Obsesioni i Rugovës me rrënjët europiane përthyhej në metropolet europiane: mbi fatin e prapët të Shqipërisë ideologjike dhe të pjesës së pushtuar të kombit, në mungesë, shumëshekullore të pranisë shqiptare aty ku si mungesë e kësaj pranie u pre fati i shqiptarëve. Londra, Parisi, Berlini, Brukseli, Roma, pa shqiptarët, të shkëputur nga pjesa së cilës i përkisnin. Pa njerëz, pa miq, pa mirëkuptim… Kishte aq shumë për të bërë, duhej zënë shekujt e pushtuar hapësirat. Dhe, ne ishim vonë, shumë vonë dhe të pakët. Megjithatë, Europa duhej të hapte dyert për popullin më të vjetër të saj, duhej njohur vlerat e tij dhe ta pranonte në gjirin e vet…
Avni SPAHIU, Prishtinë
Në imazhin e përhershëm të ngulitur në mbamendjen time e kujtoj Ibrahim Rugovën jo në statujën e tij prej politikani, lideri në krye të një lëvizjeve paqësore për pavarësi, me përgjegjësi historike për kombin, sa në statujën e një intelektuali humanist dhe mendimtari jo të zakonshëm që doli nga ky truall i vjetër me rrënjët e shkëputura të Kontinentit, duke sjellë ndër mend si në kllapi se ato rrënjë duhet përtëritur dhe se vendi i shqiptarëve, si një ndër popujt më të vjetër të Europës, duhet kthyer aty ku e kishte vendin, mundësisht, me sa më pak trauma. Misteri ishte se kjo duhej të bëhej në një kohë nga më të rëndat që po i përjetonte ky popull. Sa arriti ta bënte këtë, kjo vazhdon të jetë një çështje që do të diskutohet gjatë nga brezat, ndërkaq që emri i Ibrahim Rugovës do të qëndrojë gjatë në mbamendjen tonë kolektive.
Me këtë imazh, pra, të intelektualit të angazhuar, e shoh Ibrahim Rugovën para se “ta vishte shallin e liderit politik”: një mendimtari të preokupuar thellë për t’i gjetur rrënjët e shkëputura të lidhjes me kontinentin, në diskurset e shpeshta në Pallatin e Shtypit për letrat tona dhe europiane, për çdo fije lidhjeje që mund të ekzistonte ose të krijohej mes qytetërimit shqiptar dhe atij të përgjithshëm europian. Nuk e kisha krejtësisht të qartë atëherë, në vitet e tetëdhjeta, se ç’e shtynte këtë intelektual dhe kritik letrash shqipe, të dalë nga një mes i përvuajtur me gjakimin për liri, por edhe me bagazhin e mbledhur nga edukimi në Francë, te profesorë të njohur të letërsisë, të këmbëngulte t’i njihte sa më mirë krijuesit e artit dhe të letërsisë europiane, siç ishte Xhojsi irlandez me kryeveprën e tij “Vigjilimi i Fineganit”, dhe insistimi i tij që unë të bëja një përpjekje për të sjellë tek lexuesi shqiptar një “shije” të veprës së papërkthyeshme të Xhojsit në gjuhën shqipe. Nuk e di nëse ia arrita ta bëja këtë në faqet e revistës “Fjala” në vitin 1985, por sidoqoftë, edhe ai insert ishte pikërisht iniciativë e Dr. Rugovës.
