Ky tekst në esencë shprehë tentativën për të relativizuar e arsyetuar politikën serbe të gjenocidit, të viteve nëntëdhjetë. Politikat e tashme të Serbisë janë vërtet destabilizuese, por janë larg nga politikat serbe të agresioneve ushtarake të viteve nëntëdhjetë, kur Serbia pati sulmuar ushtarakisht Slloveninë, Kroacinë, BeH-në dhe, në fund, Kosovën. Në letërsi teksti që nuk e shpreh realitetin ose e shpreh në mënyrë të deformuar realitetin, quhet fiksion. Por, ky tekst nuk është i hartuar si fiksion. Është ose padituri e skajshme ose qëllim i errët, për të relativizuar e arsyetuar politikën serbe të gjenocidit të viteve të nëntëdhjeta.
Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë
Dilema e parë është se a ia vlen të diskutohet për një dokument të shpallur inekzistent? Dokumenti i ASHAK-ut, pas publikimit, pas disa retushimeve dhe shumë reagimeve, u tërhoq tërësisht. Fakti që një dokument dhe autori nuk e përballon kritikën, zbulon dobësinë themelore, pra nuk është produkt i një studimi, po është produkt i një spekulimi. Megjithatë, edhe pse i shpallur si inekzistent, virulenca e atij dokumenti mbetet e rrezikshme, siç është e rrezikshme virulenca e mikrobeve anaerobe. Dokumenti është fshehur, por aktorët dhe sidomos mendësia që e ka prodhuar janë të pranishme dhe aktive edhe më tutje, jo vetëm në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës, por edhe në një numër të konsiderueshëm të institucioneve politike e kulturore. Këta aktorë dhe këto mendësi janë trashëgimi e periudhës së errët të okupimit dhe të komunizmit, e cila ka prodhuar një shkallë të lartë çmoralizimi, veçmas te elitat politike, intelektuale e fetare. Rrjedhimisht, ky dokument është produkt i asaj mendësie, të infektuar nga mazohizmi, hipokrizia, kompleksi i inferioritetit dhe antishqiptarizmi. Mund të jetë rastësi, por pak a shumë ngjashëm si me këtë dokumentin e ASHAK-ut ka ndodhë me memorandumin e ASSHA-së të vitit 1986. Ai dokument u publikua vetëm pjesërisht, u shpall se nuk ishte dokument i Akademisë, u përmendën disa nga autorët, pastaj u tërhoq nga qarkullimi, u shpall inekzistent. Në rastin e Memorandumit të ASSHA-së, zbatimi i direktivave vazhdoi me vendosmëri nga regjimi serb. Shpresoj se në këtë pikë dokumenti i ASHAK-ut ka fat tjetër. Besoj se askush nuk do të mund ta zbatojë në realitet, edhe pse afërsia konceptuale e qeverisë aktuale me të është evidente në disa pika, veçmas sa u përket qëndrimeve mazohiste për raportet ndërshqiptare dhe zhvillimeve në raport me Gjykatën Speciale. Por, në rastin tonë, nuk ka as fuqi e as guxim për të bërë ndonjë veprim konkret. Analiza themelore e këtij dokumenti në këtë rast do të jetë më shumë filologjike, pra analizë e tekstit dhe shfytyrimeve semantike që ka prodhuar. Natyrisht kjo qasje do të ndërlidhet edhe me një perspektivë historiografike dhe kulturore, pasi që edhe janë fusha të ndërthurura në këtë dokument.
Në fillim të dokumentit thuhet: “Ky dokument është një analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”. Pra, që në fjalinë e parë bëhet e ditur se dokumenti është i Akademisë. Deklaratat dhe reagimet e mëvonshme nuk e zhbëjnë kuptimin eksplicit të këtij teksti. Teksti i publikuar gjithnjë mbetet origjinal dhe botimet e tjera janë versione, variante, retushime, ribotime. Origjinali nuk cenohet as nga rishikimet e as nga censurimet e mëvonshme. Po të zhbëhej origjinali, ne nuk do të kishim një kulturë të mbështetur në tekst, sidomos nga zbulimi i Gutenbergut e këndej. Prandaj, dokumenti origjinal me titull “SYNIMET DESTABILIZUESE TË SERBISE NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR” nga pikëpamja filologjike është dhe mbetet përgjithmonë tekst i Akademisë.
