loader image
July 27, 2024

Mbi zhurmën mediatike dhe industrinë e analistëve në Kosovë

Media e lirë, e pavarur e neutrale është një mit. Natyrisht, media ka sensitivitetet e veta, ka subjektivitetin e vet. Por, në spektrin e brendshëm politik, media nuk do të duhej ta përfaqësonte me kaq besnikëri përkatësinë partiake në çdo debat e përmbajtje mediale. Media ka përgjegjësi publike dhe do të duhej ta bartte edhe rolin edukativ. Edhe subjektiviteti ka kufijtë e vet dhe do të duhej ta ruante neutralitetin deri në një nivel.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Shoqëria kosovare në shekullin e fundit ka kaluar nëpër disa procese jo të lehta dhe, krahas jetëve të humbura, përjashtimit, mohimit e dëbimit, ka përjetuar edhe rëndesën e ndryshimeve drastike. Të përballur me shtypjen sistematike shtetërore (me armikun), njerëzit kishin një kohezion, një ndjesi të përkatësisë kompakte të përbashkët. Po t’i referohemi raportit të shtetit (si aparat zyrtar) dhe shoqërisë (si tërësi lidhjesh informale), që prej Luftës së Parë Botërore e deri në luftën e fundit, shteti, as si aparat “legjitim“ e as si vetëdije, nuk kishte arritur të depërtonte me tërësinë e vet në shtëpinë e mjedisin rural kosovar. Jeta shoqërore e familjare, në modelin e rrjetit fisnor, rrjedhimisht identiteti dhe lidhjet kolektive, e mbanin gjallë komunitetin në botën e vet, e cila udhëhiqej nga tradita dhe zakonet. Ky lloj kohezioni, sado të dukej statik e latent, regresiv e jodinamik, konservonte e kultivonte rrëfimin e shpirtit kolektiv shqiptar, të trashëguar ndër shekuj. Në përballje me dhunën sistematike, sado plagë e tmerr përjetonte komuniteti, vetëdijen për veten e ruante dhe e forconte më tutje. Ndoshta këtu buron dhe fuqia shpirtërore që i bëri shqiptarët triumfalë në tregimin e tyre, para se t’i bënte praktikisht në terren. Forca e idealit dhe gatishmërisë për t’u flijuar, por veçse duke mbetur vetvetja. Kjo është paradigmë që, ndonëse nuk ishte pa përjashtime, ishte udhërrëfyese për jo pak patriotë e familje nga rangu intelektual, fshatar etj. Pa harruar këtu pjesën e pasardhësve të familjeve kryengritëse, që kishin ruajtur brenda familjeve të tyre tregimin jetësor për kryengritjen, robërinë dhe lirinë.

Në kohën e tashme nuk mund të kemi të njëjtin model shoqëror, të njëjtin kohezion dhe solidaritet. Por, mund të kemi një solidaritet minimal, që bazohet në përvojën e përbashkët dhe botëkuptimin për jetën, lirinë dhe barazinë; në një ideal njerëzor.

Roli edukativ dhe përgjegjësia publike – për një medie të ndërgjegjshme

Tani jemi në një situatë tjetër. Kërkesat dhe nevojat e bashkësisë janë të ndryshme. Shteti i Kosovës tani ndodhet në një momentum jo të lehtë dhe sensitiv në aspektin e konsolidimit dhe të stabilitetit. Në fazën aktuale, teksa Kosova përballet me veprimet destruktive e kërcënuese të Serbisë dhe me presionin ndërkombëtar për ta përmbyllur procesin e dialogut dhe për ta arritur marrëveshjen finale me fqinjin verior, në planin e brendshëm nuk ekziston konsensus i mjaftueshëm, i cili do të jepte garanci se prapa shtetit qëndron me tërë qenien e gatishmërinë e vetë populli, subjekti që i jep atij frymë dhe kuptim. Ndoshta nga papjekuria e ndoshta nga keqkuptimi drastik i pluralimit, ekziston një ndasi e përçarje e pashëndetshme edhe në çështjet që kërkojnë ndjeshmëri më të lartë e unitet moral, shpirtëror e politik. Rolin kryesor për një fragmentim të tillë destruktiv shoqëror e politik në planin e brendshëm e kanë mediet. Ndonëse është imperativ i kohës të arrihet një konsensus për temat e mëdha si sovraniteti, liria, kufijtë, paqja, qëndrimi dinjitoz karshi Serbisë, qasja konstruktive ndaj fuqive aleate ndërkombëtare, ato kryesisht përmes debateve, por edhe nëpërmjet përmbajtjeve redaktoriale, kanë krijuar një psikologji negative, pesimiste e përçarëse ndaj temave kryesore dhe nuk i shërbejnë asnjë misioni edukativ e konstruktiv. Në kohën kur Serbia bën kërcënim ushtarak ndaj Kosovës, nuk është e vështirë të gjesh teksa në mediat kosovare akuzohet kryeministri aktual dhe vetë shteti ynë se nuk është korrekt me Serbinë dhe me aleatët ndërkombëtarë dhe se po shkakton probleme me Serbinë.

