Konti Bertholld, më 24 shtator 1913, përmes një qarkore njoftonte përfaqësitë diplomatike austro-hungareze se kryengritja shqiptare ishte provokuar nga “fortësia serbe”, ndërsa pjesëmarrja e shqiptarëve ishte vetëm në zonat e pushtuara nga ana e serbëve që ishte në kundërshtim me vendimet e Londrës ose nga popullsia e zonave që “u është ndërprerë furnizimi me ushqime për shkak të pengesave për të shkuar në tregun e Dibrës e të Gjakovës”.
Shkruan: Qerim LITA, Shkup
Kryengritja e shtatorit të vitit 1913 përbën ngjarjen më të rëndësishme kombëtare të zhvilluar pas shpalljes së pavarësisë dhe vendimeve arbitrare të Konferencës së Fuqive të Mëdha në Londër (1913). Duhet theksuar se kryengritja u nxit nga autoritetet ushtarake e policore serbe, të cilët pas ultimatumit të marrë nga Fuqitë e Mëdha, që trupat serbe të tërhiqen brenda kufijve të përcaktuar në Konferencën e Londrës, ata si kundërpërgjigje, shtetasve shqiptarë ua ndaluan shfrytëzimin e tregjeve në Dibër, Prizren dhe Gjakovë. Më 5 (18) shtator të vitit 1913, Qeveria e Mbretërisë Serbe njoftonte përfaqësuesit e saj diplomatikë të akredituar në vendet e Fuqive të Mëdha, se për shkak “çrregullimeve” në brezin kufitar, të shkaktuar gjoja nga shqiptarët, është marrë vendimi që shqiptarëve t’ua ndalojnë çfarëdo qasjeje në tregjet e Dibrës, Prizrenit e të Gjakovës, përderisa siç thuhej “nuk kthehet gjendja normale…”. Një vendim i tillë e revoltoi tej mase popullsinë lokale, e cila së shpejti kaloi në një kryengritje të përgjithshme kundër pushtuesit serb. Konti Bertholld, më 24 shtator 1913, përmes një qarkore njoftonte përfaqësitë diplomatike austro-hungareze se kryengritja shqiptare ishte provokuar nga “fortësia serbe”, ndërsa pjesëmarrja e shqiptarëve ishte vetëm në zonat e pushtuara nga ana e serbëve që ishte në kundërshtim me vendimet e Londrës ose nga popullsia e zonave që “u është ndërprerë furnizimi me ushqime për shkak të pengesave për të shkuar në tregun e Dibrës e të Gjakovës”. Një qëndrim të tillë pati edhe Komisioni hetimor i Fondacionit Kanerxhi, i cili në raportin kushtuar kësaj ngjarjeje shkruante se më 20 të shtator 1913 ushtria serbe, duke u tërhequr përmes kufirit në afërsi të Dibrës, mori të gjithë bagëtinë nga malësia e Dibrës, për çka “barinjtë u shtrënguan të mbroheshin”. Më tej në raport theksohej se ushtria serbe pasi i vrau të gjithë barinjtë, filloi të grabiste dhe djegë “të gjithë fshatrat në rrugën e tyre: Peshkopinë, Pletzën dhe Dohoshishtin në Dibrën e Poshtme dhe Allajbeginë, Maçin, Parën, Obokun, Kllobçishtin dhe Sollokiçin, në Dibrën e Sipërme” dhe se në të gjitha këto fshatra, serbët “kryenin veprime të tmerrshme masakrimi dhe dhune mbi gratë, fëmijët dhe pleqtë… etj.”.
Për rrjedhojë, më 20/21 shtator, rreth 6.000 kryengritës kaluan Drinin e Zi dhe u futën në qarkun e Dibrës. Kryengritësit fillimisht çliruan Peshkopinë dhe, më pas, edhe Dibrën dhe Zhirovnicën. Më 26 shtator 1913, Aqif Pashë Elbasani i telegrafonte Qeverisë së Përkohshme të Vlorës se forcat shqiptare ishin ndarë në tre krahë: krahu kah Gostivari kishte çliruar Mavrovën dhe shpresohej se deri në mbrëmje ta çlironte edhe Gostivarin; krahu që marshonte për Kërçovë kishte kaluar Loposhin dhe krahu i tretë, i ishte afruar Strugës. “…Me ndihmën e Perëndisë – shkruante Aqif Pasha – sukseset po vazhdojnë. Të tre krahët e përmendur, lajmërohemi se përbëhen prej 12.000 vetësh, dhe po luten e thërasin çdo minut për armë dhe municion…”.
