loader image
May 27, 2024

Edhe sa “kapitullime shqiptare” duhen për të ngopur lakmitë e Serbisë?!

Pranimi i “Planit Ahtisari” nga shqiptarët mund të kishte marrë kuptimin e një sakrifice të skajshme të pranueshme për shqiptarët në rast se do të pasohej menjëherë nga njohja e pavarësisë së Kosovës prej Serbisë e Rusisë, të pranohej shteti i ri i Kosovës si anëtar në OKB. Meqenëse nuk ndodhi kështu, për shqiptarët bëhej dhe është më e pakuptimtë sakrifica e skajshme për t’u pajtuar më tej jo vetëm me “Planin Ahtisari”, por sidomos me revizionimet përkeqësuese të këtij plani në dëm të tyre.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Këtë subjekt e kam trajtuar në shumë raste. Por, e ndjej detyrim, si një analist politik e diplomatik shqiptar, të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet ndaj dy personaliteteve të shquara politike e diplomatike ndërkombëtare për ndihmën që kanë dhënë këto ditët e fundit me deklaratat e tyre se si duhet t’i vështrojnë diplomacitë perëndimore zhvillimet më të fundit konfliktuale në Veri të Kosovës.

I mirënjohuri në mbarë botën dhe i nderuari nga shqiptarët, diplomati amerikan Uilliam Uokër, që ngriti peshë ndërgjegjen njerëzore dhe ndriçoi rrugën për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, me një deklaratë të tij të re ka tërhequr sërish vëmendjen e diplomacive perëndimore se nuk po mbajnë si duhet parasysh që në Beograd është në pushtet ekipi politik i kohës së Millosheviqit, se Serbia ndjek ndaj Kosovës politikën millosheviqiane të zbatuar me përpikëri nga presidenti Vuçiq, ndaj të cilit diplomacitë perëndimore zbatojnë politika e taktika ledhatuese. Pra, Vuçiqi duket se nuk po e “hipnotizon” vetëm kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Abazoviq.

Ndërkaq Bodo Veber, në Gjemani, në një intervistë dhënë radios “Europa e Lirë” ka paraqitur mendimet, vlerësimet e dyshimet e tij mbi enigmat e ngatërresat që mund të dalin në shesh nga projekti, ende i panjohur mirë publikisht, franko-gjerman, për kapërcimin e tensioneve në Kosovën e Veriut. Veberi ka tërhequr vëmendjen e opinionit posaçërisht për rrezikun që përbën për pozitën dhe interesat e shqiptarëve të Kosovës formula e “zgjidhjes së problemeve Kosovë-Serbi nëpërmjet kompromisit”. Ai, madje, nuk ka ngurruar që termin “kompromis” ta cilësojë edhe si “helmues”. Ka dekada që Serbia me kërkesën për “kompromis” është munduar ta tërheqë në pozitat e saj bashkësinë ndërkombëtare për të gjitha çështjet delikate për Kosovën dhe të sigurojë një të drejtë vetoje në çdo vendimmarrje rreth Kosovës.

Bodo Veberi ka qortuar hapur diplomacitë perëndimore që bisedimet e zhvilluara në të shkuarën dhe ato të tanishmet rreth problemeve të Kosovës me Serbinë i kanë mbajtur në fshehtësi. Ky qortim vlen shumë që shqiptarët të kuptojnë se, fatkeqësisht, kanë rënë qysh herët në pozitat e viktimës dhe ende nuk po dalin dot plotësisht nga vargonjtë me të cilët i lidhi diplomacia e fshehtë.

Për ta thënë hapur, na ka ardhur në majë të hundës kjo puna e ndjekjes dhe analizës së modeleve, skenarëve dhe skemave diplomatike perëndimore për të gjetur “zgjidhje” pa mbarim me “kompromis” të konflikteve midis shqiptarëve e serbëve. Por, viti i ri, 2023, nisi sërish me një valë veprimtarish diplomatike përvëluese për shqiptarët, saqë të krijohet përshtypja se diplomacitë perëndimore po i japin më shumë përparësi “ndalimit të përshkallëzimit të tensioneve në Veri të Kosovës” sesa gjetjes së ndonjë kompromisi për ta çliruar botën nga ankthet e ndezjes së “zjarreve atomikë” në luftën në Ukrainë. Krijohet përshtypja se bisedimet e fshehta e gjysmë të fshehta për Veriun e Kosovës po u marrin diplomacive perëndimore më shumë kohë dhe energji sesa bisedimet e fshehta për ta nxjerrë Europën nga bataku ruso-ukrainas. Mënyra se si po bëhet “lufta e transheve” në Ukrainë edhe pas një viti nga shpërthimi i saj, që Rusia e kishte përfytyruar si betejë disaditore, dëshmojnë se si rregull dihet se kur luftërat nisin, por nuk dihet se kur ato mbarojnë.

