loader image
July 27, 2024

Përballja me komunizmin, sfidë që nuk shter

Shqetësimi kryesor mbetet se sa e njohim ne thellësinë e së keqes së ideologjisë komuniste dhe se sa është punuar dhe punohet për të mbjellë farat e mirësisë si antipod i saj, sipas mundësisë dhe hapësirës që ka gjithsecili që mëton se jeton nën hijen e tradicionalizmit. Jo gjithçka e keqe që haset tek njeriu apo në shoqëri është domosdoshmërisht pasojë e drejtpërdrejtë e ideologjisë komuniste. Kjo ideologji ushqeu dhe fuqizoi pjesën më negative të njeriut, të shoqërisë, për të nxjerrë nga kjo e keqe njeriun e ri sipas projektimit marksist – leninist.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Çdo gjë që ndodh në këtë vend është në interesin tonë. Nuk mund të jemi indiferentë ndaj zhvillimeve të çdo fushe përderisa jetojmë dhe sfidojmë realitetin e këtushëm. Pas ndryshimeve që pësoi Shqipëria më 1991, u duk sikur i lamë hesapet me diktaturën më të egër në botë. Rendja për të dalë nga varfëria dhe për të rritur standardet jetësore i lanë hapësirë të lirë veprimi ideologjisë që dukej sikur kishte dhënë shpirt, por që po sillej si dhelpra në tregimin “Gjahu i malësorëve” të K. Kristoforidhit. Duke harruar shpejt se çfarë la pas kjo ideologji ose duke qenë të pavetëdijshëm dhe pa njohuritë përkatëse mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, ëndrrat për një të ardhme më të mirë me sloganin “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, u bë tema kryesore e kuvendimeve, shqetësimi kryesor i shqiptarëve. Përballja me të kaluarën duket sikur është humbje kohe. Duhet të kapim trenin e europianizimit para se të jemi vonë.

Harresa është e dobishme në shumë raste, por harresa ndaj vuajtjeve dhe dhimbjeve që shkakton një ideologji si ajo marksiste-leniniste është rrugë që lejon përkrahësit aktivë apo të heshtur të saj të mbajnë peng pikërisht atë të ardhme që ëndërrojnë shqiptarët. Zgjimi është detyrë. Përpjekja kundër kësaj ideologjie është shumëfish detyrë, pasi ndikimi i saj nuk ka mbaruar me mbarimin e kohës historike. Pasojat e saj janë të shumëfishta, të cilat sillen rrotull si hije dhe vazhdojnë të ndikojnë ne jetën e shoqërisë shqiptare.

Shqetësimi kryesor mbetet se sa e njohim ne thellësinë e së keqes së ideologjisë komuniste dhe se sa është punuar dhe punohet për të mbjellë farat e mirësisë si antipod i saj, sipas mundësisë dhe hapësirës që ka gjithsecili që mëton se jeton nën hijen e tradicionalizmit. Jo gjithçka e keqe që haset tek njeriu apo në shoqëri është domosdoshmërisht pasojë e drejtpërdrejtë e ideologjisë komuniste. Kjo ideologji ushqeu dhe fuqizoi pjesën më negative të njeriut, të shoqërisë, për të nxjerrë nga kjo e keqe njeriun e ri sipas projektimit marksist – leninist. Po çfarë la pas kjo ideologji?

Ateizmin.

Ethet materialiste.

Urrejtjen klasore.

Dhunën.

Grabitjen e pronës.

Zhdukjen e kufirit mes së mirës dhe së keqes.

Thellimin e rrënimit moral.

Politizimin e njeriut.

Shtrembërimin e së vërtetës (çdo gjë komuniste e drejtë, çdo gjë antikomuniste e gabuar, e keqe, rrezik për shoqërinë).

Propagandën si mjet përçarës dhe mpirës i mendimit.

Shpifjen, për të çorientuar njerëzit dhe për të njollosur kundërshtarët.

Zhdukjen e mëshirës dhe kthimin e njeriut në përbindësh të akullt.

Rrënimin e edukimit dhe arsimit.

Rrënimin e familjes.

Grabitjen e lirisë.

Me penë, me fjalë, me kuvendime, ja ç’është përpjekja kundër kësaj ideologjie.

Në këtë udhë punoi Hafiz Ali Korça me veprën e tij të shkurtër, por esenciale, “Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit”. Qysh më 1925, ky njeri i madh kreu detyrën ndaj atdheut, ndaj shqiptarëve. Do të mjaftonte vetëm titulli si shenjë kthjelluese për rrezikun që i kanoset një shoqërie që i hap vend e i bën strehë një ideologjie të kësaj natyre. U desh ta vuanin në kurriz shqiptarët që të kuptonin se ç’ishte ideologjia marksiste-leniniste. Brezat që panë më sy vuajtjet nën sundimin marksist-leninist, nuk do të jenë më. Të rinjtë që ëndërrojnë materialisht janë indiferentë ndaj ideve e ideologjive, duke harruar se veprimi është pasojë e ideve. Indiferenca e tyre çon ujë në mullirin e ideologjive kundërnjerëzore që punojnë pa reshtur për zhbërjen e njerëzores tek njeriu dhe kthimin e tij në instrument.

Duhet folur! Njerëzit duhet të mësojnë se çfarë pasojash të rënda sjellin diktatura të këtij kallëpi në vetë njeriun më së pari. Tërheqja e vëmendjes duhet të jetë e pareshtur. Se sa do të dëgjojnë e kuptojnë është çështje që nuk varet nga kumtuesi. Por duhet folur!

Shullubini mori frymë, u rehatua mbi stol dhe filloi të fliste më me qetësi: – Pa më thoni, ku qëndron enigma e ndërrimit të këtyre periudhave historike? Po të njëjtit popull pothuajse gjatë dhjetë vjetëve i shteroi tërë energjia shoqërore, kurse impulset e guximit, pasi ia ndryshuan shenjën, u shndërruan në impulse frike. Vetë jam bolshevik që nga viti 1917. Me guxim të madh kemi shpërndarë dumën esero-menshevike në Tambov, ndërkohë që mjaftonte të fishkëllenim dhe ata do t’ia mbathnin. Jam pjesëmarrës i Luftës Civile, dhe asnjëherë nuk e llogarisnim jetën! Madje ishim të lumtur ta jepnim për revolucionin botëror! Ç’ndodhi me ne? Si arritëm të mposhtemi? Dhe… para kujt? Para frikës? Para idhujve të tregut? Apo të teatrit? Mirë unë, që isha njeri i vogël, po Nadjezhda Konstatinova Krupskaja? Si arriti ajo… vallë, nuk e kuptoi e nuk e vuri re? Përse nuk e ngriti zërin? Sa shumë do të na vlente një fjalim i saj, edhe sikur t’i kushtonte jetën? Po, mbase gjithçka do ta kishim ndryshuar, të tërë do të ishim bërë bllok… dhe nuk do të kishte vazhduar kështu! Po Orxhonjikidze? Ai konsiderohej shqiponjë! Po Shliselburgun, as puna e detyrueshme nuk e kishte thyer dot! Çfarë e frenoi atë që një herë, një herë të vetme të ngrinte zërin kundër Stalinit? Por ja që ata zgjodhën të vdisnin në mënyrë enigmatike, ose përfunduan në vetëvrasje. Pa ma shpjego pak, vallë trimëri është kjo? (Sollzhenjicin, A. (2014), Pavioni i kancerozëve, Tiranë: Fan Noli, f. 503)

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X