loader image
April 18, 2024

Promovimi i Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon dhe shpikja e “krizës së Kosovës”

Linja e politikës së jashtme, që është duke ndjekur shteti shqiptar në rajon, është e skicuar nga ajo që ish ambasadori dhe eksperti i sigurisë në Ballkan, Emir Haxhikadunoviq, e quan “strategjia e re amerikane në Ballkanin Perëndimor”. Sipas tij, “qasja e re e SHBA-së në rajon supozon se zgjidhja e problemeve të rajonit qëndron në ndarjen e Ballkanit Perëndimor në tre sfera të ndikimit: Serbi, Kroaci dhe Shqipëri. Megjithatë, kjo qasje nuk konsideron interesat e shteteve më të dobëta, si Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.”

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Drafti i propozuar nga Kryeministri i Shqipërisë, si reagim ndaj konfliktit të radhës Kosovë-Serbi, është kritikuar masivisht nga shumica e analistëve në Shqipëri dhe Kosovë si një gjest antishqiptar që i përkeqëson edhe më tej pozitat e shqiptarëve në rajon. Në fakt, përgjigjja e Albin Kurtit ndaj këtij propozimi, duke i rikujtuar Ramës nenin 8 të kushtetutës së shtetit shqiptar se “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj” vetëm sa e konfirmon koherencën e qëndrimeve politike të Kurtit përkundrejt Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe promovimit të sovranitetit territorial të shtetit të Kosovës. Nga ana tjetër, strategjia politike rajonale e Ramës, sikurse është bërë e qartë edhe herë të tjera në takimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor, më tepër se shqetësimin për sovranitetin e Kosovës, e ka si prioritet promovimin e shtetit shqiptar si faktor stabiliteti në sytë e ndërkombëtarëve. Këto prioritete të ndryshme të krerëve të dy vendeve reflektojnë edhe pozitat e ndryshme politike të dy shteteve shqiptare në rajon kundrejt Bashkimit Europian. Kësisoj, nëse shteti i Kosovës, përballë presionit të vazhdueshëm të ndërkombëtarëve për çështjen e Asociacionit dhe stagnacionit në negociatat për njohje nga 5 vendet e BE-së sot jo vetëm që nuk ka asnjë garanci për njohje të mëtejshme, por rrezikon edhe masa penaliteti ose sanksione nga Perëndimi, shteti i Shqipërisë e ka statusin e vendit kandidat që prej vitit 2014, ka një partneritet të vazhdueshëm me ndërkombëtarët, aq sa shpeshherë mund të shkojë në pragun e “vasalitetit”, si dhe, së bashku me Serbinë, është shteti që ka treguar më tepër gatishmëri për nismën e Ballkanit të Hapur dhe projekteve të tjera të bashkëpunimit rajonal. Nisur nga këto prioritete të ndryshme (për të mos thënë të kundërta) të dy vendeve me popullsi shqiptare, duket se sot marrëdhëniet mes dy shteteve në aspektin e politikës së jashtme janë po aq të distancuara sa në periudhën e përpara viteve ’90-të. Madje, raportet mes dy vendeve duken edhe më keq, nëse kemi para sysh se vetëm pak ditë përpara anulimit të takimit të kryeministrit të Shqipërisë me atë të Kosovës, Rama dhe Vuçiqi u takuan në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Kishinau të Moldavisë, ku ndër të tjera diskutuan edhe për çështjen e tensioneve në veri të Kosovës. Në strategjinë e politikës së jashtme të shtetit shqiptar, edhe ky takim u shfrytëzua për ta promovuar Shqipërinë si faktor stabiliteti rajonal, pasi, gjithmonë sipas perspektivës së qeverisë shqiptare, ruajtja e mbështetjes nga ndërkombëtarët mund të sigurohet vetëm nëse projektohet imazhi i një vendi që promovon paqen dhe stabilitetin në një rajonin e karakterizuar nga konfliktet dhe tensionet etnike. Në fakt, linja e politikës së jashtme, që është duke ndjekur shteti shqiptar në rajon, është e skicuar nga ajo që ish ambasadori dhe eksperti i sigurisë në Ballkan, Emir Haxhikadunoviq, e quan “strategjia e re amerikane në Ballkanin Perëndimor”. Sipas tij, “qasja e re e SHBA-së në rajon supozon se zgjidhja e problemeve të rajonit qëndron në ndarjen e Ballkanit Perëndimor në tre sfera të ndikimit: Serbi, Kroaci dhe Shqipëri. Megjithatë, kjo qasje nuk konsideron interesat e shteteve më të dobëta, si Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.” Ndarja në këto tre sfera influence parakupton se këto tre vende shihen nga perëndimi si faktor stabiliteti rajonal, çka u jep këtyre tre vendeve përgjegjësi për shmangien e tensioneve dhe ruajtjen e paqes në rajon. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria dhe Serbia janë vendet më demokratike të rajonit, pasi nëse nisemi nga argumenti mbi demokracinë, raportet e Freedom House ose progres-raportet e Bashkimit Europian na tregojnë qartazi se të dyja këto vende, me kalimin e viteve, po anojnë gjithnjë e më tepër drejt tipologjisë së sistemeve hibride me baza të forta të autoritarizmit, shkeljes së të drejtave të njeriut dhe shkallës së lartë të korrupsionit, që po gërryen ekonomitë e vendeve respektive. Mirëpo, nga ana tjetër, historia e këtij rajoni na ka treguar se mungesa e demokracisë së brendshme nuk është aspak pengesë që një shtet i caktuar të konsiderohet si faktor stabiliteti për rajonin, përderisa deri në fillimvitet ’90-të, ishte Jugosllavia që në agjendën politike perëndimore konsiderohej si faktor stabiliteti në Ballkan. Gjithashtu, rasti i Kosovës është një shembull tipik që na ilustron se, pavarësisht paketave të ndihmës sociale të implementuara nga qeveria Kurti në mbrojtje të shtresave në nevojë, por edhe pakicave serbe të veriut, prapëseprapë sot Kosova është shteti me pozitat më të rrezikuara në Ballkan sa i takon politikës së jashtme.

