loader image
October 10, 2024

Demokracinë nuk na e sollën të huajt. Atë e gjetën në mesin tonë.

Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 shënoi një pikë kthese në historinë e shqiptarëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike. Qeveria e përkohshme dhe asambleja e zgjedhur ishin hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një shteti demokratik dhe, ajo që është më e rëndësishme, të formësuara përmes respektimit të protokolleve më të larta demokratike që mund të mendohen. Mirëpo, për fat të keq, një krahasim mes Kuvendit të Vlorës dhe kuvendeve të Tiranës, Prishtinës e Shkupit do të na bënte të qartë se sa regres të madh historik na ka sjellë progresi ynë “demokratik”.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Keqperceptimi i demokracisë si nënprodukt i fuqisë

Marrëdhënia e shqiptarëve me demokracinë sot gjendet në një fazë që përballet me sfida, dyshime dhe kritika. Kemi mbërritur në një moment të tillë, kur demokracia si term është zhvlerësuar, ngaqë paraqitet si zgjidhje për gjithçka, por nga ana tjetër kemi pothuajse gjithçka për të zgjidhur. Mirëpo, harrojmë se nuk mund ta rigjallërojmë shpresën e demokracisë nëse nuk reflektojmë mbi rrënjët e saj dhe nëse nuk arrijmë ta kuptojmë rëndësinë e traditave demokratike autoktone, kjo sepse demokracia nuk është thjesht një formë qeverisjeje që mund të importohet dhe të zbatohet mekanikisht. Ajo duhet të ndërtohet mbi bazat e traditave dhe vlerave që tashmë ekzistojnë në një shoqëri. Nëse demokracia e sotme nuk i mbështet rrënjët e saj në këto tradita të lashta, ekziston rreziku real i dështimit të saj.

Demokracia, sikurse na paraqitet dhe sikurse e konceptojmë sot, nuk mund të lulëzojë në mënyrë të qëndrueshme pa mbështetje të fortë në traditat demokratike autoktone. Vetëm përmes njohjes dhe vlerësimit të këtyre rrënjëve mund të ndërtojmë një të ardhme demokratike që është e rrënjosur në identitetin dhe kulturën tonë, duke siguruar kështu një demokraci që është njëkohësisht e arritshme, e qëndrueshme, e fortë dhe e suksesshme.

Një nga problemet kryesore është se demokracia është një koncept që perceptohet si një dhuratë e importuar nga jashtë. Kjo ide vjen nga historia e përfshirjes së fuqive të huaja në formimin e shteteve moderne dhe promovimin e parimeve demokratike sikur këto parime janë produkt ekskluziv i shteteve të fuqishme dhe me ndikim të fortë gjeopolitik. Megjithatë, një shqyrtim më i thellë i historisë dhe kulturës sonë tregon se demokracia nuk është një fryt i përvojave të huaja, por një vlerë që rrënjët e saj i ka brenda vetë shoqërisë sonë. Pra, duke u paraqitur demokracia si produkt ekskluzivisht i bërë nga superfuqitë, demokracia dashje pa dashje paraqitet e barasvlerësuar nëse jo me imperializmin, gjithsesi me “perandorinë” ndikuese të kohës.

