loader image
December 13, 2024

Pushteti patrimonial dhe baballarët e demokracisë

Përgjatë viteve të fundit të komunizmit në Bashkimin Sovjetik ekzistonte një emision në radio i quajtur “Radio Erevani”. Ky emision transmetohej në Armeni dhe formati i tij ishte i llojit satirik, ku publiku bënte pyetje dhe “Radio Erevani” i thoshte gjithmonë “të vërtetën”. Një ditë njëri nga telefonuesit shtron pyetjen “Radio Erevani, cili është dallimi midis socializmit dhe kapitalizmit?” dhe Radio Erevani përgjigjet: “Kapitalizmi është sistemi që favorizon shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, ndërsa në socializëm ndodh saktësisht e kundërta.” Në këtë perspektivë mund të vëzhgohen edhe problemet e tranzicionit shqiptar. Prirjet autoritare të udhëheqësve dhe teknikat klanore të qeverisjes vijojnë të mbeten të njëjtat, pavarësisht ndryshimit të sistemit politik.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Në momentet kur kemi hyrë në dekadën e katërt pas rënies së regjimit komunist, demokracia dhe institucionet shqiptare duket se vazhdojnë të vuajnë nga të njëjtat sindroma të së shkuarës. Pavarësisht se ndryshe nga periudha enveriste, mobilizimi i popullit nuk ndodh më nën dritën e një ideologjie dominante dhe partisë-shtet, gjithsesi sindroma e “Big Brotherit” oruelljan vazhdon të jetë e pranishme në politikë-bërje. Duke shfrytëzuar legjitimitetin e demokracisë në përforcimin e qeverisjes mbi baza të ngushta klanore, mund të thuhet se qeveritë e tranzicionit, të paktën formalisht, janë karakterizuar nga një përkrahje më e gjerë në popull sesa qeveritë e regjimit të kaluar. Në këtë kuptim, duke gërshetuar tiparet antropologjike të shoqërisë sonë me elementet e demokracisë që u adoptuan në fillim të viteve ’90-të, sot kemi të bëjmë me një sistem totalitar në formën e një demokracie hibride (ndryshe i quajtur Potemkin Democracy[1]) me rrjete më të sofistikuara legjitimiteti se periudha e komunizmit dhe një prani shumë më të theksuar të faktorit ndërkombëtar. Por, cila është trashëgimia socio-politike dhe kulturore që e mban në këmbë një sistem të tillë politik? Mbi ç’baza qëndron “maska” e re e pushtetit që u ndërtua nën rrënojat që la rrëzimi i diktaturës? Mbi të gjitha: si realizohet ndërthurja e mikrokozmosit familjar me makrokozmosin shtetëror në perceptimin e individit të një shoqërie si kjo e jona?

