loader image
May 21, 2024

Në Ohër u tund mali polli miu

Pavarësisht, se vlera e dakordimit me gojë apo me shkrim është e njëllojtë, plani pa një shteg preciz të zbatimit është i gjykuar në dështim. Vuçiqi nënshkroi në zyrën e Presidentit Trump se do ta zhvendoste ambasadën nga Telavivi në Jerusalem dhe nuk e bëri këtë. U dakordua me gojë me planin franko-gjerman, ku thuhet që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizma ndërkombëtare, dhe më pas doli me deklaratën se e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në OKB. Këto sjellje joserioze të lidershipit të shtetit serb janë një shenjë se jemi më afër luftës sesa paqes.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Ky është përshkrimi i takimit të Ohrit mes presidentit Aleksandar Vuçiq e kryeministrit Albin Kurti. Pritjet ishin që Albin Kurti e Aleksandar Vuçiqi të merren vesh rreth shtegut të përpiktë të zbatimit të planit franko-gjerman, por në fund doli një dakordim i zbehtë i përgjithësuar sa për të mos thënë se nuk pati kurrfarë akordi. Në fakt ky ishte një triumf i përkohshëm i Vuçiqit, i cili po tenton të blejë sa më shumë kohë dhe e vuri Kosovën para sfidës së Asociacionit para se Serbia të ndërmarrë çfarëdo hapi konkret.

Me këtë Albin Kurti dëshmoi se është më këmbëngulës se paraardhësit e tij, por jo edhe mjaftueshëm i pjekur politikisht, e aq më pak i pajisur me zhdërvjelltësi diplomatike. Sigurisht që Albin Kurti ishte i hendikepuar për shkak se paraardhësit e tij ia kanë zbritur pazarin tepër shumë. Vonesa e implementimit të Asociacionit nuk është një hendikep për Kosovën, por – përkundrazi – një mundësi për të bërë pazar me të. Imagjinoni sikur tani edhe Asociacioni të ishte në fuqi! Atëherë Vuçiqi do të kërkonte edhe diçka tjetër në këmbim të njohjes. Krejt naiviteti i lidershipit politik të Kosovës qëndron në atë se i kanë bërë lëshime Serbisë pa marrë në këmbim njohjen.

Krijimi i statutit të Asociacionit nga një komision i përbashkët është një shmangie e përgjegjësisë direkte të Kurtit dhe Vuçiqit në persona tjerë dhe marrje e një roli më të madh europian në këtë punë.

Albin Kurti insiston në nënshkrim, pasi nënshkrimi i planit franko-gjerman do të thotë praktikisht njohje de fakto e de jure e Kosovës. Pavarësisht, se vlera e dakordimit me gojë apo me shkrim është e njëllojtë, plani pa një shteg preciz të zbatimit është i gjykuar në dështim. Vuçiqi nënshkroi në zyrën e Presidentit Trump se do ta zhvendoste ambasadën nga Telavivi në Jerusalem dhe nuk e bëri këtë. U dakordua me gojë me planin franko-gjerman, ku thuhet që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizma ndërkombëtare, dhe më pas doli me deklaratën se e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në OKB. Këto sjellje joserioze të lidershipit të shtetit serb janë një shenjë se jemi më afër luftës sesa paqes. Njerëzit dhe kombet joserioze vetëm dajaku i bënë serioz.

Po si erdhëm deri te kjo situatë?

Ja çka kam shkruar ndër të tjera në “Koha Ditore” më 07.11.2003:

“…..interesi i dialogut Prishtinë- Beograd i takon më shumë Prishtinës se sa Beogradit, Brukselit apo Uashingtonit. Beogradi i ka rregulluar punët me Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Maqedoninë dhe së fundit edhe me Kroacinë e Malin e Zi. Gjysmën e Bosnjës e ka më serbi se sa vetë Serbia dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Brukselin e Uashingtonin është një proces që po përshpejtohet.