(Një parantezë është e nevojshme për të “arsyetuar” këtë obsesion të tij me Xhojsin, për të cilin bisedonim shpesh në çaste kontemplimi gjatë vizitave të tij nëpër qendra europiane dhe amerikane: se si “u insertuan” vallë nga autori fjalët e shqipes tek Fimegani, siç i nxjerr me besnikëri studiuesi britanik i Xhojsit, Nathaniel Halper, fjalët nga thesari i shqipes: Ftofty, od(a), karrig, darka, disheen (dyshi), voos (vozgë), Dalbania, got (gotë), raki, portogal, buk, sofer, safe, boll, sugar, motru, bir, bije, biribiyas, nip, mes (mbesë), mbase edhe të tjera dhe se ç’mister tjetër fshihet pas shprehjeve të përdorura gjithandej në libër. “Vigjilimi (Zgjimi, Dremitja, Kllapia) e Fineganit” i Xhejms Xhojsit njihet si një nga tekstet më të vështira në të gjithë letërsinë. Sidoqoftë, një raport i barabartë midis një lexuesi dekodues dhe autorit prezantues është diçka që për këtë vepër nuk ndodhë në asnjë kuptim tradicional. Për shkak të mënyrave në të cilat Xhojsi manipulon me gjuhën përmes asonancës dhe referencave shumëgjuhëshe, fjalët e tij në thelb lirohen nga përkufizimet e tyre leksikore dhe mbështeten në vend të kuptimeve. Andaj, edhe fjalët e inkorporuara të shqipes në një kontekst fare misterioz të kuptimësisë dhe përdorimit të tyre. Duke përshkuar Zgjimin e Finneganit, është të paktën e diskutueshme për të qartësuar këtë përdorim të shqipes në një konotacion të njohur shekspirian të njohur te Hamleti: “Me ken ose no me ken Zot është Quiztunes…”, sepse edhe përkufizimet e nivelit të sipërfaqes mund të humbin për anglishtfolësit (megjithëse akoma mundeni të shikoni tingujt, siç kemi parë). “Me kene o jo me kene” është shqipe e vjetër, e përdorur në vend “to be or not to be” kombinuar me anglishten “no” në vend të “jo” në shqip dhe Zot në vend të Sot dhe God, si dhe Quiztunes për “çështje” dhe “question” në anglisht, sipas studiuesit McHugh, një mister që duhet dekoduar përmes një baritjeje më të gjera universale letrare.) …
Më falni për digresionin, por diskursi i ripërsëritur me Rugovën për “çelësin”, për mundësinë që Xhojsi, Ficxherald e autorë të tjerë europianë pasohej me pandehmat se këto “rastësi” puqjesh me gjuhën dhe qytetërimin shqiptar, do të mund të kenë ndodhur në Trieste, Venecie, ose edhe në Paris, në kafe Odeon, ku frekuentonin edhe shqiptarë që tregtonin ose edhe që studionin në vitet e njëzeta në kryeqendrat europiane të kulturës dhe artit…
I pasionuar pas letrave shqipe dhe kulturës shqiptare, Rugova, duke mishëruar këtë kërkim edhe në kontekst të politikës aktuale, nuk ndalej së kërkuari dëshmi, duke kritikuar shpesh vetë shqiptarët për mangësi evidente. Letrat shqipe nisnin, mezi, nga shekulli XVI, duke spostuar jetën kulturore shqiptare për disa shekuj më vonë, për t’u nisur me veprat e shkruara në gjuhën shqipe. E tërë plejada e autorëve, humanistëve, rilindësve europianë me origjinë shqiptare, iluministëve shqiptarë për disa shekuj që u shkolluan dhe vepruan në qendra europiane të kohës, të Rilindjes Europiane, që ishte një nga periudhat më të rëndësishme të artit, kulturës, shkencës dhe letërsisë botërore parakalonin gjithandej. Me fillimin në Itali, Renesanca u shtri në gjithë Europën, ndonëse në periudha të ndryshme historike dhe në kushte të pabarabarta gjeopolitike. Gjon Gazulli, Martin Segoni, i pasuar nga Beçikemi dhe Barleti, Nikollë Leonik Tomeo, që ishte bërë i njohur në lëvizjen humaniste të Rilindjes si një nga filozofët dhe dijetarët më të shquar të shekullit XVI, Mikel Maruli, si njëri ndër figurat më të njohura dhe më tërheqëse në gjithë Panteonin e Rilindjes Europiane. Marin Barleti ishte arbri më i rëndësishëm mes gjithë arbërve të tjerë që kontribuuan në Rilindjen Europiane. Ai është humanisti më i shquar shqiptar dhe ndër më të shquarit europianë. Ai ishte nga Shkodra. Përfshirja e tërë këtyre emrave në kuadër të letërsisë së hershme shqipe do ta shtynte për disa shekuj shkrimin (anise në latinisht dhe italisht), si pjesë e letrave shqipe. Kjo do të dëshmonte rrënjët tona të fuqishme me Kontinentin dhe qytetërimin europian dhe do të ishte dëshmi për ndërtimin e raporteve me Europën – këso dhe gjëra të ngjashme ishin pjesë e bashkëbisedimit me Rugovën…
