loader image
January 19, 2025

Ibrahim Rugova – Presidenti i Lirisë

Ibrahim Rugova i ka meritat e jashtëzakonshme, që qysh në fund të viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar e kishte të qartë në cilën rrugë duhej të ecte, me kë duhej të bënte aleancë dhe kë e kishte armik, si mund ta kthente fuqinë e tjerëve në anën e tij, si mund ta shpëtonte popullin e tij nga shfarosja dhe si mund ta bindte këtë popull se ishte i pjekur për shtetësi në kushte të pluralizmit.

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Secila kohë i ka protagonistët e saj. Dhe, secili duhet të gjykohet e vlerësohet në kontekst të kohës dhe rrethanave në të cilat ka vepruar. Kjo duhet të vlejë edhe për autorin e rezistencës pasive dhe presidentin e parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova. Mbështetësit e tij, përtej mitizimit, shpesh kanë ditur edhe ta hyjnizojnë, ndërsa kundërshtarët në jo pak raste kanë ditur ta përbaltin me kualifikime mjaft të rënda. Sidoqoftë, ky shkrim synon ta vështrojë Ibrahim Rugovën përtej këtyre qasjeve tifozerike, madje duke e kufizuar që nga vitit 1988, kur ai u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e deri në Marrëveshjen e Kumanovës, më 10 qershor 1999.

Fundi i viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar shënonte kohën kur, bashkë me shenjat se Jugosllavia nuk do të mbijetonte gjatë, në Beograd po ngrihej edhe figura e atij që do të njihej si “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq. Ai po vinte me prirjen që Jugosllavinë ta kthejë në Serbosllavi, ndërsa shqiptarët as që i bënte hesap. Duke e përdor Armatën Popullore të Jugosllavisë, ai do të zhvillojë luftëra të përgjakshme në Slloveni, Kroaci e në Bosnjë, për të përfunduar me dhjetëra masakra e me eksodin e kosovarëve në pranverën e vitit 1999.

Të gjendur në një gjendje të tillë, detyra e intelektualëve kosovarë ishte të mendojnë se si i bëhej çështjes së Kosovës. Dhe, kjo barrë ra pikërisht mbi Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, në krye të së cilës më 16 shkurt 1988 ishte zgjedhur studiuesi i letërsisë, Dr. Ibrahim Rugova, një intelektual i dëshmuar me veprimtari të bujshme studimore, që – pos tjerash – në letërnjoftimin shkencor e kishte edhe identitetin “student i Rolan Bartit (Roland Barthes) në Francë”. Dhe, jeta e tij mund të përfundonte në punën e suksesshme studimore nëse ai (dhe kolegë të tjerë të tij) nuk do të dilnin përtej komoditetit shkencor, për ta pranuar përgjegjësinë shoqërore e intelektuale ndaj popullit të tyre. Ndërsa operacioni “matematikor” që duhej zgjidhur ishte goxha i vështirë: si të bëhej Kosova e pavarur nga Jugosllavia/Serbia?; si mund të fitohet Serbia pa luftë, kur ajo ishte vetë armata jugosllave?; si të shpëtohej popullata shqiptare e Kosovës nga shfarosja dhe eksodi?; si të përfitohet mbështetja e fuqive perëndimore?; si të ushtrohet demokracia dhe shteti në kushte të okupimit?; dhe si të binden shqiptarët se Kosova mund të bëhet shtet? Një detyrë të ngjashme në lashtësi e kishte pasur edhe Moisiu (Musai a.s.), i cili duke u përballur me tiraninë e faraonit, arriti ta shpëtojë popullin e tij po ashtu pa luftë. Por, për dallim nga rrëfimi biblik (dhe kuranor), ku Moisiu fiton duke qenë i ndihmuar nga Perëndia vetë, detyra e intelektualit kosovar ishte edhe me disa të panjohura të tjera, ndërsa elementi i ndihmës hyjnore nuk mund të kalkulohej.

Në këto kushte, pas disa përplasjeve me shkrimtarët serbë dhe largimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga Shoqata e Shkrimtarëve të Jugosllavisë (tetor 1989), kur Jugosllavia po hapej për pluralizëm politik, më 23 dhjetor 1989 do të themelohej Lidhja e Demokratike e Kosovës në krye me Dr. Ibrahim Rugovën.