Në anën, tjetër klasa politike e Kosovës akoma nuk e ka kuptuar se Kosova nuk ka dalje në det. Katër vitet e pasluftës Kosova bëri jetën e foshnjës politike në duart amerikane. SHBA-të në ndërkohë kanë krijuar foshnje të reja (Afganistanin, Irakun) të cilat po i krijojnë kokëçarje ndoshta edhe të paparashikuara dhe nuk ia ka ngenë të merret me foshnjën xhuxhe katërvjeçare që quhet Kosovë. Kosova duhet tani të ecë vetë. Të çajë rrugët vetë. Krerët e institucioneve të Kosovës nuk duhet të presin dhurimin e kompetencave të plota për të vepruar, por duhet të veprojnë me ato mjete, me ato kompetenca dhe me ato forca që kanë. Kryeministri Rexhepi ashtu siç nuk ka pritur rroba antiplumb, armë moderne dhe pajisje të duhura medicionale për të shkuar në UÇK, por ka shkuar me ato mjete që ka disponuar, po ashtu duhet të çajë rrethimin e Kosovës, duke u takuar me homologët e tij të Maqedonisë dhe të Malit të Zi për të pasur një pozitë më të favorshme në bisedimet me kryeministrin serb. Çfarë problemi ka të takohet ministri kosovar i Arsimit me ministrin maqedon të Arsimit? Që të dy janë shqiptarë. Interesi reciprok ekziston. Kush mund t’i ndalojë ata që të nënshkruajnë marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave? Shumë shqiptarë të Maqedonisë kanë probleme me njohjen e diplomave të fituara në Kosovë.

Pra Prishtina, ka nevojë për dialog me Beogradin më shumë se që Beogradi ka nevojë dialogu me Prishtinën.

I vetmi interes i Beogradit për dialog me Prishtinën është shmangia e presionit ndërkombëtar. Prishtina duhet të jetë ajo që duhet të tregojë rëndësinë e dialogut edhe Beogradit edhe Brukselit e Uashingtonit dhe jo e kundërta. Dhe dialogu duhet të nisë aty ku është thelbi i problemit: Mitrovica. Prishtina duhet të jetë ajo që dialogu të jetë shqiptaro-serb brenda Kosovës, kurse Beograd – Prishtinë kur është fjala në raportet me Serbinë. Është kundër interesit të Kosovës bisedimet Beograd – Prishtinë të quhen dhe të trajtohen si bisedime shqiptaro-serbe, gjë që nënkupton që serbët e Kosovës të rreshtohen në pjesën serbe të tavolinës. Bisedimet shqiptaro-serbe (të cilat duhet të zhvillohen brenda Kosovës) duhet t’iu paraprijnë bisedimeve Beograd-Prishtinë. “

Në dhjetë vitet në vijim kam insistuar në këto pika sa herë që ka ra rasti. Më interes të kujtohet është ajo çka kam shkruar më 10 janar 2013:

Problemi kyç i Kosovës në politikën e jashtme është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Kosovën tashmë e ka njohur gjysma e kombeve të botës, dhe nga gjithë kombet e mbetura, njohja nga ana e Serbisë mbetet më e rëndësishmja. Kosova nuk mund ta injorojë këtë problem.

Kosova duhet ta detyrojë Serbinë ta njohë

Metoda më efikase kish me qenë ajo që Kosova t’i nisë avionët e saj dhe mos ta ndalë bombardimin e Beogradit derisa Qeveria e Serbisë ta njohë Kosovën. Metodë tjetër efikase kish me qenë ajo që trupat komando të Kosovës të nisen drejt Beogradit, dhe ta rrëzojnë qeverinë në Beograd dhe ta qesin në pushtet një qeveri që do ta njihte pavarësinë e Kosovës.

Kur në një konferencë po flisja këto fjalë, gjithë diplomatët e pranishëm, natyrisht, e dinin qe po parodizoj, u shqyen së qeshuri. Si do ta pushtojmë Beogradin kur nuk ishim të zotë të çlirohemi vet?! Si do t’i çojmë trupat komando në Beograd kur krye-heroi ynë, Adem Jashari, është vrarë nga policia serbe në shtëpinë e vet.?!