Obsesioni i Rugovës me rrënjët europiane përthyhej në metropolet europiane: mbi fatin e prapët të Shqipërisë ideologjike dhe të pjesës së pushtuar të kombit, në mungesë, shumëshekullore të pranisë shqiptare aty ku si mungesë e kësaj pranie u pre fati i shqiptarëve. Londra, Parisi, Berlini, Brukseli, Roma, pa shqiptarët, të shkëputur nga pjesa së cilës i përkisnin. Pa njerëz, pa miq, pa mirëkuptim… Kishte aq shumë për të bërë, duhej zënë shekujt e pushtuar hapësirat. Dhe, ne ishim vonë, shumë vonë dhe të pakët. Megjithatë, Europa duhej të hapte dyert për popullin më të vjetër të saj, duhej njohur vlerat e tij dhe ta pranonte në gjirin e vet… Për më tepër, të mos lejonte rrezikimin e tij me shpërbërje dhe zhdukje…
Andaj, me këtë imazh, që forcohej gjithnjë e më shumë në çdo udhëtim me Rugovën nëpër Europë e Amerikë, karakterizohej çdo bisedë e kontakt i Rugovës me europianët. Në tymin e dendur të cigareve të Rugovës fshihej tisi i historisë që duhej davaritur që Europa të shihte qartësinë. Ky është ai imazhi që më bënte të mos e shihja Rugovën si “Gandi i Kosovës”, siç filluan ta quanin në Perëndim, si një imitues të Gandit dhe të filozofisë së tij të rezistencës paqësore, por si një figurë europiane, të ngjashëm me iluministët, por edhe europiane të tipit të Vaclav Havelit, i bindur në fuqinë e politikës dhe të mosdhunës. Ibrahim Rugova e kishte imazhin e një intelektuali europian, më saktësisht të atij francez, ku edhe ishte edukuar. Madje, edhe nga pamja: flokë të shprishur të gjatë, shall, syze të trasha, cigare dhe verë. Me pamje studiuesi dhe lexuesi të pasionuar, por me një detyrë të rëndë, atë të çlirimit të vendit, që megjithatë në Ballkan, nuk do të vinte dot pa gjak. Të huajt, shpesh do ta shikonin si një studiues mendjemprehtë, të cilit i ishte dhëne një mandat popullor, një njeri me shtat të brishtë, që nuk përkonte me liderin tradicional, sidomos në Ballkan, por që kishte vizion për lirinë dhe të ardhmen e popullit të tij dhe që kishte trasuar rrugën, duke vlerësuar dhe duke u mbështetur në botën demokratike. Njeriu që përsëriste deri në bezdi nëpër kancelaritë europiane dhe amerikane: Liri dhe Pavarësi për popullin e Kosovës, si alternativë e vetme e të ardhmes së tij politike…
Një bashkëbisedues i tij në Londër theksonte: “Isha i lumtur ta takoja, si një njeri tepër i mençur. Disa politikanë janë të aftë ta bëjnë një takim të shkurtër të duket si një miqësi e përjetshme. Po, te Rugova ishte e vështirë të dallohej një personalitet prapa shtresave të tymit të cigares, syzeve të trasha dhe përkthyesit.” Andaj, mbetej enigma e shumëfishtë. Pacifizmi i Rugovës ishte mbase misteri i tij më i madh për të huajt. Strategjia e tij e ngjashme me Gandin e sfidonte ciklin e zakonshëm ballkanik të hakmarrjes, siç e perceptonin të tjerët. Në vend që të ftonte për armë, Rugova po e ndiqte diplomacinë. Një studiues që i ndoqi mësimet në Sorbonë te filozofi-shkrimtar Roland Barthes, një autor i shumë librave për kritikën letrare shqiptare dhe, së fundmi, me një doktoratë nderi nga Universiteti i Parisit, u fut pashmangshëm në politikë, me krijimin e LDK-së, e cila u bë fokus i lëvizjes opozitare dhe asaj për çlirim. Rugova u vu në krye të përpjekjeve për krijimin e një shteti në hije, me një infrastrukturë të bazuar në organizimin e komunitetit, me arsim, qeveri, shëndetësi dhe shtet paralel. Ndonëse dhuna serbe vazhdonte e pandërprerë dhe Kosova po përjetonte trysninë me të madhe në historinë e saj për t’u futur në luftë. Enigmatik ishte përcaktimi për zgjidhjen paqësore të Rugovës dhe deklaratat e tij konstante se e ardhmja u takon të gjithëve në një Kosovë të pavarur dhe neutrale, një pretencë që dukej jashtë reales, në konstelacionin e tërbimit racist sllav në hapësirat ballkanike.