Nga ana tjetër është duke u instaluar një kulturë e polarizimit në studio, e një zhurme krejtësisht të panevojshme, e cila jo që nuk zgjidh e nuk shtjellon mirëfilli asgjë, por vetëm ngatërron e çorienton. Ky dominimin i kulturës së britmës në debate është tregues i nivelit aktual të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror, nga njëra anë, dhe i rrugës të cilën e kemi zgjedhur dhe jemi duke shkuar, në anën tjetër.

Opinioni publik në mëshirën e debateve

Media e lirë, e pavarur e neutrale është një mit. Natyrisht që media ka sensitivitetet e veta, ka subjektivitetin e vet. Por, në spektrin e brendshëm politik, media nuk do të duhej ta përfaqësonte me kaq besnikëri përkatësinë partiake në çdo debat e përmbajtje mediale. Media ka përgjegjësi publike dhe do të duhej ta bartte edhe rolin edukativ. Edhe subjektiviteti ka kufijtë e vet dhe do të duhej ta ruante neutralitetin deri në një nivel. Zëdhënës të partive politike e përcaktojnë opinionin publik. Ata janë gjykatësit e ecurisë së vendit. Prania në ekran për një kohë të gjatë nuk i jep askujt legjitimitet të ndërtojë opinion për tema me peshë shtetërore e kombëtare. Aq më tepër, në rastet e ndjeshme kur plagët e luftës ende nuk janë të shëruara. Të jesh pronar mediumi nuk të jep legjitimitetin intelektual, etik, njohës e profesional ta gjykosh politikën sipas shijes. Natyrisht, kjo është e lejueshme në kuadër të konkurrencës mediatike (në kuptimin kapitalist e pluralist të fjalës), por jo edhe në kuptimin njerëzor e moral. Duke u bazuar në përgjegjësinë publike që kanë dhe ndërgjegjen shoqërore, neutraliteti i mediave nuk do të duhej ta shkonte deri në atë masë sa të qëndrojë neutral ndaj temave si lufta e paqja, liria e robëria, agresori e viktima dhe, në instancë të fundit, vetja dhe tjetri, ngase në këtë rast neutraliteti është krim, robëri e, madje, edhe tradhti. Referenca për gjykimet tona si qytetarë ndaj politikëbërjes dhe ecurisë së proceseve në vend nuk mund të jenë disa të ashtuquajtur gazetarë, të cilët i mësojnë të fshehtat e politikës nëpërmjet ndejave të kota nëpër kafiteri, si vende kulti të informimit urban. Nuk mund ta përcaktojë disponimin e ndjeshmërinë tonë ndaj vendit, ndaj problemeve që kemi, dikush që nuk ka asnjë mbulesë sakrifice për idealin tonë kolektiv. Një prototip i tillë mbase mund të flasë për ndërtim biznesi, sukses në ndërtimin e një game a korporate mediatike në kuptimin e kapitalit, por jo për çështjet si shteti, politika, paqja e identiteti. Ky është varfërim i patolerueshëm i mendjes kosovare.

Nevoja për një hulumtim mbi rrjetëzimin e mediave dhe burimin e fondeve

Referencat e shijet tona për çështjet publike në masë të madhe përcaktohen në përballje më këtë nivel „analistësh“ (zaten si profesion dhe trend është mjaft problematik në vetvete), qoftë pro, qoftë kundër tyre, por në të dyja rastet është varfërim e ngecje, humbje kohe e huqje në shenjë. Nuk është bërë ndonjë hulumtim kredibil se si funksionojnë, kush i paguan dhe cilën politikë karshi shtetit të Kosovës e karshi luftës për liri ndjekin këto televizione e portale. Prandaj është nevojë imediate që mekanizma tejmediatikë të merren seriozisht me femonenin medial dhe atë analist dhe me mënyrën e manipulimit e llojin e propagandës që ushtrojnë mbi masat. Ndoshta disa nga ato janë të paguara nga Serbia, disa të tjera shkaktojnë tension e huti për më shumë shikueshmëri, për ta rritur audiencën dhe fitimin. Por, këto mbeten vetëm spekulime pa pasur një raport të qartë e serioz, ashtu siç janë bërë disa hulumtime p.sh., për t’u hetuar disa raste korrupsioni e skema grupesh kriminale. Ne mund të gjykojmë nga paradigma që mbrojnë, nga temat që i zgjedhin për debat e lajm dhe nga mënyra se si i shtrojnë e konceptualizojnë ato. Kjo mjafton për ta ditur e kuptuar orientimin e tyre karshi lirisë dhe shtetit të Kosovës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X