loader image
July 27, 2024

Si u rikthyen në Kosovë organizimet e dikurshme terroriste serbe

Nga viti 1999, kur me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarake-Teknike me NATO-n, Serbia u detyrua të largojë nga Kosova të gjitha njësitë e veta ushtarake, policore, paraushtarake dhe të shërbimeve sekrete, ajo filloi t’u rikthehej taktikave të vjetra terroriste të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX. Qysh?

Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Përdorimi i serbëve të Kosovës nga Serbia në projektin e Serbisë së Madhe nuk fillon nga viti 1999, kur Serbia sërish u detyrua të largohej e mundur nga Kosova. Në të vërtetë nga viti 1999 fillon përdorimi i serbëve lokalë me taktikat e vjetra, të kohës së fundit të sundimit osman në Kosovë, kur serbët u përdorën për destabilizmin e shtetit osman, po edhe më shumë për denoncimin e shqiptarëve dhe krijimin e klimës për pushtimin e Kosovës nga Serbia pas largimit të planifikuar të Shtetit Osman nga Rumelia. Pra, nga viti 1999, kur me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarake-Teknike me NATO-n, Serbia u detyrua të largojë nga Kosova të gjitha njësitë e veta ushtarake, policore, paraushtarake dhe të shërbimeve sekrete, ajo filloi t’u rikthehej taktikave të vjetra terroriste.

Vuçiqi si një pasardhës besnik i kral Petrit

Organizata e parë e tillë ishte “Rojat e Urës”, e cila nën pretekstin e ruajtjes së Urës së Ibrit, u shndërrua menjëherë në një organizatë paramilitare e terroriste. Për disa vite “Rojat e Urës” kanë ushtruar ndikim e pushtet në pjesën veriore të Kosovës, sigurisht si dorë e zgjatur e regjimeve të Beogradit. Organizata “Rojat e Urës” në fillim ishte nën urdhrat e Millosheviqit, mandej kaloi nën urdhrat e Koshtunicës, të Tadiqit e përfundimisht nën komandën direkte të Vuçiqit. Si rezultat i ndryshimeve të qeverive të Beogradit dhe të rivaliteteve të brendshme, ka pasur modifikime të organizimeve dhe të taktikave, ku bie edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit, liderit të parë të organizatës “Rojat e Urës”. Ndërsa me formimin e partitë “Srpska lista” (Lista Serbe) organizimi i serbëve të veriut dhe të Kosovës kalon nën direktivën e Aleksandar Vuçiqit edhe si formacion politik e edhe si organizimi subverziv e terrorist. Sot Vuçiqi është udhëheqësi faktik i asaj organizate dhe i aktiviteteve të saj në terren, ku përfshihet edhe hyrja e dalja nga institucionet, barrikadat dhe sulmet me bomba ndaj institucioneve legale të sistemit.

Realisht, organizimi i tashëm i serbëve të Kosovës ka specifikat e kohës në të cilën jetojmë, por në esencë është në vazhdën e organizimeve të dikurshme të fundit të shekullit XIX dhe sidomos të fillimit të shekullit XX, kur Serbia e kral Petrit destabilizonte shtetin osman me aktivitete terroriste në këto hapësira, me synim pushtimin e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Vuçiqi, në këtë kontekst, me projektin klasik serbomadh të modifikuar si “bota serbe” duket si një pasardhës besnik i kral Petrit. Ndërsa, organizatat e serbëve lokalë, që nga “Rojat e Urës” e deri te “Srpska lista” janë vazhdimësi e organizatave të dikurshme terroriste që vepronin në atë kohë në këto hapësira.