Mirëpo, fuqitë importuese të demokracisë në këto troje e hapësira duhet ta kenë të qartë dhe nëse nuk e kanë, t’ua bëjmë të qartë se shqiptarët kanë një histori të pasur të praktikave demokratike që kanë shërbyer si themele për vetëqeverisjen dhe vendimmarrjen kolektive. Edhe pse të njohura dhe të marra si të mirëqena në vetëperceptimin dhe vetëprezantimin tonë, pra si pjesë e narrativës tonë historike, shpesh janë anashkaluar në diskursin dhe narrativat politike e gjeopolitike. Për shembull, kuvendet popullore dhe pleqësitë kanë qenë forma shumë të hershme e të vazhdueshme të vendimmarrjes kolektive, ku pjesëtarët e komunitetit diskutonin dhe vendosnin për çështjet e rëndësishme. Në këto kuvende zëri dhe mendimi i secilit kishte peshë dhe vendimet merreshin në mënyrë të hapur dhe transparente në bazë të konsensusit ose votimit të hapur. Këto institucione ishin baza e qeverisjes lokale dhe mbështeteshin në parimin e barazisë dhe pjesëmarrjes. Pleqësitë, që përbëheshin nga pleqtë dhe njerëz të respektuar të komunitetit, kishin një rol të rëndësishëm në drejtimin e kuvendeve dhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Atëherë, përse është kaq e rëndësishme që demokracia e sotme të ketë rrënjë në traditat demokratike autoktone? Së pari, këto tradita janë pjesë e identitetit dhe kulturës së një kombi. Ato përfaqësojnë mënyrat me të cilat komunitetet kanë bashkëjetuar dhe kanë zgjidhur problemet e tyre për shekuj me radhë. Duke mbështetur demokracinë moderne në këto tradita, krijohet një lidhje e fortë mes së kaluarës dhe së ardhmes, duke siguruar një kuptim më të thellë dhe një pranim më të gjerë të parimeve demokratike.

Së dyti, traditat demokratike autoktone ofrojnë një model të provuar të funksionimit të demokracisë në kontekstin lokal. Ato e kanë kaluar testin e kohës dhe kanë treguar se janë të afta të mbështesin vendimmarrjen e drejtë dhe efektive. Duke përfituar nga këto modele, demokracia e sotme mund të shmangë shumë nga gabimet dhe sfidat që vijnë nga përpjekjet për të zbatuar sisteme të huaja pa marrë parasysh realitetet lokale. Kjo, sepse, një demokraci që nuk ka rrënjë të forta në kulturën dhe historinë e një kombi, me të drejtë mund të perceptohet si e huaj dhe e imponuar, gjë që mund të çojë në mungesë besimi dhe mbështetjeje nga qytetarët. Pa këtë mbështetje, institucionet demokratike bëhen të brishta dhe të paqëndrueshme, duke rritur mundësinë e destabilizimit politik dhe shoqëror.

Për të siguruar çfarëdo suksesi të demokracisë moderne, është e udhës të ndiqet një qasje e integruar që përfshin dhe respekton traditat demokratike autoktone. Kjo përfshin dhe nënkupton edhe edukimin e qytetarëve për historinë dhe traditat e tyre demokratike. Po ashtu, legjislacioni modern duhet të reflektojë dhe të integrojë parimet dhe praktikat e traditave autoktone. Kështu ka më shumë gjasa dhe shpresa që ligjet dhe rregullat të jenë jo vetëm të kuptueshme, por edhe të pranueshme për secilin. Njohja e rrënjëve të brendshme të demokracisë sonë është thelbësore për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme demokratike. Kjo njohuri na bën të kuptojmë se demokracia nuk është një sistem i imponuar, por një shprehje e vlerave dhe aspiratave tona më të thella. Ajo na jep forcë dhe motiv të brendshëm për t’i mbrojtur dhe përmirësuar institucionet demokratike, duke i bërë ato më të përgjegjshme dhe më të afërta me ne vetë si qytetarë të këtyre trojeve. Pra, demokracia nuk duhet perceptuar dhe as nuk është e udhës të paraqitet si një dhuratë nga të huajt, por si një pjesë përbërëse, e hershme, e vazhdueshme dhe e dëshirueshme e kulturës dhe historisë sonë.

Progresi i sotëm “demokratik” si regres historik

Traditat demokratike ndër shqiptarë janë të rrënjosura thellë në kulturën dhe historinë tonë. Mirëpo, këto tradita nuk kanë shërbyer si themel për zhvillimin e institucioneve demokratike moderne, edhe përkundër faktit të qartë se vazhdojnë të jenë burim frymëzimi për brezat.

