Pse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e duan Albin Kurtin? Cilët janë liderët shqiptarë që gjatë historisë së “demokracisë” kanë pasur mbështetje euforike ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë shohin tek ai? A është identifikim me liderin e guximshëm dhe të pakorruptuar? Pse ju pëlqen politika refuzuese e Vetëvendosjes? Në cilin tabor politik ka më shumë mbështetje? Si ndodh që disa simpatizues të BDI-së njëherësh janë edhe albinistë?
Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup
Këtë shkrim e nisa fillimisht me pyetjen: Pse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e duan kaq shumë Albin Kurtin, por m’u kujtua që shpesh studentëve u them që duhet t’i shmangin titujt me pikëpyetje, meqë publiku kërkon përgjigje e jo pyetje! Pra, analiza kërkon përgjigje të argumentuara se pse sot një figurë publike është kaq e dashur dhe e mbështetur tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut!
Shkëlqimi i figurave shqiptare në historinë e re
Në vitet ‘80-ta, figura e Enver Hoxhës ka qenë shumë e respektuar dhe e vlerësuar ndër shqiptarët e mbarë ish Jugosllavisë! Jo se dinin shumë mbi veprimtarinë politike dhe shtetare të “shokut Enver”, por duke jetuar në sistemin ish jugosllav, ëndërronin me syçelë bashkimin me Shqipërinë, andaj e duke dashur shtetin shqiptar, e donin edhe Enver Hoxhën. Kreu i Shqipërisë komuniste identifikohej me Shqipërinë dhe nga këtu lindte dashuria e madhe e shqiptarëve jashtë kufijve administrativë shqiptarë, të cilët në dasma e ahengje fshehtas i këndonin diktatorit:
Enver Hoxha heu Tungjatjeta!
Sa këto male e sa këto shkrepa
Zanin shqipes o lart ia ngrite
Gjithë këtë popull në dritë e qite!
Berisha dhe Rugova, dy liderë të admiruar
Pas rënies së bustit të Enver Hoxhës në sheshin e Tiranës, shqiptarët e Maqedonisë e zëvendësuan liderin e tyre të dashur komunist me një lider tjetër, demokratin Sali Berisha, i cili u bë prijës i ndryshimeve rrënjësore të sistemit politik të Shqipërisë! Berisha shihej si figurë shpresëdhënëse për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët. Më të afërt dhe më të preferuar e bënte fakti që Berisha ishte nga Tropoja, që do të thotë se perceptohej si burrë kreshnik e malësor, përdorte retorikë etnopolitike, duke i përmendur shpesh edhe shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, ishte i djathtë, përkatësisht politikan me botëkuptime joateiste. Duke qenë president (më vonë edhe kryeministër i Shqipërisë) dhe duke pasur mbështetje gati se plebishitare në fillim të proceseve demokratike, Berisha ishte politikani që shihej me simpati, madje edhe me admirim nga shqiptarët e këtushëm. Admirimin e shfaqur hapur ndaj tij as për së afërmi nuk e ka arritur asnjëri nga liderët socialistë, Fatos Nano e Edi Rama, edhe pse realisht për Ramën nuk mungon simpatia te një pjesë e shoqërisë shqiptare, por aleanca me Vuçiqin sikur e zbeh portretin e tij.
Pas Berishës, politikani më i dashur i epokës së demokracisë së re shqiptare pa dyshim ishte Ibrahim Rugova. Një politikan i matur, fjalëpak dhe me bindje pacifiste, ai ishte edhe lider i Këshillit Koordinativ të Partive Politike Shqiptare, ndërsa angazhohej për Kosovën e pavarur dhe, si i tillë, kishte mbështetjen e shumicës së shqiptarëve të Kosovës. Kjo e përforconte perceptimin pozitiv për Rugovën jo vetëm në spektrin politik shqiptar, por edhe tek publiku shqiptar. Ky preferim i figurës së Rugovës natyrisht se zgjati deri në vitin 1999, pasi që nga fillimi i luftës çlirimtare në Kosovë nën siglën e UÇK-së në horizont dukej rënia e figurës paqësore të Rugovës dhe shkëlqimi i figurës ushtarake të Hashim Thaçit.
Albin Kurti, kompensim i lidershipit të fuqishëm
Edhe pse është i kuptueshëm interesimi i madh i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut mbi Kosovën, nuk mund të arsyetohet heshtja apo mosthënia e asnjë fjale mbi atë që ndodh në skenën vendore dhe analizimi i hollësishëm i ngjarjeve në Kosovë. Sikur më shumë na intereson se çfarë ndodh në komshi sesa në shtëpi!
