loader image
October 5, 2024

Stabilitet dhe mirëqenie përmes demokracisë sociale

Suedia dhe Norvegjia shërbejnë si yje në qiellin e demokracisë sociale, duke përqafuar me sukses parimet e saj. Suedia, me sistemin e saj të fortë të mirëqenies, ofron shërbime universale në kujdesin shëndetësor, në arsim dhe në sigurime shoqërore, duke ndërtuar një shoqëri ku pabarazia ekonomike dhe sociale është e ulët. Ndërkohë, Norvegjia ka krijuar një harmoni të mrekullueshme ndërmjet një ekonomie të fuqishme dhe një shteti të fuqishëm të mirëqenies, duke siguruar një standard të lartë jetese për të gjithë qytetarët e saj. Të dyja vendet demonstrojnë fuqinë e demokracisë sociale për të krijuar shoqëri të drejta dhe të barabarta, ku çdo individ gëzon mundësi dhe siguri të barabarta.

Shkruan: Jyxhel SPAHI, Prizren

Njerëzimi ndodhet në një udhëkryq të varfërisë në rritje dhe polarizimit të thelluar global, rajonal dhe shoqëror. Sot demokracia dhe ekonomia e tregut të lirë kanë sjellë përfitime të shumta, që rrjedhimisht kanë kontribuar gjithashtu në shtimin e pabarazisë ekonomike brenda shoqërive. Si pasojë e këtij sistemi, një pakicë e vogël arrin në një luks të pabesueshëm, ndërsa shumica mbetet në varfëri, duke i ndarë kështu shoqëritë në dy botë të kundërta. Në këtë sfond dramatik, Republika e Kosovës, pavarësisht zhvillimeve të mëdha pas luftës dhe transformimeve të ndjeshme politike e ekonomike që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, ende lufton me plagët e varfërisë së skajshme dhe pabarazisë ekonomike, që rëndon mbi një pjesë të madhe të popullsisë.
Ky artikull shqyrton përparësitë e demokracisë sociale në krahasim me demokracinë liberale. Duke eksploruar shembuj nga vende të zhvilluara që kanë përqafuar me sukses demokracinë sociale, synojmë të tregojmë se si një model i tillë mund të ndihmojë në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë. Integrimi i parimeve të demokracisë sociale në politikat e shtetit të Kosovës mund të kontribuojë në adresimin e pabarazive socio-ekonomike dhe në ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.