Meqë është kështu, ia vlen të kujtohet ajo periudhë dhe ato organizata terroriste që përdori Serbia, duke manipuluar me serbët lokalë, për të kuptuar disi më mirë edhe këto organizimet dhe manipulimet e sotme që po bën Serbia me serbët lokalë dhe me dirigjimin që bën nga Beogradi. Në fundin e shekullit XIX, pas Kongresit të Berlinit, ku e fitoi pavarësinë dhe në dy deceniet e shekullit XX, Serbia e konsolidoi projektin e Serbisë së Madhe dhe filloi ta testonte aty ku kishte pakica të kombit serb, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë. (Për shkaqe praktike, kësaj here na intereson aktiviteti serb në Kosovë, ndonëse në Bosnjë pati ndikime shumë më largvajtëse, sepse me aktivitetet e saj terroriste atje, Serbia e provokoi Luftën e Parë Botërore). Në Kosovë (duke përfshirë me këtë term edhe Maqedoninë e sotme, ngase qendra e Vilajetit të Kosovës ishte Shkupi dhe Vilajeti i Manastirit ishte arena e rivaliteteve greke, serbe, bullgare e shqiptare, filloi të intensifikoi aktivitetet e organizatave të veta terroriste. Aktivitetet fillestare të organizatës “Këshilli Kryesor i Organizatës Çetnike”, të ideuar nga Spallajkoviqi, kishin cak të parë likuidimin e krerëve të lëvizjes kombëtare shqiptare. Ndërsa, organizatat kryesore terroriste serbe u bënë “Narodna odbrana” (“Mbrojtja Popullore” dhe “Liri ose Vdekje” përkatësisht “Dora e Zezë.” “Narodna Odbrana” u formua në vitin 1908, ndërsa shef i saj ishte gjeneral Bozhidar Jankoviqi. Një nga taktikat e saj ka qenë infiltrimi i grupeve të kriminelëve në Kosovë dhe ushtrimi i terrorit mbi popullsinë. Cak i sulmeve terroriste serbe kanë qenë edhe civilë serbë, për ta shfrytëzuar viktimizimin e tyre për etiketimin e shqiptarëve si zullumqarë. Në vitin 1911 fillon aktivitetet terroriste organizata më famëkeqe,”Crna ruka” (“Dora e Zezë’), e cila udhëhiqej nga kolonel Dragutin Dimitrijeviqi-Apisi. Lidhur me veprimtarinë komplotiste e terroriste të asaj organizate ka dëshmi të shumta, por njëra është posaçërisht indikative në këtë kontekst. Në librin e Edit Durhamit “Krimi i Sarajevës” sillet një dëshmi e një gazetari serb të arrestuar në Serbi nga pjesëmarrësit e organizatës “Dora e Zezë.” Gazetari kishte mbetur gjallë dhe kishte pohuar se e kishte parë me sytë e vet kapiten Tankosiqin në një kamp në afërsi të Beogradit, të veshur në veshje kombëtare shqiptare. Për ata që nuk kanë njohuri për Tankosiqin: ai ishte njëri nga kriminelët më gjakatarë të organizatës “Crna ruka”. Krimet e tij në Kosovë dhe në Maqedoni kundër civilëve kanë qenë nga më të llahtarshmet. Pra, organizatat terroriste serbe përdornin veshje kombëtare shqiptare, për të kryer krime e për t’ua faturuar ato krime shqiptarëve! Atë traditë e ka vazhduar Serbia në Kosovë edhe pas vitit 1999. Këtu mund të kujtojë vrasjen e bujqve në Grackë të Lipjanit, si edhe krimin terrorist në Gorazhdec, për të cilin ka prova se e kanë kryer pjesëtarë të shërbimeve sekrete serbe, ndërsa kanë tentuar që t’ua faturojnë shqiptarëve. Ka edhe raste të tjera siç ka qenë rasti në restorantin “Panda” dhe siç ka qenë edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit. Me një fjalë, veçmas pas vitit 1999 Serbia ka riaktivizuar taktikat e organizatave të dikurshme terroriste në Kosovë dhe ka kryer shumë aktivitete destabiliuese e terroriste, jo vetëm ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës, po edhe ndaj serbëve lokalë. Bile edhe presionet e tashme ndaj disa politikanëve serbë të Kosovës, të cilët kanë hyrë në institucionet e Kosovës, janë po në atë frymë, ndonëse kësaj here me kërcënime e presione më të hapura, për frikësimin e qytetarëve të lëkundur serbë në Kosovë.