Kosova shtet sovran dhe i pavarur  

Pas gjysmë shekulli nën Jugosllavinë socialiste, te shqiptarët e mbetur në këtë shtet ekzistonin dy rryma politike: ajo projugosllave, që të ardhmen e shqiptarëve e shihte në kuadër të Jugosllavisë (maksimum “Kosova si republikë jugosllave”) dhe, tjetra, ajo enveriste, e shpërndarë në shumë organizata ilegale politike të proveniencën së majtë, që të ardhmen e shqiptarëve e shihte në shtetit e përbashkët etnik shqiptar, pra duke u bashkuar me Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Ibrahim Rugova erdhi në skenë si antikomunist, duke e themeluar një parti politike që do të jetë antijugosllave, por edhe sovraniste kundrejt Shqipërisë e Serbisë. Ai do të jetë i pari që do të thoshte se “duam shtet sovran dhe të pavarur, të hapur edhe për Shqipërinë edhe për Serbinë”. Ideja sovraniste ishte ide origjinale e LDK-së, që shprehte qëndrimin se “nuk jemi për Shqipëri të Madhe, por as nuk pranojmë të mbetemi nën Serbi të Madhe”. Dashakëqijtë mund t’ia marrin për të madhe pse ai hoqi dorë nga ideja e bashkimit të kombit, por në kohën kur Shqipëria nuk ishte as për vete, ndërsa Kosova e kishte në pikëpyetje vetë ekzistencën, Rugova ishte realist dhe e kishte kuptuar se duke kërkuar bashkim kombëtar, lëre që nuk do të mund ta bënte bashkimin (siç nuk mund të bëhet as sot), porse ashtu e rrezikonte edhe ekzistencën e Kosovës.

Kundruar në perspektivën e asaj se si u zhvilluan gjërat më vonë, doli se Ibrahim Rugova kishte qenë vizionar dhe se ideja për shtet sovran e të pavarur ka qenë kërkesë e matur, që sot e kanë pranuar edhe ata që krejt angazhimin e tyre politik e kanë ndërtuar mbi idenë e bashkimit të kombit. A do të jetë kjo vetëm një fazë dhe, nëse po, sa mund të zgjasë, kjo mbetet të shihet në të ardhmen, por se Rugova ka pasur të drejtë në këtë, kjo nuk kontestohet.

Si të fitohet Serbia pa luftë? 

Pyetja tjetër, jo më pak e rëndë dhe e rëndësishme, ishte se si mund të fitohej Serbia pa luftë kur ajo ishte një fuqi ushtarake e cila bëri kërdi në Kroaci e Bosnjë, ndërsa shqiptarët e Kosovës kishin zero fuqi ushtarake?

Në kohën kur në Kroaci po zhvilloheshin beteja shumë të rrepta, ka pasur një nxitje nga presidenti kroat, Franjo Tugjman, që edhe në Kosovë të fillonte një luftë kundër Serbisë (takimi është mbajtur më 19-20 janar 1991 në “Stubičke Toplice”.). Ndonëse shtytja bëhej me terma të rezistencës për shkëputje nga Serbia, megjithatë Rugova do ta refuzonte këtë propozim, sepse e dinte se cili ishte takati i kosovarëve për t’u përballur ushtarakisht me Serbinë, ndërsa një “front i jugut” (siç njihej atëbotë) mund të kishte pasoja fatale për popullatën (siç ndodhi në Bosnjë) dhe dëmi politik nuk mund të kalkulohej.

Rugova ishte shumë i vetëdijshëm se cili ishte potenciali i shqiptarëve për luftë. Shqipëria, e sapodalë nga monizmi, ishte në varfëri të bukës, asnjë shtet i fuqishëm perëndimor nuk e mbështeste agjendën e luftës së armatosur në Kosovë, ndërsa ai nuk kishte kurrfarë burime financiare për mirëmbajtjen e asaj lufte. Andaj vendosi të qëndrojë në distancë nga ajo mënyrë veprimi.

Kjo e shtyri Rugovën që të përdorte një rezistencë pasive, duke afirmuar metoda ta padhunshme ndaj Serbisë, por duke e delegjitimuar pushtetin serb në Kosovë. Ai vendosi të mos e përdor asnjë mjet që mund të merrej si kundërvënie me forcë ndaj Serbisë, por e ndërtoi një sistem paralel të shtetit, që e bojkotonte plotësisht Serbinë. Kjo vërtet ishte e vështirë për njerëzit, sepse bojkoti ndaj Serbisë shkaktoi largim nga puna të qindra mijë njerëzve, që përnjëherë u bënë raste sociale, por vetëm një lider karizmatik, që gëzonte aq shumë besim e popullaritet mund ta mbante gjallë atë rezistencë bojkoti për gati 10 vjet dhe kështu ta lodhte Serbinë, e cila kërkonte alibi për luftë, por nuk e gjente dot në Kosovë. Madje, edhe kur më 1998 doli në skenë UÇK-ja, ai do i mbetej besnik kauzës për rezistencë së paarmatosur, që nga kundërshtarët politikë shpesh i merret edhe si veprim i gabuar.

