loader image
July 17, 2024

Sjellja e njeriut dhe demokracia

Demokracia në Shqipëri i ka të njëjtat probleme që i kishte edhe gjatë regjimit komunist. Demokracia, në letër, nuk fillon më 1991, siç thuhet, meqë atëherë u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste (shumë partiake). Juridikisht, Shqipëria ishte demokraci që më 1946, kur u krijua kushtetuta që mbronte të drejtat e njeriut, si liria e fjalës, e besimit, e organizimit, e zgjedhjes, e pronës, e lëvizjes etj., prej të cilave regjimi komunist nuk e respektoi asnjërën. 

Çelo HOXHA, Tiranë

Demokracia është vlerësuar si forma qeverisëse më e mirë gjatë dy shekujve të fundit a diçka më shumë; aq i mirë është emri i saj, saqë kanë nxituar ta shfrytëzojnë dhe armiqtë më të egër të saj. Pas Luftës së Dytë Botërore, në një numër shtetesh europiane, përfshi Shqipërinë, e morën pushtetin me dhunë partitë komuniste, të cilat praktikisht ndërtuan regjime diktatoriale, por në ligjërim e maskonin si “demokraci”, duke i shtruar cilësorin “popullore” ose “proletare” etj. Një prej vendeve të vetëquajtura “demokraci popullore” ishte dhe Bashkimi Sovjetik, i cili për 30 vjet (1922-1953) u sundua prej Stalinit, njëri prej diktatorëve më mizorë në historinë e njerëzimit.

Në historinë e Shqipërisë ka pasur vetëm një qeveri (1944-46) të emërtuar si “qeveri demokratike” dhe ajo ka qenë qeveria më kriminale në historinë e shtetit shqiptar. Në realitet, kjo qeveri ishte një entitet politik kriminal, i angazhuar totalisht në instalimin e totalitarizmit komunist në Shqipëri. Ajo e emërtoi veten si “Qeveria Demokratike e Shqipërisë”, për t’u bërë më e pranueshme në sytë e popullit, i cili nuk i donte komunistët. Edhe më vonë, kur nga emri i qeverisë e hoqi termin “demokratike”, regjimi komunist e konsideronte veten si “demokraci popullore”. Ja një citim nga kodi penal (neni 1/1952): “Legjislacioni penal i Republikës Popullore të Shqipërisë ka detyrë ta mbrojë shtetin demokratik, popullor të punëtorëve, të drejtat dhe liritë demokratike të shtetasve dhe rendin juridik socialist nga veprat shoqërisht të rrezikshme, dhe te zbatimit të dënimeve të parashikuara në këtë Kod kundër personave që kryejnë këto vepra.”

Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (1985), jepet si përkufizim për “demokracinë popullore” një gjendje e caktuar pushteti dhe jo një formë specifike qeverisjeje. Sipas Fjalorit, demokracia popullore ishte “formë shtetërore e diktaturës së proletariatit, e vendosur në Shqipëri si rezultat i fitores së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të revolucionit popullor”. Me këtë formulim, koncepti “demokraci popullore” nuk shfaqej si përkufizim i një fenomeni politik, filozofik dhe ekonomik, por si etiketë për qeverisjen e një grupi njerëzish që kishin marrë pushtetin në Shqipëri (komunistët).

I njëjti Fjalor përmban dhe një koncept tjetër, të ngjashëm me konceptin “demokraci popullore”, i cili quhej “demokraci proletare”. Demokracia proletare, në përkufizimin e Akademisë së Shkencave, ishte “formë qeverisjeje në periudhën e ndërtimit të shoqërisë socialiste e të kalimit në komunizëm, ku pushtetin e ka klasa punëtore dhe e udhëheq partia e saj marksiste-leniniste”. Në shpjegimin e akademikëve komunistë, demokracia proletare ishte demokraci për shumicën dhe diktaturë për pakicën. Në realitet, termi “demokraci” përdorej nga komunistët si maskë për regjimin e tyre të dhunës masive ndaj gjithë popullit në tërësi dhe jo vetëm ndaj një pakice.

Sidoqoftë, gjithë ky parashtrim synon për të treguar se cili ishte ndikimi i konceptit demokraci në opinionin publik dhe, siç shihet, ishte aq pozitiv, sa edhe armiqtë e saj e përdornin në forma të ndryshme, sa më shpesh të mundeshin, me qëllim të maskonin synimet e tyre reale.

Në vendet që demokracia ishte realisht një formë qeverisjeje, politikanët ishin realistë në gjykimin e saj.