E vetmja rrugë që na mbetët lidhur me këtë çështje është që përmes aleatëve tanë, Uashingtonit e Brukselit, t’i bëjmë presion Beogradit që të lëshojë pe pak e nga pak. Në fakt, këtë punë po e bëjnë Uashingtoni e Brukseli pa i animuar ne fare.

Për ironi, ne kemi qëlluar aq kokëmushka sa duke mos e kuptuar interesin tonë, aleatët tanë po shpenzojnë më shumë energji për të na bindur ne se sa duke i bërë presion Beogradit.

Madje liderët kosovarë me paturpësinë më të madhe arsyetohen para publikut se “kemi presion nga Uashingtoni e Brukseli”. Ndonjëri shkon edhe më tej duke deklaruar se “ne nuk po i bëjmë presion të mjaftueshëm Brukselit e Uashingtonit”.

Çka është tepër, tepër është. Fjala presion duhet hequr fare nga fjalori i politikanëve kosovarë. Askujt në Kosovë nuk duhet t’i shkojë mendja t’i bëjë presion Perëndimit e as të ankohet se Perëndimi po na bënë presion. Fjalët që duhet të përdorën për të shprehur këto relacione duhet të jenë: “ne po animojmë Brukselin e Uashingtonin për këtë çështje”, “ne duhet ta animojmë Brukselin e Uashingtonin për filan çështje” etj.

Ndërsa, për relacionin Bruksel apo Uashington në drejtim të Prishtinës duhet të përdoren shprehjet: “kemi këshillën nga Brukseli dhe/apo Uashingtoni”, “na është sugjeruar që të veprojmë kështu apo ashtu lidhur me këtë çështje” etj.

Dhe përderisa edhe Uashingtoni edhe Brukseli na sugjerojnë bisedimet me Beogradin, atëherë të gjitha energjitë tona duhet të fokusohen në këtë drejtim në mënyrë që të kalojmë sa mirë në këtë pazar, i cili fatkeqësisht po bëhet për vendin tonë. Po bëhet për atë se deri në çmasë Kosova formalisht e pavarur do të jetë e varur nga Beogradi. Ky është çmimi i ngecjes së funksionimit të shtetit të Kosovës në terren. Ky është çmimi i dështimit të turpshëm të aksionit të 25 Korrikut 2011, kur njësitet policisë speciale të Kosovës u thyen keq nga strukturat e shtetit të Serbisë në veri të Kosovës.

Së bashku me aleatët tanë duhet ta gjejmë rrugën më të lehtë për të paguar këtë faturë që vetë e shkaktuam me budallallëkun apo paaftësinë tonë.

Në fakt, është turp për pushtuesin e deridjeshëm. Atuja e fundit që pushtuesi i deridjeshëm e ka në dorë është mosnjohja e rezultateve të luftës.

Greqia moderne shpalli pavarësinë e sajë më 1 Janar 1822 e u njoh nga Fuqitë e Mëdha të kohës më 3 Shkurt 1830, iu desh që të paguante 15 milionë franga ari Perandorisë Osmane vetëm që kjo e fundit t’ia njihte pavarësinë më 1835.

Po kështu kur shtetet ballkanike i pushtuan territoret europiane të Perandorisë Osmane me anë të Luftës së Parë Ballkanike, haraçi që u desh të paguajnë këto shtete Perandorisë Osmane në këmbim që ajo tua njihte territoret e pushtuara ishte që ta njihnin një shtet shqiptar me kufij që do t’ia përcaktonin Fuqitë e Mëdha.

Që Serbisë t’i njihej pushtimi i Kosovës ajo u desh të tërhiqet nga Durrësi, Tirana e Elbasani, që Malit të Zi t’i njihej pushtimi i Pejës e viseve tjera u desh që të tërhiqet nga Shkodra, që Greqisë t’i njihej pushtimi i Janinës e Selanikut ajo u desh të tërhiqet nga Korça e Gjirokastra etj.

