loader image
January 13, 2025

Logjika e breshkës!

Tani serbët e instrumentalizuar nga Beogradi dhe strukturat kriminale në veri kanë vënë barrikadat dhe vazhdimisht po protestojnë. U bënë disa javë që kur janë ngritur barrikada në veri të Kosovës dhe akoma mbeten aty përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe Prishtinës zyrtare. Madje, edhe vendkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak mbeten të mbyllura.

Mersel BILALLI, Gostivar

Pozicionet aktuale të pushtetit të Kosovës lidhur me bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve si duket i përngjajnë një barsolete, kur në një fluturim tejoqeanik, me plot udhëtarë, një papagall zëshëm provokonte. Kjo iu duk interesante breshkës, e cila me kënaqësi u përfshi në duet me te. Nuk ndihmuan as vërejtjet e kapitenit të avionit se do i hidhte jashtë nëse s’pushonin t’i bezdisnin udhëtarët. Më në fund kapiteni u detyrua ta realizonte kërcënimin e tij! Duke rënë nga lartë, papagalli e pyeti breshkën se a dinte fluturim? Jo! – u përgjigj breshka! E çka t’u desh të më dalldisësh mua?! – ia ktheu papagalli.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, dukej se Kosova e para në rajon do fillonte me procesin e çkapjes së shtetit, madje besohej se kokëfortësia e Abinit për shumë situata të pamundshme do të shndërrohet në aksione për shumë veprime të mundshme. Sepse, si të vini në pushtet, pushojnë fjalët e mëdha dhe duhet të fillojnë veprat qofshin edhe të vogla. Këtu, blofet, improvizimet ose mashtrimet, që mund të duken melodike për veshët, në fakt nuk zgjidhin punë. Madje në disa raste mund edhe të prishin punë. Sepse, sytë janë ata që më së shpeshti demantojnë veshët.

SHBA dhe Bashkimi Europian harxhuan energji për t’u bërë diçka e mirë për Kosovën. Por, politika ditore populiste diti ta shembë brenda ditës atë që ishte ndërtua për dekada. Tani sërish Uashingtoni dhe Brukseli po i përmirësojnë gabimet fillestare të atyre që shpallin veten si të pagabueshëm. Ato po punojnë intensivisht në uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, tani të lidhur për veriut të Kosovës. Atje duket se situata gati se doli jashtë kontrollit për çështje krejt banale, siç janë targat e automjeteve, mu në momentin më kritik të zhvillimit të bisedimeve! Kjo situatë, më pas u “pasurua” me një zinxhir veprimesh të dëmshme, të cilat dukshëm dobësuan pozicionet biseduese të Kosovës. Çka është më e keqja, të gjitha këto hapa shkurtpamëse që në start dështuan. Pra, targat u shtynë, njësoj si edhe zgjedhjet, por dëmet nga to mbetën.

Të merresh me çështje të dorës së dhjetë (në njëfarë rangimi normal prioritetesh), në pozitën kur temë qendrore është vendosja e marrëdhënieve relativisht të qëndrueshme mes dy shteteve të pavarura, të armiqësuara – nga çdo vlerësim i matur është baras me analfabetizëm politik. Tanimë në vend të rezultateve konkrete mes dy shteteve, gjithkund bisedohet për bllokadat serbe, për nevojat dhe qëllimet e tyre, për “rrezikimin” e tyre, për kthimin në institucione të tyre, etj! Udhëheqësia kosovare, duke marrë fajin mbi shpinë, vetëm se shpëtoi atë serbe, e cila akoma s’ishtë e përgatitur ta miratonte dokumentin e ofruar. Çështja e targave, njësoj si edhe ajo e zgjedhjeve fiktive, u shtinë për kohë të ardhsme, por dëmi nga to për shumë kohë do mbetet. Madje do shërbej si shembull dështimi për shumë institute që merren me hulumtim të paqës në botë! Andaj, struktura opozitare në Kosovë, jo pa arsye thekson se Kurti me dobësitë e veta tanimë ka ra në grackën e Serbisë!

Madje, vet logjika e mbajtjes së zgjedhjeve pa përkrahje të gjerë të serbëve lokalë, vetëm se kompromiton qeverinë e Kosovës për deficit të kapacitetit demokratik të saj. S’është aspak normale që serbëve në veri të Kosovës, Beogradi t’ua caktoj udhëheqësit. Por, aq më pak do ishte normale që shqiptarët ta bëjnë atë. Ata vet duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, por kjo nuk mund të arrihet pa një klimë besimi me pushtetin në Kosovë.