Me shfaqjen e Albin Kurtit në skenën politike kosovare, paralelisht me rritjen e intensitetit të aktiviteteve të tij politike dhe të Vetëvendosjes, rritej ndjeshëm edhe admirimi ndaj liderit të ri, i cili shihej si shpresa e re e shqiptarëve të Kosovës! Albin Kurti është me siguri kompensim për liderin apo politikanin e guximshëm që duan ta kenë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Politikan që i thotë JO Serbisë dhe Vuçiqit dhe nuk i thotë çdoherë PO bashkësisë ndërkombëtare! Kurtin e duan shqiptarët e këtushëm me një eufori të jashtëzakonshme, e shprehur në diskursin publik, si në media, ashtu edhe një rrjetet sociale, kjo meqë të paktën me retorikë tregohet lider i guximshëm, meqë e shtrin sovranitetin në veri të Kosovës, arreston banditë serbë, është i ditur dhe i lexuar, i pakorruptuar e i pakriminalizuar dhe jo shumë i vetëbegenisur, edhe pse vetëbesimi nuk i mungon! Kurti është edhe populist dhe populizmi ende në Ballkan është njëra nga doktrinat dominuese politike, e cila i tërheq si magnet njerëzit e shtresave të ndryshme shoqërore. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ose shumica e tyre ëndërrojnë të jetojnë në Shqipëri të përbashkuar, ndërsa ideologjia albiniste e ka në program bashkimin me Shqipërinë, synim që ia rrit rejtingun edhe më shumë.
Të irrituar me kundërshtimet dhe kritikat nga 70 % e analistëve dhe opinionistëve në televizionet dhe mediat e Kosovës, që i bëhen politikës së tij, e cila shfaq nota autonome vendimmarrëse, por edhe i votuar me 50.02 për qind, Kurti shihet me sy afirmativ në Maqedoninë e Veriut. Nuk mungojnë, ndonëse janë të paktë, edhe ata që thonë se “Po na prish me Amerikën!”.
Dy në një: edhe me BDI-në, edhe me Albinin!
Albin Kurti është lider i preferuar për të gjitha partitë politike shqiptare, ndërsa raportet me Bashkimin Demokratik për Integrim ndër vite nuk kanë qenë të shkëlqyera, edhe pse kohëve të fundit, të paktën, takimet zyrtare me Ali Ahmetin, liderin e BDI-së, janë shpeshtuar! Edhe një numër i madh i anëtarëve dhe simpatizuesve të BDI-së e mbështesin Kurtin në Kosovë. Kjo duket kundërthënëse, sepse sikur nuk shkon të mbështesësh Vetëvendosjen, drejtues të së cilës deri më sot nuk janë përfshirë në skandale korruptuese dhe në anën tjetër BDI-në, kur dihet se hiç më larg se para disa ditëve kreu i Strugës, Ramiz Merko, u bë pjesë e listës së zezë amerikane. Në anën tjetër, admirimi ndaj tij është rezultat i luftës pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në debatet në Kosovë, kur Kurti nuk e pranonte Asociacionin e Komunave Serbe, analistët bërtisnin “Pse nuk e bën, po na i rrënon raportet me SHBA-në dhe faktorin ndërkombëtar?”, ndërsa kur e pranoi, thoshin “Pse e pranoi? I bën koncesione Serbisë”. Ngjashëm ndodh edhe me shqiptarët e këtushëm – përdorin argumente justifikuese mbi vendimet dhe veprimet e tij.
Imazhin e një politikani me përmasa kolosale, që rrallë e ka parë historia shqiptare, siç jo rrallë portretizohet Kurti, sikur e zbehën fotografitë e tij me pjesëmarrës në parakalimin e personave që deklarohen pjesë e komunitetit LGBT, që në një shoqëri e cila në masë dominuese mbron dhe afirmon vlera konservatore, siç është ajo shqiptare në Maqedoninë e Veriut, nuk shihet me sy pozitiv.
Albin Kurti dështoi në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri! Se si do të kalonte me subjektin e tij në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, kjo është vetëm hipotezë që do shtjellim të thellë, por nga mbështetja që ka duket se mund të shtrihet lehtë dhe të akordojë shumë vota. Ndoshta jo sa për t’i fituar zgjedhjet ndër shqiptarët, por për të qenë relevant sigurisht se po!