Jo vetëm nga pikëpamja filologjike, por edhe nga ajo thjesht administrative dokumenti mbetet i ASHAK-ut, duke marrë parasysh statusin ligjor që ka Akademia dhe mënyrën e funksionimit të saj. Askush nuk mund të pretendojë se mund të hartojë një dokument krye më vete, në një institucion publik të atij niveli. Për këtë arsye, problem mbetet të vihen në dispozicion të publikut procesverbalet dhe vendimi për hartimin e dokumentit, duke përfshirë edhe honorarët e akorduar për punën e investuar.
Në paragrafin e dytë thuhet po aq qartë: “Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.” Por, në strukturën e dokumentit ka digresione e shkarje të mëdha nga ky qëllim i proklamuar. Ngjashëm me disa romane që strukturohen me disa linja fabulative, edhe ky dokument ka disa linja tematike që nuk janë të harmonizuara.
Po të ndiqej qëllimi i proklamuar “krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë” do të bëhej analiza e atyre marrëdhënieve që janë krijuar pas pavarësimit të Kosovës, kur Kosova është bërë subjekt rivalizimi me Serbinë, gjë që ka prodhuar konsekuenca të reja në raportet e ndërsjella, si edhe në realitetin gjeopolitik. Jo e kaluara. Dhe, aq më pak raportet brendashqiptare, sepse ato nuk kondicionohehn nga raportet e Kosovës me Serbinë. Natyrisht, as aspektet e qeverisjes e të luftës politike brenda Kosovës nuk do të duhej të futeshin në këtë dokument me atë titull e me atë qëllim që është proklamuar. Futja e këtyre temave, nën maskën e analizës së raporteve të Kosovës me Serbinë, ose e ka qëllimin që ta trajtojë Kosovën si entitet brenda Serbisë ose ta kompromentojë Kosovën si entitet, në pjesën e historisë së saj që kur ka filluar të dalë jashtë Serbisë. Të dyja qëllimet janë skandaloze.
Në paragrafin e tretë thuhet kështu: “Së këndejmi, politikat destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë njohur kohëve të fundit një përmasë të re: janë bërë më agresive, më të vrazhda, duke shfrytëzuar me gjeturi dhe në mënyrë të vazhdueshme situatat e paqarta dhe ndonjëherë kontradiktore në Bashkimin Europian (BE), sikundër edhe ambientin e brendshëm politik të shteteve të rajonit dhe të klasave të tyre politike, të cilat kanë dështuar në reforma dhe janë shndërruar në oligarki sunduese.”
Ky tekst në esencë shprehë tentativën për të relativizuar e arsyetuar politikën serbe të gjenocidit, të viteve nëntëdhjetë. Politikat e tashme të Serbisë janë vërtet destabilizuese, por janë larg nga politikat serbe të agresioneve ushtarake të viteve nëntëdhjetë, kur Serbia pati sulmuar ushtarakisht Slloveninë, Kroacinë, BeH-në dhe, në fund, Kosovën. Në letërsi teksti që nuk e shpreh realitetin ose e shpreh në mënyrë të deformuar realitetin, quhet fiksion. Por, ky tekst nuk është i hartuar si fiksion. Është ose padituri e skajshme ose qëllim i errët, për të relativizuar e arsyetuar politikën serbe të gjenocidit të viteve të nëntëdhjeta. Mund të jetë pasojë e paditurisë, por në atë rast mund të shtrohet pyetja: si pranohen në Akademi njerëzit e padijshëm?
Në pjesën “Miti serb për Kosovën” në dokumentin e ASHAK-ut thuhet ndër të tjera: “nuk ka pothuajse asnjë dallim midis bëmave të njërit nga heronjtë serb të Betejës së Kosovës, Marko Kraleviqit, dhe heroit të fiksionit letrar të Servantesit.”
