loader image
December 12, 2024

Kombi dhe koha

Nëse kohën parapolitike e mendojmë si gjumë, siç thuhej nga rilindësit, atëherë le të ndalemi pak për të menduar se përse u vetëflijuan dëshmorët tanë. Elvisi thotë se “dëshmori shkurton kohën e letargjisë kolektive” (P1: 232). Figura e dëshmorit është më sublimja, sepse ai “fundësinë vetanake e [jep] për një të ardhme anonime” (P1: 241).

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Para-fjalë

Kombet e ndarë kanë filozofi të çështjes kombëtare. Fjalori i gjuhës shqipe jep disa kuptime të ndërlidhura për fjalën “çështje”: gjendje që kërkon një zgjidhje; temë për të cilën ka diskutime, mosmarrëveshje a dyshime; një qëllim i rëndësishëm për të cilin luftojmë; tërësia e interesave dhe e kërkesave që përkrahim; rrethanë që prek drejtpërdrejt dikë ose që varet dhe përcaktohet nga diçka tjetër. Kështu, sa herë që përmendim çështjen tonë kombëtare, nënkuptojmë se ajo kërkon një zgjidhje të drejtë, por që për të cilën ne shqiptarët kemi diskutime, mosmarrëveshje e dyshime; se, sidoqoftë, për një pjesë prej nesh, çështja kombëtare është një qëllim i rëndësishëm dhe përfaqëson tërësinë e interesave të shqiptarëve dhe të kërkesës së tyre të drejtë për vetëvendosje; se, duam apo nuk duam ne, çështja shqiptare mbetet e hapur dhe se kjo përbën në vetvete një rrethanë që na prek drejtpërdrejt, edhe nëse ne heqim dorë vullnetarisht prej zgjidhjes së saj (ngaqë atë pikësëpari nuk e kemi krijuar ne, por të tjerë dhe, detyrimisht, me të do të merren të tjerë, pavarësisht prej vullnetit tonë).

Sigurisht që ata për të cilët çështja kombëtare është një qëllim i rëndësishëm vijojnë të mendojnë, të përpiqen e të luftojnë për të. Çështja kombëtare e thërret mendimin shqiptar dhe unë do t’i përfshija në një traditë të filozofisë së çështjes shqiptare reflektimet mbi natyrën, elementët dhe zgjidhjen e saj. Kjo traditë zë fill me Veqilharxhin dhe ka si stacione Pashko Vasën, vëllezërit Frashëri, Fan Nolin, Faik Konicën, Branko Merxhanin, Gjergj Fishtën, Mit’hat Frashërin etj., për të ardhur te mendimtarë bashkëkohorë të çështjes shqiptare, si Rexhep Qosja, Abdi Baleta, Ukshin Hoti, Arbën Xhaferi, Hysamedin Feraj etj. Kësaj tradite tashmë i është bashkuar edhe Elvis Hoxha me librat “Parapolitik 1: Fakte” dhe “Parapolitik 2: Akte” (Tiranë, Sh. B. Zenit, 2022). Elvis Hoxha është studiues i filozofisë dhe shkrimet e mbledhura në dy vëllimet “Parapolitik”, qartazi kanë një pikënisje nga disiplina e filozofisë politike. Rëndësisë që ka çështja kombëtare dhe gjendja e shqiptarëve sot i përgjigjet mendimi i një cilësie të lartë.

Edhe pse shumica e shkrimeve janë shkruar me shtysën apo nën urgjencën e një ngjarjeje, secili prej tyre është një ftesë për të ndalur pak dhe për të reflektuar. Madje, ndalesën e reflektimit autori na e kërkon qysh në hyrje të dy librave të tij, kur shkruan se të paktë kanë qenë në krijimtarinë shqipe ata që e kanë kapërcyer rëndesën e konkretes për t’i lënë mundësi atij mendimi afatgjatë që ndërtohet mbi retorikën” (“Parapolitik 1”, faqe 8-9; në vijim referimet shfaqen të shkurtuar, si p.sh. P1: 8-9). Nëpër faqet e dy librave autori parapëlqen gjithnjë retorikën ndaj analizës, duke na vënë në dukje se analiza është e nevojshme, mirëpo pa retorikën duket sikur analiza e largon reflektimin prej ngjarjes; ndërkaq kur analiza gërshetohet me retorika, atëherë teksti të përfshin shpirtërisht, të bën partizan, pra të bind e të fuqizon në mbështetje të një çështjeje. Për Elvisin shkrimi e leximi janë të pandashëm nga aktivizmi publik, prandaj dhe theksi i tij mbi nevojën e retorikës, si për të thënë se në kohën tonë, në të cilën tregu, privatizimi si zgjidhje e çdo problemi publik, teknologjia dhe teknokracia, demokracia e reduktuar te përfaqësimi dhe spektakli i banales po ushqejnë në çdo anë neutralizimet, secilit nga prej nesh i bie barra të bëhet partizan, me fjalë të tjera, të sillet politikisht.

