera fetare dhe etnike. Për sa i përket të huajve, politika amerikane në Ballkan ka ndryshuar qëkur filluan shkurtimet buxhetore globale në vitin 2011.

Diplomacia amerikane me shumë ngjyra

Diplomacia amerikane, siç vërehet me veprimet në Bosnjë dhe Hercegovinë, presionit ndaj Kosovës për të formuar asociacionin serb, lëshimet ndaj Serbisë dhe MV-së, tregon shumë se Uashingtoni zyrtar ka politikë me disa ngjyra dhe varësisht nga gjendja ndërkombëtare e mbështet atë opsion që është në interesin amerikan dhe të shtetit i cili ka fuqi dominuese. Aktualisht, amerikanët nuk e thonë publikisht, por në praktikë nuk e mbështesin më pa arsye konceptin e krijimit të shteteve multietnike në Ballkan. Ajo çfarë është bërë deri më sot që nga vitet e 90-ta mbetet e tillë. Në këtë fazë të eksperimentit perëndimor në rajon, më së shumti ka fituar MV-ja, e cila edhe pse realisht është shtet multietnik dhe fetar, kushtetuta dhe të gjitha ligjet e vendit janë të dizajnuara si njëetnike. Paralelisht, Serbia i ka lexuar mirë amerikanët se nga shkojnë dhe pa sanksione ndërkombëtare Beogradi e mban në kontroll Sarajevën, me Dritan Abazoviqin dhe Kishën edhe Malin e Zi dhe, së fundi, Kosovën me Asociacionin. Dhe, për fat të keq i paqortuar nga perëndimorët, Beogradi do të veprojë dhe do t’i shfrytëzojë në maksimum të gjitha opsionet e krijimit të “Botës serbe” me një koncept dhe pamje moderne, por në brendi do të mbetet nacionaliste.

Mungesa e vizonit për të ardhmen dhe zhvillimin e patriotizmit të moderuar

Për sa u përket asociacioneve ose të një asociacioni në MV për shqiptarët dhe të tjerët, ashtu siç nënvizuam më lart, është larg që të ndodhë qoftë edhe në formë të një lidhje të komunave. Debatit të munguar deri më tash i shtrimit të argumenteve për dhe kundër një organizimi të tillë në MV i dha fund kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në një tubim në Çair ku ndër të tjera tha se ky shtet (RMV) nuk është shtet i njëanshëm. “Vdiqën kohërat e vjetra, bashkë do t’i shpiem proceset përpara”.

Nga lëvizjet e partive shqiptare shihet se kërkesa të tilla nuk do të ketë edhe për një kohë, pasi e gjithë politika shqiptare është në funksion të forcimit të prestigjit të popullit maqedonas dhe të legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit. Dhe, për habi, shqiptarët sillen sikurse janë në gjendje të ndihmojnë të tjerët, kur dihet se nuk i kanë punët mirë në shtetin që i diskriminon në palcë. Shqiptarët, në të vërtetë, do të vazhdojnë t’i gëzojnë të drejtat e pakicës përkundër deklaratave të drejtuesve aktualë në qeveri që e thonë të kundërtën.

Në fund, tek shqiptarët në Ballkan mungon vizoni për të ardhmen dhe zhvillimin e patriotizmit të moderuar. Shqipëria, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe luftës së brendshme për pushtet nuk ka pasur mundësi të projektojë forcë dhe diplomaci për shqiptarët jashtë kufijve. Andaj, bashkë si komb do të jemi larg rolit “pivotial”, një rol që ua adresojnë Fuqitë e Mëdha kombeve dominuese. Po qe se do ta kishim këtë rol nga fuqitë globale, me siguri shumë më lehtë do ta kishte Kosova sot dhe shqiptarët në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X