loader image
July 27, 2024

Sfidat e mendimit intelektual dhe rënia e pazarit të intelektualizmit!

Në Shqipërinë e Jugut ka një shprehje shumë popullore për gjërat, vlerat dhe sistemet që degradojnë – “ka rënë pazari shumë poshtë”… Fatkeqësisht kjo po ndodhë gjithandej. Bile, në shumë sfera të jetës ndjehet ky deficit. Pra, po krijohet një hendek i thellë midis prodhimit material (pasurisë) dhe prodhimit mendor.

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Definimet e intelektualizmit dhe intelektualëve janë të ndryshme, varësisht nga pikëpamja e studiuesit të këtij fenomeni. Dikush i konsideron individë ose grupe njerëzish me dije të dalluara, që prodhojnë mendim, ide dhe zgjidhje për probleme të caktuara me ndikim të veçantë në shoqëri, dikush tjetër i definon edhe si elita që prodhojnë dije, kulturë dhe sjellje specifike, me çka realizojnë ndikim në progresin shoqëror, ndërsa të tretët i trajtojnë si struktura specifike, zakonisht pakicë, që përmes studimeve të thella gjenerojnë ide, mendime dhe zgjidhje për probleme të caktuara me të cilat ballafaqohet njerëzimi. Në përgjithësi, thuhet se intelektualizmin e karakterizojnë dijet, mendimet, idetë e bazuara në fakte dhe evidenca shkencore të cilat publikohen, shpjegohen dhe interpretohen pa ekuivoke dhe kalkulime për pasojat nga këto veprime.

Pra, përpos dijes, kërkohet guxim që gjërat të thuhen drejt dhe qartë në çdo kohë dhe në çdo hapësirë. Pothuajse në shumicën e definicioneve dhe trajtimeve të këtij fenomeni, në çdonjërin prej tyre, gjenden së paku dy-tre karakteristika.

E para, se intelektuali prodhon dije dhe mendim, pra ai/ajo është erudit/e;

E dyta, mendimin dhe dijen e argumenton me fakte dhe evidenca shkencore; dhe,

E treta, përmes artikulimit të tyre të drejtpërdrejtë krijon ndikim dhe përparim në shoqëri.

Dija dhe mendimi janë të vetmet resurse pa fund, përkundër të gjitha resurseve të tjera të rralla dhe të pamjaftueshme. Historiani dhe filozofi turk Ilber Ortayli, tashmë me famë edhe globale, përpos këtyre karakteristikave për intelektualin “do të kërkonte” edhe traditë e kulturë, që në shumë aspekte mendoj se ka plotësisht të drejtë. Rreth këtij fenomeni mund të teoretizohet pa fund, por nuk është ky qëllimi i këtij shtjellimi. Së paku, jo nga sugjerimi i botuesit! Me shumë të drejtë, si zakonisht, botuesi ngre një çështje dhe fenomen shumë shqetësues, posaçërisht për shoqërinë tonë shqiptare.

Mungesa dhe varfëria e mendimit intelektual, posaçërisht kohëve të fundit, është fenomen brengosës. Përkundër mundësive rritëse për intelektualitet me rritjen e sistemeve të informacionit, qasjes së lirë në informacione, platformave elektronike, librave, monografive, bibliotekave digjitale…, bile edhe dokumentarëve të ndryshëm, ne nuk mund të jemi të kënaqur me progresin intelektual. Kur kësaj i shtohet edhe tendenca për reduktim deri në eliminim censure në emër të lirisë së shprehjes, me rritjen e numrit të institucioneve akademike, kulturore, si edhe të infrastrukturës më të mirë për gjitha këto mundësi, jo që nuk ndjehet ndikimi intelektual, por ai vazhdimisht shkon duke u zbehur, së paku në ndikimin shoqëror e progresin e mirëqenies njerëzore. Kjo tendencë vihet re, fatkeqësisht, në të gjitha fushat.

Në Shqipërinë e Jugut ka një shprehje shumë popullore për gjërat, vlerat dhe sistemet që degradojnë – “ka rënë pazari shumë poshtë”… Fatkeqësisht kjo po ndodhë gjithandej. Bile, në shumë sfera të jetës ndjehet ky deficit. Pra, po krijohet një hendek i thellë midis prodhimit material (pasurisë) dhe prodhimit mendor. Pangopësia dhe gara për pasuri materiale e kanë zhvendosur tërësisht sistemin e vlerave në shoqëri.