Duket e pabesueshme kjo shkallë e paditurisë së autorit/autorëve. E vërteta historike për Kraleviq Markun është se ai ka qenë person historik dhe se ka marrë pjesë në Betejën e Kosovës në anën e osmanëve, kundër koalicionit serb. Arsyeja është e njohur në histori: Kraleviq Marku pretendonte se ia kishin marrë të drejtën e sundimit, për ç’arsye ai ftoi osmanët ta ndihmonin. Ai ishte vasal i osmanëve dhe sundonte në Prilep. Pjesëmarrja e tij në luftë në krahun e osmanëve, Betejës së Kosovës i jep ngjyrimet e një konflikti civil ndërmjet serbëve, ndërsa osmanët ishin palë në ndihmë të vasalit të vet, pra Kraleviq Markut. Këtë fakt historik kaq të thjeshtë autori/autorët nuk e kanë ditur. Si pasojë e mungesës së dijeve historiografike, në mënyrë asociative i janë referuar fiksionit, poezisë gojore serbe.
Fjalia pasuese është edhe më e hidhur: “Në kohën kur ka ndodhur, Beteja e Kosovës nuk ka qenë ndeshje civilizimesh, as ndeshje e dy botëve, e dy feve etj., por ka qenë një ndeshje e një ushtrie pushtuese, me një tjetër që mbrohej”. Merreni me mend, dokumenti i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i paraqet serbët si mbrojtës, ndërsa dihet se ata kishin pushtuar tokat arbëre (shqiptare) dhe e kishin thelluar procesin e asimilimit të tyre në serbë, për ç’gjë kanë sjellë fakte edhe historianë të njohur si Peter Bartli dhe Noel Malkolmi. Fatkeqësisht, qasja sipas të cilës Beteja e Kosovës shikohet me dioptrinë e historiografisë serbe është shumë më e vjetër se sa ky dokument i Akademisë. Kjo qasje është e rrënjosur edhe në libra shkollorë. Në këtë aspekt historiografia serbe e ka pushtuar moti pjesën më të madhe të historiogafisë, publicistikës dhe kulturës shqiptare. Ky dokument vetëm sa na e kujton këtë absurditet. Ndërsa e vërteta jetësore e historike është se osmanët kur kanë fituar në Betejën e Kosovës, e kanë filluar procesin e shkatërrimit të entiteteve shtetërore serbe, ndërsa nga ai proces kanë fituar arbërit-shqiptarët në mënyrë vendimtare.
Mjafton të lexohet zakoniku i car Dushanit e të kuptohet se çfarë trajtimi mizor u bëhej të krishterëve latinë në Serbinë mesjetare.
Për herezinë latine:
Dhe të nxjerrë Kisha e Madhe protopopët në të gjitha qytetet dhe në të gjitha sheshet, që të kthejnë krishterët nga herezia latine, ata që janë kthyer në fenë latine, dhe t’u jipet urdhër i shenjtë dhe të kthehet secili në krishterim.
Për popin latin:
Edhe popi latin, nëse gjendet, duke kthyer të krishterët në fenë latine, të dënohet sipas ligjit të etërve të shenjtë.
Për heretikun:
Dhe nëse ndokush gjendet si heretik, duke jetuar në mesin e të krishterëve, të damkoset nëpër fytyrë dhe të dëbohet, ndërsa kush do ta fshehte, edhe ai të ndëshkohet.
Pra, e vërteta është se sundimi serb i ka kthyer me shumicë dhe me dhunë katolikët në ortodoksi. Ndërsa kalimi i tyre më vonë në Islam ka qenë edhe si ikje nga asimilimi në serb, që bëhej nëpërmjet administratës shtetërore dhe nëpërmjet Kishës Ortodokse Serbe.
Lidhur me kalimin e shqiptarëve në Islam, në dokument thuhet: “Konvertimi i kosovarëve nga të krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i pushtimit, i detyrimit dhe i dhunës sistematike të Perandorisë Otomane (…)”.