Menjëherë pas sulmit të befasishëm në Dibër dhe më pas edhe në Strugë, Ohër, Prizren, Gjakovë dhe në qendra tjera, qeveria serbe vendosi të mobilizojë Divizionin e Moravës, përkatësisht njësitë e saja të këmbësorisë I, II, III dhe XIV. Më 29-30 shtator 1913 filloi kundërofensiva e ushtrisë dhe e çetave çetnike serbe. Në luftimet disaditore, ushtria serbe e pajisur me armatim bashkëkohor, arriti t’i thyejë forcat kryengritëse fillimisht në frontin e Strugës, Ohrit e Dibrës e më pas edhe të Prizrenit e Gjakovës. Forcat ushtarake serbe, pasi ripushtuan tokat shqiptare, kryen gjenocid të paparë ndonjëherë mbi popullsinë civile shqiptare. Vrasjet masive të popullsisë civile, si dhe djegiet e vendbanimeve të tëra ishin të shumta. Shkrimtari dhe kulturologu shqiptar nga Dibra, Haki Stërmilli, në veprën e tij “Dibra në prag të historisë” shkruan se përderisa “burrat e Dibrës po luftojshin egërsishëm mbi majat e Kërçishtit, të Korrabit dhe të Jabllanicës, familjet e Dibranëve – të qytetit e të katundeve, – ishin vu n’ikje drejt Tiranës e Elbasanit…”. Sipas tij, numri i të shpërngulurve nga mbarë qarku i Dibrës dhe i viseve tjera shqiptare shkonte mbi “100.000 frymë, gra, burra e çillimij” të cilët ishin nisur drejt “Perëndimit për mos me ranë në durë t’anmikut”.
Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, posedon numër të madh të dokumenteve që hedhin dritë mbi krimin dhe gjenocidin serb ndaj popullsisë shqiptare në harkun kohor 1912-1941. Me këtë rast e pamë të arsyeshme ta publikojmë dokumentin të titulluar “Raport dhe pasqyrë mbi barbarizmat e serbëve në rrethin e Gostivarit”, të hartuar në pjesën e parë të vitit 1944 nga nënprefektura e Gostivarit. Dokumenti, ashtu sikurse edhe është titulluar, hedh dritë mbi mizoritë, barbarizmat dhe masakrat e kryera nga ana e ushtrisë pushtuese serbe ndaj popullsisë civile shqiptare të fshatrave të Gostivarit: Simnicë, Gjenovicë, Reçan, Vërtok, Raven, Zdunje, Mirditë, Vrapçisht, Kalisht, Çegran, Qafë, Llakavicë dhe Duf. Në të gjitha këto vendbanime, siç theksohet në dokument, ushtria pushtuese serbe, në bashkëveprim me komitët dhe çetnikët vendor serbë e bullgarë, në pjesën e dytë të muajit tetor 1913, vrau, theri me thikë ose me sëpatë disa qindra shqiptarë civilë, në mesin e tyre edhe gra, pleq e fëmijë. Pjesa më e madhe e tyre u masakruan te vendi i quajtur “Vakuf” në afërsi të fshatit Banjicë. Siç u tha më lart, dokumenti gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, fondi 412 (Nënprefekturat e Tokave të Liruara), të cilin në vazhdim po e paraqesim të plotë.
* * *
“Raport dhe pasqyrë mbi barbarizmat e serbëve në rrethin e Gostivarit
Katundi Banjicë
Ky katund gjatë invazionit Serb më 1912 dhe ofensivës së Shqiptarëve më 1913 nga ana e Dibrës, ka qenë dëshmitari i mizorirave Serbe masi këtu, në vendin e quajtur ‘Vakuf’ u therrën qindra shqiptar të sjellur prej katundeve të ndryshme sikur do të shikohet edhe ma posht.
Ka qenë muaji i tetorit të vitit 1913 kur prej katundeve Simnicë, Zdunjë, Raven, Vërtok, Reçan etj., sillnin burrat shqiptarë dhe i therrnin pa pikë mëshire duke i hedhur në një gropë që ndodhet në hyrje të katundit, nga ana e Gostivarit. Të gjithë burrat janë therr me thikë dhe me spata duke i pasun duart e lidhuna. Të gjithë këto i kemi pa me sy – thonë Z.Z. Fetah Jemini, Hasan Ymeri, Demir Hoxha, Ymer Tusha etj., që janë mbledh përreth – dhe të gjithë i njohin si të vramit gjithashtu edhe masakruesit. Sa për të vramit, kanë për t’iu kallzue katundet prej nga ishin. Masakruesit ishin: Mihal Dimitrija, Bogdan Mihali (biri i tij qi gjendet në Nish), Kërste Trajçe, Zdrave Micko, Gine Micko, Nestor Angjeli (vdek), Sime Novija (vdek), Ugrin Tërpe (vdek), Kuzman Stefani (tash në Tetovë) dhe Mlladen Llazja.
Kur iku Serbi më 1915, po në vendin Vakuf, u vranë edhe 72 veta të tjerë. Këta ishin prej Dibre dhe të krahinës Radikës, të cilët, masi i suallën prej Dibre me anën e Kërçovës, i mbajtën një natë në xhamin e katundit dhe t’nesërme i therrën po ata njerëz të nalt-përmendun.