Demokracia sociale: Rrënjët, zhvillimi dhe qëllimet e saj

Demokracia sociale, si një lulëzim i industrializimit dhe zhvillimit të kapitalizmit, ka lindur dhe u rrit në gjirin e shoqërive të industrializuara, të strukturuara nga forca e klasës punëtore. Në këtë sfond historik, deri në çerekun e parë të shekullit të 20-të, ajo ka përshkuar një rrugëtim të pasur me debate teorike dhe ideologjike, duke u bërë një ideologji që ka mbajtur gjallë flakën e diskutimeve të thella dhe transformimeve shoqërore. Demokracia sociale, e njohur gjithashtu si demokraci shoqërore ose, thjesht, “e majta”, ka arritur të qartësojë vizionin e saj ideologjik, duke u distancuar nga marksizmi dhe ka përfunduar konsolidimin e saj si një lëvizje dhe ideologji autonome përmes praktikave të periudhës së shtetit të mirëqenies Keynesiane. Në këtë mënyrë, ka gjetur një identitet të qartë dhe një pozicion të veçantë në spektrin politik.
Demokracia Sociale, ndonëse është kundër modelit liberal të ekonomisë laissez-faire, nuk është kundër ekonomisë së tregut të lirë. Qasjen e saj ndaj ekonomisë mund ta përmbledhim si një përpjekje për të siguruar rritje të shpejtë dhe efektive duke përdorur shtetin brenda kornizës së tregut të lirë, me synimin për të krijuar drejtësi sociale përmes kësaj rritjeje. Demokracia sociale është një lëvizje politike dhe ideologjike që synon ta realizojë drejtësinë sociale brenda sistemit kapitalist. Qasja e saj është një ideologji ekonomike dhe shoqërore me rrënjë në Europën Perëndimore, e bazuar në klasën punëtore, por që gëzon mbështetjen e punëdhënësve dhe shoqërisë së gjerë. Ajo e pranon demokracinë parlamentare, tregun e lirë dhe strukturën kapitaliste të shoqërisë, duke synuar të minimizojë pabarazitë që sjell sistemi kapitalist, përmes rishpërndarjes së burimeve dhe ofrimit të një niveli si bazë jetese për të gjithë qytetarët. Si e tillë, demokracia është një fenomen social i formësuar kryesisht nga klasa punëtore dhe intelektualët që mbështesnin luftën e tyre me ide dhe përkushtim. Demokracia klasike politike shërben si faza e parë e demokracisë sociale, një element thelbësor dhe, në një farë kuptimi, si infrastruktura e saj. Demokracia klasike përqendrohet kryesisht në institucionet politike dhe të drejtat individuale, ndërsa demokracia sociale shtrihet më tej, duke përfshirë edhe aspektet ekonomike dhe sociale, me qëllim krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë.
Pa dyshim që është e vështirë të sigurohet liria e vërtetë e njerëzve, veçanërisht e atyre ekonomikisht të dobët, pa siguruar pavarësinë dhe sigurinë e tyre ekonomike. Varfëria dhe varësia ekonomike janë pengesat kryesore për lirinë. Demokracia politike dhe sociale janë dy fakte bazë që plotësojnë njëra-tjetrën, ku ekzistenca e tjetrit është e nevojshme për të arritur kuptimin e vërtetë dhe të saktë të secilës. Demokracia sociale në zhvillimin e saj historik shfaqet si një sintezë e të drejtave dhe lirive politike, ekonomike dhe sociale.
Demokracia sociale e së kaluarës është më ndryshe nga ajo e ditëve të sotme. Ajo ka lënë pas radikalizmin dhe rrënjët e saj të thella, duke përvetësuar demokracinë klasike liberale si një regjim politik. Demokracia sociale e sotme është reformiste në ndryshimin e strukturave politike, ekonomike dhe sociale të shoqërisë, duke preferuar pajtimin e klasave dhe jo dominimin e tyre. Ajo ka përvetësuar të drejtën e pronësisë, por pranon që prona të ketë një funksion social dhe të mos përdoret në dëm të shoqërisë. Në këtë kontekst, duket që demokracia sociale nuk është thjesht një zgjatim i demokracisë politike; ajo është fryti i saj natyror, duke siguruar që liritë politike të përkthehen në barazi ekonomike dhe drejtësi sociale. Demokracia sociale duhet të shihet si një përpjekje e pandalshme për të mishëruar idealet e demokracisë në të gjitha sferat e jetës, duke lidhur të drejtat politike me ato ekonomike dhe sociale, për të krijuar një shoqëri ku çdo individ ka mundësi të barabarta për të jetuar me dinjitet dhe drejtësi.
Nga ana tjetër, demokracia sociale shihet si një fenomen dinamik, i cili ndryshon dhe merr formë në përputhje me strukturat ekonomike, sociale, politike dhe kulturore të vendeve të ndryshme. Për këtë arsye, mund të ekzistojnë shumë përkufizime. Duke e pasur parasysh këtë dhe duke u përpjekur të ofrojmë një përkufizim të përgjithshëm, mund të themi se demokracia sociale, e cila pranon demokracinë politike klasike pluraliste si kusht bazë, është një sistem që synon të harmonizojë të drejtat politike me barazinë ekonomike dhe drejtësinë sociale. Qëllimet bazë të demokracisë sociale janë, si më poshtë:
• Luftimi i varfërisë dhe sigurimi i një shpërndarjeje të drejtë të të ardhurave.
• Parandalimi i përqendrimit të pasurisë në duart e një pakice dhe përhapja e pushtetit ekonomik te njerëzit.
• Dominimi i të drejtave të njeriut në të gjitha dimensionet e tyre.
• Trajtimi i zhvillimit në përputhje me një plan dhe brenda një qasjeje statistike.
• Arritja e punësimit të plotë.
• Dhënia e një karakteri social pagave dhe mëditjeve, duke parashikuar formacione reformiste.