Në librin “Ekonomia dhe Shoqëria” sociologu Max Veber trajton faktorët që ndikojnë në instalimin e një forme ekstreme të pushtetit patrimonialist të cilin autori e quan “sulltanizëm”. Ajo çka Veberi synon të shpjegojë me këtë koncept lidhet me stilin e dominimit dhe udhëheqjes së një sistemi politik. Sipas tij, “Kudo ku dominimi tradicional sjell një administratë të re në të cilën të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e “udhëheqësit të madh” dhe ky i fundit e qeveris vendin me një liri të theksuar veprimi të karakterizuar nga konturet e pushtetit personal suprem, atëherë, në çdo rast të tillë, kemi të bëjmë me tiparet e një regjimi sulltanist.” Duhet thënë se nocioni “sulltanizëm” është tërësisht i zhveshur nga domethënia fetare e termit “sulltan”, ndonëse mund të ndodhë që në disa raste figura e liderit mund të marrë një përmasë gati hyjnore në sytë e popullit të tij. Veberi thekson se në këtë regjim patrimonialist “sektori publik dhe ai privat janë të ndërthurur me njëri-tjetrin dhe ekziston një prirje drejt pushtetit familjar, klanor ose dinastive të trashëguara; mungon racionalizimi i ideologjive (si p.sh në totalitarizëm), ndërsa suksesi ekonomik varet nga lidhja personale me udhëheqësin dhe shpurën e tij.” Udhëheqësi dhe miqtë e tij janë shpërndarësit kryesorë të mirëqenies në vend, kurse sektori privat në mënyrë që të zhvillohet e ka të domosdoshme të futet në negociata me klanin e udhëheqësit. Ky model regjimi, sipas Veberit, është i privuar nga shteti i së drejtës dhe ka një zhvillim shumë të ulët të institucionalizmit; në sulltanizëm mund të ketë një pluralizëm të zgjeruar shoqëror, por thuajse kurrë një pluralizëm politik, sepse pushteti politik është i lidhur ngushtësisht me rregullat e lojës që i përcakton vetë udhëheqësi. Karakteristika bazë e kësaj teknike qeverisjeje është se të gjithë individët, grupet ose institucionet janë gjithnjë subjekt i ndërhyrjes së pakufizuar të udhëheqësit. Trajtimi i tezave të sulltanizmit është rimarrë në shqyrtim disa dekada më vonë nga studiuesit e shkencave politike Juan Linz dhe Alfred Stepan. Në librin “Problems of Democratic Transition and Consolidation”, por veçanërisht te “Sultanistic Regimes”, ata kanë dhënë një përshkrim të detajuar për nga mënyra se si mund ta dallojmë këtë model regjimi patrimonialist nga regjimet e tjera autoritare. Juan Linzi argumenton se ka një dallim themelor midis funksionit dhe pasojave të ideologjisë në regjimet totalitare dhe në ato sulltaniste. Në regjimet totalitare jo vetëm që ekziston një ideologji e përpunuar sunduese, por kjo lloj ideologjie e ka fuqinë e legjitimimit të regjimit, dallimit të së mirës nga e keqja ose skicimit të një vije ndarëse mes “heroit të punës” dhe “tradhtarit të atdheut”. Udhëheqësit e shohin këtë ideologji si formë justifikimi për aktet e tyre. Përkundrazi, një udhëheqës sulltanist nuk karakterizohet nga një ideologji zyrtare si justifikim për aktet e tij. E vetmja formë justifikimi për udhëheqës të tillë ndodh në ato raste kur ai ka ardhur në pushtet si përfaqësues i një shumice të zgjedhur. Në këtë rast nuk është më ideologjia ajo që i legjitimon aktet e udhëheqësve, por zgjedhja e tyre nga votuesit. Në këtë kuptim, çrrënjosja e fenomenit të liderit diktatorial bëhet më e vështirë kur ky i fundit vjen në pushtet përmes “makiazhit” të demokracisë. Sa herë që ai sulmohet nga kundërshtarët e qeverisë, ai mund të mbrohet përherë nëpërmjet vullnetit të votuesve që e zgjodhën. Prandaj, në një rast të tillë, bëhet më e vështirë kritika ndaj sistemit politik, sepse çështja kësaj here nuk qendron të sistemi politik në vetvete, por te kultura politike që vë në lëvizje ingranazhet e sistemit politik.