Të provoni të vëni çfarëdo sistemi në targat e automjeteve të veriut ose të mbani zgjedhje jolegjitime atje, pa dilemë se ajo do çonte ujë në mullirin e Vuçiqit. Andaj, humbja e kohës dhe e pozicioneve biseduese, duke improvizua demonstrim pushteti ndaj një popullate e cila objektivisht s’i dëgjon institucionet e Kosovës – duket se tepër i gjason fluturimit të breshkës naive. Tentimet e pushtetit të Kosovës që të demonstrojë njëfarë sovraniteti në veri të Kosovës, vetëm se po e nxitë zjarrin dhe i rrënon edhe ato pozicione të arritura më heret.

Tani serbët e instrumentalizuar nga Beogradi dhe strukturat kriminale në veri kanë vënë barrikadat dhe vazhdimisht po protestojnë. U bënë disa javë që kur janë ngritur barrikada në veri të Kosovës dhe akoma mbeten aty përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe Prishtinës zyrtare. Madje edhe vendkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak mbeten të mbyllura. Ditë më parë, mijëra serbë lokalë nga veriu i Kosovës protestuan në Rudar afër Zveçanit, në mes të tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës.

Pa dilemë se pas protestave dhe barrikadave atje qëndron Beogradi zyrtar dhe struktura kriminale të koordinuara nga dy persona të nëntokës – Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq, të cilët si duket bëjnë profite të majme në të zezë, ku duket se janë të kyçur edhe do shqiptarë. Aty tani duket se ka depërtua edhe rrjeti terrorist paramilitar “Wagner Group”, të cilët janë të njohur për krimet në Donbas, kurse më herët në Siri, Libi etj.

Çfarë thotë Rezoluta 1244?

Pas shumë tensionesh në vazhdimësi mes Beogradit dhe Prishtinës, veçanërisht pas bllokimeve të reja të rrugëve, Beogradi i kërkoi zyrtarisht KFOR-it, pra forcave paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO, që të mundësojë kthimin e një numri të caktuar të forcave serbe të sigurisë në veri të Kosovës. Më 16 dhjetor kjo kërkesë iu dorëzua zyrtarisht përfaqësuesit të KFOR-it.

Këtu, Serbia qëllimisht shkelë mbi disa akte të rëndësishme ndërkombëtare. Në fakt pas kapitullimit të saj më 9 qershor 1999, një ditë më pas, pra më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244 – një nga dokumentet ndërkombëtare më të cituara në Ballkan. Ky dokument, në pikën 4, thekson se pas tërheqjes së forcave jugosllave, do lejohet kthimi asistues (pra, joaktiv) i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav dhe serb në Kosovë për t’i ushtruar funksionet në përputhje me Aneksin 2. Mirëpo, ndërkohë pushon së ekzistuari RF e Jugosllavisë si subjekt ndërkombëtar, me ç’rast çështjet territoriale të padefinuara me automatizëm shuhen. Shtesë janë faktet se vetë Rezoluta 1244, në pikën 11-a flet për status në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës. Pastaj këtu është edhe Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Më vonë kemi Planin e Ahtisarit dhe, së fundmi, vjen Marrëveshja e Brukselit (e cila fletë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe) për policinë, për gjykatat etj., por gjithë këtë në supozim të dokumentit të Ahtisarit, i cili parasheh – “pavarësi të mbikëqyrur”.

Por, sidoqoftë, pretendimet serbe për prezencë apo asistencë kanë qëllime tjera. Ajo synon pozicione të reja mes Serbisë dhe Kosovës. Pra, tani sikur dëshirohet njëfarë defokusimi të procesit negociator, që në asnjë formë s’përket me realitetin. Pra, prej pozicioni të gjertanishëm se palët bisedojnë për normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, tani Serbia pretendon që bisedimeve t’u japë një kahe tjetër, se gjoja “Kosova e Metohija qenkan pjesë e sovranitetit të saj”! Një pozicion i tillë i rrejshëm, objektivisht as në ëndërr s’do mund ta kthejë gjendjen pas, por në vazhdimësi mund t’i zvarritë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella, duke u thirrë në dokumente të tejkaluara, gjithë kjo me arsye do i ngarkohej në shpinë kryeministrit aktual të Kosovës dhe partisë së tij. Mbajtja e tij në njëfarë distance me SHBA-në ka mundur t’i kushtojë Kosovës shumë. Fjala është për gabim të pafalshëm historik.

