loader image
December 14, 2024

Veriu i Kosovës, prishja e qetësisë së brishtë

Veriu i Kosovë, ndonëse që nga mbarimi i luftës ka vazhduar të karakterizohet me probleme, incidente, sabotim të shtetit dhe kërcënim për sigurinë, tani u shndërrua në alarm për rajonin, por jo vetëm. Në tërë këtë ngjarje, bota demokratike do shtensionim, pa marrë parasysh kush ka të drejtë e kush jo; e drejta është relative, e vërteta nuk e ka kohën tani, në këtë moment.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Shteti serb, me ambicien e tij pushtuese, me metodologjinë e botëkuptimin prej agresori, nga njëra anë bën mobilizim politik, diplomatik e ushtarak (dislokim trupash ushtarake në kufi me Kosovën), ndërsa nga ana tjetër – për vite të tëra – ka krijuar, furnizuar e përkrahur grupet e dyshimta të lidhura me kontrabandë e krim të organizuar dhe ata i ka shfrytëzuar si potencial e mashë për destabilizim të Kosovës, të cilën edhe ashtu nuk e pranon si shtet, por si provincë të veten. Pikërisht përmes këtyre grupeve, që kanë tentuar ta sfidojnë shtetin duke organizuar barrikada, incidente e protesta me elementë të rrezikshëm, shteti serb e ka mobilizuar popullatën lokale serbe, përmes së cilës ka tentuar t’i legjitimojë ndërmarrjet për destabilizimin e Kosovës. Përmes taktikës së viktimizimit, duke e “lutur” me të mirë Kosovën, që të mos i “vrasë e dëbojë” serbët, ajo në arealin ndërkombëtar e ka imponuar veten si palë normale, që gjoja tenton të gjejë zgjidhje për pakënaqësitë e serbëve lokalë. Në këtë logjikë, gjysmën e qëllimit e ka arritur – ta relativizojë në perceptimin e jashtëm viktimën me agresorin. Kur dëgjon kritikat dhe qortimet e tanishme ndaj Kosovës të ndërmjetësuesve të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht atyre nga BE-ja, e kupton se ngjarja s’ka të bëjë me situatën momentale. Kjo atmosferë mëton të rigjenerojë një rrëfim për atë që në gjuhën e ultraliberalëve harrestarë shqiptarë dhe të huajve që s’e njohin kontekstin njihet si “konflikti shqiptaro-serb”. Po ashtu kjo është një ndërmarrje për të siguruar terren më të madh në përplasjen që po vazhdon. Kur kontekstualizohet kjo me faktin se tani në Hagë po gjykohen krerët e UÇK-së, kuptohet edhe më mirë se për çfarë rigjenerimi të rrëfimit të viteve të ’90-ta, përkatësisht të luftës, bëhet fjalë.

