loader image
July 27, 2024

Qorrsokaku me veriun e Kosovës

Ngjarjet në veri nuk janë befasi. Janë evaluim pak më i vrazhdë i qasjes permanente agresive dhe kërcënuese të Serbisë ndaj Kosovës. Janë dhuratë normale për indiferencën dhe tolerimin e Perëndimit ndaj Serbisë për politikën e saj luftënxitëse dhe afërsinë e saj me shtetin rus. Për herë të parë, Vuçiqi ndërmerr një hap konkret për ta jetësuar ëndrrën e shtetit serb për ta sjellë ushtrinë prapë në Kosovë.

Blerim HALILI, Prishtinë

Kosova kohëve të fundit po përballet me një situatë jo të lehtë dhe komplekse në aspektin e sigurisë, por jo vetëm. Si duket, edhe një herë doli në pah brishtësia e një lloj stabiliteti që ishte i instaluar në komunat veriore me shumicë serbe. Dhe, pikërisht kjo lëkundje goxha radikale e stabilitetit duhet të sinjalizojë mirë shtetin dhe popullin e Kosovës për të adresuar në mënyrë kritike dhe retrospektive një çështje bazike: si dhe pse erdhëm deri këtu?; dhe pastaj të adresohet çështja e dytë: “si të veprojmë tutje?”.

Kërcënimi në veri si rast për t’u kthyer tek vetja

Situata e tanishme e krijuar në komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjes se zyrtarëve e nëpunësve serbë, pas shpërthimit në zyrat e Këshillit të KQZ-së që rezultoi me një ish-polic të komunitetit serb të arrestuar dhe si pasojë e protestës ndaj këtij arrestimi me ngritjen e barrikadave nga grupet kriminale të mirëmbajtura nga Beogradi, na sjell në mendje rëndësinë e një fakti shumë të rëndësishëm: populli i Kosovës të kthehet tek vetvetja, tek vlerat që beson, tek idealet që ka trashëguar ndër shekuj, të rezonojë mbi përvojën e vet dhe ta freskojë mirë kujtesën kolektive. Pa një kujtesë të mirë dhe rezonim të qartë mbi atë se si kemi ardhur deri këtu nuk mund të ketë qëndrim të drejtë historik as ndaj kësaj që po ndodhë tani. Kjo sa i përket popullit. Ndërsa politika duhet të bëjë punën e vetë: të jetë zëdhënësi i këtij qëndrimi solidar kolektiv dhe ta ketë atë si legjitimitet të parë dhe të fundit. Si rregull, mbi këtë dyzim kalon çdo përpjekje për shpëtimin dhe avancimin e kombit dhe të shtetit.

Normaliteti absurd i kërcënimit të Serbisë

Ngjarjet në Veri nuk janë befasi. Janë evaluim pak më i vrazhdë i qasjes permanente agresive dhe kërcënuese të Serbisë ndaj Kosovës. Janë dhuratë normale për indiferencën dhe tolerimin e Perëndimit ndaj Serbisë për politikën e saj luftënxitëse dhe afërsinë e saj me shtetin rus. Për herë të parë, Vuçiqi ndërmerr një hap konkret për ta jetësuar ëndrrën e shtetit serb për të sjellë ushtrinë prapë në Kosovë. Dhe, kësaj here e bën në mënyrë pothuajse cinike, duke i dërguar letër KFOR-it për ta lejuar këtë. Kjo ushtri do të vinte, gjoja, për të mbrojtur qytetarët serbë në veri të Kosovës, të cilët qenkan gjoja të kërcënuar dhe të rrezikuar. Të rrezikuar nga kush? Me cilën politikë apo qasje, me cilin veprim a ndërmarrje ka rrezikuar shteti i Kosovës apo populli i saj pakicën serbe apo ndonjë pakicë tjetër? Në cilin vend në botë ka më shumë të drejta (diskriminim pozitiv) një pakicë sesa që ka pakica serbe në Kosovë? Në fakt arsyetimi për këtë temë është tërësisht i panevojshëm për faktin që dihet se ngjarjet atje nuk mbështeten në parametra realë civilizues, juridikë apo humanë, në të drejtat e njeriut, por prapa këtij destabiliteti qëndron ëndrra nacionaliste serbe për të aneksuar, nëse jo të tërën, atëherë një pjesë të territorit të Kosovës. Prandaj përballja e argumenteve përballë një gjuhe të tillë cinike të Serbisë nuk çon askund.