Emrat e tyne nuk i dim pse nuk na linin qi të hafroheshim pranë xhamis. Gropën e kam ba unë thot Z. Alit Selimi, ku n’atë kohë, më kanë marr të punoj me zort.
Katundi i ynë nuk pësoj ndo nji vrasje në popull përveç vjedhjeve të bagtive në disa persona si dhe me anë friksimesh, marrje t’hollash.
Katundi Simnicë
Më 1913 me rastin e ardhjes së shqiptarëve nga Dibra për të luftuar kundër serbit dhe për të marrë Shkupin, serbët pasi i thyen shqiptarët, sikurse në ç’do katund erdhën edhe në katundin t’onë duke e djegur dhe vrarë të gjithë ata persona që iu patën dhënë ndihmë shqiptarëve të ardhur prej Dibre nën komandën e Emin Beut.
Prej 116 shtëpive sa pati asaj kohe Simnica, vetëm tre prej tyre shpëtuan pa u djegur. Serbët nuk mungun të vrasin pos burrave dhe gratë të cilat luftuan përkrah burrave. Nga njerëzit e vrarë janë: Esat Ali Hasa (kryeplak i katundit të cilin pasi ia shkrepin nji plumb e hedhin në zjarr), Ramadan Hysejn Hasa, Osman Zejnel Hasa, Vesel Ali Hasa, Hysejn Rexhep Hasa, Avzi Alim Hasa, Alim Avdi Hasa, Bexhet Dul Shehri, Kadri Miftar Shehri, Idriz Kurteshi (i vram me dru), Hamid Rahman Gjika, Fetah Miftar Gjika, Kasam Ader Shera, Zaim Veli Hidra, Bilall Hasa, Hajdar Azizi, Ymer Musliu, bashkëshortja e Bexhet Ram Ketës dhe bashkëshortja e Mul Bajraktarit.Të gjithë këta janë vra e masakrue brenda në katund në muajin Vjeshtë e dytë (tetor) të vitit 1913. Katundarët e shkretë besonin se me kaq kishin marr fund mizoritë, kur pas 8 ditëve të këtij rebeshi nga katundi Cerovë, vjen sekretari i komunës, Dimitër Gjoka së bashku me sekretarin e Nënprefekturës dhe i kërkuan këta persona: Xhemail Ismailin së bashku me të birin Nebiun, Rahmi Isufin, Ajvaz Ali Osmanaj, Mahmut Bajram Osmanaj, Zeno Zeqir Osmanaj, Ibish Zeqir Osmanaj, Tahir Zeqir Osmanaj, Zulfi Sadi Osmanaj, Zulvi Kurtish Keta, Izair Ram Keta, Fetah Ram Keta, Azir Ram Keta, Rustem Zeqir Keta, Sul Keta, Mehmet Durmish Keta, Behlul Jashar Keta, Iljaz Xhelil Shehri, Sinan Mehmet Gjika, Selman Nurçe Gjika, Mehmet Eles Gjika, Bexhet Emër Gjika. Të gjithë të lartpërmendurit, sekretari i Nënprefekturës, pasi i ka lidhë u ka thënë se do të shkojnë në Nënprefekturë, mirëpo ata i kanë marrë dhe i kanë dërguar në vendin e quajtur Vakuf të Banjicës dhe aty i kanë therrë të gjithë me thikë së bashku me shqiptarët e tjerë të ardhur prej katundeve të ndryshme dhe i kanë hedhur në një gropë e cila edhe sot gjendet në vendin e lartëpërmendur. Nuk mjaftoi me kaq, janë kthye sërish në katund duke kërkuar nga 10 napolona flori për kokë, për shpëtimin e tyre edhe pse ata tashmë ishin masakruar. Masakruesi i tyre ishte Bozhin Kasapi bashkë me Riste Kolen prej Turçani të Madh gjithashtu edhe Bogdan Vojvoda, Petro Mitrekërsti me gjithë çetën e tij.
Pas 15 ditëve nga vrasja e këtyre në vendin Vakuf të Gostivarit, sekretari i komunës erdhi sërish me një listë të përgatitur, në të cilën figuronin emrat e njerëzve tjerë. Kësaj radhe sekretari, i ftoi duke pretenduar se do të shkonin në katundin Mavrovë (Gostivar) për të punuar: Gjatë rrugës disa nga ata i pushkatuan ndërsa të tjerët i masakruan duke i hedhur në një gropë e cila gjendet edhe sot mbi katundin Cerovë. Nga të vramurit dhe të masakruarit ishin: Sul Shaban Shahnolla, Ali Rexhep Hasa, Miftar Sait Hasa, Ymer Bexhet Shehri, Nuredin Isuf Osmanaj, Sinan Sali Keta, Ahmet Sali Keta, Abas Abdi Hasa, Riza Baftiar Gjika, Shehap Hajdin Gjika, Qamil Hysejn Gjika, Rushan Qahil Gjika dhe Dul Musa Gjika. Të lartëpërmendurit nën udhëheqjen e Tezar Jonus Hasën dhe Halit Rexhep Hasën, e kishin furnizue me buk ushtrinë shqiptare të ardhur nga Dibra.
