loader image
October 14, 2024

Përgjegjësia publike dhe ligjore e ASHAK-ut

Secili institucion duhet të ketë qëllimet e veta të veprimtarisë, në mënyrë që ta justifikojë ekzistencën e vet. Me ligj janë të përvijuara qëllimet kryesore të Akademisë si institucion. Sipas nenit 8 të Ligjit për Akademinë, qëllimi themelor i Akademisë është zhvillimi, nxitja, promovimi dhe avancimi i shkencës dhe i artit në Kosovë. Këto mund të realizohen përmes disa veprimtarive.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren             

Përgjegjësia publike derivon nga statusi publik i një subjekti. Duke qenë se Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) është institucion publik, lind nevoja që të hidhet dritë mbi çanësimin juridik të organizimit dhe funksionimit të saj. Kësisoj materializohet e drejta e publikut të gjerë për të qenë i informuar rreth një institucioni të shumëpërmendur, por pak të njohur konkretisht. Bazën themelore juridike përkitazi me Akademinë e paraqet Ligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (Nr. 05/L -038), që ka hyrë në fuqi në muajin janar të vitit 2016. Ky ligj i posaçëm i rregullon në vija të trasha çështjet organizative të përgjithshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Statusi dhe subjektiviteti juridik

 Akademia ka status të veçantë ligjor. Ajo paraqet institucionin e pavarur më të lartë të shkencës dhe të artit, të themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Është obligim ligjor i shtetit kosovar që të sigurojë kushte për punë dhe zhvillim të Akademisë (neni 2).

Ligji ia njeh subjektivitetin juridik Akademisë, duke e cilësuar person juridik publik me të drejta, detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara ligjore dhe me aktet e brendshme të Akademisë (neni 5). Në aspekt të organizimit Akademia ka tri organe: Kuvendin, Kryesinë dhe Kryetarin (neni 12). Të gjitha organet kanë detyra, përgjegjësi dhe të drejta, të cilat rregullohen me ligj dhe me Statutin e Akademisë. Statuti i Akademisë e njeh datën 20.12.1975 si datë të themelimit të Akademisë (neni 2).

 Fushëveprimi i Akademisë

 Veprimtaria e Akademisë konsiderohet veprimtari e interesit të veçantë publik në Republikën e Kosovës dhe ky interes shprehet në ushtrimin e veprimtarisë së saj në fushën e shkencës dhe të artit, që përfshin promovimin, kultivimin, nxitjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe të krijimtarisë artistike (neni 3).

Financat dhe pronësia

 Funksionimi i akëcilit institucion varet nga financimi i tij. Kështu edhe Akademia ka nevojë për mjete materiale që të ushtrojë veprimtarinë e vet. Sipas ligjit, Akademia financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës, mjetet e fituara nga realizimi i projekteve shkencore dhe artistike dhe nga donacionet dhe burimet e tjera të ligjshme (neni 7).

Sipas nenit 27 të Ligjit, me mjetet nga buxheti i Kosovës mbështetet puna e seksioneve, instituteve hulumtuese, qendrave të tjera studimore të Akademisë, puna e organeve të qeverisjes së Akademisë, bashkëpunimi ndërkombëtar, veprimtaria e rregullt botuese dhe periodike, pasurimi i fondit të bibliotekës së Akademisë, shpërblimet e përhershme mujore të anëtarëve të rregullt dhe anëtarëve korrespondentë, shtesat për kryerjen e funksioneve të caktuara në Akademi, pagat e përhershme mujore për të punësuarit në shërbimet profesionale, administrative e teknike dhe të mirëmbajtjes së Akademisë.

Akademia mund të sigurojë mjete edhe nga donacionet dhe sponsorizimet dhe ato mjete mund t’i përdorë për veprimtarinë plotësuese të saj. Po kështu, ajo mund të sigurojë mjete të tjera plotësuese për punën kërkimore-shkencore e artistike të anëtarëve të saj të rregullt dhe të anëtarëve të saj korrespondentë përmes aktiviteteve të veta, marrëveshjeve të ndërsjella kërkimore-shkencore e artistike dhe përmes donacioneve e dhuratave sipas legjislacionit në fuqi.