Nëse ka naivitet par excellence, naiviteti ynë është i tillë

Përkundër ngjashmërive të dukshme të taktikave subversive e terroriste që janë përdorë nga Serbia në fundin e shekullit XIX dhe në fillimin e shekullit XX, institucionet tona e as prezenca ndërkombëtare nuk e kanë deshifruar atë skemë të projektit që po zbaton Serbia në Kosovë pas vitit 1999. (Në librin tim me titull “Ankthi i vjetër në shekullin e ri – Presionet e Serbisë ndaj Kosovës pas vitit 1999) jam munduar të alarmoj për këtë çështje, po askush nuk e ka marrë seriozisht). Natyrisht edhe aktivitetet e tashme të daljes nga institucionet, të sulmeve ndaj zyrave qeveritare, të bllokimit të rrugëve, të eksplodimit të bombave, janë brenda të njëjtës skemë të vjetër të veprimtarisë terroriste, që e organizon dhe e përdorë shteti serb. Institucionet tona dhe prezenca ndërkombëtare, civile e ushtarake, në të shumtën e rasteve i kanë kualifikuar e vlerësuar si veprime reaktive ose si aksione refuzuese ndaj ndonjë veprimi a vendimi qeveritar. Ky ka qenë dhe është një naivitet par excellence, ngase e vërteta është se ky është projekt nacional serb për të shfrytëzuar organizimet terroriste për ta shuar ndikimin e Serbisë, për të mbajtur aktiv projektin nacional të Serbisë së Madhe, me Kosovën në bërthamë të atij projekti. Parullat se Kosova është “tokë e shenjët serbe” dhe “Jerusalem serb” nuk janë reagime emocionale ose shkulme reaktive ndaj ndonjë ngjarjeje konkrete, po janë slogane që e ilustrojnë nënkuptojnë një projekt të përpunuar, i cili zbatohet me mjete politike, diplomatike, po edhe me veprime subversive e terroriste, kur është e nevojshme. Institucionet tona shtetërore, edhe sot kur barrikadat kanë mbyllur rrugët në veri, kur ndaj zyrave qeveritare hidhen bomba, kur veturat e serbëve lojalë që duan të regjistrojnë veturat me tabelat e Kosovës, hidhen në erë më eksploziv, nuk kanë qëndrim të qartë se këtu është fjala për përdorimin e organizatave dhe metodave terroriste, për destabilizim e më vonë për ndonjë formë agresioni më të hapur. Gjeneratat e reja të politikanëve të Kosovës nuk e njohin si duhet as historinë e raporteve serbo-shqiptare, as historinë e shtetit serb dhe aq më pak traditat e shtetit serb për të përdorë arsimin, kulturën, mediat, religjionin, si të orkestruara me terrorizmin shtetëror. Thjesht, nuk kanë haber.

Çka duhet të bëjmë?

