loader image
November 5, 2024

Nuk ka reciprocitet në rregullimin kushtetues dhe ndarjen administrative

Kokëfortësia e udhëheqësve maqedonas ndaj kërkesave të shqiptarëve çoi te konflikti i 2001-shit, që u mbyll me Marrëveshjen e Ohrit. Ky dokument e përmirësoi dukshëm pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, por nuk shkon aq larg sa shkon Pakoja e Ahtisaarit për serbët në Kosovë. Marrëveshja e Ohrit bëri përparim edhe për te decentralizimi, por sërish nuk shkon aq larg sa Pakoja e Ahtisaarit: as nuk e bëri Maqedoninë në përgjithësi më të decentralizuar se Kosova.

Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

Kundërthëniet mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë çuan te shprehja e revoltës për atë se si mundet 3-4 për qind serbë në Kosovë të kenë më shumë të drejta se 30 për qind shqiptarë në Maqedoni të Veriut. Rrjedhimisht, disa shprehën mendim që me kërkimin e një asociacioni të komunave me shumicë shqiptare në Maqedoni të Veriut do të forcohet pozita e Kosovës në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Problemi është se shtetet ballkanike nuk janë krijuar dhe zhvilluar të gjitha njësoj, ashtu që diçka që vlen për njërin shtet me reciprocitet të zbatohet edhe në shtetet tjera. Pra, për shkak se diçka vlen për serbët në Kosovë, me reciprocitet e njëjta të vlejë për shqiptarët në Maqedoni të Veriut. Arsyeja përse nuk mund të ndodhë kështu është se shteti maqedonas nuk u krijua me ndonjë dokument të ngjashëm si Pakoja e Ahtisaarit, me të cilën u krijua Republika e Kosovës dhe nga i cili dokument rrjedhin të drejtat që i kanë 3-4 për qind serbë në Kosovë e që nuk i kanë plot 30 për qind shqiptarë në Maqedoni të Veriut: dygjuhësi të plotë për pushtetin qendror dhe në tërë territorin e shtetit, ulëse të rezervuara në qeveri, të drejtë vetoje për përdorim më të gjerë se shumica e Badinterit në kuvendin e Maqedonisë së Veriut, komuna të krijuara në territore të ndara artificialisht dhe me kompetenca më të mëdha se komunat tjera dhe për hir të serbëve simbole shtetërore etnikisht-neutrale,…

Krejt këto janë lëshime, sakrifica dhe padrejtësi, të cilat i kanë gëlltitur udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës si kusht për pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, udhëheqësit maqedonas më 1991-1993 nuk u detyruan të bëjnë asnjë lëshim ndaj shqiptarëve me qëllim të njohjes së pavarësisë së Maqedonisë. Bënë lëshim ndaj Beogradit që t’i marrë të gjitha pajisjet e Armatës Popullore të Jugosllavisë (JNA), ashtu që nga Maqedonia serbët të tërhiqen pa dhunë, bënë lëshim ndaj Athinës për çështjen e emrit ashtu që ish Republika Jugosllave e Maqedonisë të anëtarësohet në OKB, por ndaj kërkesave të shqiptarëve udhëheqësit politikë maqedonas çonin inat deri në fund. Shqiptarët e dobët nuk kishin asgjë në dorë me të cilën do t’i çonin politikanët maqedonas t’ua pranojnë kërkesat e tyre. Nuk e kishin fuqinë ushtarake që e kishte Beogradi e as fuqinë diplomatike që e kishte Athina, me të cilën edhe pa të drejtë të vetos në Këshillin e Sigurimit arriti ta shtyjë anëtarësimin e Maqedonisë në OKB vetëm pasi Maqedonia e pranoi një pjesë të kërkesave greke mbi emrin.

Kokëfortësia e udhëheqësve maqedonas ndaj kërkesave të shqiptarëve çoi te konflikti i 2001-shit, që u mbyll me Marrëveshjen e Ohrit. Ky dokument e përmirësoi dukshëm pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, por nuk shkon aq larg sa shkon Pakoja e Ahtisaarit për serbët në Kosovë. Marrëveshja e Ohrit bëri përparim edhe për te decentralizimi, por sërish nuk shkon aq larg sa Pakoja e Ahtisaarit: as nuk e bëri Maqedoninë në përgjithësi më të decentralizuar se Kosova, as nuk krijoi komuna artificiale për shqiptarët (përveç zgjerimit të komunës së Strugës dhe Kërçovës që, me bashkimin e fshatrave, në fakt, ishte kthim në natyrshmëri!), as nuk u dha komunave me shumicë shqiptare më shumë kompetenca se komunave të tjera, e as parashihte asociacion të komunave me shumicë shqiptare dhe të drejtë për financim direkt nga ndonjë shtet fqinj.

Nga ana tjetër, pikërisht për pozitën e shqiptarëve në RMV, që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit, kanë shprehur zili palët e treta! Jo më pak se vet Aleksandar Vuçiqi ka shprehur pakënaqësi që “serbët në Mal të Zi nuk i kanë as një të dhjetën e të drejtave që i kanë shqiptarët në Maqedoni të Veriut”. Në shikim të parë krahasimi mban, sepse serbët në Mal të Zi janë 28.7 për qind, ndërsa para regjistrimit të fundit shqiptarët në Maqedoni të Veriut ishin diçka më pak në 25.17 për qind. Por, ky krahasim nuk mban në praktikë, sepse serbët në Mal të Zi nuk u çuan në kryengritje si shqiptarët në Maqedoni më 2001 dhe Mali i Zi nuk u riorganizua me ndonjë dokument si Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni.

