loader image
December 12, 2024

Në fillim është (vetë)mohimi

“Asnji njeri nuk mundet me thanë se çfarë ai është. Por, nganjiherë, mundet me thanë se çfarë nuk është.” (Camus)
“E kemi ma të lehtë me thanë se çfarë nuk është vepër arti sesa çfarë është.” (Croce)

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Për me arritë nji pohim të qenësishëm dhe me e pranu atë, fillimisht duhet me kalu me vendosmëri kah (vetë)mohimi.

Dy thaniet në krye, nga dy autorë të ndryshëm, rrjedhin nga i njajti parim. Mund të gjejmë edhe shumë të tjera nga autorë të ndryshëm, të formuluara ndryshe në rrethana dhe kontekste të ndryshme, por që ruajnë dhe përcjellin të njajtin thelb, të njajtin botëkuptim.

Kjo na kujton shehadetin në rastin e Islamit, themelin e doktrinës islame. Me e përkthy shkoqur, shehadeti nënkupton me dëshmu me zemër e me gojë se “nuk ka zot, përveç Allahut”. Përkthehet edhe “nuk ka të adhuruar me të drejtë, përveç Allahut”. Pra, fillimisht kemi mohimin dhe, aty për aty, edhe pohimin.

Edhe në natyrë, konkretisht në rastin e arës, ku fillimisht duhet me e mohu përmes lëvrimit, mandej vjen mbjellja si pohimi i saj, si shenjë e vazhdimësisë së jetës, e sigurisë së konakut.

Po ashtu, edhe në ndërtimtari, në kryeherë është gërmimi dhe pastrimi i themeleve, pastaj vjen pohimi nëpërmjet nji ndërtese të caktuar.

Çdo profesion, zeje, zanat a drejtim që mundet me ndjekë njeriu nis me vetëmohimin dhe përfundon me vetëpohim.

Shumë e shumë përralla të njohura i kanë qëndrore këto dy gjendje, këto dy faza: nisin me nji sakrificë, me nji aventurë plot vetëmohim dhe mandej vjen përfundimi i mirë.

Gjithashtu, paradhoma e lirisë është çlirimi. Kjo sepse është e pamundur ta (për)jetosh lirinë pa u çliru nga çdo gja që i kundërvihet e asaj, që e kufizon atë. Në thelb, pengesa ma e madhe është egoja, e cila mbjell iluzionin e vullnetit për pushtet si mundësi për me përmbushë dëshirat, e ma pas me u çliru prej tyre. Por, është krejt e kundërta: prej dëshirës në dëshirë oreksi sa vjen e shtohet (pangopësia), ose shuhet plotësisht (tëhuajtja, kriza e përkatësisë) deri në pikën ku ke çdo gja e nuk ke ma interes për asgja.

E thanë ndryshe, nuk mundesh me e njoftë veten pa vu nën kontroll egon. Kjo është qasja e duhur ndaj egos, e jo përpjekja me e asgjësu apo me e adhuru.

“Zoti thotë: ‘Duaje armikun tënd!’ E unë iu binda: fillova me dashtë veten.” (Gibran)

Në krijimtarinë artistike, dihet fort mirë se për me arritë me zbulu vetjaken, burimoren e përveçme, fillimisht duhet me u çliru nga çdo kanon apo recetë ku ajo është burgosë. E kur kjo arrihet, bashkë me të arrihet edhe graviteti artistik që na rrëmben të gjithëve kur na shfaqet.

“Njerëzit janë si tri flutura përballë flakës së qiriut. E para iu avit flakës dhe tha: ‘E njoh dashurinë.’ E dyta e preku lehtë flakën me krahë dhe u gjegj: ‘E di se si mundet me t’djegë zjarri i dashurisë.’ E treta e hodhi veten në zemër të flakës e u vetësakrifiku. Vetëm kjo e fundit e din se ç’është dashuria.” (Rumi)

Kurrë nuk mund t’ia dimë vlerën nji gjaje nëse nuk kalojmë ma përpara nga mungesa e saj, pra nëse ajo nuk na mohohet/privohet për njifarë kohe.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X