loader image
July 27, 2024

Nëse shqiptarët do të kishin tjetër fat

Fundi i Luftës së Dytë Botërore do ta gjente Shqipërinë të zhvilluar, të pasur e të bashkuar, ku as grekët e as serbët nuk do të mund ta rikthenin qoftë Kosovën, qoftë Çamërinë. Më e keqja që mund t’i ndodhte Shqipërisë do të ishte pushtimi nga anglo-amerikanët dhe vendosja e ndonjë pushteti demokratik, pa Mbretin Zog, i cili do të detyrohej ta braktiste vendin.

Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

 

Nëse do të kishte sukses ndonjëri nga atentatet ndaj Ahmet Zogut

Mbi Ahmet Zogun u zhvilluan disa atentate, të gjitha të pasuksesshme. Zogu, 25 vjeç, ministër i Brendshëm, 27 vjeç kryeministër, 30 vjeç president dhe 33 vjeç mbret, del të jetë figura më markante e historisë politike shqiptare aq sa mund të konsiderohet baba i kombit shqiptar. Sikur ndonjëri nga këto atentate të shumta të kishte sukses, vështirë se do të gjendej ndonjë personalitet tjetër shqiptar që do të arrinte ta stabilizonte shtetin shqiptar dhe t’i jepte formë atij në ato rrethana tejet të ndërlikuara. Ahmet Zogu ishte njohësi më i mirë i psikologjisë së shqiptarit dhe udhëheqësi më adapt në kuadër të kësaj psikologjie për ta drejtuar atë drejt progresit. Sikur mbretërimi i tij ta mbijetonte Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria sot do të ishte më e zhvilluar se Greqia.

Sikur Ahmet Zogu të pranonte ofertën e Hitlerit

Para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, Hitleri i bëri një ofertë Mbretit Zog që Shqipëria të bëhej një vend aleat i Gjermanisë. Në këmbim Shqipëria do të kishte një zhvillim të hovshëm ekonomik dhe do të merrte Kosovën e Çamërinë. Por, Mbreti Zog duke e paraparë se Gjermania do të ishte humbëse e Luftës së Dytë Botërore e refuzoi këtë ofertë. Sikur Zogu ta pranonte këtë ofertë, Italia nuk do të mund ta pushtonte Shqipërinë me 1939 dhe stabiliteti politik jo vetëm që nuk do të zbehej, por përkundrazi do të forcohej. Nga viti 1939 deri më 1941 Shqipëria do të përjetonte bum ekonomik, e më 1941 do të merrte edhe Kosovën e Çamërinë. Komunistët nuk do të mund të bënin gjë pasi nacionalistët do të ishin nën thundrën e Zogut dhe nuk do të bëheshin pikë e pesë që komunistët të gjenin shesh e të bënin përshesh. Fundi i Luftës së Dytë Botërore do ta gjente Shqipërinë të zhvilluar, të pasur e të bashkuar, ku as grekët e as serbët nuk do të mund ta rikthenin qoftë Kosovën, qoftë Çamërinë. Më e keqja që mund t’i ndodhte Shqipërisë do të ishte pushtimi nga anglo-amerikanët dhe vendosja e ndonjë pushteti demokratik, pa Mbretin Zog, i cili do të detyrohej ta braktiste vendin. Por, ndoshta edhe do ta vazhdonte mbretërimin me ndonjë akrobacion politik në çastet e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Një gjë do të ishte e sigurt me këtë rast: Shqipëria me Kosovë e Çamëri do ta vazhdonte jetën demokratike dhe nuk do ta përjetonte regjimin komunist.

Nëse komunistët nuk do të vinin në pushtet

Nëse komunistët nuk do të vinin në pushtet, Shqipëria me apo pa Mbretin Zog do të ishte një vend më i zhvilluar se Greqia. Kosova do të ngelej në kuadër të saj edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Çamëria nëse nuk do të ishte pjesë e Shqipërisë, të paktën nuk do ta përjetonte gjenocidin.

Nëse Xhafer Deva nuk do ta bënte gabimin fatal

Për Xhafer Devën (1904-1978) janë thënë miliona gënjeshtra. Këto gënjeshtra të tepruara ndaj tij, duke dashur ta përulin, ndonjëherë edhe e kanë lartësuar përtej përmasave të tij reale. Por është paraardhësi i tij në postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Kol Bib Mirakaj, ai që ai vë në dukje gabimin e tij më të madh politik.

Kur  Xhafer Deva e mori pushtetin në Tiranë, në mesin e nacionalistëve kishte një entuziazëm të pashoq. Okupatori italian kishte kapitulluar dhe raporti me gjermanët që kishin pushtuar gjithë Europën ishte krejt tjetër. Gjermania e njihte Shqipërinë si një shtet neutral dhe praninë e ushtrisë në truallin shqiptar e kufizonte vetëm si masë sigurie që ushtritë anglo-amerikane të mos sulmonin ushtrinë gjermane nga territori shqiptar.

Pasi pushtuesit italianë i kishin marrë Shqipërisë të drejtën e përfaqësimit diplomatik, tani shteti i rithemeluar shqiptar sërish po hapte misionet diplomatike në Berlin dhe në vendet aleate të Boshtit. Kufiri i Shqipërisë shkonte përtej Novi Pazarit  dhe mirëqenia e qytetarëve ishte më e mirë se asnjëherë më parë.