Haraçi për njohje

Tani njohja e Kosovës nga ana e Serbisë e ka çmimin e vet. Këtë çmim ne po vazhdojmë ta paguajmë qe 14 vite. Rruga që detyron Serbinë ta njeh Kosovën është e mundimshme por nuk është e pamundur. Dikur as me dokumente të UNMIK-ut nuk mund të shkoje në Beograd sot shkon edhe me letërnjoftim të Kosovës dhe me targa KS. Më 2003, kryeministri i Serbisë me shumë frikë e hezitim më zgjati dorën, pse unë isha përfaqësues i shoqërisë civile kosovare, kurse sot kryeministri i Serbisë ulët për darkë me kryeministrin e Kosovës.

Këto janë ecje të ngadalshme, por kush na ka fajin që nuk ecim më shpejt. Edhe lidershipi edhe qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se vajtimi që ne vazhdojmë të jemi viktimë dëmton interesat tona. Kosovarët nuk duhet t’i luten Beogradit për njohje, por duhet t’ia imponojnë njohjen me çmimin më të vogël të mundshëm.

Takimi mes Thaçit e Daçiqit në Bruksel është një hap përpara. Nga aspekti formal, takimi Jahjaga – Nikoliq do të ishte akoma më i rëndësishëm. Derisa aleatët tanë sugjerojnë që ky takim të jetë në një vend neutral, presidenca e Kosovës duhet të animojë që takimi të ndodhë në Prishtinë. Presidentja nuk duhet të hezitojë ta bëjë ftesën publike.

Gjithsesi, takimi më i rëndësishëm për Kosovën do të ishte ai mes z/kryeministrave Sllobodan Petroviq dhe Aleksandar Vuçiq. Për këtë takim duhet animuar që të ndodhë në Beograd. Edhe

Takimi më i rëndësishmi do të jetë ai Petrović – Vuçiq.

Ky takim është më i rëndësishëm për Kosovën se Jahjaga – Nikoliq e Thaçi – Daçiq për vetë faktin se Petroviqi i takon komunitetit etnik serb. Derisa takimet e tjera mund të interpretohen si takime të liderëve shtetëror serbë me përfaqësues të komunitetit shqiptar, takimi i zyrtar Vuçiqit me Petroviqin është njohje de facto e institucioneve të Kosovës, edhe pse akoma jo njohje e shtetit të Kosovës. E kjo d.m.th. një hap më pran njohjes së Kosovës.”

Mundësitë e pashfrytëzuara në të kaluarën tani na hakmerren. Sa më shumë kohë që kaloi, Serbia u bind se ka të bëjë me një shtet joserioz me të cilin aleatët do të zhgënjehen herëdo kurdo dhe se nuk ka nevojë të nxitohet, sepse shteti i Kosovës do të zhbëhet vetvetiu. Rrjedhimisht, haraçi që Kosova duhet të paguajë për njohje po rritet. Ai do të jetë akoma më i madh në rast se në vend se të nënshkruhet marrëveshja e paqes do të ketë një luftë të përgjakshme.

Në fakt, kur dy persona ose edhe dy kombe janë në bela, janë tri mundësi teorike të situatës mes tyre: 1). Pajtimi me marrëveshje – paqja mes tyre; 2) Status quo-ja dhe 3) Lufta.

Në rastin Kosovë-Serbi, pas luftës në Ukrainë, vendet e Perëndimit e kanë sosur durimin për status quo-në në Ballkan dhe i kanë intensifikuar përpjekjet për paqe. Nëse nga tri mundësi nuk rezulton e suksesshme mundësia e dytë, atëherë mbetet e treta: lufta.

Republika e Maqedonisë së Veriut bëri maksimumin e saj si vend fqinj për fqinjët e saj të armiqësuar mes vete me të cilët ajo për vetën e saj ka marrëdhënie të mira. Shërbimet që ofruan presidenti Pendarovski, kryeministri Kovaçevski dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, mbeten shembull i mirë jo vetëm për rajonin, por për mbarë globin. Me gjithë këtë, me atë çfarë u arrit në Ohër më 18.03.2023 bëmë një vendnumëro, që praktikisht i bie një hap drejt luftës para se të jetë hap drejt paqes.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X