Akademia ka fshirë me “gomë digjitale” akuzat ndaj Ahmetit si ndarës i Kosovës, madje pa dhënë shpjegime se pse ka ndodhur ky përgënjeshtrim. Në tekstin e analizës është lënë varianti “disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut”, por nuk saktësohet se kush janë ata me emër dhe mbiemër. Ky veprim, jo fort akademik, ka ndikuar që tani gishti i akuzës të jetë i drejtuar ndaj disa liderëve shqiptarë përkatësisht në mënyrë komuniste “te të gjithë dhe tek askush”.
Sefer TAHIRI, Shkup
Analiza 39-faqëshe e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës me titull “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” ka ulur na bankën e akuzës publike dhe akademike liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, edhe atë për çështjen më të ndjeshme aktuale politike ndër shqiptarët e Ballkanit: ndarjen e Kosovës!
Analiza e parë e ASHAK- ut: Ahmeti ishte për ndarjen e Kosovës
Kjo analizë, e cila këtyre ditëve u kritikua tepër shumë për kah aspekti i metodologjisë shkencore, madje edhe për 118 gabime ortografike, i vë faj Ahmetit për bashkëveprim apo bashkëkoordinim me ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili me propozimin që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkoheshin Kosovës pranonte propozimin për shkëmbimin e Luginës së Preshevës me disa komuna serbe do t’i bashkoheshin Serbisë. Sipas analizës akademike, “Thaçi kishte arritur të dominonte disa medie proqeveritare, kishte arritur të krijonte një mbështetje të brendshme kryesisht përmes formave korruptuese të pushtetit, por nuk kishte arritur të ndryshonte opinionin publik, i cili në një masë të madhe ishte kundër ndarjes së Kosovës”.
Ali Ahmeti, liderin e ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, i cili ka qenë pjesëmarrës edhe në organizimin e forcave ilegale për çlirimin e Kosovës dhe njëri nga udhëheqësit e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas analizës, e cila nuk ka autor të përveçëm, ka dhënë edhe garanci te faktori ndërkombëtar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë për bashkim kombëtar.
“Në anën tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut (Ali Ahmeti), se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një ndarje të Kosovës nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në këtë ‘kërthizë’ të Ballkanit Perëndimor”, – shkruan ndër të tjera ASHAK-u.
Një formulim, sado që mund të mos tingëllojë si gjuhë e pastër shkencore apo akademike rëndon mbi personalitetin e Ahmetit, e zbeh figurën e tij politike dhe ushtarake, e ul potencialin e rolit historik që i përshkruhet nga media dhe historianë të ndryshëm, meqë angazhimi për “ndarjen e Kosovës” është akuzë jo dosido, nuk është politike – ditore, por përkap “partitura” më të larta kombëtare dhe gjeopolitike. Në sfondin e saj është një akuzim i përmasave kolosale që e ul “gjigandizmin” e proklamuar nga mbështetësit e Ahmetit para shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Kosovës. Kjo akuzë e adresuar drejt Ahmetit, vjen në një kohë kur kompaktësia territoriale e Kosovës është prioritet i shumicës së shqiptarëve në rajon, pavarësisht se ka politikanë, por edhe qytetarë që veprimet e qeverisë Kurti për ruajtjen e tërësisë së tokës kosovare i quajnë të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me “agjendën ndërkombëtare”!
Në anën tjetër, edhe formulimi se liderët shqiptarë kanë garantuar se nëse ndahet Kosova, nuk do të kërkojnë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut t’i bashkëngjiten Kosovës apo Shqipërisë, nuk është i qëndrueshëm, kjo, sepse, nëse hapet “kutia e Pandorinës” dhe ndodh(te) ndarja e territorit të Kosovës, askush nuk mund të ofrojë garanci për veprimet e popullit shqiptar, ndërsa besueshmëria e liderëve aktual politik tek shqiptarët nuk është garanci se mund të ndal një ose një tjetër proces politik.
Akademia përdor “gomën digjitale”, fshin pjesën për Ahmetin
Por, kjo Akademi, si duket nën presionin e forcave të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, ka fshirë me “gomë digjitale” akuzat ndaj Ahmetit, madje pa dhënë shpjegime se pse ka ndodhur ky përgënjeshtrim. Teknologjia sot mundëson korrigjim të shpejtë të përmbajtjeve në internet, por një institucion akademik nuk guxon të zhbëjë një konkluzion që e publikon ditën dhe e fshin natën, pa dhënë shpjegime publike.