Kur i vrojtoj zhvillimet me syrin e ekonomistit në kohë reale në Shqipëri, ato duken zhvillime marramendëse, që nga sfera urbane, e deri te mjetet e transportit, përfshirë edhe jahtet më moderne të kohës, e deri te veshmbathjet më “firmato”! Krejt kjo për tri dekada. Si studiues i zhvillimit ekonomik, nuk njoh një vend tjetër në botë (përfshirë edhe Botsuanën nga Afrika e Jugut, me norma më të larta të rritjes ekonomike një dekadë më parë), të ketë bërë për një kohë kaq të shkurtër një ndryshim kaq të madh. Pas shembjeve totale të ’97-tës, kur vendi pothuajse u zhbë tërësisht, arritja e këtyre kuotave të sotme është fenomen që kërkon studim të thellë. Asnjë metodë ekonometrike s’e shpjegon dot këtë trend. Në anën tjetër, vërehet dukshëm trendi rënës i edukimit, kulturës, normave dhe traditave shoqërore, deri në kujdesin shoqëror të grupeve “të përjashtuara”. Arsimi i të gjitha niveleve ka degraduar, ndërsa lexueshmëria në rënie, edhe pse krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut akoma është shumë më e lartë. Shkenca, në kuptimin e vlerës universale, pothuajse nuk ekziston, ndërkohë që gjithë gara shoqërore është në funksion të politikës ditore, përmes së cilës krijohen pasuri marramendëse. Jam thellë i bindur se kjo garë pangopësie për pasurim të shpejt pa merita, sakrifica dhe riskmarrje (kuptohet me ndonjë përjashtim shumë individual) do t’i kushtojë shumë shoqërisë. Fatura shoqërore për gjeneratat që vijnë do jetë shumë e lartë për mosllogaritje të planifikimit të qëndrueshëm shoqëror gjithandej. Mendimi intelektual dhe superstruktura në përgjithësi është shumë e shterur, kjo krahasuar me dekada më parë. Mund të thuhet krejtësisht në shpërpjesëtim të kundërt të trendit me bazën materiale.

Në anën tjetër, në këtë aspekt, Kosova jo se është më mirë, por dy janë karakteristika për t’i veçuar si pozitive. E para, iniciativa private, ndërmarrësia, inovacioni dhe riskmarrja nga sektori privat kanë bërë “boom” në ekonominë e çorientuar dhe akoma kaotike! Agresiviteti i sektorit privat, më shumë i dukshëm në sektorët “hard”, si në ndërtimtari dhe “qendra tregtare”, po bën dallim të shpejt në shkallë zhvillimi. Karakteristika e dytë është perceptimi për rënie dhe kontroll të korrupsionit, edhe pse akoma është perceptim i bazuar në pritshmëri dhe jo në evidenca e fakte konkrete. Të shpresojmë se ky perceptim do të pasqyrohet në realitet, por për fillim duhet përshëndetur dhe mbështetur, pa hezitim.

Fatkeqësisht këto trende nuk ndiqen edhe nga “sektorët e butë” të shoqërisë – nga arsimi, shkenca, kultura, sporti, shëndetësia, ekologjia… etj. Debatet intelektuale aty janë zëvendësuar me debate ditore politiko-partiake. Një analizë e punuar nga kryetari aktual i Akademisë, Akad. Mehmet Kraja, dhe e publikuar ne uebfaqen e saj sikur të ishte i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u kontestua nga disa akademikë të seksionit të shkencave shoqërore. Më i drejtpërdrejt dhe i më i qartë ishte Akad. Muhamedin Kullashi (ish ambasador i R. së Kosovës në Francë). Mbase kultura e tij perëndimore, të qenit profesor në universitete të Francës e bëri dallimin. “Dokumenti” personal i Akad. Krajës, prej 39 faqesh, pretendon të pasqyrojë rrethanat historike të zhvillimeve shqiptare, me theks të veçantë mbi ato kosovare, në një dimension kohor shumë të gjatë (rreth shtatë shekuj, që nga beteja e Fushë Kosovës e deri në ditët e sotme) vuan nga mungesa e një strukturimi tematik dhe kronologjik dhe, mbi të gjitha, nga mungesa e referencave relevante shkencore për t’u shndërruar në dokument institucional, siç pretendon kryetari i saj. Fatkeqësisht, pretencioziteti i autorit për çështje komplekse përtej “kufijve administrative” bën dhe kualifikime për struktura dhe elita politike të pabazuara në studime shkencore, por kryesisht në informacione jokredibile për Shqipërinë e, posaçërisht, për Maqedoninë e Veriut. Nuk është se u zhvillua ndonjë debat përmbajtjesor në shoqërinë kosovare e aq më pak atë gjithëshqiptare!

Në Maqedoninë e Veriut, për të qenë edhe më kritik, gjendja me intelektualitetin dhe prodhimin mendor as që mund të krahasohet me Kosovën, e aq më pak me Shqipërinë. Thjesht, jemi në dekadencë mjeruese, jo për intelektualë me diploma, por me dije, ide dhe zhvillim mendimi. Me të drejtë, shkrimtari dhe publicisti i njohur Kim Mehmeti shprehet “mjaft më doktoruam, të fillojmë të lexojmë pak…”! Unë do të kisha shtuar se sot kemi raste që “intelektualë” të caktuar “më shumë dhe më shpejt shkruajnë sesa lexojnë”! Jo për t’i ikur përgjegjësisë personale, por thjesht për evidencë, edhe të atyre që nuk duan ta shohin realitetin ose, thjesht, nuk lexojnë. Më se tri dekada po vrojtoj, analizoj, shkruaj, publikoj, debatoj,… kohë pas kohe edhe konfrontohem me mendimet e ndryshme. Më shumë kam shkruar, debatuar, kritikuar dhe argumentuar diskriminimin ekonomik e politik ndëretnik, edhe pse më pak kam qenë i kritikuar nga maqedonasit sesa nga bashkëkombësit e mi, shqiptarët. Shumë kohë më parë kam plasuar mendimin metaforik se ne në Maqedoni të Veriut, në aspekt të intelektualizmit dhe akademizmit, na shoqërojnë dy të këqija njëkohësisht – pak lexojmë edhe shpejt harrojmë!