Në këtë atmosferë, antifashisti dhe antiitaliani Xhafer Deva po i konsideronte patriotë të gjithë ata që kishin luftuar kundër italianëve dhe ishte i bindur se ata që kishin luftuar kundër italianëve nuk kishin arsye patriotike të luftonin kundër gjermanëve që në Shqipëri kishin ardhur jo me mision pushtimin e aq më tepër kishin mundësuar dyfishimin e saj territorial dhe mirëqenien.

E vërteta ish se në kohën e pushtimit italian nacionalistët (ballistët e zogistët)  ishin më të shumtë sesa partizanët komunistë dhe pikërisht nacionalistët përbënin shumicën e të të burgosurve nga  italianët. Në mesin e tyre ishte edhe vetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë (1943-1944), bashkëvendasi i Xhafer Devës, Rexhep Mitrovica  (1888-1967). Dhe, pasoi gabimi fatal i Xhafer Devës: nën moton e lirimit të luftëtarëve të lirisë, u hapi dyer të  gjithë të burgosurve politikë, përfshirë edhe atyre që kishin bërë akte terrori. Në mesin e këtyre rreth 2000 të liruarve nga burgu, shumica ishin nacionalistë, por një pjesë e konsiderueshme ishin komunistë. Këta komunistë jo që nuk iu bashkuan aparatit shtetëror, por nga burgjet shkuan drejt e në çetat partizane në male. Këtu e  35 vitet e ardhshme do ta konsideronin armikun e tyre më të madh pikërisht Xhafer Devën, 39 vjeçarin që i liroi nga burgu. Ky ishte gabimi fatal i tij. Sikur mos ta bënte këtë gabim, vështirë që komunistët ta fitonin luftë civile në Shqipëri.  Për rrjedhojë, Shqipëria nuk do ta vuante komunizmin.

Nëse Shqipëria do të bëhej republika e shtatë e federatës jugosllave

Por, ndodhi ajo çfarë ndodhi, Shqipëria u pushtua nga komunistët të cilët ia kthyen Kosovën dhe viset tjera Jugosllavisë dhe dilema ishte nëse Shqipëria do të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë apo jo. Arsyet përse kjo nuk ndodhi nuk janë të studiuar ende. Gjithë bota Perëndimore e ajo Lindore e dinte se komunistët shqiptarë ishin të drejtuar nga komunistët serbë. Madje, lajmi për pushtimin komunist të Tiranës në gazetat amerikane ishte: “Partizanët e Titos çliruan Tiranën”.

Në fakt, ndër partizanët që pushtuan Tiranën nuk kishte asnjë njësit nga viset jo-shqiptare, por ky konstatim vinte ngaqë partizanët shqiptarë drejtoheshin nga Miladin Popoviqi, Dushan Mugosha e serbë të tjerë. Në rrethana të tilla ishte krejt e natyrshme që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë. Madje, sipas Edvard Kardelit, vetë Stalini u kishte thënë që Jugosllavia duhej ta gëlltiste Shqipërinë. Me gjithë këtë, kjo nuk ndodhi. Përse? Mbetet për t’u studiuar.

Sidoqoftë, qëllimi i këtij shkrimi është të analizojmë se çfarë do të ndodhte nëse Shqipëria do të bëhej pjesë e federatës jugosllave. Një gjë do të ishte e sigurt – deri më 1966 nacionalistët shqiptarë do të përndiqeshin mizorisht ashtu siç edhe u përndoqën, por familjet e tyre nuk do të pësonin aq keq siç pësuan në Shqipërinë enveriste. Politikanët komunistë dhe familjet e tyre nuk do ta pësonin siç pësuan nën regjimin enverist.

Pas vitit 1966 represioni ndaj familjeve nacionaliste do të hiqej fare dhe zhvillimi ekonomik, kulturor e arsimor do të merrte hov të madh. Bregdeti shqiptar do të ishte i vërshuar nga turistë të huaj dhe shqiptarët do të mund të lëviznin nëpër gjithë botën pa viza. Shumë pikëpyetje do të ishte se sa do të qëndronte në pushtet Enver Hoxha, po edhe nëse nuk do të pensionohej nga Tito, nuk do të ishte ai mizori që njeh tani historia.

Sigurisht që korpusi etnik shqiptar do të ishte më i lidhur mes vete sado që dallimet nga periudha e kaluar (1913-1941) serish do të ishin prezente. Nuk do të ndodhnin demonstratat e vitit 1981 dhe, rrjedhimisht, zhvillimi i Kosovës do të ishte më i hovshëm.

Shpërbërja e Jugosllavisë do ta gjente një Shqipëri më proserbe se sa prokroate. Megjithëkëtë, Shqipëria do të pavarësohej sërish, por e vështirë të thuhet nëse ky proces do të ndodhte me luftë ose pa luftë. E njëjta gjë do të vlente edhe për Kosovën. Meqë nuk do të ndodhnin demonstratat e vitit 1981, Mahmut Bakalli do të ishte në pushtet deri më 1991 dhe deri më atëherë serbët do ta kishin lëshuar Kosovën. Pavarësimi i Kosovës do të pasonte pavarësimin e Shqipërisë, por këto do të vazhdonin të ishin shtete të pavarura, ngaqë elitat e tyre politike nuk do t’i lëshonin rrugë njëra-tjetrës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X