loader image
July 17, 2024

Demokracia e shpërfytyruar dhe gjendja e ngrirë

T’u referohemi pak fjalimeve të Demostenit. Oratori, i cili ishte kundër indiferencës së athinasve ndaj veprimeve të Filipit, pyeti: “A ka menduar ndonjëri prej jush, athinas, pse Filipi u bë kaq i fuqishëm?”. E kur u sulmua fizikisht nga politikani Meidia, që nuk e kishte duruar kritikën e tij, ai tha se një shtet quhej i dështuar nëse sundimi i ligjit cenohej nga njerëz të pasur dhe të paskrupull, kurse quhej demokratik kur qytetarët fitonin pushtet dhe autoritet vetëm nëpërmjet forcës së ligjeve.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Ikin vitet e dhjetëvjeçarët dhe ende nuk e kalojmë kursin fillestar mbi demokracinë. Leksionet i mësojmë gabimisht ose i interpretojmë siç na pëlqejnë. Krijimi i mendësisë së re dhe demokratizimi i jetës shoqërore nuk është proces i vetvetishëm. Lypset përgjegjësi dhe investim në mbrojtjen e vlerave të demokracisë, derisa ajo të na bëhet mënyrë jetese. Mendimtarët shqiptarë këtë përgjegjësi të lartë qytetare e quajtën “ndjenjë për jetën e përbashkët”. Pra, ta vlerësosh dhe të jesh i përgjegjshëm për pronën publike dhe jo vetëm për pronën private.

Demokracia është farsë kur gjendja e ngrirë pranohet si “fat i paracaktuar”; kur heshtet para ligësisë; kur cenohen parimet e shtetit të së drejtës dhe vlerat e demokracisë; kur ka media të kontrolluara që nuk informojnë, por propagandojnë dhe indoktrinojnë; kur ka gjyqësi të kapur, korrupsion politik dhe shkallë të lartë kriminaliteti; kur cenohet autonomia e sferave shoqërore; kur nuk ka liri të mendimit, të shprehjes dhe të besimit; kur njerëzit kanë frikë të grupohen lirshëm në grupime ose parti politike; kur amatorizmi ia zë vendin profesionalizmit; kur rrënohet tërësisht sistemi i vlerave dhe secili flet me kompetencë të frikshme; kur shoqërinë e pushton ligështimi dhe indiferenca.

Le t’u referohemi pak fjalimeve të Demostenit. Oratori, i cili ishte kundër indiferencës së athinasve ndaj veprimeve të Filipit, pyeti: “A ka menduar ndonjëri prej jush, athinas, pse Filipi u bë kaq i fuqishëm?”. E kur u sulmua fizikisht nga politikani Meidia, që nuk e kishte duruar kritikën e tij, ai tha se një shtet quhej i dështuar nëse sundimi i ligjit cenohej nga njerëz të pasur dhe të paskrupull, kurse quhej demokratik kur qytetarët fitonin pushtet dhe autoritet vetëm nëpërmjet forcës së ligjeve.

Diversiteti dhe ekskluziviteti

Demokracia e nënkupton pranimin e shumëllojshmërive dhe jo vetëm ekskluziven kombëtare, kulturore, gjuhësore, religjioze, sociale, partiake apo ideologjike.

Ngulmimi në mbrojtjen e ekskluzives dhe mungesa e ndjenjës për alteritetin do të thotë përjashtim i diversitetit dhe i dialogut, që janë garanci për ruajtjen e ekuilibrave dhe të paqes në një shoqëri, veçanërisht në shoqëritë me shumëllojshmërinë e sipërpërmendur.

Shoqëritë postkomuniste, mjerisht, ende i vuajnë pasojat e inercisë dhe të njëmendësisë nga sistemi paraprak, kurse thirrja në emër të ekskluzives bëhet për qëllime përfitimesh meskine edhe pse një shoqërie i shkaktojnë dëme në planin afatgjatë.

Kaluan dhjetëvjeçarë dhe u rrit një brez postkomunist, por edhe atij duam t’ia imponojmë mënyrën e jetesës dhe mendësinë paraprake. Një brez nuk mund të quhet i ri vetëm për shkak të moshës, por për shkak të mendimit dhe veprimit të ri që e sjell në politikë dhe në shoqëri.

Kundërshtari “pa virtyte”

Në shtetet me demokraci të brishtë kundërshtari ideologjik apo politik ende shihet si armik pa virtyte dhe jo si oponenti që ka këndvështrim tjetër për botën e shoqërinë, gjithnjë në pajtueshmëri me vlerat themelore të lirisë e të demokracisë. Në këso shtetesh, ai që nuk i beson një ideologjie ose asnjë ideologjie, menjëherë shpallet i pavlerë, pa virtyte dhe i dëmshëm.

