loader image
October 6, 2024

Guida e rrugëtimit europian të Kosovës

Në gjithë këtë situatë një gjë mbetet e sigurt – se ky dokument europian, pavarësisht se nuk është nënshkruar, do të mbetet guidë politike moderne në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nëse analizohet më vëmendje dhe me paanshmëri, me këtë dokument Kosova, përveç që pashmangshmërisht e ruan sovranitetin shtetëror, në të njëjtën kohë i përbrendëson, në rrugëtimin e saj, praktikat dhe vizionin europian, si dhe përkrahjen e BE-së të SHBA-ve në procesin e finalizimit politik, që pa asnjë dilemë do të jetë njohja reciproke.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Duket se gjithçka mbetet çështje interpretimi dhe në rajonin e trazuar të Ballkanit gjërat interpretohen varësisht nga pozicionet dhe protagonizmi që pretendohet të tregohet në një moment të caktuar politik. Sigurisht, veprimet konkrete janë ato që e përcaktojnë një evolutë politike, ndërkohë që politika gjithmonë ka si parashenjë diskursin eufemik, pra jo të drejtpërdrejtë edhe për situata që kërkojnë konkretizime politike. Në raste çështjesh të rënda, pavarësisht nga veprimet konkrete, politika i ruan diskurset mistifikuese për të relativizuar një situatë ose për të mos krijuar zhgënjime që mund të shpërfaqen si revoltë politike, që mund të rrezikojë stabilitetin e një pushteti.

Kjo plasaritje mes veprimeve konkrete politike dhe diskurseve publike politike mbetet e pranishme gjatë tërë kohës në vendet e Ballkanit. Në fakt, në gjithë peizazhin ballkanik, gjithnjë shfaqen këto krisje reprezentimi politik, që determinohen nga ndërvarësi të shumta elektorale, por edhe ligjësish të padukshme historike, të cilat vijnë që ta performojnë edhe aktualitetin politik. Një gjë mbetet e sigurt – që vendet e Ballkanit në asnjë rast nuk mund ta mendojnë të ardhmen e tyre jashtë vizionit të përbashkët europian. Pikërisht ky fakt e krijon atë suazë të përgjithshme gjeostrategjike, e cila provon ta strukturojë një ndjeshmëri tjetër politike në vendet e rajonit përtej konfliktualiteteve të zakonshme.

Sigurisht, kjo suazë politike dhe gjeostrategjike, që në sfond e ka horizontin europian, shpeshherë shfaqet komplekse dhe me tone që nuk përputhen me realitetet historike, por edhe realitetet ekzistuese që mbeten në frymën e legalitetit dhe legjitimitetit ndërkombëtar. Nga shumë analistë të vëmendshëm tashmë është theksuar se Serbia mbetet një nga vendet problematike që ka krijuar destabilitete në rajon, luftëra të përgjakshme, ndërkohë që vazhdon edhe aktualisht të luajë pikërisht me këtë logjikë destabilizuese.

Përkundër shumë përpjekjeve të mëhershme, në të cilat ka qenë e implikuar edhe bashkësia ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit, jo njëherë, ka gjetur pretekste të ndryshme për të shmangur çdo marrëveshje dhe për të qëndruar në pozicione duale, që e nënkuptojnë procesin e integrimeve europiane, që brenda vetes ka fatkeqësisht dogmën historike të përafrimit me Rusinë. Pikërisht ky pozicion i Serbisë ka krijuar ngërçe të pafundme në dialogun me Kosovën, që si finalitet politik nënkupton njohjen reciproke, por edhe përgjithësisht ngërçe politike në gjithë rajonin.

Pa dyshim se në gjithë këtë kontekst, që në sfond ka edhe mitologjinë tipike serbe të territorit, gjatë tërë kohës është manifestuar edhe ideja e Asociacionit si një problem thelbësor, ku realisht ndeshen dy botëshikime dhe dy koncepte politike. Pushteti serb pikërisht këmbëngulën te kjo ide anakronike, sepse në mendësinë politike serbe ruhet pikërisht logjika mitike e konfliktualitetit që mbetet një konstantë e vazhdueshme. Përkundër faktit që serbët e Kosovës i kanë të garantuara të gjitha të drejtat në nivel qendror me kushtetutën e Kosovës, duket se kjo gjë nuk i mjafton politikës serbe, e cila me kohë ka ngritur narrativën për mbrojtje të komunitetit serb nëpërmjet Asociacionit, si një entitet i pavarur juridik që bie ndesh me konceptet moderne europiane për minoritetet.