Përkundër të gjitha mundësive rritëse që i kemi, me dy universitete plotësisht publike dhe një privato-publik (atë që po e drejtoj aktualisht), krahas edhe disa të tjerëve privatë e komercialë, institucione të tjera kulturore, krijim të infrastrukturës arsimore dhe kulturore, qasje gjithnjë e më të lartë në buxhetin e shtetit, qeverisje tona lokale, si urbane dhe rurale…, fatkeqësisht tendencat e edukimit janë në rënie dhe dëshpëruese, kjo në aspekt të cilësisë, sepse në sasi kemi hiperprodhim! Si rezultat, në vend që të prodhojmë elita intelektuale më të përgatitura, jo vetëm në fushën e dijes, por edhe atë të guximit, ne shënojmë dekadencë në të gjitha aspektet cilësore të intelektualitetit dhe akademizmit. Konstanta e vetme në këtë fenomen është rënia e cilësisë intelektuale dhe akademike. Hapësira është e ngushtë në këtë shtjellim për ta analizuar më në hollësi pse dhe si po ndodhë kështu, bile kjo më shumë u takon sociologëve, pedagogëve, psikologëve dhe, mbi të gjitha, edhe politikologëve. Kjo gjendje vërehet gjithandej, nga çmenduritë nëpër rrjete sociale, pa anashkaluar as zhurmuesit e tjerë medialë. Analistët e kohës janë gjithologë, si “Interneti për gjithçka” (Internet of Things), pavarësisht mungesës elementare të ekspertizës në çështjet specifike. Me tre-katër koncepte “të shkarkuara” nga interneti (proceset integruese, qeverisje e mirë/keqe, kontroll/korrupsioni… etj.) dalin dhe “shpjegojnë” çështje të komplikuara politike, ekonomike, juridike, kulturore, arsimore, shëndetësore, energjetike, ekologjike, doktrina sigurie dhe lufte…, pra një qasje “mish-mashi” dhe, sipas tyre, për krejt këto përgjegjëse është qeveria dhe vetëm qeveria!

Krejt ky ambient i çintelektualizuar është refuzues për intelektualët e mirëfilltë, për çdo respekt.

Gjithmonë një mendimi intelektual nuk do t’i shkojë për shtati dhe nuk do t’i pëlqejë një strukture dhe grupi të caktuar të interesit. Për pasojë, e më keq edhe të organizuar e motivuar, një ushtri e tërë “luftëtarësh” gruporë (partiakë ose institucionalë) hedhin baltë me fjalor vulgar dhe shkrime të bastarduara nëpër rrjete sociale, shpeshherë edhe me profile të rrejshme (anonime po se po) ndaj një mendimi, kritike ose sugjerimi intelektual. Njëkohësisht ka intelektualë të cilët nuk e prishin rehatinë dhe komoditetin. Sipas definicioneve në fillim të këtij shtjellimi, ata nuk do ta meritonin këtë emërtim. Por, më të rrezikshëm janë pseudointelektualët e shumtë, që edhe pa u njohur mes vete bëjnë aleanca (edhe virtuale) për motive koniunkturale. Kjo kategori, kryesisht injorante me përfitime jomeritore materiale, pa aftësi mendimi dhe për zgjidhje të problemeve të caktuara, bluan me “porosi të mullisit”, edhe pse nuk e ka idenë për kompleksitetin e çështjes ose fenomenit që trajtojnë. Krejt kjo në emër të lirisë së fjalës dhe anticensurës!

Akoma pakkush e bën dallimin midis lirisë së shprehjes dhe lirisë së informacionit. “Liria e informacionit nuk është për njerëzit, por për informacionin.”, thotë historiani dhe mendimtari novator i planetit, Youval Noah Harari në “Homo Deus”-in e tij të njohur.

Duke i besuar shkencës e duke e ditur se ky fenomen nuk është vetëm shqiptar, por edhe rajonal e global, shpresoj që inteligjenca artificiale (IA) dhe motori kërkimor Google do ta krijojnë algoritmin që do të parandalojë ofendimet, sharjet, etiketimet dhe të gjitha komentet e vlerësimet e pabaza, që në emër të “lirisë së shprehjes”, vijnë nga analfabetë funksionalë, pa e pasur fare idenë! Kjo edhe për arsye se demotivon pjesëmarrjen aktive të inteligjencës meritore në rrjete sociale. Së këndejmi, duhet punuar për krijimin dhe vendosjen e standardeve dhe sistemit të vlerave të reja që i kërkon koha. Vetëm kështu do t’i flakim llafet, ndërsa garën për vlera (edhe me të tjerët) do ta bëjmë të kapshme. Në të gjitha fushat!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X