Në këtë mes duhet të përmendet një element shumë i rëndësishëm i projektit serbomadh: Serbisë nuk i konvenon mirëqenia dhe rehatia e serbëve në shtete jashtë Serbisë. Projekti nacional serb angazhohet që gjendja e serbëve lokalë të përkeqësohet, që ata të jenë në konflikt me qeveritë, sepse vetëm ashtu Serbia e mban kontrollin mbi ta dhe manipulon me ta. As këtë aspekt të projektit serbomadh nuk e kanë adresuar deri as qeveritë tona e as prezenca ndërkombëtare në Kosovë. Fjala vjen, edhe mospagesa e energjisë elektrike dhe e shërbimeve të tjera, nuk është paraqitur si favor që u bën shteti i Kosovës shtetasve të vet, po si koncesion që i bën prezenca ndërkombëtare Serbisë, për të qenë e moderuar në raport me Kosovën. Pra, milionat kanë shkuar për dhjam qeni. Saktësisht kështu ka vepruar Austro-Hungaria ndaj Serbisë, pas aneksimit të Bosnjë e Hercegovinës, nga vitit 1908 e deri në vitin 1914, por ajo politikë nuk i ka ndihmuar aspak për ta frenuar projektin serbomadh, që çoi në vrasjen e dukës Franc Ferdinand nga organizata terroriste serbe “Mlada Bosna”, e cila ishte e sponsorizuar nga qeveria e Serbisë dhe e koordinuar nga organizata terroriste “Dora e Zezë.”

Çka do të thotë kjo përvojë, për gjendjen e sotme në Kosovë? E para, kjo do të thotë që qeveria e Kosovës duhet ta ndërrojë qasjen ndaj serbëve të Kosovës. Favoret, ofertat dhe projektet e integrimit, duke përfshirë edhe Bashkësinë e Komunave Serbe, duhet t’ua ofrojë atyre, si kompensim për shkëputje nga influenca dhe nga diktati i regjimit të Beogradit. Në këtë aspekt, duhet të punohet më shumë me individë si Nenad Rashiqi e Rada Trajkoviqi dhe me parti e shoqata që e pranojnë realitetin në Kosovë, por janë pasivizuar nga terrori që ka ushtruar Serbia mbi ta.

E dyta, në një moment më të volitshëm, partia “Srpska lista” do të duhej të fshihej nga regjistri i partive politike, veçmas pas rebelimit të fundit, që i ka elementet e tradhtisë ndaj shtetit.

E treta, duhet të denoncohet çdo aktivitet i Serbisë si vazhdimësi e taktikave subversive dhe terroriste që i ka rrënjët nga koha e luftërave ballkanike dhe e Luftës së Parë Botërore. Kjo qasje mund të kthjellojë edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila nuk e ka kuptuar fare programin nacional serb, i cili në mënyrë rezolutive e koncepton Serbinë e Madhe me Kosovën si epiqendra e saj. Kjo ideologji serbomadhe nuk çmontohet pa u pranuar Kosova në NATO. Pra, harrojeni që Serbia ndryshon, transformohet lidhur me Kosovën, pa e humbur definitivisht çdo mundësi ndikimi e ndërhyrjeje.

NATO e ka një mësim të mirë nga e kaluara, se si dinë të sillen serbët në raport me fitimtarin, kur ai është i fuqishëm. Serbët, kur janë përballë një force serioze, dinë të gjunjëzohen, siç bënë edhe pas betejës së Kosovës në vitin 1389. Ditën kur pësuan disfatën e rëndë, në Fushë Kosovë, në mesin e zisë për humbjen fatale dhe për vdekjen e prijësit serb, Llazar Hrebellanoviqit, ata ia dhanë Bajazidit për grua të bijën e Llazarit, ndërsa dy bijtë e tij pranuan vasalitetin ndaj sulltanit të ri osman. Deri në Betejën e Ankarasë (1402), ku sulltan Bajazidi u zu peng dhe u vra nga mongolët, serbët ishin plotësisht lojalë ndaj sulltanit osman. Pra, thënë thjesht, serbët ndalen vetëm me forcë. Në rastin e Kosovës nuk ka asnjë shans tjetër, sepse miti i Kosovës ata i bën irracionalë, i shtyn të bëjnë veprime të çmendura. Tentimi për ta zhdukur një popull të tërë, për huqet e një miti, siç është miti serb për Kosovën, nuk ka tjetër emër pos çmenduri. Këtë duhet ta kuptojmë definitivisht ne shqiptarët e sotëm.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X