Demokracia sociale: një zgjidhje për pabarazinë ekonomike në Kosovë
Një nga përparësitë kryesore të demokracisë sociale është përkushtimi i saj ndaj barazisë ekonomike dhe sociale. Në Kosovë, pabarazia ekonomike mbetet një sfidë e madhe pas kalimit nga një sistem socialist në një sistem kapitalist. Demokracia sociale ofron një shtegdalje të fuqishme përmes politikave të redistribuimit të pasurisë dhe ndërtimit të një sistemi të fortë të mirëqenies, duke krijuar një rrjet sigurie për të gjithë qytetarët. Ky model mund të ndihmojë në uljen e varfërisë dhe pabarazisë që ende e bëjnë të lëngojë vendi. Demokracia sociale në Kosovë mund të jetë gur themeli i një shteti të mirëqenies që garanton qasje universale në shërbime thelbësore, si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe sigurimet shoqërore. Duke investuar në këto fusha, Kosova mund ta rrisë cilësinë e jetës së qytetarëve të saj, duke krijuar një shoqëri më të barabartë dhe të drejtë. Një shembull frymëzues është Gjermania, me sistemin e saj të fortë të mirëqenies që siguron mbrojtje sociale dhe kujdes shëndetësor për të gjithë qytetarët, duke mbështetur stabilitetin dhe kohezionin shoqëror. Zbatimi i një modeli të tillë në Kosovë do të ndihmonte në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
Një aspekt tjetër thelbësor i demokracisë sociale është mbrojtja e të drejtave të punëtorëve. Në Kosovë, ku tregu i punës është ende në zhvillim dhe normat e papunësisë janë të larta, demokracia sociale mund të shërbejë si një fanar dhe udhërrëfyes duke promovuar kushte pune të drejta, paga të denja dhe mbështetje të fuqishme për sindikatat. Kjo qasje do të ndihmonte në krijimin e një mjedisi të punës më të drejtë dhe më të sigurt për punëtorët kosovarë. Një shembull frymëzues është Danimarka, me sistemin e saj të njohur si “Flexicurity”, që kombinon fleksibilitetin në tregun e punës me sigurinë për punëtorët, duke krijuar një balancë harmonike midis fleksibilitetit ekonomik dhe mbrojtjes sociale. Përmes politikave të redistribuimit të të ardhurave dhe taksimit progresiv, demokracia sociale mund të ndihmojë në zvogëlimin e pabarazisë ekonomike dhe sociale në Kosovë. Kjo gjë është veçanërisht e rëndësishme për një vend që përpiqet të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme dhe të drejtë pas një periudhe të gjatë të tranzicionit ekonomik. Po ashtu edhe Finlanda ofron një shembull tjetër të suksesshëm, duke ulur pabarazinë dhe ofruar një nivel të lartë të shërbimeve publike përmes një sistemi të fuqishëm të mirëqenies dhe të një taksimi progresiv. Këto modele frymëzuese tregojnë se demokracia sociale mund të ndërtojë themelet e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë. Nga ana tjetër, Suedia dhe Norvegjia shërbejnë si yje në qiellin e demokracisë sociale, duke përqafuar me sukses parimet e saj. Suedia, me sistemin e saj të fortë të mirëqenies, ofron shërbime universale në kujdesin shëndetësor, në arsim dhe në sigurime shoqërore, duke ndërtuar një shoqëri ku pabarazia ekonomike dhe sociale është e ulët. Ndërkohë, Norvegjia ka krijuar një harmoni të mrekullueshme ndërmjet një ekonomie të fuqishme dhe një shteti të fuqishëm të mirëqenies, duke siguruar një standard të lartë jetese për të gjithë qytetarët e saj. Të dyja vendet demonstrojnë fuqinë e demokracisë sociale për të krijuar shoqëri të drejta dhe të barabarta, ku çdo individ gëzon mundësi dhe siguri të barabarta.
Në Kosovë, tregu i punës është ende në fazat e tij embrionale dhe normat e papunësisë janë të larta. Demokracia sociale mund të shërbejë si alternativë për përmirësim të gjendjes, duke promovuar kushte pune të drejta, paga të denja dhe mbështetje të fortë për sindikatat. Privatizimet shpesh kanë sjellë re të zeza, duke përfshirë humbjen e vendeve të punës dhe përkeqësimin e kushteve të punës. Demokracia sociale, si një kështjellë e drejtësisë, qëndron në kundërshtim me këto praktika, duke theksuar rëndësinë e një sektori publik të fuqishëm dhe mbrojtjen e punëtorëve gjatë procesit të ndryshimeve ekonomike. Ajo përfaqëson një shpresë për një të ardhme ku çdo punëtor gëzon dinjitet, siguri dhe drejtësi në vendin e punës.