Katundi Gjinovicë:
Tetë ditë pas masakrës së Siminicës, serbët shkuan edhe në katundin Gjinovicë ku dogjën 7 shtëpi bashkë me njerëzit brenda, edhe atë: Halil Musliu vetë i shtati, Qahil Mersini vetë i katërti, Xhelil Mersini (vëllai i të parit) vetë shpëtoi por iu dogjën 5 anëtarë të familjes, Nazif Ibishi ka shpëtuar por djali i tij iu dogj, Zenko Ibishi shpëtoi por iu dogjën tre anëtarë të familjes, shtëpia e Shaban Musliut pa njerëz, gjithashtu u dogj edhe shtëpia e Yme Ismailit pa njerëz. Të vrarë në katundin Cerovë së bashku me Siminicasit janë: Beqir Rustemi, Rushan Rustemi, Rustem Beluli, Tahir Yzeiri, Fejzo Aliu, Maksut Deari, Osman Saiti, Ali Jonuzi dhe Abedin Hida. Personat që i kanë vra Siminicasit i vranë edhe këta të Gjinovicës dhe për të njëjatat arsye.
Katundi Reçan
Më 1912 serbët erdhën për herën e parë. Më 1913 erdhi edhe ushtria Shqiptare prej anës së Dibrës. Burrat dhe djemtë e katundit që posedonin armë, iu erdhën në ndihmë shqiptarëve. Me këtë lloj veprimi ushtria Serbe u zbraps deri në katundin Zdunje, por në këtë kohë iu mbritën ndihma serbve të cilët duke qenë në forca më të mdhaja i thyen Shqiptarët. Kështu iu derdhën katundeve shqiptar ku mbritën dhe në Reçan. Komandanti i ushtris mblodhi popullin dhe kërkoj burrat e katundit; burrat ishin arratisur në mal dhe për t’i shpëtuar fëmijët u kthyen në katund; atëherë në të mbritun i lidhën 86 burra dhe i pushkatuan duke i hedhur në një gropë e cila gjendet edhe sot që mban emrin ‘Lamet e katundit’. Prej tyre ishin: Zenun Mustafa, Alim Beshiri, Imam Ymer Hoxha, Bejtulla Dermishi, Sahit Emrullai, Sahit Beadini, Murat Bylykbashi, Rustem Yzeiri dhe i biri i tij Riza, Ebib Mustafa, Mehmet Ramadani, Sherif Selimi, Qamil Selmani, Hysejn Hajdari, Jakup Dermishi, Mehmet Abdia, Sinan Sadullai, Maliq Salia, Berzat Emrullai, Azbi Qazimi, Dehar Shasivari, Hamzë Haxhi Azizi, Jahir Tefiku, Haxhi Kasam Nuhia, Xhevdet Muharremi, Maliq Xhemaili, Hajdar Abdullai dhe i biri i tij Abdullau, Memish Selmani, Belul Zymberi, Munir Dërmishi, Halim Mustafa, Zejnel Bejtullai, Ismail Hysejni, Emin Faslia, Tahir Idrizi, Idriz Tafili, Latif Isufi dhe shumë të tjerë që nuk i mbajmë mend. Ja se si tregon Z. Hamdi Shabani i cili gjatë pushkatimit mundi të shpëtoj prej tyre: ‘Para se të na vrisnin komandanti na pyeti se si erdhën shqiptarët nga Dibra, fuqit e tyne dhe se kush i komandonte dhe pse neve iu dham ndihma atyne, pra shkoni tek komandanti ma i nalt që t’iu pyesin ma shumë’. Na e kishim kuptuar se do të na pushkatonin, por na gënjeu fjala qi tha shkoni përpara tek komandanti, na u nisëm kur plumbat na mbritën prej mrapa dhe anash, mue më kapi plumbi në dorë dhe mujta me shpëtue duke u mshef nër pemë. Masi bënë këtë krim, iu drejtuan katundit duke iu futun flakën shpive dhe vran ç’ka gjenin përpara, prej të cilve: të shoqen e Mehmet Rahmanit (Zelija), t’amën e Harunit (Faslije), nënën e Bexhet Hajdarit, të shoqen e Sali Rexhepit, nënën e Xhevair Shasivarit me gjith nji djalë dhe shumë të tjerë qi nuk i mbajmë mend sidomos të djemve të vegjël.