Akuza në fjalën-titull

Titulli “Parapolitik”, zgjedhja e një epiteti kur zakonisht titujt përbëhen nga emra, më tingëllon si akuzë (edhe pse në titull mungon pikëçuditja). Ne mund të mendojmë emrin – vetja, shkolla, shoqëria, media, kultura, populli, historia, madje vetë republika e kombi – secili dhe të gjithë akuzohen me epitetin parapolitik. Jetojmë, pra, në një kohë parapolitike. Mbi faktet e parapolitikës shqiptare që mbizotërojnë në vëllimin e parë, mbështeten edhe aktet e të filozofuarit të autorit që mbizotërojnë në vëllimin e dytë. Që me fillimet e filozofisë, politika ka nënkuptuar daljen e qytetarëve në sheshin qendror (agora) të qytetit (polis) dhe të deklarimit të secilit prej tyre për ose kundër një vendimi. Kur politikën e bën princi, kryeministri apo presidenti dhe ai e bën fshehtas prej publikut kemi të bëjmë me parapolitikë. Si në rastin e planit sekret të Thaçit për ndarjen e Kosovës. Si në rastin e mesazheve telefonike të emisarit Grenell që shkaktuan rënien e qeverisë së Kosovës. Si me prishjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë gjatë natës se fundit të ndalim-qarkullimit për shkak të pandemisë.

Për një popull, politika fillon kur ai deklarohet para botës se ekziston dhe se kërkon të ketë shtetin e vet sovran, përkrah shteteve të tjerë sovranë të botës. Mund të jesh i hedhur në botë si etni, por je anonim në rrafshin e politikës së kombeve e shteteve kombëtare, prandaj Elvisi shkruan se fqinjët tanë historikisht “na e falin autoktoninë, nëse e pranojmë anonimitetin. Për ta ne duhet të jemi një ekzistencë sekrete”. (P1: 19). Nëse shteti kombëtar është trajta e dukjes në botë, një popull i ndarë në disa shtete, por që nuk bën përpjekje për t’u bashkuar, që është i mësuar me faktin e ndarjes si të jetë një fakt i natyrës, është një popull parapolitik. Dhe një popull që ndarjen e ka pranuar, pëson të tjera ndarje. Ekziston Republika e Kosovës, por Serbia kërkon t’ia marrë pjesën veriore (ndërkohë që i fshin shqiptarët e Luginës nga regjistrat e gjendjes civile), ekziston Republika e Shqipërisë, por Greqia po ia merr territorin detar dhe po synon t’ia marrë edhe territorin tokësor jugor (ndërkohë që mohon gjenocidin në Çamëri). Po kështu, ekzistojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sikurse ekzistojnë individë shqiptarë në Kuvendin, qeverinë e institucionet e këtij shteti, mirëpo emërtimi, simbolika, përfaqësimi ndërkombëtar e, madje, funksionimi real i shtetit e fsheh sa mundet ekzistencën shqiptare, deri edhe guxon që t’i paraqesë shqiptarët si ardhacakë në librat shkollorë të historisë. Prandaj edhe Elvisi shkruan se “nëse në ndonjë shtet, tradhtia e interesave të kombit del fitimprurëse dhe mbrojtja e atdheut dështim i personit që e mbron, atëherë komb-shteti në fjalë është në gjendje parapolitike. Një komb është i shtetuar politikisht kur patrioti fiton!” (P1: 24).