Më 11 nëntor 1947, kur Lufta e Ftohtë, një garë e dy formave të kundërta qeverisëse, sapo kishte filluar, Çurçilli e mbrojti argumentin në favor të demokracisë në parlamentin britanik me humor, cinizëm dhe realizëm njëkohësisht, kur tha se: “Shumë forma qeverisëse janë provuar dhe do të provohen në këtë botë mëkati dhe fatkeqësish. Askush nuk pretendon se demokracia është e përsosur. Dhe, vërtet, që është thënë se demokracia është forma qeverisëse më e keqe, me përjashtim të gjithë formave të tjera që janë provuar herë pas here”.Koha e vërtetoi që demokracia ishte më e mirë se gjithë format e tjera, të cilat ishin, me shkallë të ndryshme represioni, diktatura.

Dy cilësitë pozitive të demokracisë mendohet që janë: 1) ndërrimi periodik i pushtetit dhe 2) përfaqësimi i popullit në vendimmarrje. Teorikisht mendohet se ndërrimi periodik i pushtetit që realizohet në një sistem demokratik mundëson parandalimin e diktaturave, të cilat zakonisht identifikohen me pushtetin e një personi ose klike dhe populli nuk ka kurrfarë ndikimi në vendimmarrje.

Përvoja ka treguar se pritshmëria teorike nuk funksionon përherë ose, të paktën, rezultatet e zgjedhjeve demokratike nuk janë domosdoshmërisht më të mirat. Shoqëritë e sotme demokratike kanë treguar se asnjë sistem politik nuk është imun kundrejt degradimit. Në vendet me qeverisje demokratike, përfaqësuesit e kauzave të ndryshme ideologjike, agjendave okulte etj., e kanë shfrytëzuar sistemin demokratik, pa e ndryshuar atë, për të arritur përfundimet e dëshiruara. Në SHBA, për shembull, që është një nga vendet me demokraci të konsoliduar (ose mendohet se është), grupime të caktuara kanë arritur të kthejnë në ligj, përmes gjykatave, çështje që nuk mund t’i realizonin kurrë përmes organit legjislativ. Ky është shfrytëzim i sistemit demokratik, për agjenda të caktuara, të cilat nuk përkrahen nga shumica e popullsisë dhe, të vetëdijshëm për këtë, përfaqësuesit e këtyre agjendave, shfrytëzojnë instrumentet “demokratike” për të përmbushur synimet e tyre malinje.

Demokracia në Shqipëri i ka të njëjtat probleme që i kishte edhe gjatë regjimit komunist. Demokracia, në letër, nuk fillon më 1991, siç thuhet, meqë atëherë u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste (shumë partiake). Juridikisht, Shqipëria ishte demokraci që më 1946, kur u krijua kushtetuta që mbronte të drejtat e njeriut, si liria e fjalës, e besimit, e organizimit, e zgjedhjes, e pronës, e lëvizjes etj., prej të cilave regjimi komunist nuk e respektoi asnjërën. Më 1991, demokracia u kalua nga realiteti juridik në atë faktik. Nëse do të kishte dashur elita komuniste të zbatonte kushtetutën që e kishte krijuar vetë, shumëpartitizmi do të kishte filluar dekada më herët.

Ajo që dua të them me këtë është se faktori më rëndësishëm për funksionimin e çdo lloj sistemi është njeriu. Problemi në Shqipëri nuk është sistemi demokratik, por morali i elitave politike, ekonomike, kulturore, e me radhë. Dhe, elitat, të gjitha, nuk kanë moral të ndryshëm nga shumica e popullsisë.

Sistemi është si puna e një instrumenti të ndërlikuar që duhet ta përdorin njerëz të të aftësuar, që janë provuar në jetë. Sistemi, edhe i keq të jetë, nuk është përgjegjës për përfundimet e këqija. Sistemi i keq është si puna e një arme zjarri: nëse ia jep një hajduti, ai do të shkojë të marrë peng punonjësit e bankës; nëse jep një pacifisti, ai do ta dorëzojë në muze ose do ta çmontojë përsëri metalin për qëllime të tjera.

Prandaj, problemi themelor i një shoqërie në krizë nuk gjendet te sistemi politik, por te elitat dhe vetë shoqëria. Pa shëndoshje morale të shoqërisë, nuk mund të ketë sistem politik të mirë. Degjenerimi i shoqërive të sotme, jo vetëm shqiptare, ka rritur deri aty, sa e kanë pranuar si aksiomë thënien “Politika nuk ka moral.”

Ndikimi i imoralitetit të ushtruar për një kohë të gjatë e ka deformuar dhe aftësinë gjykuese të shoqërisë, saqë mendon se politika nuk ka moral. Politika, si çdo veprimtari njerëzore, duhet t’i nënshtrohet gjykimit moral. Çdo veprimtari njerëzore duhet të gjykohet moralisht, sepse njeriu është qenie morale. Nëse një aktivitet njerëzor gjykohet si pamoralshëm, atëherë ai është i tillë sepse ushtrohet nga njerëz imoralë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X