Ata qi kryejshin këto punë ishin: Ilia Novisella, kryetar i çetnikëve, Mark Angjeli nga Vërtoku, Rafaill Isak prej Vërtoku (vdekun), Milladin Boshku prej Vërtoku, Mine Serbini prej Vërtoku, Nestor Novosella, Ilia Novosella, Jovançe Novosella, Metani Badija prej Novoselle dhe Fore Vojne prej Vërtoku.
Një sasi tjerë burrash u zunë dhe u dërguan në vendin Vakuf të Banjicës (Gostivar) të cilët u therrën me thikë, prej tyne: Ismail Hysenji, Zenel Bedullai e disa të tjerë që nuk ia u mbaj mend emnin.
Katundi Vërtok
Më 1912 erdhën Serbët, këtë vit nuk bënë ndonji vrasje veç vjedhjesh dhe marrje parash me anë friksimesh. Në muajin Tetor të 1913 erdhën shqiptarët prej Dibre për të përzën Serbët dhe për të marr Shkupin: këta i shtytën Serbët deri në katundin Zdunjë, por këta të ndihmuar prej trupave të shumta dhe të posaarritura i thyen shqiptarët. Serbët duke patur këtë sukses, iu turën katundeve ku erdhën edhe në katundin t’onë. Njerzija prej frike ishte larguar në bjeshkë, prandaj në djegëjen qi i bënë katundit (mëhallës së Shehlerve) nuk pati ndonji viktim, por populli qi ndodhesh në bjeshkë vdiq gjithashtu prej urije dhe të ftohtit. Kur u kthyen burrat në katund, këta u kapën dhe sidomos ata që iu ndihmuan shqiptarve; prej ktyne janë: Selim Ademi, Xhabir Selimi (i biri), Durmish Bajrami, Afzi Dalipi, Musli Pajaziti, Iljaz Vehapi, Mejdi Vehapi, Rustem Vehapi, Gani Selmani, Fejzullah Ganiu, Rakip Mustafa, Myslim Rakipi (i biri), Xhafer Veliu, Rahim Kasami. Këta masi u pushkatuan i futën në nji gropë tek vendi qi quhet Bigot e cila gjendet edhe sot. Pjesa tjetër që vdiq në mal prej urie dhe të ftohtit janë: Fehim Kasami, Aziz Myslimi, Rabie Myslimi, Xheladie Myslimi, Sevdie Mehdiu, e shumë të tjerë qi nuk i mbajmë mend.
Masakruesit ishin: Milladin Boshku, Marko Angjeli, Dushan Marku (i biri), Rafaill Isak (vdekun), Menekia Bilbili (vdekun), Llazar Jani, Grune Jakov (Bullgari), Metanie Qipro (Rumani), Ruse Vojno, Fore Vojno, Paskall Pepo (Bullgari), Arse Kule (Bullgari), Serbin Trimua (vdekun), Daill Aleksa.
Katundi Raven
Më 1912 erdhën Serbët dhe këtë vit rregulluan zyrat dhe banin njoftime mbi ndjenjat e burrave të katundit dhe se kush prej tyne kishte më influencë në katund. Me rastin e ardhjes së ushtris Shqiptare prej Dibre, burrat rrokën armën dhe për rrjedhim, sikurse katundet e tjerë shqiptar, katundi i ynë u dogj krejt dhe shumë prej banorve u vranë prej të cilve: Hamit Matjani, i vramun para shpis dhe për mos t’i djegur shtëpin i kërkuan t’holla të cilët i muarën 20 nap. flori por nga ana tjetër ia dogjën edhe shtëpin bashkë me zonjën e tij brenda Ruidën, të vegjlit shpëtuan prej dritares dhe djali i tij Aliu (i cili rron edhe sot) u plagos. Kurt Doda, Azir Doda, Beqir Doda, Dërvish Doda u pushkatuan dhe trupat e tyne i hodhën në pus i cili gjendet edhe sot. Masi vranë këta (vllezër) muarën dhe nënën e tyre dhe e therrën duke e hedhur edhe këtë po në pus. Hasan Reçin, Abdullah Mehdiun bashkë me dy tezet e tij i dogjën në shtëpi, Muharrem Matjanin bashkë me djalin e tij Sulën i pushkatuan. Ata qi kryen këto krime janë: Gjore Bilbili prej katundit Peçkov (Serbi), Nestor Peçkova (këtu), Nove Peçkova (këtu), Smillko Peçkova (këtu). Masi i kryen këto krime në katund, atëherë muarën 40 burra dhe i lidhën duke i çuar në vendin Vakuf të Banjicës (Gostivar) dhe këtu, bashkë me burrat e katundeve të tjerë i therrën me thikë, prej të cilëve ishin: Adil Matjani, Sali Matjani, Demir Reçi, Sulejman Kreja, Mexhit Shkurti, Afzi Shkurti, Id Doda, Jashar Reçi, Zenun Doda, Bilall Qazimi dhe shumë tëtjerë që nuk ia u mbajmë mend emrat.