Kanë kaluar dekada tashmë që nga shpallja e fitores së NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999 për Kosovën, por Vuçiqi dhe Serbia ia kujtojnë NATO-s dhe Perëndimit se i kanë ende gati armët e ushtarët që të marshojnë në çdo çast kundër Kosovës nëse shqiptarët nuk i pranojnë “zgjidhjet me kompromis” që do Serbia. Kjo mjafton për ta kuptuar edhe më qartë arsyen se pse Veberi “kompromisin” në rastin e konflikteve shqiptaro-serbe në Kosovë e ka shoqëruar edhe me epitetin “helmatisës” dhe diplomacinë e fshehtë e demaskon si kurth ndaj shqiptarëve.

Kështu u ka ndodhur disa herë deri tani shqiptarëve. Për ta përligjur mbetjen e Kosovës nën Serbi, serbët dhe miqtë e tyre kanë përmendur më herët modelet e Honkongut, të Tajvanit, të Makaos, të Teksasit, të Tirolit të Jugut, të Ishujve Falklend (Malvinas), që janë nën zotërim britanik përballë brigjeve të Argjentinës, ishujve Aland në Finlandë me banorë që flasin suedisht e finlandisht etj. Diplomacitë perëndimore patën tentuar të gjejnë një “zgjidhje qipriote”, nëpërmjet një gjykate të përbashkët kushtetuese serbo-shqiptare e ndërkombëtare. Disave u kishte shkuar në mendje të prodhonin ndonjë zgjidhje hibride në Kosovë, që të përdorej dhe në Lindjen e Mesme për konfliktin palestinezo–izraelit, pa krijuar një shtet palestinez, por një shoqëri të përbashkët në shtetin izraelit.

Shpejt doli projekti i “Planit Ahtisari Plus”, paraqitur nga Piter Feith dhe që u përforcua në 6 pikat e variantit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Ky është një projekt i parashtruar si një “model i ri” për zgjidhjen afatgjate në Kosovë, duke i dhënë Veriut të Kosovës një status si ai i “Katalonjës në Spanjë”, që qenka “pjesë e Spanjës, por shumë autonome”. Synimi ishte për ta revizionuar “Planin Ahtisari” në dobi të Serbisë e të serbëve dhe në dëm të Kosovës e të shqiptarëve nëpërmjet një “skeletizimi të pavarësisë tashmë të njohur të Kosovës”, pas vitit 2008. Arsye të forta historike, politike, juridike, kombëtare e shtetërore, për të dëshiruar e kërkuar një revizionim të “Planit Ahtisari” kishin e kanë shqiptarët, jo serbët ose diplomatët teknokratë ndërkombëtarë. Madje, shqiptarët nuk duhej të ishin pajtuar qysh në fillim as me “Planin Ahtisari”, sepse ky plan serbëve u ka dhënë gjithë privilegjet e mundshme dhe shqiptarëve u ka shkaktuar maksimumin e padrejtësive e të vështirësive.

Pranimi i “Planit Ahtisari” nga shqiptarët mund të kishte marrë kuptimin e një sakrifice të skajshme të pranueshme për shqiptarët në rast se do të pasohej menjëherë nga njohja e pavarësisë së Kosovës prej Serbisë e Rusisë, të pranohej shteti i ri i Kosovës si anëtar në OKB. Meqenëse nuk ndodhi kështu, për shqiptarët bëhej dhe është më e pakuptimtë sakrifica e skajshme për t’u pajtuar më tej jo vetëm me “Planin Ahtisari”, por sidomos me revizionimet përkeqësuese të këtij plani në dëm të tyre. Fatkeqësisht, shqiptarët lirinë e manovrimit e humbën për ta vënë si bazë të strategjisë së tyre diplomatike menjëherë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që shpalli se pavarësia e Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Shqiptarët pranuan me shpejtësi e pa kurrfarë nevoje të ngutshme që të nisnin një maratonë bisedimesh të reja me Serbinë, pa objektiva të qarta, çka pati ndikim frenues për njohjen e pavarësisë së Kosovës në botë, sepse shumë shtete filluan të arsyetonin: le të presim rezultatet e bisedimeve shqiptaro-serbe.

“Plani Ahtisari” u bë i famshëm si një model i ndërthurjes së një shteti kombëtar me një shtet enklavash të huaja, të vendosur mbi të. Serbët e kanë rrotulluar me gjithfarë mënyrash formulën e tyre se Kosova duhej të mbetej nën Serbi e të kënaqej vetëm me një “autonomi të gjerë”: me “autonomi substanciale”, me “pavarësi të brendshme”, me “pavarësi minus”, me “status më shumë se autonomi, por më pak se pavarësi”. Kur të gjitha këto nuk funksionuan dhe “Plani Ahtisari” nuk e mbylli dot rrugën e Kosovës drejt pavarësisë, Serbia u përqendrua tek minimi me të gjitha mjetet i shtetit të ri të Kosovës nëpërmjet shtimit të “komunave serbe”, të enklavave rreth kishave serbe, sidomos nëpërmjet ruajtjes së pushtetit pushtues serb në pjesën veriore të Kosovës, duke mbështetur këtu struktura paralele e kriminale.