Pa diskutim se kjo mbetet një betejë e vështirë për palën kosovare, e cila tashmë është në një proces dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Sidoqoftë, tashmë ekziston një plan europian në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i njohur si dokumenti franko-gjerman, i cili tashmë – në bisedimet të mbajtura në Ohër – merr fuqinë e një marrëveshjeje të panënshkruar, por me garanci të fuqishme të BE-së dhe të SHBA-ve.

Kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë tashmë është përshëndetur dhe përkrahur nga të gjithë faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, ndërkohë që vlerësohet të jetë një bazë e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri Kurti, mes tjerash, ka theksuar se është shmangur nocioni Asociacion, ndërkohë që ka përmendur nocionin vetëmenaxhim, që duket të jetë një fitore gjatë këtyre bisedimeve. Kurti dhe Vuçiqi kanë rënë në ujdi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, një dokument tashmë europian, që përfshin brenda vetes procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në gjithë këtë situatë një gjë mbetet e sigurt – se ky dokument europian, pavarësisht se nuk është nënshkruar, do të mbetet guidë politike moderne në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nëse analizohet më vëmendje dhe me paanshmëri, me këtë dokument Kosova, përveç që pashmangshmërisht e ruan sovranitetin shtetëror, në të njëjtën kohë i përbrendëson, në rrugëtimin e saj, praktikat dhe vizionin europian, si dhe përkrahjen e BE-së të SHBA-ve në procesin e finalizimit politik, që pa asnjë dilemë do të jetë njohja reciproke. Me këtë marrëveshje Kosova e fiton perspektivën europiane dhe i shmang interpretimet serbe në procesin e dialogut, për shkak se interpretimet autentike të dokumentit të marrëveshjes tashmë do të bëhen nga BE-ja dhe SHBA-ja. Dhe, kjo pa diskutim do të thotë një fazë tjetër e afirmimit të subjektivitetit shtetëror të Kosovës, që brenda vetes përfshin edhe njohjen e pesë shteteve të tjera anëtare të BE-së dhe, bashkë me këtë, edhe hapjen e rrugës europiane të Kosovës.

Brenda dinamikave të bisedimeve mbi Asociacionin, në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë është shpërfaqur edhe ideja e krijimit të një asociacioni të ngjashëm edhe këtu në Maqedoninë e Veriut. Sigurisht asnjë ide politike nuk mund të demonizohet për sa kohë që për të ka një argumentim politik, një këndvështrim dhe një vizion politik.

Shqiptarët e Maqedonisë se Veriut, të gjitha subjektet relevante politike që i përfaqësojnë shqiptarët, që nga fillimet e demokracisë, janë përcaktuar për barabarësi të plotë në nivel shteti. Kjo ka qenë aspirata fillimtare, e cila me rënie-ngritje ka mbetur një konstantë e padiskutueshme si koncept dhe si angazhim politik që nënkupton barazinë në kushtetutë, që për fat të keq akoma nuk e ka gjetur realizimin e plotë.

Sigurisht, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut gjatë tërë kohës kanë hasur në vështirësi, pengesa të shumta në realizimin e të drejtave të tyre në nivel shtetëror, por edhe në nivel lokal. Së këndejmi, pa krijuar paralelizma të panevojshme, subjektet shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kanë të drejtën e plotë që të kërkojnë një funksionalitet më të madh të pushtetit lokal në të gjitha ato parametra europiane, që i nënkupton koncepti i pushtetit lokal. Në fakt, procesi i decentralizimit në Maqedoninë e Veriut mbetet tepër i cunguar në drejtimit të decentralizimit fiskal. Gjithashtu edhe çështja e zhvillimit të barabartë të regjioneve, sipas shumë të dhënave, mbetet problematike dhe në disfavor të komunave ku shumicë janë shqiptarët. Çdo subjekt politik e ka të drejtën e plotë që t’i artikulojë këto probleme reale në shtet, sigurisht gjithnjë duke e ruajtur horizontin e barazisë së plotë të shqiptarëve në nivele qendrore.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X