Katundi Zdunjë
Me ardhjen e ushtrisë Shqiptare prej Dibre, Serbët të furnizuar me trupa të freskëta, sulmuan shqiptarët të cilët i kishin shtytur afër Gostivarit (nji Km.). Për hakmarrje iu derdhën katundit t’onë, duke djegur gjithë katundin dhe vrar popullin e pa fajshëm, gra, fëmijë dhe burra, prej të cilve: Alie e shoqia e Shuaip Maksutit bashkë me Shuaipin të bijën dhe gjyshen, e shoqia e Kurtish Shabanit, e shoqia e Zeqir Bilallit bashkë me Zeqirin, e shoqia e Emrush Osmanit bashkë me hallën dhe babën e vet, vllaj i Emrushit, Abdyrrahim Jonuzi bashkë me të shoqën, e shoqia e Bexhet Zyberit, e bija e Rexhep Kurtishit me gjith Rexhepin, e shoqia e Veli Aliut, e bija e Gjyljas Iljazit, Vehap Afziu, Jonuz Xhaferi, Kurdali Mustafa me djalin dhe babën, Beqir Demiri, Zeqir Shemsija, Myrtezan Mehmeti, Qerim Kadria, Sulejman Lutfija, i biri i Hamit Zemzunit, Aqif Yzeiri, Zulfiqar Zyberi, Myrtezan Ramadani me gjithë të shoqen dhe vajzën e vet, Shaqir Kasami, Mustafa Beqiri, Alit Osmani, Milaim Sinani, Ibrahim Alia bashkë me nënën. Bashkë me këta u vranë dhe shumë dibranë qi nuk mundën t’iknin. Trupat e tyne u hodhën në pus dhe disa u shpërndan nër ara të cilat gjenden edhe sot.
Mas ktyne masakrimeve, në të nesërmen erdhën dhe morën të tjerë burra të katundit prej të cilëve: Mulla Feta Jahja me të vllan Mixhaitin, Xhabir Aliu, Hysenj Rushiti, Kasëm Mehmeti, Naqil Shemsija, Shemsi Ymeri, Hajdar Alija, Dervish Shemsija dhe shumë të tjerë qi nuk i mbajmë nën med emrat. Këta masi i mblodhën në katund i dërguan në vendin Vakuf të Banjicës (Gostivar) dhe këtu i therrën me thik.
Këto krime u bënë prej: Nikolla Pejo prej katundit Leshnicë, Bllazhe Senadini (vdek prej Leshnice), Serbin Efto, Zharko Gego, Petro Nesturi (Bullgari), Sime Mamiri, Marko Stame, Jovica Fotiri, Mirko Stame, Bilbil Jaqimi, të gjithë prej Leshnice.
Katundi Mirditë
Në të njëjtën ditë qi vranë në Zdunjë dhe në Ravenë erdhën dhe në katundin t’onë të vogël, të cilët masi vranë Jonus Xhelilin dhe të birin Qazim këtu në katund, muarën me vete dhe i dërguan në vendin Vakuf të Banicës (Gostivar) këta persona të cilët si të gjithë të tjerë qi patën fatin të shkojnë atje, i therën me thikë: Hysenj Nuredini, Qahil Sadiku, Pajazit Ahmeti, Hamid Ahmeti, Bajram Ahmeti, Riza Pajaziti, Mehmet Limani, Lazëm Limani, Iljas Limani dhe Zylfiqar Lazami.
Katundi Debresh
Sikurse në katundet e tjerë nuk munguan të vijnë edhe në katundin t’onë. Viti 1913 qe fatkeq për ne, 7 veta vranë prej burrave t’anë prej të cilve: Hamzë Haxhi Mustafa, Hasan Zylbehari, Tefik Ahmeti, Adurrahim Qazimi, Rashid Sulejmani, Berzat Shabani dhe Mustafa Shahini. Vrasja u bë pse kishin simpathi për Shqipërinë dhe diku i patën ndihmue shqiptarve t’ardhun prej Dibre.
Vrasësit kanë qenë: Deso Simillovi prej Debreshi dhe tash në Shkup, Mate Gjore prej Debreshi i vdekun, Drage Llazari prej Debreshi, Marko Duke prej Debreshi, Simon Grujo prej këtu dhe Boshko Novak të gjithë prej Debreshi dhe gjall.
Të vramit janë varros disa në xhaminë e katundit dhe të tjerët në varrezat e katundit pse patëm kohë me i varros. Serbët gjat qëndrimit tyne janë sjell shumë keq kundrejt nesh dhe sidomos vendasit, mjaftonte qi nuk i përmbushnje nji dëshir për të dërgue në botën tjetër, kështu për shembull, Nezir Sulejmani dhe Rustem Mustafa kanë vdek prej rahjes pse këta nuk i gjetën kryeplakun.