Heshtja dhe distancimi i Shqipërisë

Në kohën kur kemi një kërcënim konkret në veriun e Kosovës përmes grupeve kriminale dhe nga vetë politika e ushtria serbe, Shqipëria nuk qëndron në krye të detyrës. Shqipëria do të duhej të ishte më aktivja, më e shqetësuara dhe më e zëshmja karshi absurditetit që përjeton Kosova tani. Ajo reagon vonë, ftohtë dhe pamjaftueshëm. Duket sikur pret e vështron. Historia e jetësimit dhe emancipimit kombëtar shqiptar nuk do ta harrojë asnjëherë qëndrimin e çuditshëm e indiferent të qeverisë shqiptare karshi Kosovës. Është tepër shqetësues ky qëndrim pasiv sikur Kosova të ishte në ndonjë kontinent tjetër e të mos jetë brenda të njëjtës orbitë etnike, gjuhësore, historike e kulturore. Aq më tepër kur mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve anekënd botës është e përbrendësuar në kushtetutë dhe përbën një obligim kushtetues.

“Industria e analistëve”

Është shqetësues mungesa e konsensusit të brendshëm në opinionin publik karshi një kërcënimi të tillë në veri të vendit. Madje, “industria e analistëve”, e aktivizuar në ekranin kosovar në çdo televizion, portal dhe platformë fatkeqësisht, më shumë është duke krijuar kaos, mjegull, dekoncentrim dhe huti sesa që bën adresim të saktë të gjendjes që do të gjeneronte një konsensus minimal qytetar e kombëtar karshi gjendjes së krijuar. Nga ana tjetër, me qasjen joprofesionale, me amnistinë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, me amnistinë ndaj rrezikut serb që kanë aplikuar ndër vite në ligjërimin e tyre, ata edhe tani janë duke relativizuar rrezikun, përkatësisht janë duke mbjellë një kulturë të keqe të debatit dhe kritikës absurde të adresuar gabim edhe atëherë kur gjendja është serioze.

Duke e ndërtuar shoqërinë liberale, harruam diçka!

Kjo situatë e krijuar së fundmi shpërfaqi edhe një fakt tjetër interesant. Konsensusi e solidariteti i nevojshëm karshi situatës së sigurisë nuk promovohet, e në rastin më të keq pengohet, edhe nga një gamë grupesh e ndërmarrjesh pseudo-qytetare aktive në komunitet, aktive në instalimin e harresës dhe krijimin e njeriut të hapur e liberal. Dhe, shtrohet një pyetje logjike: ku mbeti dhe si mund të përkthehet investimi nëpërmjet organizatave joqeveritare, mediave dhe programeve emancipuese për të krijuar një shoqëri të lirë, të barabartë, demokratike, liberale dhe të hapur, në solidaritet për paqe, kundër dhunës, pro sovranitetit të shtetit dhe lirisë? Cila është dobia praktike e tyre në këso raste? Si e mbron ajo narrativë tani shtetin dhe popullin e Kosovës karshi kërcënimit të kriminelëve, nga njëra anë, dhe të shtetit serb, nga ana tjetër?

Këto çështje të ngritura sipërfaqësisht shërbejnë për të reflektuar në secilin nivel, ngase kjo është një përpjekje për të sensibilizuar veten mbi nevojën për t’u kthyer tek vetvetja si komunitet e si popull, për të freskuar kujtesën e betimin se ne jemi të gatshëm kurdoherë t’i dalim zot atdheut, pavarësisht çmimit që duhet ta paguajmë, se ne bartim një amanet nga dëshmorët që nuk na lë të qetë, kur thirrja e kobshme e kriminelëve sorollatet mbi kulmet e shtëpive tona.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X