Teksa Serbia në diskursin zyrtar dhe gatishmërinë shtetërore ndërmerr hapa agresioni ndaj Kosovës, kjo e fundit, duke e parë këtë situatë, po insiston ta shtrijë rendin dhe ligjin në çdo pjesë të territorit të saj legjitim. Në këtë pikë, insistimi i Kosovës, përveç legal e kushtetues, është edhe fisnik, ngase kjo nuk është ndërmarrje kundër popullsisë lokale serbe, kur dihet se ajo gëzon të drejtat e patjetërsueshme që ia siguron kushtetuta e Kosovës. Prandaj, pasi që nuk bëhet fjalë për mbrojtje të minoriteteve ose ndonjë temë tjetër legjitime, Kosova këtë skenar të shtetit serb me të dejtë e lexon si ndërmarrje agresioni dhe tentim për destabilizim, mbase edhe konflikt të ri. Është tepër absurde teksa dëgjon thirrjet e qortimet drejtuar Kosovës për “shtensionim” e për “hapa prapa” në një moment kur Serbia i dislokon forcat përreth Kosovës dhe ngre gatishmërinë ushtarake për të hyrë në Kosovë, ndërsa Kosova – përmes organeve legjitime – tenton të vendosë rend e ligj brenda territorit te vet, pa cenuar askënd, madje, përkundrazi, duke pranuar të organizojë prapë zgjedhje ku do të merrnin pjesë edhe serbët. Duke i bërë presion Kosovës për t’u zmbrapsur e për ta liruar atë hapësirë publike dhe institucionale në Veri, bëhen dy shkelje flagrante (si nga aspekti i principit të sovranitetit, rendit juridik, ashtu edhe të ligjit ndërkombëtar): e para, ajo paraqet thirrje për t’ia dorëzuar e besuar institucionin publik dhe personelin, si dhe tërë rendin publik grupeve kriminale, të armatosura (të cilat u dëshmuan me plagosjen e ushtarëve të KFOR-it); e dyta, përmes thirrjes jospecifike për “shtensionim” relativizohet kërcënimi ushtarak serb në kufi, duke e heshtur e duke e barazuar kështu me përpjekjen legjitime kosovare për kontroll brenda kufijve të shtetit të vet. Prandaj në një kronologji e logjikë të tillë të ngjarjeve, kushdo që mendon se do të mjaftonte pritja, status-quoja dhe qetësia e brishtë, do të ishte e mjaftueshme për neve, nuk ka perceptim e vizion normal për shtetin e kombin e vet. E njëjta vlen edhe për atë kategori mendimesh që theksojnë se do të ishte i mjaftueshëm koordinimi me miqtë ndërkombëtarë për të mos pasur tensionime (madje një emision televiziv mjaft i shikuar në Kosovë, përmes titullit, shtronte dilemën se “a po e fitojmë apo po e humbim veriun”, titull ky që e gjykon atë si diçka neutrale, që qëndron në mes, që mund të humbet e të fitohet). Nuk mund të jetë e mjaftueshme një siguri e brishtë që dita-ditës do të mund të shpërthente. Tani jemi dëshmitarë se si qenka bërë veriu i Kosovës ndër vite: strehë për strukturat ilegale, për kontrabandë e armë, për krimin e organizuar e grupet parapolitike. Sa qenka akumuluar potencial antishtetëror e tani edhe municion për sulm terrorist, siç ka zbuluar Policia e Kosovës ditëve të fundit. Tani nuk mund të jesh neutral karshi situatës së krijuar e të thuash se “kush e nxiti?” apo “pse erdhëm deri këtu?”, në kohën kur Serbia nuk është distancuar nga e kaluara e saj, por rithekson ambicien e saj pushtuese dhe kërkonte e kërkon arsye për ta pushtuar Kosovën me ushtri. E ne, në një bisedë hipotetike, nga një nivel kategorik i vetës së tretë, neutralë e pa rezonim historik, të frustruar e të papërgatitur, eventualisht do t’i themi mandej shtetin tonë se pse e bëre fajin, i ngacmove kriminelët në Veri, u përpoqe të mos japësh territor e tani Serbia na kërcënon me luftë.

Mungesa e ndërgjegjësimit shoqëror dhe e solidarizimit kolektiv

Për fat të keq, mungesa e traditës së mirëfilltë shtetërore dhe e ndërgjegjësimit kombëtar ka bërë që edhe situatat e tilla kur kanoset siguria e rendi juridik i shtetit të kalkulohen në garën e brendshme politike pozitë-opozitë. Natyrisht që universitetet, studiuesit, media, institutet kërkimore do të duhej të bënin analiza e hulumtime, për të parë se ku dhe çka kemi gabuar ndër vite, por jo të minojnë përpjekjet për të mos e lëshuar nga dora një pjesë të territorit të shtetit. Nuk ekziston mobilizimi minimal kolektiv në përpjekjen për ta mbajtur veriun e Kosovës nën kontroll e brenda kufijve tanë. Shumë media, përmes gjuhës që përdorin për të përshkruar e vlerësuar situatën e sigurisë në vend dhe përmes hapësirës së rezervuar e promovimit të analistëve me bindje antishtetërore e antikombëtare, nuk i shërbejnë interesit të Kosovës, por përhapin huti, pasiguri, relativizim të agresorit, pa asnjë përgjegjësi morale e publike. Ata janë sinkroni i një “new born”-i pa taban, pa kujtesë, pa traditë e pa ndjeshmëri për popullin e vet. Kjo simfoni analistësh që kryen detyrën antishtetërore duke relativizuar e barazuar veten me armikun, po e pengon tejmase arritjen e një ndërgjegjësimi të shëndoshë shoqëror dhe një solidariteti kolektiv për situatën e përgjithshme në vend. E, për fat të mirë, qytetarët e rëndomtë, ne shumicë, në fshatra e qytete, e dinë dhe e njohin mirë veten e shtetin që i përkasin, e njohin jetësimin tonë kolektiv, prandaj ndonëse mund të mos dëgjohen në opinionin publik të orkestruar krejt ndryshe, janë shpresa dhe shpirti i popullit të Kosovës.