Në tekstin e analizës, ASHAK-u ka lënë variantin disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, por nuk ka saktësuar se kush janë ata me emër dhe mbiemër. Ky veprim jo fort akademik, ka ndikuar që gishti i akuzës të jetë i drejtuar ndaj disa liderëve shqiptarë përkatësisht në mënyrë komuniste “te të gjithë dhe tek askush”. Edhe formulimi i parë, disa liderë, ndërsa në kllapa vendoset vetëm emri i Ahmetit është vetvetiu kundërthënës, sepse nëse bëhej fjalë për akuzë ndaj liderit të BDI-së, ajo është e përveçme, pra nuk ka të bëjë me shumësin! Aq më tepër që edhe liderët tjerë shqiptarë, Ziadin Sela, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Menduh Thaçi, nuk janë deklaruar asnjëherë pro projektit për shkëmbim territoresh.
Akademia, natyrisht se vetvetiu sipas misionit që ka, duhet të jetë shumë serioze, duhet të punojë sipas kritereve të rrepta metodologjike shkencore, në stilin “mat dy herë dhe pre një herë”, ndërsa nuk përdor terma të gazetarisë së paverifikuar, meqë formulimi “disa liderë shqiptarë”, pa treguar identitetin e tyre politik dhe faktik, u ngjan gazetave të shtypit të verdhë ose portaleve bulevardeske, të cilat raportojnë në stilin “disa ekspertë ose disa qytetarë thonë”!
Një institucion akademik nuk operon me hamendësime, supozime apo prejudikime, nuk publikon një konstatim ose konkluzion dhe më pas, vetëm pas 24 orëve të “publicitetit” të tyre, i bie pishman dhe të njëjtat i bën joekzistuese. Qasja e këtillë është pseudoakademike dhe e vë në huti opinionin publik.
Lideri i BDI-së përgënjeshtron ASHAK-un
Ahmeti disa herë ka theksuar se “ka prishur perandori, ka prishur Jugosllavinë”! Synimi kryesor i shqiptarëve nga ky dekompozim shtetëror ishte formimi i shtetit të pavarur të Kosovës në kufijtë e saj të paprekshëm përkatësisht me kufijtë e integritetit territorial, i cili do të jetë i pacenueshëm ose nëse cenohet parashikohet front i madh ndërkombëtar për zhbërjen e këtij plani. Por, analiza, pikërisht liderin “integrist”, nga një njëri që ka luftuar për shtetësinë e Kosovës, e shpall dezintegruesin e saj.
Është e qartë se analiza akademike niset nga raportet e shkëlqyera që lideri i BDI-së ka pasur në vazhdimësi me ish presidentin Hashim Thaçi, si dy drejtues të luftërave. Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ishte njëri nga opsionet për mbylljen e problemit mes dy vendeve sovrane, por që nuk u prit me shumë dashamirësi nga shqiptarët e Kosovës e as nga ata të Maqedonisë, ndërsa nuk ka pasur kundërshtim të hapur të këtij projekti nga lideri i BDI-së. Kjo ka ndikuar që Akademia të vijë në konkluzionin se Ahmeti është për ndarjen e Kosovës.
Edhe vetë Ahmeti, si duket, e ka pritur me dëshpërim dhe shqetësim këtë ese ose memorandum politik nga qarku akademik i Kosovës. Madje, në fjalimin e fundvitit ka folur me tone, që reflektojnë kundërshtim të ashpër me pohimet e analizës. Është zotuar se nuk bën pazare me kufijtë e Kosovës, pasi gjaku i shokëve të tij të rënë dëshmorë nuk e lejon këtë gjë. “Pavarësisht deklaratave apo analizave që bëhen se gjoja se unë paskam qenë për ndryshim të kufijve të Kosovës, për atë pavarësi dhe për ata kufij të Kosovës kam dhënë gjithçka nga jeta ime dhe unë nuk bëj pazare me copa e grime të vendit që është gjak i gjakut tim, është gjak i shokëve të mi” – tha Ahmeti.
Edhe pse projekti i shkëmbimit të territoreve si zgjidhje përfundimtare e problemit i vishet ish presidentit të Kosovës, vetë Hashim Thaçi nuk e ka pranuar asnjëherë publikisht. Para se të niset drejt Hagës, Thaçi ka thënë se nuk ka asnjë draft marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, por e ka ëndërr që të përfshijë Luginën e Preshevës në territorin e Republikës së Kosovës. “Ëndërroj që Presheva, Medvegja e Bujanoci të përshihen pa u cenuar integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Kush flet për shkëmbim e bën për konsum të brendshëm, pasi kjo nuk është folur asnjëherë, e aq më pak në Uashington”, – deklaronte Thaçi.
Revista pretigjioze “The Economist” shkruante se propozimi për ndryshim të kufijve mund të ishte një taktikë negociuese nga presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, për të përgatitur votuesit e BE-së dhe ata të brendshëm që të gjejnë një zgjidhje më modeste, që do të jetë e arritshme për Kosovën dhe Serbinë! Por, me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes, ky projekt, siç do të deklarojë kryeministri Kurti, është i vdekur.