Për ta kuptuar drejt demokracinë, është e rëndësishme ta njohim dhe ta pranojmë se demokracia është një proces dinamik dhe i vazhdueshëm. Nuk është një gjendje që arrihet njëherë e përgjithmonë, por një përpjekje e përditshme për t’i përmbushur parimet dhe vlerat themelore njerëzore. Një nga shembujt më të prekshëm dhe të debatueshëm që na del përpara si dëshmi e mangësisë ose edhe pamundësisë së përmbushjes së demokracisë është beteja në dukje e humbur e shoqërisë sonë me korrupsionin. Përkundër përpjekjeve për t’i forcuar institucionet e drejtësisë, korrupsioni mbetet i përhapur dhe i kudondodhur, gjë e cila e gërryen thellë besimin e qytetarëve në qeveri dhe institucione. Tëhuajësimi i qytetarëve nga vendimmarrja demokratike dhe përbuzja e traditës së demokracisë autoktone ka sjellë tek distancimi reciprok mes qytetarit dhe sistemit politik. Korrupsioni mbin, zhvillohet e lulëzon në këtë hapësirë të lënë bosh mes qytetarit dhe sistemit. Qytetari nuk e ndjen sistemin si të vetin dhe, për pasojë, nuk e ndjen as korrupsionin si abuzim me të si qytetar, por si abuzim i sistemit. Kjo lidhet me mungesën e besimit te institucionet dhe me kulturën politike të trashëguar nga e kaluara, si importim apo imponim nga jashtë. Ky tëhuajësim sjell natyrshëm tek ajo që inveli i pjesëmarrjes qytetare në proceset politike dhe vendimmarrëse mbetet i ulët.

Nga ana tjetër nuk duhet harruar se shqiptarët, historikisht, kanë qenë të njohur për besëlidhjet dhe marrëveshjet që formonin për të mbrojtur interesat e tyre të përbashkëta. Këto besëlidhje ishin marrëveshje kolektive që siguronin mbështetje dhe respektim të ndërsjellë të rregullave dhe normave të përcaktuara nga vetë shoqëria. Nëpërmjet këtyre besëlidhjeve, shqiptarët arrinin të ruanin paqen dhe të zgjidhnin konfliktet dhe kundërshtitë në mënyrë paqësore, duke demonstruar një traditë të fortë të bashkëpunimit dhe vendimmarrjes kolektive.

Lidhja e Prizrenit, në vitin 1878, është një shembull i traditës demokratike ndër shqiptarë. Kjo organizatë përfshinte përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe kishte për qëllim mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe të drejtave të shqiptarëve përballë pretendimeve të padrejta të fuqive të huaja armiqësore. Mbledhjet dhe diskutimet e Lidhjes ishin shembull i një procesi demokratik ku përfaqësuesit e të gjitha trevave dhe shtresave diskutonin dhe vendosnin për strategjitë e përbashkëta në një frymë bashkëpunimi dhe konsensusi që do na habiste edhe ne sot, në kushtet kur kemi tashmë institucione të vulosura me logon e demokracisë.

Një tjetër ngjarje e rëndësishme në historinë e shqiptarëve, që tregon për traditën tonë demokratike, është Kongresi i Manastirit, i mbajtur në vitin 1908. Ky kongres mblodhi së bashku përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare për të standardizuar alfabetin e gjuhës shqipe. Procesi i diskutimit dhe vendimmarrjes gjatë këtij kongresi ishte një shembull i demokracisë në veprim, ku pjesëmarrësit nga grupe të ndryshme rajonale dhe fetare arritën të gjenin një zgjidhje të përbashkët në interes të kombit.

Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 shënoi një pikë kthese në historinë e shqiptarëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike. Qeveria e përkohshme dhe asambleja e zgjedhur ishin hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një shteti demokratik dhe, ajo që është më e rëndësishme, të formësuara përmes respektimit të protokolleve më të larta demokratike që mund të mendohen. Mirëpo, për fat të keq, një krahasim mes Kuvendit të Vlorës dhe kuvendeve të Tiranës, Prishtinës e Shkupit do të na bënte të qartë se sa regres të madh historik na ka sjellë progresi ynë “demokratik”.

Mëkati fillestar i demokracisë së importuar

Krejt sistemi i sotëm demokratik, ashtu sikurse edhe ai totalitar i mëhershëm, qëndrojnë mbi embrionin e mëkatit fillestar të kundërshtisë mes demokracisë së vetëshprehur dhe asaj të caktuar nga të huajt. Krijimi i shtetit shqiptar i ka dy momente themelore dhe njëkohësisht themelvënëse, por fatkeqësisht kundërthënëse dhe kundërvënëse: shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe copëtimi i trojeve shqiptare ose Kuvendi i Vlorës dhe Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Kuvendi i Vlorës ishte jo vetëm akt patriotik dhe politik, por ishte gjithashtu shprehja e parë dhe themeltare e aspektit demokratik të shtetit të ri shqiptar. Ishte gërshetimi më i natyrshëm i traditave të ngulitura thellë demokratike në shoqërinë shqiptare dhe i këndvështrimit elitar e përparimtar të shtetësisë shqiptare. Në të kundërtën, Konferenca e Ambasadorëve ishte zhbërësi dhe copëzuesi i kësaj tradite demokratike dhe i këtij vullneti politik të shprehur në mënyrë demokratike nga përfaqësuesit e këtij populli.

Që prej asaj përballjeje e këtej na ndjek e njëjta përballje dhe i njëjti mëkat fillestar. Edhe sot e një shekull e më shumë nga momenti i mëkatit fillestar antidemokratik të Konferencës së Londrës, shqiptarët vazhdojnë të shprehen për vendimin e Kuvendit të Vlorës, të gëzojnë dhe t’i gëzohen asaj shprehjeje sublime demokracie, ndërkohë që vazhdimisht janë shprehur kundër vendimit të Konferencës së Ambasadorëve për copëtimin e Shqipërisë, i qortojnë dhe i vajtojnë ato vendime të pamoralshme antidemokratike. Sondazhet e vazhdueshme e vërtetojnë këtë. Nëse shqiptarët vazhdimisht, për më se një shekull, vazhdojnë të zgjedhin me vetëdije Kuvendin e Vlorës, mirëpo në vend të tij na ofrohet nga të huajt Konferenca e Londrës, atëherë kjo është gjëja më jodemokratike që mund t’u mëkohet dhe mësohet brezave. Nga fara e një antidemokracie të tillë nuk ka sesi të lindë bima e demokracisë.

Përballja mes importimit të demokracisë nga jashtë dhe traditës së demokracisë së brendshme reflekton jo vetëm sfidat e përshtatjes së parimeve demokratike në një kontekst specifik kulturor dhe historik, por edhe tensioni mes ndikimeve të huaja dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Praktikat e vjetra demokratike mbështeten në pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit dhe vendimmarrjen me konsensus, duke siguruar një proces më të drejtë dhe të barabartë. Ruajtja dhe integrimi i këtyre traditave në sistemin modern demokratik ndihmon në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore. Natyrisht, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se traditat e vjetra mund të jenë në përplasje me disa prej standardeve moderne të demokracisë, veçanërisht në fushat e të drejtave të njeriut dhe aspekteve gjinore. Prandaj, mjeshtërimi i përshtatjes së importimit të demokracisë nga jashtë dhe traditës së demokracisë së brendshme është sfidë aspak e lehtë. Por, duhet të ndërgjegjësohemi se vetëm duke i respektuar dhe integruar traditat demokratike autoktone në sistemin modern ne si shqiptarë mund të krijojmë demokraci që është e qëndrueshme, e drejtë dhe e pranuar nga vetë ne.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X