Katundi Vrapçisht
Në këtë katund nuk ka pas ndo një të vramë në pushkatim vetëm iu janë bërë torturime me qëllim marrje t’hollash dhe me t’u dhanë mërzitje për të u shpërngulun. Prej të torturuarve janë: Hamzë Ahmeti, Haxhi Ahmeti, Jonus Mehmeti, Hamit Elmazi, Jusuf Halili, Yzeir Xhemaili. Të naltpërmendunit janë torturuar më 1912 dhe prej rahjes kanë vdek. Në vitin 1915 kanë vdek prej rahjes: Ejup Emini, Ali Jahja, Ahmet Vranka, Havzi Agushi, Ali Zylbehari. Në vitin 1921 prej rahjes kanë vdekur: Ramadan Halimi, Ejup Emini, Gafur Jakupi. Më 1933 Sali Yzeir Qelemaninga (prej Novosele të Vrapçishtit) i rahun dhe vdekun, dhe më 1936 Fejzullah Mehmeti në të njëjtat mënyra.
Të gjithë këto torturime janë ba prej personave qi poshtë vijojnë: Jovan Trajani, Cene Stefani, Gligor Vasili nga Vrapçishti, Stojan Cocoli, nga Gallata, Manoil Krste, Trpe Fote, nga Vrapçishti.
Katundi Dobridoll
Kur erdhën Serbët më 1912 dëshironin të vinin dhe në katundin t’onë, na i kundërshtuam dhe ju kemi dal në rrugë, atëherë hynë me anën e forcës në Dobridoll duke kap disa prej paris dhe i vranë prej të cilve: Asllan Baftija, Abdi Jusufi, Aqif Bakija, Qamil Pajaziti dhe Rakip Pajaziti të cilët janë pushkatur në katund. Veç ktyne krimeve kërkonin të digjnin dhe katundin por mas nji pagese prej 300 lirash flori nuk e dogjën.
Ata qi bënin këto krime ishin vendasit prej të cilve: Mihaili nga Pozharani, Ristua nga katundi Turçan dhe Bogdan Mihaili nga Banica.
Katundi Kalisht
Sikurse në katundet e tjerë gjithashtu edhe këtu erdhën Serbët më 1913 të cilët nuk munguan të bëjnë barbarizma pse na i ndihmonim çështjes shqiptare kur erdhi ushtria Shqiptare prej Dibre. Me të hyrë në katund Serbët mblodhën të gjithë burrat dhe masi i futën në shkollën e katundit, prej këtu gjoja sikur do t’i çonin në komunën e Pozharanit i vranë rrugës me pushkë dhe disa duke i therrun; prej tyne ishin këta: Mehmet Rustemi, Baki Lutfiu, Mehmet Bilali, Lazëm Mahmuti, Sherif Muslija, Shuaip Xhemali, Islam Limani, Etem Rushiti, Rushit Etemi, Demir Jusufi, Bexhet Mustafa, Mustaf Islami, Mehmet Tahiri, Kadri Hysenji, Rexhep Xhemaili, Osman Zejneli, Jakup Rahmani, Kamber Jonuzi, Adem Latifi, Mehdi Bekteshi, Jusuf Maliki, Xhabir Ajrullai, Shaban Fehrati, Emin Hasani, Zyraf Hasani, Xhemail Shemsia, Xhafer Shaqiri, Nebi Rexhepi, Nezir Mustafa, Kamber Ramadani, Seadin Abdullai, Ysman Ahmeti, Zaim Sinani, Rakip Sinani, Shuaip Mustafa, Murtezan Rexhepi, Rahim Ahmeti, Berzat Bajrami, Ibish Alija, Halim Rustemi, Mesin Myftari, Beqir Myftari dhe Atixhe Mema. Gjithsejt 43 vetë.
Pas këtyne masakrimeve plaçkitën dhe krejt katundin. Njerzit e ktyne krimeve janë po ata të Dobridollit.
Katundi Çegran
Më 1913 me ardhjen e Shqiptarve prej Dibre për të marr Shkupin dhe përzën Serbinë prej ktyre viseve, katundi i ynë mori pjesë duke i ndihmuar shqiptarve, masi ushtrija shqiptare u thye afër katundit Zdunjë, komitat e Serbve erdhën në katundin t’onë duke marrë nji sasi burrash të cilët i muarën prej katundi dhe i çuan në shkollën e katundit Çajle. Natën, prej Shkolle, i tërhoqën dhe me pretendim se do t’i dërgonin në Gostivar, rrugës i vranë duke i hedhun në lumin Vardar. Prej burrave ishin: Bilal Fasliu, Jusuf Murati, Akik Hasani, Çerkes Ferhati, Mehmet Aliti, Bajram Iljasi, Çela Durmishi, Elmas Fetahu, Aziz Bakiu, Jusuf Shasivari, Milahim Shaqiri, Fejzullah Neziri, Ajet Sulejmani, Bajram Xheladini, Osman Hajdari, Selman Limani, Yzair Selimi, Rifat Selimi, Azir Ramadani, Ysenj Saliu, Kasëm Aliti, Rakip Limani, Sadik Muharremi, Rahman Zendeli, Idriz Latifi, Beqir Ysmani, Shuaip Zeqiri edhe Hasan Azizi.
