Është pozitive që shqiptarët janë renditur përkrah Perëndimit dhe NATO-s. Është pozitive se kanë mbështetës. Por nuk duhet ta harrojmë se shqiptarët disa herë dhe në momente kyçe u rreshtuan gabimisht për shkak të politikanëve dhe paguan çmime shumë të shtrenjta.
Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë
Shtetet e vogla kanë ambicie të mëdha, por nuk kanë ndikim në zhvillimet globale. Ndonëse flasin për çështje madhore, nuk pyeten kur merren vendime të rëndësishme për politikat globale dhe ndarjen e sferave të interesit.
Në shtetet e vogla u besohet teorive të komploteve dhe flitet për kurthe të mëdha. Sajohen hiperbola për veten dhe litota për të tjerët. Numërohen edhe të vdekurit, që të duken më të mëdhenj prej të vegjëlve të tjerë.
Shtetet e vogla kanë histori me disa vëllime dhe rrëfime të shumta për betejat e tyre vendimtare për fatin e botës. Historinë e munguar të diplomacisë e kompensojnë me historinë e luftërave. Historinë e dredhive e zëvendësojnë me histori trimërie.
Në shtetet e vogla ka shumë heronj dhe këngë lavdie, kurse ngjarjet dhe marrëveshjet e zakonshme quhen historike.
Shtetet e vogla shpesh shërbejnë si monedha të vogla, që falen si bakshishe në pazaret e mëdha…
II.
Fuqitë e mëdha, ndryshe nga shtetet e vegjël, e synojnë shtrirjen dhe dominimin përtej kufijve të tyre. Ato forcohen nëpërmjet shtrirjes së ndikimit ushtarak, politik, ekonomik dhe kulturor. Gjithkund ku kanë mundësi. Sipas Herfred Munkler-it, fuqitë e mëdha, gjatë shtrirjes, mbështeten në fuqinë luftarake e ekonomike dhe kur konsolidohen e shtrijnë ndikimin në planin politik dhe ideologjik.
Fuqitë e mëdha i kanë përgjegjësitë dhe detyrimet më të mëdha, sepse mendojnë edhe për fatin e botës e të qytetërimit. Por, fuqitë e mëdha edhe sherret i kanë të mëdha.
Në arenën e interesave dhe përplasjeve botërore, popujve të vegjël u duhet mençuria dhe aftësia për t’u rreshtuar në anën e duhur, por pa u shpërfytyruar dhe humbur identitetin e tyre.
Shqiptarët ka ndodhur që janë rreshtuar në anën e gabuar të historisë dhe shpesh kanë paguar çmime të shtrenjta, prandaj historia jonë, sipas Eqrem Çabejt, përmblidhet me fjalinë: “Vendbanimi i sotëm i shqiptarëve nuk është trevë ekspansioni, po një trevë restrikcioni, përfundim i një ngushtimi të paprerë gjatë historisë shqiptare”…
III.
Politika globale, edhe pse duket e strukturuar, ndryshon në vazhdimësi. Vorbulla e përhershme e ndryshimeve mund të jetë fatale për shtetet e vogla nëse përgjumen. Sepse në pazaret e të mëdhenjve nuk ka sentimente, por vetëm interesa.
Nga shënimet e diplomatëve të dikurshëm e kuptojmë se me çfarë lehtësie burrat e shteteve kanë vendosur për fatet e kombeve. Derisa njerëzit vuanin, diplomatët i shikonin hartat. Jo vetëm si rrafsh dydimensional. Dhe nuk e kishin merakun se aty jetonin njerëz që vuanin, vriteshin, torturoheshin dhe dëboheshin nga tokat e tyre. Diplomatët i kërkonin në harta interesat e tyre. Parimet? E kujt i është bërë vonë për parime. Me parime janë zbukuruar fjalimet me parulla për humanizëm, drejtësi, liri, të drejta njerëzore, vlera qytetërimore.
George Fred Williams, në librin Shqiptarët (1918), thotë: “Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje ose arsye në sallat e diplomacisë”. Pastaj i citon fjalët e Uksensherna-s, kryeministër i Suedisë në vitin 1612: “Djali im, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota”…
IV.
Shteteve të vogla u duhet diplomaci e fuqishme. Ajo nuk bëhet me djem dhe bija baballarësh me pushtet. Diplomatët e vërtetë e nuhasin se çfarë përgatitet në zyrat e diplomacive të fuqive të mëdha. Politikanët, ndërkaq, duhet ta dinë se kur flasim për politikën e jashtme, nuk ka vend për emocione. Politika e jashtme nuk bëhet për përfitime politike të çastit.
Rrethanat ndryshojnë përherë. Shqiptarët nuk duhet të vetëgënjehen se janë në qendrën e vëmendjes së fuqive të mëdha. Ata mund të duken në skenën e politikës botërore nëse punojnë me mençuri dhe përkushtim. Në të kundërtën bëhen të padukshëm.
Është pozitive që shqiptarët janë renditur përkrah Perëndimit dhe NATO-s. Është pozitive se kanë mbështetës. Por nuk duhet ta harrojmë se shqiptarët disa herë dhe në momente kyçe u rreshtuan gabimisht për shkak të politikanëve dhe paguan çmime shumë të shtrenjta. Politikë e mençur do të thotë të mendosh para se të veprosh dhe jo të veprosh e pastaj të mendosh për efektet.