Dhe, vërtet pa UÇK-në nuk arrihej liria, por edhe pa rezistencën pasive të Rugovës nuk mund të përvijohej liria. Kjo rezistencë ndihmoi të shpëtojë popullata e Kosovës nga ajo që ndodhi në Bosnjë. Përkundër dhjetëra masakrave në Kosovë, që sigurisht janë të rënda, ato janë shumë më pak se gjenocidi në Bosnjë, ku vetëm në Srebrenicë janë vrarë më shumë se gjysma e viktimave të krejt luftës në Kosovë. Ta shpëtosh popullatën tënde nga shfarosja është po aq e rëndësishme sa edhe vetë liria. Fundja, ç’kuptim ka liria pa njerëzit?

Kosova në agjendën e fuqive perëndimore  

Duke qenë një krahinë autonome e Jugosllavisë ose Serbisë (varësisht në cilën kohë), Kosova nuk kishte krijuar asnjë lidhje me ndonjë aleat perëndimor. Projugosllavët nuk dilnin përtej Beogradit, ndërsa enveristët maksimum arrinin në Moskë. Do të jetë i pari Ibrahim Rugova që do të thotë se “orientimi ynë është perëndimor”. Refreni dhjetëvjeçar, në konferencat e të premteve, i aleancës me SHBA-në dhe vendet kryesore euro-perëndimore, për shumëkënd do të dukej i bezdisshëm, por për një komb që 50 vjet i kishte parë ëndrrat me Titon, me Enver Hoxhën, me Leninin e Stalinin, ky slogan duhej stërpërsëritur që bota ta besonte dhe ta merrte seriozisht.

Sot ka plot opinionistë që kanë edhe shpjegime kritike për këtë insistim të Ibrahim Rugovës, por koha i ka demantuar. Si intelektual i mirinformuar, Rugova e kishte kuptuar se cila ishte e ardhmja e botës. Në mungesë të një fuqie të brendshme dhe të një aleati të përhershëm strategjik (siç është Rusia për Serbinë), Rugovës i duhej të ndërtonte aleancë me SHBA-në dhe për vite të tëra të lobonte në botën perëndimore, që më në fund ajo mbështetje të rezultonte me sulmet e NATO-s mbi Serbinë, të cilat e sollën lirinë e Kosovës.

Sigurisht që ka pasur edhe shumë aktorë të tjerë të vendit e të mërgatës sonë që kanë ndihmuar në këtë, por s’do mend se Rugova është protagonisti i këtij orientimi, që interesin e Kosovës për liri dhe pavarësi arriti ta bëjë pjesë të agjendës perëndimore dhe kjo doli përpjekje e suksesshme. Vetëm kur e ndërmendim se çfarë i ndodhi Bosnjës, që nuk e gëzonte mbështetjen perëndimore, mund ta kuptojmë se çfarë shërbimi i ka bërë Ibrahim Rugova Kosovës duke e orientuar kah Perëndimi dhe duke ndërtuar aleancë besimi me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Vatikanin (si epiqendër të botës kristiane).

Për këtë prirje ai ka marrë edhe kritika me tone religjioze, por megjithatë, si prijës i popullit, ai ishte në gjendje t’i durojë të gjitha ato dhe shpesh të dukej i zhvendosur nga identiteti i tij autokton (njerëzit më të afërt të tij e kanë konfirmuar se krejt akuzat për konvertim kanë qenë spekulime mediale) dhe kjo të përkthehet me mbështetje për Kosovën.

E sa është e rëndësishme mbështetja perëndimore për një popull, përveç shembullit të Bosnjës që e përmendëm, kemi edhe plot të tjerë: kur më 2020 Perëndimi e braktisi Armeninë, për një muaj rajoni Nagorni Karabah u bë Azerbajxhan; Gaza prej vitesh është nënshtruar ndaj gjenocidit, por gati askush në botë nuk çan kokë për të, sepse vendet perëndimore përgjithësisht janë me Izraelin; ujgurët në Kinë për vite të tëra janë vendosur në terror shtetëror, por gati askush në botë nuk merret me ta etj.