Nga autoritarizmi pa zgjedhje në autoritarizmin e zgjedhur

Kur demokracia sjell në pushtet udhëheqës të tillë, ata nuk kanë më nevojë të fshihen pas perdes së ideologjisë. Përkundrazi, ata duhet të jenë sa më të dukshëm. Atyre nuk u leverdis që të krijojnë një vijë ndarëse që e përcakton qartazi kufirin mes “heroit” dhe “tradhtarit”. Në rastin e regjimeve sulltaniste të instaluara përmes rregullave të lojës së demokracisë, kufiri mes ‘mikut’ dhe ‘armikut’ merr trajtat e një vije imagjinare. Në rast se kufiri do të ishte lehtësisht i dallueshëm, kjo do ta cenonte mundësinë e rizgjedhjes së tyre në mandatin e ardhshëm. Studiuesi Alfred Stepan shkruan se “Në një shoqëri të dominuar nga patrimonializmi, mund të ekzistojnë ligjërime thellësisht personale me pretendimin se janë ideologji, por këto lloj ligjërimesh performohen vetëm pasi lideri e ka marrë pushtetin. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe zgjedhësit. Ata janë shumë të ndërgjegjshëm se nuk po votojnë programin politik, por udhëheqësin që e mundëson parashtrimin e programit politik”. Siç u tha më sipër, udhëheqja personale e këtyre baballarëve të pushtetit qëndron mbi ideologjinë. Si përkrahja e tyre, ashtu edhe sulmet ndaj tyre, mbështeten në vartësinë e njerëzve ndaj pushtetit që ata e kanë akumuluar, në rastin e parë për shkak të shpërblimeve që ai jep për luajalitet, në të dytin për shkak të frikës ndaj tij. Në këtë aspekt, frika dhe luajaliteti ndaj udhëheqësit janë tipare të përbashkëta si në totalitarizëm, ashtu edhe në patrimonializmin sulltanist. Megjithatë, ka disa dallime të rëndësishme. Alfred Stepani shkruan se “Artikulimet ideologjike të një lideri totalitar merren seriozisht jo vetëm nga vartësit e tij, por nga e gjithë shoqëria, duke përfshirë edhe klasën intelektuale. Kjo krijon një përgjegjësi organizative në lidershipin totalitar, gjë që nuk është e pranishme në rastin e regjimeve patrimoniale që janë instaluar mbi bazat formale të demokracisë. Në rastin e këtij regjimi, mund të thuhet se disidentët më të rrezikshëm të tij, janë pikërisht ata që e marrin shumë seriozisht ideologjinë e udhëheqësit”. Këto modele regjimesh hibride, që lindin si një mpleksje e demokracisë me tiparet patrimonialiste të pushtetit të udhëheqësit, mund të vëzhgohen empirikisht në raste të shthurjes së superstrukturës së një regjimi totalitar. Linzi shton se “një ndër faktorët e përbashkët të këtyre regjimeve është se ato mund të identifikohen në vende me pozita gjeografike tepër të favorshme nga pikëpamja strategjike dhe për këtë arsye kanë qenë nën ndikimin e vazhdueshëm të fuqive të mëdha”. Nuk mund të mohohet se edhe në vendin tonë faktori ndërkombëtar ka qenë një element me impakt të rëndësishëm mbi formën që morën sistemet politike në Shqipëri. Udhëheqësi i regjimit të kaluar erdhi në pushtet si rezultat i mbështetjes që kishte nga ana e bllokut lindor. Po kështu, edhe në periudhën postkomuniste ndërkombëtarët kanë vijuar të jenë një faktor politik me peshë në politikën shqiptare. Protagonizmi i ambasadorëve amerikanë gjatë dekadave të fundit, siç ishte për shembull emërtimi i ish-kryeministrit si “Burrë shteti” (Berisha pas 21 janarit) e disa vite më vonë shpallja e tij non grata, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse e përforcojnë më tej perceptimin publik të kësaj shoqërie se trazirat e këtij vendi mund të na i zgjidhë vetëm pushteti i “baballarëve”. Kësisoj, edhe në ditët tona vetëm pushteti i Ramës dhe autoriteti ligjor i SPAK-ut mund ta pastrojnë qeverisjen nga lidhja me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ku pavarësisht se 3 ish ministra dhe një ish kryeministër janë nën proces hetimi për korrupsion, shpërdorim detyre dhe lidhjet me krimin e organizuar, roli i kreut të qeverisë mbetet jo vetëm i paprekshëm, por imazhi i tij vijon të glorifikohet sa herë që Rama përdor ligjërimet e atdhetarizmit kur sulmohet nga mediat e huaja (rasti i emisionit në Rai 3) ose kur takohet me qytetarët shqiptarë që banojnë jashtë kufijve.

Legjitimimi i popullit: të gjithë fajin e ka pushteti i “baballarëve”       

