loader image
November 20, 2024

Reciprocitet pa paritet

Paritet e reciprocitet për patate e domate, por jo edhe për të drejta politike kombëtare në nivel të realizimit të kërkesës politike minimaliste: të drejtat e barabarta me ato që i premtohen komunitetit serb në Kosovë – themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginë të Preshevës.

Shkruan: Nexhmedin ADEMI, Preshevë

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë në pritje të maksimalizimit të kërkesave politike për realizimin e të drejtave politike. Këto të drejta duhet të realizohen në pajtim me vullnetin e shprehur politik të garantuar sipas dokumenteve ndërkombëtare për realizimin e të drejtave themelore mbi bazën e principit për të drejtat natyrore të popujve në shoqëritë me demokraci të konsoliduar. Plani franko-gjerman e ka përshpejtuar agjendën e bisedimeve për ta konkretizuar hartën e zgjidhjes përfundimtare të ngërçit politik në mes Prishtinës dhe Beogradit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008. Në fokus të këtyre bisedimeve dhe këtij plani është vendosur edhe themelimi i Asociacionit te Komunave Serbe apo Bashkësia e Komunave Serbe me shumicë serbe.

Kontekstualizimi i momentumeve politike

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë munduar që zhvillimet politike në Kosovë gjatë gjithë kohës t’i konstektualizojnë me statusin e tyre politik të pazgjidhur. Radikalizimi i kërkesave politike të shqiptarëve të Kosovës në ish Jugosllavi, rezistenca paqësore e ish presidentit Rugova, dalja në skenë e UÇK-së dhe lufta e saj për liri dhe pavarësi, bisedimet e Rambujesë, zhvillimet politike të para e pas shpalljes së pavarësisë, plani i Ahtisarit, bisedimet e Vjenës, projekti politik për përfundimin e çështjeve të pazgjidhura mes Kosovës e Serbisë, propozimi i fundit i planit franko-gjerman, nuk i kanë përfshirë në agjendë kërkesat politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Spektri politik, shoqëria civile në Luginë, ka bërë thirrje që kërkesat e tyre politike të përfshihen në dinamikat e përmendura, pa lënë anash edhe statusin e pazgjidhur politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ka pasur përpjekje maksimaliste për ndarje nga Serbia dhe bashkëngjitje me Kosovën me daljen në skenë të UÇPMB-së. Janë hartuar edhe platforma politike të votuara në kuvendin e përbashkët me këshilltarë shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Në këtë kuvend, klandestin për Serbinë, janë shpallur vendime me qëllim të avancimit të drejtave politike të shqiptarëve nga kërkesat minimaliste; reciprociteti i të drejtave politike me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, e deri te ato maksimaliste; kërkesa e realizimit të drejtës për bashkëngjitje me Kosovën, duke iu referuar rezultateve të referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992. Në këtë referendum shqiptarët e shprehën masovikisht vullnetin e tyre politik për autonomi territoriale me të drejtë bashkëngjitje me Kosovën.