Autorët më seriozë që kanë studiuar këtë proces nuk thonë që ka ardhur si pasojë e “detyrimit dhe e dhunës sistematike”. Njëri nga studiuesit më seriozë të kësaj problematike, prifti protestant që shërbeu si misionar në Shqipëri dhe Edvin Zhak, në studimin e tij “Islamizimi i Shqipërisë nën turqit” evidencon katër shkaqe për pranimin e Islamit nga shqiptarët: “mungesa e unitetit fetar në Shqipëri, karakteri dekadent i Krishterimit shqiptar, botëkuptimi materialist i shqiptarëve dhe, në fund, joshja e Islamit për natyrën shqiptare.” (f.123)
Në një vend tjetër, Edvin Zhak jep edhe këtë konkluzion, i cili e rrënon hipotezën e konvertimit me presion: “Sidoqoftë, duke vërejtur përqindjen më të madhe të islamizimit në Shqipëri sesa gjetiu në Ballkan, dhe duke e pranuar se politika fetare osmane ishte mjaft e ngjashme në rrethanat e jashtme dhe të kohëzgjatjes dhe të intensitetit anembanë territorit të tij, jemi të detyruar të kërkojmë gjetkë për shpjegimin e islamizimit veçanërisht gjithëpërfshirës të Shqipërisë në krahasim me fqinjët e saj ballkanikë. Këto arsye duhet të jenë subjektive dhe gjenden te karakteri dallues i Krishterimit shqiptar dhe i vetë shqiptarëve.” (f. 146)
Si kolaudim mund të them se kur një prift misionar, që ka shërbyer për konvertimin e shqiptarëve në Krishterim, nxjerrë këso përfundimesh, është krejt e palogjikshme që ASHAK-u të na servojë qasjen se gjoja konvertimi është bërë me detyrim dhe dhunë sistematike. Qasja e tillë është e rrënjosur në historiografinë serbe. Prej andej është huazuar edhe në këtë dokument e edhe në shumë kontribute të tjera pseudoshkencore.
Në një pjesë të dokumentit thuhet edhe sa vijon: “Ballkani Perëndimor gjithnjë e më shumë po largohet nga politikat e BE-së dhe NATO-s dhe po bëhet pjesë e boshteve asimetrike që lidhen me Euro-Azinë.” E kundërta është e vërtetë. BeH-ja sivjet mori statusin e shtetit kandidat. Samiti i Tiranës ishte inkurajues për dinamizimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. I vetmi shtet që qëndron larg politikave të BE-së dhe të NATO-s është Serbia. Por, ky fakt maskohet në tekst.
Edhe ky pasus i dokumentit meriton vëmendje, për ta dekonstruktuar pozicionin politik e moral të autorëve të këtij dokumenti: “Nuk ka shumë rëndësi nëse do të ndodhte “çështja e tabelave” ose jo, nëse do të ndodhte ky “veprim provokues” i Kosovës, sepse Serbia do ta krijonte pa më të voglën mëdyshje një situatë të këtillë tensionimi…”
Pra, me anën e një spekulimi thjesht fshehet përgjegjësia për mospranimin e këshillës së SHBA-së për ta shtyrë problemin e targave për dhjetë muaj. Eskalimi është pasojë e atij vendimi. Pasioni për ta arsyetuar çdo veprim të qeverisë aktuale e për të shfryrë ndaj qeverive të kaluara, mbetet një njollë morale për autorët dhe për vetë Akademinë. Fatkeqësisht, ky është si një rikthim simbolik në kohën kur kjo Akademi u formua nga regjimi komunist jugosllav, për t’i shërbyer kauzës së atij regjimi. E sigurt më duket se emrat që atëherë u dekretuan si akademik të posazgjedhur nga Ilija Vakiqi, kanë qenë më dinjitozë sesa këta të sotmit. Ky është absurditeti i kësaj Akademie, e cila nuk dëshiron të shkëputet nga statusi si një shërbëtore vullnetare e pushteteve. Ndoshta edhe më keq, ASHAK-u me këtë dokument u prezantua edhe si telall i trashëgimisë politike e kulturore të kohërave të errëta të okupimit sllav.