loader image
May 27, 2024

Përkëdhelja e Serbisë si normalitet i pritur në botën realiste

Forcimi i Rusisë, i bazuar kryesisht në eksportin e gazit natyror dhe naftës, e ndezi alarmin në Europë dhe SHBA. Roli i saj në Ballkan po bëhej problematik. Njëri nga dy shtetet proruse, Bullgaria, në vitin 2005 e rrumbullakoi procesin e integrimit në strukturat euroatlantike. Shteti i dytë prorus, Serbia, u pa si lojtari kryesor i Moskës në një rajon që kishte nxitur luftërat botërore. Pavarësia e Kosovës, e cila erdhi më 1999 dhe u formalizua në vitin 2008, i kishte rrënuar deri në themel marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin, sidomos me SHBA-në. Rikthimi i Rusisë ishte një moment kthese edhe në qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Ka kohë që marrëdhëniet midis Serbisë dhe Perëndimit kanë evoluar në një nivel krejtësisht ndryshe nga periudha e viteve të ‘90-ta. Që nga vitit 2007, kur kreu rus Vlladimir Putin, në Konferencën e Munihut, paralajmëroi kthimin e Federatës Ruse në skenën globale, Perëndimi e riktheu qasjen pragmatike ndaj Serbisë. Sikur ky vit ishte pikënisja e një gare midis Perëndimit dhe Rusisë se kush do ta mbajë Serbinë në orbitë. Ky moment nuk u kuptua me kohë, madje edhe sot ka dilema te një pjesë e madhe e politikës shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj.

Raportet e Perëndimit me Serbinë

Përkëdhelja e Perëndimit ndaj Serbisë është e karakterit realist. Realizmi ka karakterizuar marrëdhëniet ndërkombëtare për 150 vitet e fundit. Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe Lufta e Ftohtë, nuk arritën të krijojnë një mjedis në të cilin vlerat dhe parimet e garantuara nga institucionet ndërkombëtare do të jenë baza e paqes dhe e marrëdhënieve midis shteteve. Në një realitet të atillë utopik shtetet do të udhëhiqeshin nga i ashtuquajturi moral ndërkombëtar.

Pjesë e kësaj tabloje është sigurisht edhe Ballkani, një rajon që shpesh është sinonim i nacionalizmit, urrejtjes dhe luftërave mes popujve që jetojnë atje. Serbia është një aleat shekullor i Rusisë. Bashkë me Bullgarinë, kanë një trashëgimi të madhe të bashkëpunimit me Rusinë që nga shekulli i 18-të, kur në Ballkan filluan përpjekjet e para të popujve për autonomi ose edhe pavarësi nga Perandoria Osmane. Edhe Serbia edhe Bullgaria u krijuan nëpërmjet nxitjeve dhe më pas përkrahjes nga Rusia. Përveç afërsisë kulturore dhe religjioze, edhe Rusia kishte interes pragmatik në mbështetjen e dy shteteve sllave në Ballkan – dobësimin e Perandorisë Osmane, rritjen e ndikimit në Ballkan dhe sigurimin e daljes në detin Adriatik.

Në luftërat ballkanike, që pasuan pas rënies së Perandorisë Osmane në vitet e para të shekullit të 20-të, Rusia i mbështeti fillimisht të dyja shtetet, pasi luftonin kundër osmanëve, e më pas herë Serbinë e herë Bullgarinë, kur ato u ndeshën në fushëbetejat e territorit të Maqedonisë së Veriut ose Serbisë jugore.