Këto krime u vunë në veprim prej: komandantit të çetës së Riste Turçanit dhe Sekretarit Nënprefekturës Llaze….të cilët që të dy gjenden në Serbi.
Katundi Qafë
Ditën që shkuan në katundin Serbinovë dhe gjetkë, nuk munguan të vijnë dhe në katundin t’onë – thot Mustafa Hysenji 83 vjeç i cili vet i ka shtie nër gropa të vramit e shumtë. Në të mbritun filluan të mblidhnin njerzin dhe pa pik mëshire i vrisnin, si burrat gjithashtu dhe fëmijt e vegjël. Prej burrave të vram ishin:
Murat Sedini bashkë me tre djemë dhe nji vajzë si dhe shoqia e tij, Jonus Sedini bashkë me të shoqen, 1 djal dhe 2 vajza; Zejnel Alili edhe e shoqia, Mehmet Alili me të shoqen, 3 djemë dhe 1 vajzë; Alim Rahmani me të shoqen, 3 djemë dhe 1 vajzë; Riza Rahmani me të shoqen dhe dy (2) djemë; Ajdin Sedini me të shoqen, 2 djemë dhe 1 vajzë; Selman Bilalli me të shoqen dhe dy (2) vajza; Murat Bilalli me të shoqen dhe 2 vajza; Liman Ramadani bashkë me të shoqen dhe 1 vajzë; Kamber Sedini bashkë me të shoqen; Idriz Sedini bashkë me të shoqen, 1 djal dhe 2 vajza; Mazllam Saliu bashkë me të shoqen 2 djemë dhe 2 vajza dhe SULLTANA e bija e tij e cila ka treguar një heroizëm të jashtëzakonëshme dhe të denjë për gjakun e racës Shqiptare pse ndërsa po i çonin babën për ta vram, ajo rroki gërshanët dhe doli jashtë duke goditun me to nipin e kryetarit të çetnikëve Stojanin si dhe dy të tjerë qi u çuan në shpëtim të të parit, atëherë u vra edhe kjo prej nji të katërti.
Në kujtimin e kësajë vajze, qi ka ngel kurdoherë në gojën e popullit të ktij rrethi si një heroinë, kanë qitë një këngë:
Tanë komitat janë trumbue,
Drejt në Qafë na kanë shkue
Dhe tanë Qafën e rrethuen
Gjith burrnin e kanë trumbue
Në burg të Mazllamit i kanë çue
Kjo Sulltana dul në dollap
Dhe shumë durt po na i shplas
Ç’asht moj Nanë, ky gjak i zi
Vrasin Burra vrasin Grani;
Zduhet Roja pa burrni
Qysh u ba me ket Shqipni
Kjo Sulltana ra në çardak
Kto gërshana i ndodhën ngjat
Mur gërshanat dhe i shtiu në gji
Kjo Sulltana duel në krye të shkallve
Gajret Bab, mos u lith i gjall
Se nuk ta la gjakun pa ta marr;
Gajret moj bi, mos u frik
Se do të shkojmë shait.
Ky Mazllami i biri i Asllanit
Ia shkieu gojën ktij kapedanit;
Moj Sulltane e bija e Mazllamit
Mir ja bane atij Stojanit
Ky Zendeli nji burr i gjat
Njizet vet i shpëtoj në flakë
Ikni shok, të bjen n’at prue
Na sot marrue na ka nji grue
NE KJO QAFË? QAFË ME EMËN
SHKOJ TRIMNIJA DERI NË FEMËN.
Këto masakrime janë ba prej kryetarit të çetnikëve Mihail Brodi dhe prej njerzve qi kanë krye po këto krime në katundin Simnicë.
Katundi Llakavicë
Më 1913 në këtë katund janë ba këto vrasje prej të njejtve persona të katundeve të nalt-përmendun: Islam Dervishi, Tefik Islami, Xhafer Zenko dhe Islam Fetai.
Katundi Duf
Në katundin e Anastas Pandelit më 1913 janë ba këto vrasje: Nezir Selimi dhe Jonus Xhaferi; të vramë si shqiptar duke shkuar rrugës. Më 1921 asht vra prej xhandarve Serb të Gostivarit, me urdhën qeveritar, Antim Mateji pse me ndjenja shqiptare dhe propagandist i zjart i çështjes shqiptare, shkonte dhe vinte shpesh-herë në Shqipni duke prur edhe libra”.