Autori amerikan Henri H. Perrit Jr., që në librin e tij “Rruga drejt pavarësisë së Kosovës. Një kronikë e Planit Ahtisari” (2010) është marrë në hollësi me natyrën e rrjedhojat e këtij plani për Kosovën dhe ka argumentuar bindshëm përse ai qëndrim i diplomacisë ndërkombëtare për të shmangur pavarësinë e Kosovës ishte i destinuar të dështonte dhe arsyet përse pas ndërhyrjes së NATO-s kishte mbetur e hapur vetëm rruga drejt pavarësimit të Kosovës që, gjithashtu, nuk kishin si ta shmangnin përpiluesit e “Planit Ahtisari”. Por, ai ka paralajmëruar me kohë se përse “Plani Ahtisari” e kishte bërë Kosovën një shtet gati të paqeverisshëm dhe përse shtetshmëria e pavarësia sovrane e Kosovës do të ishin gjithnjë të rrezikuara e të kërcënuara. Këto po i vërteton gjendja e rrezikshme që ka krijuar Serbia në Kosovën e Veriut, e cila tani tensionohet me skenarë e skena të shpërthimit të luftës sa herë që Serbia do që t’ia imponojë vijën e vet politikës e diplomacisë në tërë skenën europiane si e privilegjuar në marrëdhëniet me BE-në dhe me Rusinë. Këto më së miri po shpërfaqen tani, në atmosferën diplomatike të ndezur që krijon projekti ende i panjohur gjermano-francez për një revizionim të ri më të thellë të Planit Ahtisari.

Në librin e Henri Perrit Jr., lexuesi i interesuar mund të gjejë analiza, vlerësime, vëzhgime e përfundime të shumta dhe të bazuara që qartësojnë edhe tani proceset diplomatike të ndërlikuara gjatë trajtimit të çështjes së Kosovës. Aty ka shpjegime të qarta për manovrimet meskine e cinike të diplomacisë serbe. Serbët asnjëherë gjatë “bisedimeve Ahtisari” nuk mbajtën qëndrim konstruktiv. Ata vetëm provokonin, fyenin, mohonin e hidhnin poshtë pa argument çdo gjë që nuk hynte në kallëpet e propagandës së tyre. Autori Perrit Jr. dëshmon, nga ana tjetër, se shqiptarët mbanin mbi kurriz gjithë barrën për të treguar durim, për të paraqitur “projekte konstruktive” për të lehtësuar përfshirjen e serbëve në dialog normal, për të dëgjuar e plotësuar kërkesat e këshillat e ndërkombëtarëve.

Autorit shpesh i vjen keq për pozitat e pakëndshme në të cilat viheshin përfaqësuesit shqiptarë pa përvojë e stil të përpunuar diplomatik përballë dredhive të diplomacisë serbe me përvojë e me shërbime mbështetëse të fuqishme. Autori nuk ka lënë pa vënë në dukje se ndonjëherë shqiptarët, që të dukeshin konstruktivë e të dëgjueshëm, e lëshonin veten aq shumë, sa paraqisnin propozime absurde në dëm të tyre. Në libër del qartë që prirja mbizotëruese tek ndërkombëtarët ishte që procesi i vështirë i bisedimeve me serbët të lehtësohej e të shtyhej disi përpara, duke lëshuar barrën e sakrificës kryesisht në kurriz të shqiptarëve.

Serbët dhe ndërkombëtarët e pasinqertë ose teknokratë të pandjeshëm, që nuk e çanin kokën shumë për pasojat e zgjidhjes, e kishin të qartë se nën trysni të vazhdueshme shqiptarët do të shkonin në maksimumin e lëshimeve. Serbët nuk kishin për qëllim të arrinin në ndonjë rregullim të pranueshëm e të qëndrueshëm. Ata donin vetëm të siguronin maksimumin e lëshimeve nga shqiptarët, të mos angazhoheshin në asgjë për vete dhe ta linin shtegun hapur e rrugën e çelur për presione të mëvonshme e për ngatërresa të mëpasme.

Pavarësisht si do të duket e si do të jetë projekti franko-gjerman në fazën e tij më të fundit, është pak e besueshme se ai do shënojë orvatjen e fundit për revizionimin e përmbylljen e gjithë proceseve që janë zhvilluar në Kosovë deri tani dhe që do të marrin ngjyrime të reja e ndikime të reja nga zhvillimet në Ukrainë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X