Esenca e propozimit të Gjermanisë dhe Francës me përkrahjen e SHBA-së qëndron në atë që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizmat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe OKB-në, edhe pse kjo e fundit shprehimisht nuk potencohet në dokument, por gjithsesi se nënkuptohet. Si kundërshpërblim, Serbia do të përfitonte në përshpejtimin e procedurave për hyrje në BE, me gjitha përfitimet financiare që përcjellin këtë proces. “Ne nuk do të poshtëroheshim dhe të detyroheshim ta njihnim zyrtarisht Kosovën, por do të ishte me rëndësi që të mos kundërshtojmë dhe t’u japim një sinjal të qartë të gjithëve se jemi dakord me anëtarësimin e Kosovës në OKB”, – pati thënë Vuçiqi dy muaj më parë.

Por, këtu, mund të ndeshemi me një problem tjetër. E ai është se edhe sikur Serbia heshtazi mos të bënte pengesa për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, Rusia me të drejtën e saj të vetos në Këshillin e Sigurimit, për interesa të saja të lidhura për rajonit të Dombasit, do të mund të insistonte në statuse të shteteve të pavarura të atyre rajoneve nën okupim, si kompromis për heqjen dorë nga aneksimi i tyre.

Përndryshe, lidhur me mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë s’pritet të ndodhë ndonjë presion “buldozer-diplomaci”, sepse tanimë SHBA-ja planifikon që edhe Serbinë ta fusë në zonën e ndikimit të saj. Andaj, politika properëndimore në Kosovë duhet të jetë e qartë dhe e balancuar. Standardet perëndimore në Kosovë nuk mund të jenë të improvuara. Ato duhet të jenë konkrete dhe demokratike. Edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, pasi për të qenë me Perëndimin domosdo duhet demokratizim.

Ndikimi rus!

Pa dilemë se invazioni rus ndaj Ukrainës duket se ka krijuar një panoramë të re të sigurisë në Europë. BE-ja duket se është zgjuar nga gjumi dhe vlerëson nevojën për të ripërtërirë angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor në këto kohëra stuhie, ku Rusia mund të përdorë potencialin e saj duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet e pazgjidhura të shteteve në rajon, edhe pse reputacioni ndërkombëtar i saj tani është rrënuar ndjeshëm. Në një artikull të publikuar nga gazeta ruse ‘Nezavisimaya Gazeta’, theksohet se Rusia ka shprehur gatishmërinë e saj për t’u përfshirë në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës! Planet ruse lidhur me Kosovën dhe për zbehjen e ndikimit perëndimor në rajon, duket se janë të thella. Si kundërvënie ndaj prezencës së NATO-s në Kosovë, rusët dhjetë vite më parë kanë hapur “Qendrën Humanitare Ruso-Serbe” në Nish, të cilësuar si “Qendër e Emergjencave”, ndërsa botërisht e njohur si qendër spiunazhi rus në Ballkan. Rusia ka kërkuar nga Serbia njohjen e statusit diplomatik për këtë qendër spiunazhi, në mënyrë që zyrtarët e saj të kenë imunitet diplomatik për veprimtarinë e tyre në rajon. Por, për shkak të presionit të madh të SHBA-së dhe BE-së, Serbia ende po heziton t’i njohë një status të tillë.

Por, plani ruso-serb për Kosovën duket se është vënë në funksion. Rusia, në koordinim me Serbinë, vazhdojnë të pengojnë procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Përcaktimi i Kosovës si vend properëndimor ka ndikuar që Rusia ta shohë atë dhe gjithë shqiptarët në rajon si pengesë për realizimin e planeve të saj për Ballkanin.

Ditë më parë, në një artikull të publikuar nga gazeta ruse “Nezavisimaya Gazeta” theksohet se serbët u revoltuan pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte paraqitur kërkesë për hyrjen e vendit të tij në Bashkimin Europian. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, konsideron se më këtë akt janë shkelur të gjitha ligjet dhe marrëveshjet europiane. Ai sqaron se Kurti ka kritikuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit në kohën e Presidentit Tramp dhe se ka penguar ratifikimin e asaj marrëveshje.

Por, NATO asgjë s’i lë rastit. “Ne po i ndihmojmë shtetet ballkanike që të rezistojnë ndaj influencës malinje nga Rusia e cila kërkon destabilizimin e këtij rajoni. Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një rendësi të veçante për NATO-n. Ne kemi një histori të gjatë angazhimi në këtë rajon. Ne ndihmuam që t’u jepet fund dy konflikteve brutale në Bosnjë dhe Kosovë. Po ashtu ne ndihmuam që ta stabilizonim situatën në Maqedoninë e Veriut 20 vite më parë. Në Kosovë ne kemi një prezencë të konsiderueshme ushtarake në mbështetje të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo demonstron përpjekjet tona për të mbështetur bisedimet diplomatike me ndërmjetësinë e BE-së.” – ka thënë Jens Stoltemberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Por, ne duhet të pushojmë së rezonuari me logjikën e breshkës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X