Duhet theksuar që Akademia është pronare e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme që ka për kryerjen e veprimtarisë së saj dhe është titullare e vetme juridike që mund të marrë vendim për bartjen e të drejtave të saj pronësore (neni 28). Sipas Statutit të Akademisë, godinat, banesat, ndërtesat dhe pjesët e tyre, si pasuri e paluajtshme, si dhe biblioteka, koleksionet shkencore e artistike dhe gjësendet e tjera të luajtshme, të cilat janë siguruar përmes blerjes, dhuratave a ndonjë forme tjetër, që të gjitha janë pronë e Akademisë (neni 39).

Së këtejmi, Statuti i Akademisë siguron që Kryesia e Akademisë mund t’i orientojë mjetet e destinuara në mënyrë të mëvetësishme, pa marrë parasysh burimet e tyre (neni 40).

Sikundërqë vihet re burimet materiale të Akademisë nuk janë të pakta dhe legjislacioni ka garantuar fushë të gjerë për modalitetet e sigurimit të tyre, në mënyrë që jeta akademiko-shkencore të mos rrezikohet.

 Qëllimet e Akademisë

 Secili institucion duhet të ketë qëllimet e veta të veprimtarisë, në mënyrë që ta justifikojë ekzistencën e vet. Me ligj janë të përvijuara qëllimet kryesore të Akademisë si institucion. Sipas nenit 8 të Ligjit për Akademinë, qëllimi themelor i Akademisë është zhvillimi, nxitja, promovimi dhe avancimi i shkencës dhe i artit në Kosovë. Këto mund të realizohen përmes disa veprimtarive.

Fillimisht, Akademia duhet të realizojë projekte shkencore me interes për zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të vendit. Ajo duhet të tregojë kujdes për krijimin dhe avancimin e kuadrove shkencore, sidomos të brezit të ri.

Akademia duhet të mbledhë, sistemojë, ruajë dhe studiojë materialet me interes të veçantë shkencor, sidomos të atyre që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe të kaluarën e Kosovës.

Gjithashtu, Akademia duhet të marrë pjesë në formimin e politikave të veprimtarisë shkencore dhe të krijimtarisë artistike dhe të vlerësojë gjendjen ekzistuese dhe të propozojë masa për avancimin e mendimit shkencor dhe ngritjen e cilësisë së krijimtarisë artistike.

Qëllim tjetër i Akademisë është shqyrtimi i problematikës së përgjithshme nga fushat e veprimtarisë shkencore dhe të krijimtarisë artistike.

Akademia duhet të organizojë punë kërkimore-shkencore me karakter teorik e praktik në fusha të ndryshme të dijes dhe të arteve përmes tubimeve, tryezave, këshillimeve, simpoziumeve, konferencave shkencore dhe formave përkatëse të shprehjes së krijimtarisë artistike, si ekspozitave, koncerteve, etj.

Në këtë drejtim, ajo duhet të botojë publikime të rregullta dhe periodike nga fusha e shkencës dhe e artit, që financohen nga buxheti i Akademisë.

Akademia duhet të bashkëpunojë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe me institucionet ndërkombëtare nga fusha e shkencës dhe e artit dhe të ndihmojë përhapjen e mendimit shkencor dhe të krijimtarisë artistike jashtë vendit.

Njashtu, qëllimet e Akademisë realizohen edhe me përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës të anëtarëve të Akademisë, zhvillimit të hulumtimeve me interes të veçantë publik e shkencor dhe ndërmarrjes së veprimeve në interes të veçantë për Kosovën, në mbështetje të së drejtës dhe të detyrimit të Akademisë për të qenë institucion këshillues për zhvillimin e shkencës dhe të artit në Kosovë, në përputhje me nevojat e zhvillimit të vendit.

Një dokument i bujshëm i Akademisë

Në dhjetor të vitit 2022, Akademia publikoi një dokument të titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, që u lansua si “Analizë e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës”.

Përmbajtja e asaj analize ishte e larmishme. Kërcënimet e Serbisë, miti serb për Kosovën, marrëdhëniet shqiptaro-serbe, fundamentalizmi islamik, roli i Kishës Serbe dhe i Akademisë Serbe, proceset “Mini-Shengen” dhe “Ballkan i Hapur”, pozicioni i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dialogu midis Kosovës e Serbisë, ideja për ndarjen e Kosovës dhe Gjykata Speciale përbënin titujt e veçantë të dokumentit.