Në rastin e vendit tonë, qysh nga themelimi i shtetit shqiptar, nuk e kemi pasur mundësinë që një udhëheqës të mbetet në tekstet e historisë për zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve ose vullnetit për të ndërtuar një program politik afatgjatë në të mirë të vendit, por ama askush nuk mund ta hedhë poshtë faktin se gjithsecili prej këtyre liderëve ka bërë përpjekje të vazhdueshme për mbajtjen e pushtetit dhe vetëm sa ka dhënë kontributin e tij në perceptimin publik se “politikanët janë e keqja më e madhe e këtij vendi”. Për ta kuptuar rolin që mbart figura e “babait të popullit”, si dhe për t’i parë në një dritë të re funksionet që i atribuohen udhëheqësit në vendin tonë, është e udhës t’i referohemi konceptit “Emri i babait” të formuluar nga psikanalisti francez Jacques Lacan. Sipas Lacanit, “Emri i babait mishëron shënjuesin qendror që ndrydh dëshirat dhe fantazitë e subjektit. Ky “Big Other” përfaqëson mungesën dhe represionin, një mungesë e cila – përmes autoritetit të tij – kalon në perceptimin e një dëshire të papërmbushur. Emri i babait identifikohet me funksionin e parandaluesit të realizimit të dëshirave të subjektit”. Figura e babait simbolik mund të identifikohet si në mikrokomunitete, si familja, ashtu edhe në makrokomunitete, si shteti. Në raste të tilla, si vendi ynë, ku organizimet/organizatat private ngatërrohen shpesh me organizimet/organizatat publike, ashtu sikundër edhe vetë publikja me privaten ose informalja me formalen, udhëheqësi politik që të jetë i suksesshëm, shpeshherë duhet të asociohet me figurën e një udhëheqësi baba. Në këtë kuptim, nëse udhëheqësi mbart tiparet e babait, populli performon rolin e subjektit dëshirues – fëmijës. Po t’i qëndrojmë formulimit të Lacanit, dëshirat e popullit shtohen falë mospërmbushjes së tyre nga “babai simbolik”. Sa më shumë që udhëheqësi baba perceptohet si autoriteti që pengon dëshirat e popullit dhe realizimin e aspiratave të tij historike, aq më shumë realitet fitojnë këto dëshira në popull. Prandaj, domethënia simbolike e pushtetit të tij patrimonial na shfaqet në trajtën e dyfishtë të parandaluesit/garantuesit (prohibitor/inhibitor), ku nga njëra anë liderët tanë perceptohen si fajtorët kryesorë për faktin se kemi mbetur të pazhvilluar e të paintegruar me botën perëndimore, nga ana tjetër ata janë një ndër arsyet pse duhet “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, por edhe shpresat për hapjen e negociatave me BE apo largimit nga vendi bëhen të dëshirueshme pikërisht falë frikës se udhëheqësi baba “nuk do të na anëtarësojë në BE”. Sipas këtij kuptimi, dëshirat nuk rreshtin së ekzistuari në momentin që përballen me një pengesë. Përkundrazi, arsyeja pse ato janë të dëshirueshme është pikërisht për shkak se ato na pengohen. Te libri “Did Somebody Say Totalitarianism?” Slavoj Zizeku e portretizon figurën e diktatorit në petkun e “mbartësit të fajit në shoqëri”. Roli i diktatorit është i domosdoshëm për një shoqëri që e percepton veten në kushtet e një regjimi diktatorial dhe që beson te “konteksti i favorshëm për instalimin e diktaturave”. Vetëm nëse imagjinohet figura e diktatorit, shoqëria mund të shfajësohet nga problemet e saj. “Një nga aktet më çnjerëzore të një despoti” – shkruan Zizeku – “është grabitja e sensit të fajit në shoqëri. Duke u identifikuar nga shoqëria si përgjegjësi kryesor i gjendjes në vend, despoti e forcon më tej pushtetin e tij patrimonialist e, për rrjedhojë, populli kthehet në një fëmijë të pabindur që nuk mban dot përgjegjësi për kushtet e vështira ku ndodhet”. Udhëheqësi patrimonialist ia garanton popullit shpresën, frikën, lavdinë, dështimet, progresin ose prapambetjen e fëmijës/popull në gjuhën më të qartë të mundshme, gjuhën që të bindë më mirë: gjuhën e pushtetit atëror. Një fenomen të ngjashëm përfaqësojnë edhe figurat e udhëheqësve në vendin tonë. Imazhi i tyre si liderë të korruptuar, që nuk mendojnë fare për interesat e vendit, na mundëson të kemi përherë një figure simbolike që e kryen funksionin e parandaluesit të dëshirave tona, madje për t’ia konfirmuar shpeshherë vetes se problemet e një shoqërie shkaktohen nga udhëheqësit, ekzistenca e liderëve si Berisha, Nano, Meta ose Rama, ia lehtësojnë detyrën popullit për ta zhvendosur përgjegjësinë. Si do mund të kishte kaq shumë pakënaqësi e, për rrjedhojë, protesta, depozitim faji, dëshirë për t’u integruar me perëndimin apo largime masive të të rinjve, në mungesë të liderëve të tillë? Pa këta baballarë të shtetit, si do mund të ishte kaq e lartë dëshira për t’u bërë “si gjithë Europa”, edhe pse në çdo rast Europa na e ka mbyllur portën e integrimit e në shumë raste ka mbrojtur interesa që janë në dëm të shqiptarëve? Në mungesë të tyre, si do mund ta asocionim Europën Perëndimore të sotme me kulturën demokratike, meritokracinë apo mundësitë e punësimit? Nëse pranojmë se dëshirat lindin nga konstatimi i një mungese, duhet të themi se gjatë këtyre 112 vjetëve pavarësi, udhëheqësit tanë na kanë furnizuar me një bollëk dëshirash.