Të drejtat fitohen nuk jepen

Udhëkryqi politik i politikëbërjes në Luginë të Preshevës ka një rrëfim të vetin, i cili nuk mund të heshtet. Përpjekjen më serioze për realizmin e vullnetit politik në historinë e tyre më të re, shqiptarët në Luginë të Preshevës e kanë provuar me daljen në skenë të UÇPMB-së. Përndryshe, çdo proces tjetër politik që është shquar me avancimin e të drejtave politike nuk është materializuar përtej deklarimit politik verbal. Përvoja politike e spektrit politik në Luginë është vetëkënaqur me ndërtimin e një diskursi politik të artikuluar jo më shumë se një vullnet dhe dëshirë. Ka munguar ndërtimi i një diskursi afatgjatë politik që do ta përbrendësonte një vetëdije politike, substancë e së cilës do të ishte vetëdija kolektive kombëtare për realizimin e të drejtave nacionale. Gjatë këtij rrugëtimi nuk është arritur të hartohet një platformë politike, ku qenësia e kësaj platforme do ta trajtonte formulimin e kërkesave politike për shqiptarët e Luginës me projekt politik unik. Ky momerandum politik është dashur të miratohet me konsensus politik, gjithëpërfshirës për familjen politike dhe shoqërore në përgjithësi. Kjo platformë politike do të duhej të ishte abeceja politike e mbështetur nga Prishtina dhe Tirana. Këto dy qendra do të duhej ta diktonin orientimin e diskursit politik duke i vendosur politikëbërjes në Luginë vijat e kuqe të veprimtarisë politike. Të drejtat politike nuk jepen, por fitohen. Aksioni politik për realizimin e këtyre të drejtave edhe në procese paqësore konkretizohet me forma të ndryshme të rezistencës, deri te padëgjueshmëria qytetare. Teoritë e diskursit politik na flasin se diskursi nuk është vetëm vullnet i shprehur përmes fjalës. Beteja për ta fituar të drejtën politike nuk është sistem që duhet të dominohet vetëm nga forca e gjuhës dhe e fjalës. Filozofi francez, Michel Foucalt, është i mendimit se diskursi publik për ta fituar betejën politike “nuk është thjesht beteja ose sistemi i dominimit që mund të përkthehet në fuqinë e gjuhës, por është diçka përmes së cilës luftohet. Diskursi është fuqi e cila duhet të fitohet”. Në pamundësi për ta faktorizuar vullnetin politik të mbetur në nivel vullneti e dëshire, politikëbërja në Luginë të Preshevës e ka reduktuar seriozitetin e vullnetit politik nga beteja për të drejta nacionale, në luftën e pakuptimtë për pushtet politik në nivel lokal. Kjo përballje absurde e instrumentalizon kauzën politike për të drejta nacionale në shkëmbim të apetiteve të ulëta për pushtet politik të kontrolluar nga autoritetet e Beogradit. Kontradikta politike në Luginë pasqyrohet me kundërshti, si: dalja në zgjedhjet parlamentare është interes apo tradhti kombëtare, integrimi dhe socializimi në sistemin administrativ dhe shtetëror të Serbisë është dekonstruktim i politikës mashtruese në emër të patriotizmit dhe nacionalizmit fals të disa partive, mungesa e një liste të përbashkët parlamentare, koalicionet joparimore për pushtet lokal, tregtimi me këshilltarë komunalë për të ndërruar qeverisjen lokale, përfshirja e bizneseve të fuqishme lokale në rrjedhat politike, ndikimi i biznes-politikës në diktimin e diskursit politik, fragmentarizimi dhe konfliktualiteti i pushtetit politik në raport me Prishtinën dhe Tiranën ka degraduar në nivel të paparë, kurse qytetarinë politike e ka zëvendësuar patriotizmi konician i mëhallëve.

Reciprociteti i munguar

Bashkësia ndërkombëtare është e vendosur që në këmbim të rezultatit përfundimtar të bisedimeve Prishtinë-Beograd ta themelojë Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe ose Asociacionin e Komunave Serbe. Besimi te shqiptarët e Luginës së Preshevës është duke u ulur gjithnjë e më shumë se do të ketë vullnet politik nga faktorët vendimmarrës për ta vendosur parimin e reciprocitetit me themelimin e të njëjtit asociacion edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Qeveritë e Prishtinës kanë shprehur dallime rrënjësore për sa i përket qasjes ndaj të drejtave politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ish presidenti Hashim Thaçi e vendosi në qendër të vëmendjes, si mundësi e zgjidhjes optimale, idenë e shkëmbimit, ndërrimit ose rishikimit të kufijve. Qeveria e tanishme e ka afirmuar parimin e reciprocitetit si standard i komunikimit politik ndërmjet dy shteteve sovrane. Reciprociteti do të marrë kuptim vetëm në kushte të një pariteti gjithëpërfshirës të dyanshëm. Qeveria e Kurtit ka shprehur interesim për ndarjen e pakove ekonomike me qëllim të përmirësimit të kushteve ekonomike dhe mirëqenies sociale të shqiptarëve, duke e lënë statusin politik të Luginës jashtë agjendës negociuese. Deri më tani nuk kemi parë ndonjë vendosmëri “sovraniste” të qeverisë Kurti për vendosjen e paritetit për reciprocitet në nivel të realizimit të drejtave politike krahas të drejtave të premtuara për komunitetin serb në rast të arritjes deri te një zgjidhje përfundimtare. Ka vullnet politik për paritet e reciprocitet për shkëmbim të mallrave, por jo edhe për të drejtat politike. Kjo qeveri, si duket, në mungesë të paritetit për të drejtat politike e nacionale, do ta humbë edhe reciprocitetin në nivel të realizimit të kërkesave politike për shqiptarët e Luginës. Paritet e reciprocitet për patate e domate, por jo edhe për të drejta politike kombëtare në nivel të realizimit të kërkesës politike minimaliste: të drejtat e barabarta me ato që i premtohen komunitetit serb në Kosovë – themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginë të Preshevës. Deri në pritje të krijimit të kushteve për reciprocitet e paritet, ekzistencën biologjike të shqiptarit autokton të këtyre trojeve po e rrezikon mungesa e perspektivës ekonomike për rininë, e cila fatin e vet ekzistencial e shikon tek imigracioni në rritje e sipër.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X