Pa pasur në fokus vështrimin analitik të tekstit në fjalë, duket e nevojshme të ceken tri elemente, që i hapin udhë qasjes kritikuese.

Së pari, një raport serioz që mëton t’i shqyrtojë të gjitha temat e lartcekura nuk mund të përmblidhet në vetëm 38 faqe. Jo se vëllimi dëshmon doemos cilësinë, por numri i tillë i faqeve mund të jetë i arsyeshëm, edhe atë minimalisht, për secilën prej këtyre temave nëse trajtohen ndaras. Kjo për shkak që të gjitha temat kanë sfond historik e dinamik, ku duhet ndjekur një metodë përqasjeje.

Së dyti, stili i gjuhës së përdorur në tekst, më tepër se shkencor-akademik, krijon përshtypjen e një gjuhe publicistike që përshkruan ca fakte të njohura. Fatkeqësisht, teksti ishte i shoqëruar edhe me gabime drejtshkrimore. Shto këtu edhe mungesën e referencave burimore brenda tekstit, analiza lë hapësirë për të mos u marrë seriozisht nga opinioni ndërkombëtar. Fundja, detyrë e Akademisë nuk është prodhimi vetëm për konsum të brendshëm.

Së treti, me t’u publikuar ky dokument në faqen zyrtare të Akademisë, përpos opinionit publik në Kosovë – ca intelektualëve dhe qytetarëve vigjilentë – reagime kundërshtuese pati edhe nga disa anëtarë të vetë Akademisë. Madje, Seksioni i Shkencave Shoqërore në kuadër të Akademisë, me datë 23 dhjetor 2022, ka dalë me kumtesë zyrtare në të cilën është akuzuar e kritikuar rëndë kryetari i Akademisë, Mehmet Kraja. Sipas kumtesës, Kraja, me sjelljet e tij imponuese e arbitrare, po e lëndon dinjitetin e Akademisë. “Me qasjen e tij jo-akademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vetë ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rënda për vetë Akademinë”, thuhet, inter alia, për Krajën, në atë kumtesë.

Pak kohë pas këtij reagimi, dokumenti, që doli të ishte opinion më tepër personal i kreut të Akademisë sesa i institucionit, u largua nga faqja zyrtare në internet.

Përgjegjësia publike

Legjitime duhet të konsiderohet pritmëria e qytetarëve për produktivitetin shkencor e artistik të Akademisë. Sikurse u sqarua më lart, anëtarët e Akademisë paguhen edhe nga (bile kryesisht nga) buxheti i Kosovës. Andaj, ashtu siç pritet performancë e mirë nga punonjësit e tjerë të sektorit publik, po ashtu duhet treguar vëmendje edhe ndaj veprimtarisë së Akademisë. Madje, në mos më shumë për arsye se pakkush mund të zgjidhet akademik, meqë prezumohet se aty anëtarësohen njerëzit intelektualisht më të arrirë të vendit.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve duhet të jetë mendja e kulluar e një kombi. Krahas dimensionit shkencor e artistik, Akademia duhet të paraqesë boshtin e arsyes dhe maturisë intelektuale, dhe të kryejë funksionin e katalizatorit të vizionit emancipues shoqëror. Kjo duhej të ishte veçoria dalluese e saj nga subjektet politike, nga liderët politikë dhe nga koniunktura politike.

Dokumenti i Akademisë lidhur me synimet destruktive të Serbisë shpërfaqi jo vetëm nivelin e padëshiruar akademik e shkencor, por edhe përplasjet midis akademikëve. Kjo situatë duhet të shndërrohet në një përkujtues për vetë Akademinë, për shtetin që e financon atë dhe për opinionin e gjerë, që të investohet e të insistohet në punën cilësore të saj.

Akademinë e Shkencave dhe Arteve nuk duhet parë si një folé privilegjesh, por si vatër të përgjegjësisë. Përderisa një subjekt (ASHAK-u) gëzon status publik, do të bartë edhe përgjegjësi publike konform ligjit. Ky është një parim fondamental i shtetit të së drejtës, i cili duhet jetësuar me të gjitha mjetet demokratike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X