Poeti disident Marko Veshoviqi e krahasoi këtë njëmendësi me raportin e Gebelsit drejtuar Hitlerit. Gebelsi, pasi i kishte marrë në pyetje ushtarët anglezë, të zënë si rob lufte, shkroi: “Fyhreri im, tek ata nuk ka kurrfarë ideologjie, ata janë të privuar nga çfarëdo virtyti njerëzor”.

Në sistemin demokratik, sipas Gjergj Konradit, “secili ka të drejtë të jetë disident” dhe nuk shihet si armik i përbetuar. Një mendimtar tha se kundërshtari politik moralisht nuk është i keq, estetikisht nuk është i shëmtuar; ai vetëm mendon ndryshe, por megjithatë mendon.

Në sistemin e njëmendtë demokratik njerëzit kanë të drejtë t’i bashkohen një partie ose ta braktisin atë; partitë kanë të drejtë të bëjnë aleanca, por janë të palejueshme kanosjet, shantazhet, dhuna verbale e fizike për arritjen e qëllimeve politike.

Në vendet me mungesë të traditës demokratike, palët kundërshtare acarohen skajshmërisht dhe tentojnë të krijojnë identitet politik jo nëpërmjet programeve, ideve e veprimeve politike, por nëpërmjet përbaltjes së kundërshtarit politik dhe ideologjik. Tensionimet deri në absurditet dhe fokusimi te dukuritë kalimtare janë mungesë e kulturës demokratike dhe e vizionit politik.

Sot kemi nevojë për veprime politike që e përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve, sepse një komb që jeton në gjendje mbijetese, ekzistenciale dhe emergjence pushon së menduari për gjërat esenciale. Sipas Fan Nolit, ai komb shpejt mund ta humbë pavarësinë.

Politika si reality show

Politika vazhdon të shihet vetëm si luftë për pushtet. Kemi shfaqje naive politikanësh, të cilët politikën e shohin si reality show dhe besojnë se kështu mund të arrijnë deri te lavdia e përnjëhershme.

Politikani, tek i cili funksionon mekanizmi i brerjes së ndërgjegjes, nuk magjepset nga retë kalimtare. Ai mban përgjegjësi për fjalën e thënë dhe veprimet që ndërmerr, sepse arroganca ose dhuna verbale, herët a vonë, nxisin dhunë fizike; se fjalët e pamenduara dhe veprimet emocionale çojnë edhe në tragjedi.

Nga politikanët pa këtë përgjegjësi nuk pritet asgjë e mirë. Ata që nuk i njohin vlerat themelore të demokracisë, sa më shumë fitojnë pushtet, aq më shumë bëhen të dhunshëm dhe të dëmshëm. Mund të bëhen “të dobishëm” për të klonuarit e tyre, për ata që kanë interesa personale e grupore dhe që “i shesin” si interesa madhore, por prej tyre nuk ka dobi shoqëria dhe qytetarët.

Gjendja e një shoqërie nuk ndryshon me spektakle, parulla, klishe, refrene, sharje, fyerje dhe me “bukë e lojëra”. Ajo ndryshon falë një vizioni politik të qartë dhe real, me strategji afatgjate dhe me veprime politike të menduara mirë, që një vend e çojnë drejt mbrothësisë.

Një shoqëri përjeton mbrothësi kur prijësit nuk nisen nga interesat meskine dhe kur politikën nuk e shohin si spektakël ose si mundësi për ta kënaqur vullnetin e tyre për pushtet e lavdi.

Prijësi i përgjegjshëm e konsideron funksionin që e ushtron si mundësi për të bërë vepra të dobishme jo vetëm për bashkëmendimtarët dhe votuesit e tij, por edhe për brezat e ardhshëm. Sot kujtohen vetëm drejtuesit të cilët lanë vepra që i shërbejnë të mirës së përgjithshme.

Politikani i përgjegjshëm nuk azdiset, nuk përjeton ekstazë me fitoret kalimtare, as nuk shfaq arrogancë dhe mospërfillje ndaj votuesve. Ai mëton t’i realizojë qëllimet që ia ka vënë vetes, pa u udhëhequr nga urrejtja dhe ndjenja e hakmarrjes. Ai punon me përgjegjësi edhe për ata që nuk e kanë votuar dhe njëkohësisht është i pakompromistë kundrejt të keqes edhe në radhët e veta.

Kur të arrihet kjo vetëdije politike, atëherë mund të thuhet se është e tejkaluar kriza e lidershipit politik dhe i kemi mësuar ashtu siç duhet leksionet mbi demokracinë. Në të kundërtën do ta shohim vetëm shfaqjen e njëjtë me aktorë të tjerë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X