Një pyetje shumë më e logjikshme është se si mundet në Kosovën homogjene me 92 për qind shqiptarë, komunitetet joshumicë të kenë privilegje si askund tjetër në botë, por privilegje të tilla nuk vlejnë për Malin e Zi, ku malazezët nuk janë as shumicë, por pluralitet me 44.9 për qind të popullsisë?! Hajde le të shtiremi sikur malazezët dhe serbët janë e njëjta gjë, me ç’rast serbo-malazezët përbëjnë 73.6 për qind të popullsisë, por sërish nuk shpjegohet që flamuri dhe stema e Malit të Zi mund të jenë me shqiponjën serbo-malazeze dhe simbolet e tjera historike të Malit të Zi, ndërsa simbolet e Republikës së Kosovës, me plot 92 për qind shqiptarë, nuk guxojnë të kenë asgjë shqiptare në to!

Dhe, homogjeniteti i Kosovës na sjell edhe te një paradoks tjetër: Kosova është më shqiptare se Republika e Shqipërisë! Sipas regjistrimeve më të fundit në këto shtete, Kosova përbëhet nga 92 për qind shqiptarë, ndërsa Republika e Shqipërisë me 82 për qind shqiptarë. Sipas logjikës së përqindjeve, R. e Shqipërisë duhet të jetë sipas parametrave ahtisariane më shumë se Kosova! Por, fatmirësisht, qoftë dhe në ato kufij të cunguar, Republika e Shqipërisë prapëseprapë njihet si shtet-komb i popullit shqiptar pa obligime speciale ndaj komuniteteve joshumicë. Kështu, Republika e Shqipërisë njeh disa minoritete në territorin e saj, por me të drejta që nuk shkojnë përtej konventave ndërkombëtare dhe europiane mbi këtë çështje. Greqishtja është gjuhë zyrtare në nivel lokal, por jo edhe për pushtetin qendror dhe në tërë territorin e shtetit, siç është serbishtja në Kosovë. Në kuvendin e RSH-së ka deputetë të minoriteteve, por jo në ulëse të garantuara e aq më pak me të drejtë vetoje. Në qeveritë shqiptare prej në fillim ka pasur anëtarë që janë etnikisht grekë, vllahë ose sllavë, por prania e tyre në qeverinë shqiptare vinte nga të qenit qytetarë shqiptarë me shanse të barabarta e jo nga të pasurit pozita ministrore të garantuara me kushtetutë. Dhe, sa i përket decentralizimit, ka disa bashki dhe komuna me shumicë joshqiptare dhe në krijimin e tyre me gjasë është mbajtur llogari edhe për realitetin demografik në terren, por këto njësi administrative janë larg nga të qenit artificiale si disa komuna me shumicë serbe në Kosovë. Njësitë e tilla të vetëqeverisjes lokale nuk gëzojnë kompetenca më të mëdha se bashkitë dhe komunat me shumicë shqiptare, e as që kanë të drejtë për t’u lidhur në asociacion.

Kështu që, me kërkesën për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni të Veriut duke marrë shembull rastin e serbëve në Kosovë, nuk forcohet pozita negociuese e shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë, por mund të dobësohet shqiptarësia edhe e asaj cope të vogël të Shqipërisë së lirë që është Republika e Shqipërisë! Në fakt, më 1993 vet kryeministri i atëhershëm grek Konstantinos Micotaqis është përpjekur ta sabotojë pozitën negociuese të shqiptarëve duke thënë se ajo zgjidhje që do të zbatohet për shqiptarët në Kosovë, të vlejë për grekët në Epirin Verior (Enis Sulstarova, “Shenja”, shkurt 2023, fq. 77).

Të kërkosh të drejta sipas precedentit të Kosovës, është njësoj si ata që pavarësinë e Kosovës e kundërshtonin me atë që do të krijojë efekt domino për rastet tjera ku kërkojnë pavarësi.

Prandaj, shqiptarët në Maqedoni të Veriut duhet të përmbahen nga shprehja e kërkesave për më shumë të drejta duke u bazuar te ajo që ndodh në Kosovë. Ata duhet ta kenë parasysh që Republika ahtisariane e Kosovës është një kompromis i padrejtë që e gëlltitën shqiptarët si pjesë e planit naiv të Perëndimit që mendonte se një i shtet i tillë i Kosovës do t’i bindte për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Rusia dhe Kina (më tepër për këtë shih te R.D., “Shenja”, janar 2023, fq. 40-45). Kështu që, në vend se ta forcojmë padrejtësinë e Kosovës ahtisariane duke kërkuar të drejta mbështetur në precedentët e atjeshëm, le të shpresojmë dhe punojmë për një zgjidhje më të drejtë për Kosovën, pa asociacione joparimore dhe pa eksperimente të tjera antishqiptare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X