Prandaj, të kesh lider i cili arrin që fuqinë e shteteve perëndimore ta orientojë në drejtim itinerarit të anijes së tij, kjo është e jashtëzakonshme. Për këtë arsye ai edhe do të nderohet me mirënjohje ndërkombëtare si lider i paqes dhe aleat i Perëndimit (më 1998 Parlamenti Europian ia ndan çmimin “Saharov”).

Demokracia dhe shtetësia në kushte të okupimit 

Meqë Ibrahim Rugova ishte një demokrat në kuptimin e plotë të fjalës, ai – gjatë viteve të ’90-ta – ia doli të krijojë mekanizma demokratikë dhe shtetërorë si të një shteti normal demokratik, ndonëse Kosova ishte nën okupim nga Serbia. Kështu, më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata e Pavarësisë, më 7 shtator 1990-të u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, në shtator 1991 u mbajt referendumi për pavarësinë e Kosovës, më 24 maj 1992 u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale (në të cilat Ibrahim Rugova u zgjodh president), LDK-ja e formoi qeverinë në ekzil dhe e organizoi mbledhjen e 3%-shit nga mërgata jonë, organizoi sistem paralel arsimor, shëndetësor e social, krijoi mundësi për themelimin e disa partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, mundësoi krijimin e disa mediave të pavarura, si dhe shtëpive botuese, gjithë kjo për të dëshmuar se ky shtet, që ai po e kërkonte, ishte i gatshëm për të qenë i pavarur, demokratik, pluralist dhe funksional sipas standardeve të demokracisë perëndimore.

Ky “trajnim” i shtetësisë, përveç kësaj, e kishte edhe efektin e ndryshimit të mendësisë moniste te shqiptarët, për t’u stërvitur në shtet pluralist, për ta jetuar demokracinë, por edhe për t’u bindur secili shqiptar i Kosovës se ata ishin të gatshëm për të bërë shtet. Për një komb që dilte prej njëmendësisë, ky ishte një tranzicion i suksesshëm, ndërsa meritori i parë për këtë sigurisht do të ishte drejtuesi i partisë, atëbotë absolutisht më të madhe në Kosovë, Ibrahim Rugova.

Për të qenë deri në fund mirënjohës, kjo traditë ose ky kualitet i demokracisë në Kosovë ka vazhduar edhe në vitet e pasluftës, madje edhe pas shpalljes së pavarësisë dhe, sa për krahasim me Shqipërinë, Kosova disa herë ka bërë rotacion të pushtetit në mënyrë demokratike e paqësore.

Përfundim – deri te liria 

Ashtu si Mosiu, që arriti ta shpëtojë popullin e tij nga faraoni dhe t’ia mundësojë lirinë, por që vdiq pa e shkelur Tokën e Premtuar, edhe Ibrahim Rugova do ta mbyllte epokën e tij me kapitullin e lirisë, pa e përjetuar edhe atë të pavarësisë. Ai ndërroi jetë më 21 janar 2006, ndërsa dy vjet më vonë shqiptarët e Kosovës së lirë do ta shpallnin pavarësinë, e cila do të njihet nga SHBA-ja, shumica e vendeve të BE-së e Turqia etj., duke arritur në mbi 100 njohje.

Nëse dikujt më 1988 (kur Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës) do t’i thuhej se, pas 20 vjetësh, Kosova do të shkëputej nga Serbia, se do të bëhej shtet i pavarur, se NATO do ta ndihmonte Kosovën në luftë kundër Serbisë dhe se kjo do të arrihej me më pak viktima në krahasim me boshnjakët (në luftën 1992-1995) ose hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, askush nuk do ta besonte. Prandaj, Ibrahim Rugova i ka meritat e jashtëzakonshme, që qysh në fund të viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar e kishte të qartë në cilën rrugë duhej të ecte, me kë duhej të bënte aleancë dhe kë e kishte armik, si mund ta kthente fuqinë e tjerëve në anën e tij, si mund ta shpëtonte popullin e tij nga shfarosja dhe si mund ta bindte këtë popull se ishte i pjekur për shtetësi në kushte të pluralizmit. Nëse gjithë këtë sukses e lidhim me emrin e Ibrahim Rugovës, edhe pse ai nuk ka qenë i vetmi dhe vetmuar në këtë rrugëtim, mund ta kuptojmë edhe rëndësinë që ka pasur ai për Kosovën në kapërcyell të shekujve.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X