Por, mbase kishte të drejtë. Gjithandej në atë krijesë që quhej Jugosllavi, historia dukej se ishte kthyer në një përplasje të dhunshme mesjetare të hegjemonisë identitare, të konflikteve etnike, religjioze dhe civilizuese. Rugova u fut natyrshëm, por fuqishëm, në një kurs politik si një vizionar që ndjeu trajektoren e politikës globale në fund të viteve 1980-të, duke pritur në heshtje që të vinte çasti i Kosovës. Rugova u pranua nga Uashingtoni si lider i pakontestueshëm, ndërkohë që Europa demokratike ia hapi dyert pa hezitim. Për dy vjet të vetme, Rugova takoi pothuajse të gjithë liderët kryesorë politikë botërorë. Ai kërkonte zgjidhje me rrugë paqësore. Megjithatë, në Ballkan një paqe moderne e sofistikuar qëndronte tepër larg dhe pritjet për të dukeshin jorealiste. Kosovarët nuk ishin hindusë, por edhe armiku i tyre nuk ishin anglezët që e kolonizuan Gadishullin Indian, por që u larguan kokulur në një çast duke e njohur realitetin. U ndanë si miq. Po, Serbia nuk ishte e tillë – e shohim se edhe pas njëzet vjetësh, kur Kosova është e pavarur, vazhdon të kërcënojë, në vend se ta shohë të vërtetën në sy dhe, për më tepër, të përulet në kërkimfalje… Rugova kërkonte nga bashkësia ndërkombëtare të ndërhynte dhe të ndihmonte në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës. Madje, në kulmin e shtypjes së regjimit serb në Kosovë se “NATO-ja (pra Perëndimi) do të na mbrojë” – siç ndodhi më 1999, pas fushatës së NATO-s, që rezultoi me tërheqjen e Serbisë nga Kosova.
Megjithatë, në Ballka, një paqe moderne e sofistikuar qëndronte tepër larg. Lufta kishte shpërthyer në pjesë të tjera të Jugosllavisë me krime gjenocidale të ushtrisë e policisë serbe në Bosnjë, Kroaci e gjetiu. Ndërkohë, gjendja në Kosovë ishte gjithnjë e më e rëndë dhe Rugova gjithnjë e më i kritikuar. Deklarata e Presidentit Klinton, që u përcoll nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Anttony Lake, tek Rugova mu në Shtëpinë e Bardhë fliste për Rugovën si “drita e vetme në tunelin ballkanik”. Rugova ishte një intelektual dhe, mbi të gjitha, humanist, që s’bënte dot luftën. Megjithatë, ai po kritikohej në Kosovë, ku lufta qe e pashmangshme dhe liria e Kosovës do të vinte nga një lëvizje e armatosur çlirimtare e popullit të Kosovës që doli si alternativë e re e kundërvënies së regjimit më gjakatar në Europë.
Ndonëse, Rugova mbeti një humanist dhe ideator i një projekti madhor të nacionalizmit shqiptar për një shet të pavarur të Kosovës në paqe me fqinjët e saj. S’do mend se Republika moderne e Kosovës u detyrohet parimeve themelore Rugovës, duke u ndërtuar në tre shtylla kryesore, pavarësinë mbi parimin e sovranitetit të popullit, demokracinë liberale dhe sekularizmin, si dhe një kurs properëndimor i shtetit të ri të Kosovës…
Rugova ishte njeriu i letrave shqipe dhe i humanizmit filozofik, që u vu në krye të popullit të tij në orët e liga të tij, por edhe të kthesave historike. Ai do të mbahet në mend si njeri që e zgjoi popullin e Kosovës dhe trasoi shtegun e lirisë në çastin e duhur. Si çdo personalitet që vihet në shërbim të politikës, edhe ai ishte i kritikuar dhe i sulmuar, aq sa dhe i lavdëruar. Patjetër! Por, miti i tij vazhdon të jetojë tek shqiptarët e Kosovës. Një intelektual në krye të shtetit – ishte një rastësi apo produkt i pashmangshëm i kohës? Sidoqoftë, kjo ndodhi për herë të parë tek shqiptarët. Vështirë se do të ndodhë edhe një herë në të ardhmen. Disa do ta konsiderojnë këtë fakt për keqardhje, duke marrë përvojën nga një klasë politike të dy dekadave të fundit, ku mungon fryma e mirëfilltë intelektuale dhe vizionare e liderit politik intelektual dhe të edukuar…