Lufta e Parë Botërore filloi pikërisht për shkak të Serbisë. Austro-Hungaria, si perandori e kohës, e kishte pushtuar Bosnjën që ta pamundësojë daljen e Serbisë në detin Adriatik. Si Austro-Hungaria, ashtu edhe Gjermania dhe Italia, kishin frikë nga forcimi i Serbisë në Ballkan, pasi në këtë mënyrë do të nxitej unifikimi i popujve sllavë në gjithë Europën, nën ombrellën e Rusisë. Themelimi i Shqipërisë, si shtet, u mbështet fuqishëm nga këto vende europiane pikërisht për të krijuar balancë të fuqive në Ballkan dhe për të siguruar se Serbia nuk do të arrijë të ketë dalje në det. Në atë kohë Serbia kishte marrëdhënie vëllazërore me Rusinë, kurse Europa s’kishte ofertë për këtë shtet. Andaj, përplasja ishte e paevitueshme. Vrasja e Franc Ferdinandit, trashëgimtarit të Perandorisë Austro-Hungareze, në Sarajevë në vitin 1914, e nxiti Vjenën t’i shpallë luftë Serbisë. Austro-Hungaria e kishte mbështetjen e Gjermanisë së fuqishme, por Serbia u përkrah nga Rusia, edhe pse në atë periudhë ballafaqohej me krizën më të madhe socio-ekonomike. Kjo e shënoi fillimin e Luftës së Parë Botërore, e cila e kishte më pas edhe “pjesën e dytë” në formën e Luftës së Dytë Botërore.

Periudha pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e gjeti Serbinë në një federatë jugosllave, e cila mbante distancë nga Moska dhe marrëdhënie të kujdesshme me Perëndimin. Për gjysmë shekulli, për herë të parë në historinë e saj, Serbia ishte jashtë sferës së ndikimit rus.

Rikthimi i Rusisë

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1990-të, realizmi u bë qasja e vetme në marrëdhëniet ndërmjet kombeve, e më pas edhe ndërmjet shteteve të sapokrijuara. Bashkimi Sovjetik merrej me vetveten dhe krizën që e kishte prodhuar federata e republikave komuniste. Serbia sërish kërkonte më shumë territor dhe rol në Ballkan, por nuk e kishte mbështetjen e Moskës për shkak të pafuqisë së saj. Luftërat që i nisi në vitet e ‘90-ta rezultuan me tkurrje të Serbisë. Por, rikthimi i Rusisë së Putinit në skenën e politikës ndërkombëtare, pas vitit 2007, shënoi një moment tjetër për Serbinë. Ajo sërish e pa mundësinë e shtrirjes së ndikimit në vendet fqinje dhe sigurimin e daljes në det, si një nga qëllimet kyçe ku lidhen interesat e Serbisë dhe Rusisë.

Përkëdhelja e Serbisë

Forcimi i Rusisë, i bazuar kryesisht në eksportin e gazit natyror dhe naftës, e ndezi alarmin në Europë dhe SHBA. Roli i saj në Ballkan po bëhej problematik. Njëri nga dy shtetet proruse, Bullgaria, në vitin 2005 e rrumbullakoi procesin e integrimit në strukturat euroatlantike. Shteti i dytë prorus, Serbia, u pa si lojtari kryesor i Moskës në një rajon që kishte nxitur luftërat botërore. Pavarësia e Kosovës, e cila erdhi më 1999 dhe u formalizua në vitin 2008, i kishte rrënuar deri në themel marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin, sidomos me SHBA-në.

Rikthimi i Rusisë ishte një moment kthese edhe në qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë. Kërkohej çdo mënyrë që Serbia të shkëputej nga përkëdhelja e Moskës. Investimet më të mëdha në Serbi janë nga Perëndimi. BE-ja është tregu më i madh për mallrat e Serbisë. Ndikimi i Serbisë në vendet fqinje është i madh, ndërsa në disa edhe vendimtar, se kush do ta marrë pushtetin. Serbia është një faktor në rajon, i cili tash është shumë i nevojshëm për Perëndimin, sidomos pas shkurtit të vitit 2022, kur Rusia i shpalli luftë Ukrainës. Perëndimi e ka të qartë se njohja e Kosovës nga Serbia nuk mund të ndodhë përderisa ajo është në krahët e Rusisë. As paqja në Bosnjë dhe Hercegovinë ose edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.

Jetojmë në një botë realiste ku, siç thotë Tukididi, i fuqishmi bën atë që duhet bërë e i dobëti pranon atë që duhet pranuar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X