loader image
May 27, 2024

Jeta si përpjekje

Në një prej thënieve profetike me rastin e kthimit nga një betejë luftarake thuhet se “po kthehemi nga lufta e vogël tek lufta e madhe”. Lufta ndaj vetvetes është më e rëndë nga sa mund ta mendojmë. Edhe atëherë kur besojmë se mund ta kemi fituar, nuk duhet të festojmë me fitore prej të dehurish nga suksese me sy hapur. Në vend që të ngremë shtatoren dhe të nisim festimet, duhet të ngremë fushimin mes thjeshtësisë, falënderimit dhe bujarisë.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Njeriu sprovë më të madhe ka veten, edhe pse shpesh nxiton ta justifikojë me rrethanat për të lehtësuar ndërgjegjen nga pafuqia për ta sfiduar. Jeta është fund e krye përpjekje. Edhe në ato çaste kur duket se njeriu ka arritur kulmin dhe s’ka më nevojë për asgjë në këtë botë, shfaqet sprova me veten. Bash në atë çast vetja egërsohet edhe më shumë. Ka syresh që iu duket sikur janë të pandalshëm, sikur kanë prekur qiellin me dorë dhe kanë marrë garanci që nuk do të topotisen prej kulmit ku kanë mbërritur. Në ndodhtë që të rrëmbehen nga zjarrmia e pamposhtmërisë, kthehen në mendjemëdhenj dhe arrogantë që kujtojnë se pjesa tjetër e njerëzve janë një hiç i madh përderisa nuk zotërojnë pasuri të mëdha materiale. Mund të përpiqen të duken si tepër të qytetëruar, por qytetërimi pa kulturën është një enë boshe, boshllëkun e së cilës nuk e kuptojnë dot syresh që iu është sosur vaji i kandilit të kulturës. Boshllëku kulturor është errësira e tyre e madhe, është tortura e ditëve të tyre “të bukura”, sepse çdo e mirë materiale si vazhdë e përmasës biologjike të njeriut, sado të shkëlqejë dhe të duket e pasosur, humbet sa hap e mbyll sytë. I tremben pafuqisë për të ndalur pjesën më të egër të qenies së tyre, sepse koha do të nxjerrë në shesh atë që e fshihnin dhe maskonin aq mirë me fjalë të bukura dhe filantropi me akuj eskimezë në ekuator. I frikësohen lënies së gjithçkaje pas, sepse ajo që vjen para prej së ardhmes nuk është kurrë e sigurt si do të jetë.

Në ndodhtë që të përmbysen nga froni ku janë ulur, do të nxitojnë të drejtojnë gishtin e fajësisë drejt rrethanave njerëzve që ua patën me të keq, miqve që nuk i ndihmuan sa duhet, të afërmve që nuk i kuptuan dot. Ky soj, që suksesin ia blaton vetëm vetvetes, “aftësive gjeniale” që zotëron, dështimin ia faturon tjetrit pa u menduar gjatë. Këta syresh nuk do të dështonin po të mos iu ngatërroheshin nëpër këmbë njerëz që iu përmbysën ëndrrat. Do të ishin më të suksesshmit po të ishin vetëm këta dhe planeti. Por, ja që rrethanat nuk i ndihmojnë dhe meqë është kështu, më e lehtë është ta hedhësh topin e përgjegjësisë tek tjetri sesa të qëndrosh përballë vetes dhe ta pranosh me burrëri përgjegjësinë e dështimeve. Syresh që fajin gjithmonë e kërkojnë tek tjetri, duke përjashtuar veten nga shqyrtimi kritik, janë karaktere kryeneçë dhe me personalitet të dobët. Dobësinë e fshehin tek sjellja e të pafajshmit, kurse idhnakësinë tek sulmet buluritëse ndaj “fajtorëve” të sajuar për dështimet e tyre. Ia dalin të ngjallin mëshirën e të mirëve dhe të marrin vëmendjen e atyre që notojnë në të njëjtat ujëra, në ujërat e boshllëkut kulturor. Harrojnë se gjendje të tilla nuk mund të vazhdojnë përgjithmonë, ose bëjnë sikur harrojnë me shpresën se gjithmonë do t’ia dalin të gjarpërojnë mes rrethanave e njerëzve për të dalë të larë si pont Pilati.

Në anën tjetër ka syresh që nuk i gjunjëzohen dhe nënshtrohen vetes. Jo se nuk janë të ekspozuar ndaj sprovës së vetvetes, por përmasa kulturore, që ushqehet e mbahet në jetë me dituri mbi kuptimësinë e ekzistencës, nuk lejon që të mbisundojë përmasa materiale. Njeriu nxjerr mësime nga pësimet e të tjerëve, nxjerr mësime nga mangësitë e vetvetes, nxjerr mësime nga sukseset dhe dështimet. Në çdo hap është në përpjekje që nuk reshtin së luftuari në korrigjimin dhe përmirësimin e vetvetes. Në një prej thënieve profetike me rastin e kthimit nga një betejë luftarake thuhet se “po kthehemi nga lufta e vogël tek lufta e madhe”. Lufta ndaj vetvetes është më e rëndë nga sa mund ta mendojmë. Edhe atëherë kur besojmë se mund ta kemi fituar, nuk duhet të festojmë me fitore prej të dehurish nga suksese me sy hapur. Në vend që të ngremë shtatoren dhe të nisim festimet, duhet të ngremë fushimin mes thjeshtësisë, falënderimit dhe bujarisë. Kësisoj zemra nuk do të përkëdhelet në sedër dhe nuk do të jepet pas ndezullive të shkurtra si zjarr meteori. As nuk do të joshet nga të mirat materiale e të rehatohet në hije tendash luksoze. As nuk do të kërkojë të shuajë etjen me ujë të kripur. E kur këto ndodhin në brendinë e kraharorit, njeriu çlirohet prej peshës biologjike dhe zemra zgjerohet e paqtohet. Në të kundërtën, zemra ngushtohet sikur të ngjitet në qiell dhe jeta nga e gjerë, e bukur dhe shpresëdhënëse, kthehet në ngushtësi të zymtë dhe pikëlluese.

Njeriu përpiqet vazhdimisht mes këtyre gjendjeve. Herë harron e herë kthjellohet. Nëse do të jetë syçelë dhe të ruajë pastërtinë dhe çiltërsinë e zemrës, nuk duhet të harrojë se cila është lufta e madhe dhe për çfarë ia vlen të përpiqet në jetë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X