Dëshirat e militantëve: një demokraci tarafesh

Pasi u përmendën autoritetet që e mbajnë në këmbë gjithë strukturën e mekanizmave socio-kulturorë dhe politikë të vendit tonë, në vijim do të përshkruhet shkurtimisht performimi i institucioneve në paradën e demokracisë shqiptare. Meqenëse thamë se në vendin tonë nuk ekziston një dallim i qartë ndërmjet privates dhe publikes, mikrokozmosit familjar dhe makrokozmosit shtetëror ose meritokracisë dhe nepotizmit, nga kjo rrjedh se roli i kryetarit të vendit në mënyrë që të bëhet kulturalisht i pranueshëm duhet të ngjasojë me rolin e kryetarit të familjes. E meqenëse qeverisja e këtyre “baballarëve” është e organizuar në mënyrë të tillë që pushteti të ndahet vetëm brenda klanit të tij të ngushtë, është e kuptueshme që edhe riciklimi i elitave në institucionet shtetërore ndodh sipas së njëjtës logjikë. Nëse institucionet perëndimore bazohen mbi procedurat formale të organizimit të shtetit, në vendin tonë, mungesa e kufirit ndarës midis karakterit formal të një institucioni dhe kulturës informale (shpeshherë mbi bazë fisnore) të shoqërisë ku merr formë ky institucion, bën që përzgjedhja e nëpunësve të konceptohet veç si një akt shpërblimi i luajalitetit ndaj udhëheqësit. Ky fenomen, në thelb, nuk përfaqëson ndonjë risi, pasi karakterin informal të institucioneve shqiptare e ka konstatuar Faik Konica qysh në vitet e ’30-ta të shekullit të kaluar, kur e shkroi librin “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”. Te pjesa “Robotët – Njerëzit-makina”, Konica i portretizon në këtë mënyrë nëpunësit e administratës në Shqipëri:

“Pazotësia për të gjykuar vetë e për të marrë masat e duhura pa pyetur – kjo është kryeshenja e nëpunësve të Shqipërisë. Prandaj është përhapur në zyrat e Guvernës një sëmundje e çuditshme për rregulla. Këta ‘Robotë nëse i lë të lirë, mbeten në vend. Është për të mos besuar numri i rregulloreve që dalin përditë nga fabrikat qeveritare. Gjërat më të vetëkuptuara e më panevojë që të formulohen e të porositen, se çdo njeri i merr vesh si pjesë e detyrës së tij, në Shqipëri shtihen në rregullore e në nyja. Për shembull, ca kohë më parë, Ministria e Mësimit botoi një rregullore mbi detyrat e nxënësve të dërguar në shkolla të jashtme; ndër të tjera është një nyje që thotë se nxënësit duhet të nxënë; një tjatër që thotë se nxënësit e përkrahur financiarisht nga Guverna duhet të njohin Guvernën etj. Një rregullore e Ministrisë së Punëve të Jashtme thotë se një përfaqësonjës diplomatik ose konsullar, kur hiqet, duhet t’i dorëzojë vulat dhe arshivat atij që vjen të zërë vendin e tij. Gjithë nga kjo Ministri ka dalë një tjatër rregullore e cila porosit përfaqësonjësit të mos falsifikojnë çeqe.”

Gjendja e përshkruar nga Konica na flet për një Shqipëri e cila ende nuk kishte nivelin e edukimit që ekziston sot. Por, megjithatë, mjafton t’u hedhim një sy ligjërimeve të deputetëve në parlament ose gabimeve drejtshkrimore në dokumente zyrtare nga ana e nëpunësve shtetërorë, për të kuptuar se nuk do përbënte habi vendosja e disa rregulloreve të vetëkuptuara si “Në këtë institucion shkruhet vetëm gjuha shqipe standarde.”

Mendësia e institucioneve që u fertilizuan rishtazi nga “baballarët” e tranzicionit shqiptar u konceptua si ofiqe vetëm për “fëmijët” e bindur, pra ata që e kanë merituar shpërblimin e udhëheqësit patrimonialist dhe klanit të tij. Në këtë kuptim, vendosja e rregulloreve të vetëkuptuara mund të shtrihen gjerësisht në institucione të tjera, si universitetet, spitalet, gjykatat etj. Përmes mosfunksionimit të këtyre institucioneve, militantët do t’i jenë përherë falënderues “baballarëve” të tyre, e në fakt edhe vetë ekzistenca e këtyre udhëheqësve është për nga natyra e saj një emblemë falënderimi.

[1] Fshati Potemkin është një sajesë e ndërtuar me qëllimin për të vendosur një fasadë ndaj një gjendjeje të caktuar, duke i bërë njerëzit të besojnë se gjendja është shumë më e mirë nga sa është realisht. Emërtimi “Potemkin” e ka origjinën nga fasada e një fshati portativ të ndërtuar nga Gregory Potemkin, që kishte funksionin për ta mahnitur Katerinën II dhe të ftuarve të saj gjatë vizitës në Krime më 1787.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X