Përfundim

Pabarazia ekonomike hedh hije të thella mbi shoqërinë kosovare, me pasoja të shumta dhe të gjëra. Ajo frenon zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, ndez tensione sociale dhe politike dhe kufizon mundësitë për rritje dhe prosperitet për të gjithë qytetarët. Ky fenomen ndikon negativisht në arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera publike, duke krijuar një cikël varfërie të vështirë për t’u thyer. Për ta luftuar këtë pabarazi, implementimi i politikave të mirëqenies është thelbësor. Këto politika, gjithashtu, duhet të synojnë mbështetjen e grupeve më të prekura dhe rishpërndarjen e pasurisë në mënyrë më të barabartë. Rritja e pagave minimale, përmirësimi i sistemit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe krijimi i programeve sociale që mbështesin familjet me të ardhura të ulëta, janë hapa thelbësorë për ta zbutur pabarazinë ekonomike dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.
Pa dyshim që kalimi nga socializmi në kapitalizëm ka sjellë sfida të shumta për Kosovën, por demokracia sociale shfaqet si një udhë eqëndrueshme për t’i përballuar ato. Duke theksuar barazinë ekonomike dhe sociale, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, pjesëmarrjen demokratike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, kjo qasje ofron një dritë shprese. Shembuj nga Suedia, Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda dëshmojnë se demokracia sociale mund të kombinohet me një ekonomi të fuqishme dhe të qëndrueshme, duke krijuar shoqëri me të drejta edhe më të barabarta. Është gjithashtu e rëndësishme t’i njohim dobësitë e demokracisë liberale, përfshirë ngadalësinë e vendimmarrjes, rrezikun e populizmit, manipulimin e informacionit, fragmentimin politik dhe korrupsionin. Megjithatë, përkushtimi ndaj parimeve demokratike mbetet thelbësor për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë në Kosovë. Demokracia sociale, si e tillë, mund të kontribuojë në trajtimin e pabarazive socio-ekonomike dhe në krijimin e një sistemi më të drejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik. Integrimi i Kosovës në modele të ngjashme me ato të shteteve të zhvilluara europiane mund të ndihmojë në realizimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë, duke marrë parasysh sfidat specifike me të cilat përballet vendi.

Bibliografia:

Andersen, T. M. (2012). A Flexicurity Labour Market in the Great Recession: The Case of Denmark. De Economist, 117–140.
Çubukçu, S. U. (2007). Sosyal Demokrasi: Melez Bir Politik Gelenek”, içinde 19. Yüzyıldan 20. Yüzyıla Modern Siyasal İdeolojiler. Bilgi Üniversitesi Yayınları, 253–306.
Demaku, F. (2023). Nacionale. Gjetur në www.nacionale.com: https://nacionale.com/politike/raporti-i-dash-per-kosoven-edhe-pse-shumica-i-perket-moshes-se-punes-shkalla-e-papunesise-mbetet-e-frikshme
Ekonomia. (2023, 7). Gjetur në https://www.ekonomia.info/: https://www.ekonomia.info/sq/politike/vv-projektligji-per-pagat-nuk-e-rregullon-pabarazine-ne-paga
Friedrich, C. J. (2014). Sınırlı Devlet. Ankara: Liberte Yazınları.
Gül, H. (2008). Keynesçi Refah Devletinin Temeli Olarak Sosyal Demokrasi ve Yeni Liberal Dönüsümün Yansımaları. Süleyman Demirel Üniversitesi, 07-132.
Hyman, R. (2001). Understanding European Trade Unionism: Between Market, Class and Society. SAGE Publications.
Kamalak, İ. (2004). Üçüncü Yol ve Sosyal Demokrasi. Doğu ve Batı – İdeolojiler, 221-235.
Kaya, F. (2008). Demokratik Sosyalizm ya da Sosyal Demokrasi Nedir? Yeni Toplum Sosyal Demokrat.
Koray, M. (2005). Görülmek İstenmeyen Gerçek: Sosyal Refah Politikaları ve Demokrasi İlişkisi. Çalışma ve Toplum Dergisi, 27-60.
Korpi, W., & Palme, J. (1998). The Paradox of Redistribution and Strategies of Equality: Welfare State Institutions, Inequality and Poverty in the Western Countries. American Sociological Review, 63(5), 661-687.
Krasniqi, A. (2021, 02 10). Sbunker. Gjetur në https://sbunker.org: https://sbunker.org/en/opinion/pese-pasojat-tronditese-te-pabarazise-ekonomike/
Küreselleşme Sürecinde Refah Devleti Uygulamaları Açısından İsveç Modelinin Değerlendirilmesi (2012).
Moon, J. D. (1988). Responsibility, Rights, And Welfare – The Theory Of The Welfare State. Westview Press, Boulder & London, 1-15.
Syri Kosova. (2021, 11 09). Gjetur në www.syri.net: https://www.syri.net/syri_kosova/ekonomi-lajme/313501/thellohet-pabarazia-ne-kosove-1-per-qindshi-me-i-pasur-ka-me-teper-te-ardhura-se-30-perqindshi-me-i-varfer/
Talas, C. (1987). Demokrasi, sosyal demokrasi, sendikal haklar ve özgürlükler. Sosyal Siyaset Konuları, 284-289.
Tuna, O. (1952). İşçi Fırkaları ve Sosyal Demokrasi Hareketi. Journal of Social Policy Conferences.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X