Roli i intelektualëve, OJQ-ve mekanizmave tjerë aktivë

Zëri i intelektualëve, akademikëve, studiuesve dhe institucioneve kërkimore e shkencore do të ishte krucial në kohën kur bashkësia ndërkombëtare është mobilizuar për të bindur Kosovën të tërhiqet nga e drejta e saj për sovranitet, rend e ligj, nga insistimi për të mos e dhënë veriun e Kosovës. Po ashtu, organizatat joqeveritare, të cilat me vite të tëra e me shpenzime marramendëse kanë punuar me të rinjtë rreth programeve avancuese për barazi etnike e gjinore, për shoqërinë liberale e paqësore, do të duhej të ishin në “agorën” e Republikës duke ngritur zërin kundër kanosjes, për paqe, rend e ligj, kundër agresorit që thyen paqen, legjitimitetin e sigurinë e të gjithëve. Në mobilizimin e ndërgjegjësimin kolektiv për situatën e krijuar do të ishte e udhës që edhe institucionet formale e joformale, mekanizmat tjerë me ndikim në shoqëri, si bashkësitë fetare, grupet rinore, iniciativat e ndryshme vullnetare të ishin aktive e të zëshme në ndërgjegjësimin për qëndrimin dinjitoz e të pakompromistë kundër kërcënimit e agresionit: për Republikë dhe paqe.

E vërteta e shtetit vs. e vërteta e shoqërisë

Nëse shoqëria, nga fryma e së cilës buron shteti, bart mbi supe hallin e Republikës dhe rendit kushtetues, e derivuar kjo nga edukimi patriotik në traditën e Rilindjes Kombëtare, të rezistencës kundër pushtimit e shtypjes dhe të luftës çlirimtare, dhe angazhohet me tërë qenien e vet në jetësimin e të vërtetës së vet historike e morale për të cilën ka sakrifikuar dje, e vërteta do të ishte e fituar herët apo vonë. Shteti dhe shoqëria përfaqësojnë të vërtetën morale dhe idealin kolektiv, për të cilin janë gati të sakrifikojnë edhe sot. Ndërhyrjet e presionet për të hequr dorë nga vetja, nga territori yt, për të lejuar krijimin e një Serbie brenda Kosovës përmes një Asociacioni kundër frymës kushtetuese, nuk do të kishin më kuptim, nuk do të diskutoheshin as si opsion orë e çast siç ndodhë tani. Por, në rastin kur ka një sabotim herë të zëshëm e herë të heshtur ndaj shtetit, kur opozita në të shumtën e herave taktizon me rrezikun e krijuar në funksion të marrjes së pushtetit, kur media e shoqëria civile ose rrinë si spektatorë ose gjykojnë policinë dhe shtetin e vet pse po prek kriminelët e armatosur brenda shtetit tonë, presioni ndërkombëtar për “shtensionim“ e për hapa prapa dalin në rend të parë, madje shndërrohen në problem serioz e mbeten logjike e legjitime. Kjo nuk do të thotë se qeveria duhet të amnistohet nga gabimet eventuale në përballje me kërcënimin në Veri.  Përkundrazi, një artikulim serioz, i argumentuar i gabimeve që mund të ketë bërë shteti në atë pjesë të vendit është obligim i secilit qytetar, institucion, parti e organizatë. Por, jo kjo përmes mënyrës së artikulimit, pamaturisë dhe metodës së realizimit të shndërrohet në sabotazh për shtetin në momentin vendimtar.