Por, cila është mënyra, përmes së cilës dy vende të dominuara nga korrupsioni dhe bandat kriminale, si Serbia dhe Shqipëria, mund të luajnë rolin e faktorit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor? Për t’i parë e sprovuar nga BE-ja dhe SHBA-ja aftësitë diplomatike në politikën e jashtme të këtyre vendeve, do të duhej ekzistenca e një krize politike në rajon, e cila edhe nëse nuk do ekzistonte, do duhej të shpikej.

Në shkrimin e tij The United States is Creating a Kosovo Crisis, Edward P. Joseph, Profesor i Menaxhimit të Konflikteve në Universitetin John Hopkins, thekson se “Nëse do kishte ndonjë person që konflikti i SHBA me Kosovën do t’i dukej krejt i pakuptimtë, ai do ishte Volodymyr Zelensky”. Nëse Presidentit të Ukrainës do t’i kërkohej të garantonte autonomi të pakicave ruse në Ukrainë, me gjasë, Zelensky do të drejtonte këto pyetje: a do ta pranonin pakicat ruse se ato janë qytetarë të Ukrainës dhe jo të Rusisë? A do ta pranonte Rusia sovranitetin e Ukrainës? A do të na garantojë autonomia e pakicave ruse anëtarësimin tonë në NATO?

Mirëpo, në rastin e Kosovës, shkruan Joseph, “Në vend se ta shohin Asociacionin instrumentalisht – sikurse do të bënte Zelensky në skenarin hipotetik të mësipërm ose sikurse po bën aktualisht Vladimir Putini – administrata amerikane po e shtron këtë kërkesë në mënyrë tërësisht dogmatike.”

Në muajin mars, gjatë takimit në Ohër dhe negociatave të zgjatura që vijuan deri në orët e vona midis Vuçiqit, Kurtit dhe Borrellit, pas diskutimeve mbi Planin e Normalizimit të Marrëdhënieve, Presidenti Serb u largua nga tryeza e bisedimeve pa dhënë asnjë angazhim ose premtim për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e ,jashtëzakonshme që do të zhvilloheshin vetëm një muaj më vonë në komunat e veriut. Pavarësisht se i dërguari i BE-së u paraqit i kënaqur me rezultatet e takimit në Ohër, deklarata e tij, pas takimit, të krijonte përshtypjen se palës serbe nuk i qe vendosur asnjë lloj kushtëzimi për mbështetjen e pjesëmarrjes në zgjedhje të komunave serbe të veriut, çka logjikisht do të ishte edhe hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, e për rrjedhojë suksesit të ndërmjetësimit europian në dialog. Për më tepër, pas ngjarjeve të fundit, edhe nëse Kosova i përmbush detyrimet e saj për Asociacionin, përsëri nuk ka asnjë garanci për anëtarësimin në NATO ose për njohje nga 5 vendet e BE-së, për aq kohë sa plotësimi i këtyre kërkesave jo vetëm që nuk është nën kontrollin e plotë të BE-së dhe SHBA-së, por këto të fundit nuk po demonstrojnë asnjë predispozitë për zbatimin e këtyre premtimeve. Në fakt, në muajin prill Spanja dhe Rumania votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Të njëjtën gjë bëri edhe Serbia, në kundërshti të plotë me zotimin e saj për të mos penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Nga ana tjetër, në përputhje me angazhimin e ndërmarrë në takimin e Ohrit për realizimin e Asociacionit, pak kohë më parë Albin Kurti propozoi një asociacion të bazuar në modelin e asociacionit serb në Kroaci, ku ekziston një Këshill Kombëtar për komunitetin serb. Pavarësisht vullnetit të Kurtit, propozimi në fjalë u refuzua nga pala serbe.

Siç shihet qartë, të gjitha deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-së gjatë 2-3 muajve të fundit nuk po bëjnë gjë tjetër, veçse po e thellojnë të ashtuquajturën “krizë të Kosovës”, duke vijuar kërkesat dogmatike mbi Asociacionin pa ofruar asgjë në këmbim dhe pa marrë përsipër as zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Dështimet e vazhdueshme të diplomacisë perëndimore janë duke e rikthyer rajonin sërish në konfliktet e viteve 90-të, duke e shkatërruar gjithë punën e vështirë që është bërë në njëzet vitet e fundit nga SHBA-ja dhe BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe për ruajtjen e balancës së fuqisë në rajon. Ndërkohë, paçka se duket se qeveria Rama po fiton besimin e duhur nga ndërkombëtarët duke u promovuar si faktor stabiliteti rajonal, strategjia e politikës së jashtme të Shqipërisë, e bazuar në kufirin e zbehtë që ndan aleancën me “vasalitetin” kundrejt Perëndimit, në afatgjatë vështirë se mund të konkurrojë me hegjemoninë serbe, e cila përveç aleancës me Rusinë, tanimë duket se gradualisht po përfton edhe mbështetjen e Perëndimit, çka u mundëson aleancave të Serbisë që të kenë një formë fleksibiliteti dhe manovrimi mes dy të kundërtave, për të mos u kthyer në “vasalitet” ndaj asnjërës prej superfuqive.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X