Retrospektiva si referencë

Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet kryesore të Bashkimit Europian është e patjetërsueshme për shqiptarët dhe Kosovën, është vendimtare për paqen e perspektivën tonë. Ndarja e shumë vlerave dhe interesave të përbashkëta me to, është themeli i një aleance të tillë. Në fakt, bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht BE-ja dhe SHBA-ja, si lehtësues e ndërmjetësues të dialogut, janë faktori kyç dhe vendimtar për fatin dhe formatin e shtetit tonë. Por, kjo nuk i bën as ata të pagabueshëm në qasje, taktikë, besa edhe në qëndrim ndaj problemeve tona. Bashkësia ndërkombëtare nuk e kryen rolin ttonë shtetëror e kolektiv. Ata e kryejnë rolin e vet. Ata nuk janë e vërteta jonë, ata nuk janë veta e parë e rrëfimit, ata janë veta e tretë. Insistimi në të vërtetën tonë nuk është armiqësim me ta. Po ashtu nuk mund t’i fajësojmë pse nuk e përjetojnë në përpikëri njësoj si ne çdo ndodhi të nënqiellit tonë. Përkundrazi, në rastin e Kosovës, kur tërë fryma kushtetuese, mendimi politik dhe sistemi shoqëror e shtetëror po ndërtohet konform vlerave e principeve përparimtare perëndimore, insistimi në të drejtën tonë historike nuk mund të lexohet si armiqësi me perëndimin. Nga ana tjetër, referenca më e mirë në gjykimin e bashkësisë ndërkombëtare është e kaluara jonë si komb. Retrospektiva na çon në konferencat ndërkombëtare (aleatët e miqtë ndërkombëtarë), që, në një moment të caktuar, morën vendime në dëm të shqiptarëve, qysh në fund të shekullit të 19-ta dhe fillim të shekullit të 20-të, duke lënë kështu gjeografinë shqiptare nën mëshirën e ushtrive serbe e malazeze, duke lënë fshatrat e qytetet shqiptare në dorë të persekutimeve publike. Dhe, qëndrimi kundër kësaj, për shembull, nuk është konflikt me miqtë, por ruajtje e dinjitetit dhe jetës tënde, për të mos rënë në dorë të armikut. Nuk është konflikt me bashkësinë ndërkombëtare ani pse mund të ketë prishur një status quo, të cilën bashkësia ndërkombëtare nuk e ka pasur prioritet dhe e ka parë si zonë të një stabiliteti relativ e të menaxhueshëm. Për fat të keq, aq e ulët është fryma e debatit në opinionin publik aktual, saqë duhet të shkruhet e flitet një gjë kaq e thjeshtë.

Insistimi për rend e ligj dhe dinamika e angazhimit ndërkombëtar

Kosova nuk ka alternativë, përpos të qëndrojë në të drejtën e saj, për sovranitet, rend e ligj, për Republikën në tërësinë e saj. Ajo që mund të bëjë Kosova është që të jetë e gatshme dhe e hapur për të implementuar marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër, të jap sinjalet bindëse se është proaktive për të gjetur zgjidhje dhe për të arritur një marrëveshje finale, ani pse në situatën e krijuar duket shumë e largët. Megjithatë, teksa në planin e brendshëm mund e duhet të vazhdohen përpjekjet për rend e ligj, pa kompromis, ndryshimi i dinamikës dhe kursit të angazhimit të SHBA-së dhe BE-së në këtë çështje mund të ndryshojë çdo gjë. Do të ishte fatbardhë fakti nëse Veriu hyn në listën e prioriteteve të tyre e të garantohej kështu një marrëveshje finale me Serbinë, që rajonit t’i hapet rruga e integrimit euro-atlantik. Në këtë kontekst duket se këto dy fuqi ende nuk e kanë marrë në dorë çështjen me tërë dinamikën, autoritetin dhe potencialin që e kanë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X