Parapolitik me veten

Elvis Hoxha akuzon se jemi parapolitikë me veten. Nëse “politika është emri i maksimalizimit të ekzistencës dhe përfaqësimit” (P1: 32), apo “shprehja maksimale e një kolektiviteti në gjuhën e përbashkët” (P1: 44), atëherë të qenit parapolitik do të thotë të mos kesh ndjesi përkatësie kundrejt ndonjë populli dhe të jesh i paaftë për të ndërtuar shoqëri e shtet që përfaqëson siç duhet ekzistencën kolektive. Pjesa më e madhe e historisë sonë shtetërore e ka tradhtuar qenien kombëtare. Gjatë sistemit komunist, kur pretendohej se kishim një shtet të fortë, ata që e pësuan më shumë prej tij ishin vetë shqiptarët dhe aspak armiqtë e shqiptarëve. Megjithatë, pjesa e pushtuar e kombit e dinte se liria ndërtohet me shtet dhe u përpoq me paqe e me luftë për ta krijuar shtetin e shqiptarëve. Mirëpo shteti në vetvete është një mekanizëm i stërmadh për të përqendruar e përdorur burimet e një territori dhe energjitë e një popullate. Se për çfarë dhe si përdoren burimet dhe energjitë varet në një masë të madhe nga vullneti i pushtetit dhe, në një sistem politik demokratik, nga vullneti i qytetarëve që e ndërton pushtetin. Vullneti i të qeverisurve dhe qeveritarëve formohet nga ndërgjegjja historike kombëtar; kur kjo e fundit është e dobët, ekziston rreziku që shteti të reduktohet në pushtet dhe demokracia në garë për privatizimin e pushtetit dhe të shtetit. Prandaj Elvisi shkruan se ne shqiptarët e njohim makiavelizmin, por jo Makiavelin (P2: 77-82), një nga klasikët e mendimit politik perëndimor, i cili në shek. XVI e nxiste dhe e mësonte princin se si ta bashkonte Italinë e ta shpëtonte kësisoj nga barbaritë e të huajve. Normalitet na duket një politikë që ka përjashtuar qëllimet madhore dhe ka mbetur vetëm metodë, manovrim, dinakëri e politikanëve dhe e diplomatëve të huaj.

E kemi sublimuar pushtetin dhe e shohim si spektakël (P2: 78), analistët tanë në emisione televizive debatojnë se kur do të dorëzohet Albin Kurti para trysnisë ndërkombëtare ose se në krye të SPAK-ut do të zgjidhet njeriu i Ramës apo i ambasadores amerikane e ndërkohë mësojmë se atje larg në Hagë, një “gjykatë speciale”, në emër të popullit të Kosovës, ka dënuar me burgim për krime lufte një çlirimtar të po atij populli! Me ta mësuar këtë me të drejtë tronditemi, ndjehemi se dinjiteti ynë si shqiptar na është dhunuar edhe njëherë nga të huajt, që kapen pas teknikaliteteve të dyshimta juridike dhe nuk arrijnë ta shquajnë moralin e luftës çlirimtare. Mirëpo, ne vetë nuk e kemi mirëmbajtur dinjitetin tonë në liri, sepse në liri “erdhi një kohë kur duhet ta mbrojmë ushtrinë që na mbrojti, ushtrinë që na çliroi” (P1: 246). Mirëpo, një shumicë parlamentare e përbërë edhe nga ish-ushtarë, votoi që t’ia dorëzonte moralin e luftës një gjykate të huaj të përbërë nga “teknikë” të ligjit. Korrupsioni na paraqitet, si nga jashtë, si nga brenda, si një e keqe e madhe dhe Elvisi, në linjën e vet të arsyetimit na kujton se “korrupsioni është gjendja parapolitike e njeriut. Ai është privatizim i sovranitetit, publikes dhe luftës.” (P1: 256). Lufta privatizohet kur ish-luftëtari e sheh kontributin e vet në luftë si kapital vetjak, që e përdor për të marrë nderimin, mirënjohjen, pensionin e votat, por që me t’u bërë deputet voton për të dorëzuar te një gjykatë e huaj, ekstraterritoriale, luftën çlirimtare, bashkëluftëtarët dhe, në fund, edhe veten e tij.

Elvisi na thotë se “një shoqëri parapolitike e sheh ekzistencën e vet si tradhti nga e cila bota duhet lehtësuar. Ne jemi të parët që marrim pjesë në zhdukjen tonë” (P1: 26). Koha parapolitike është kohë e rrënimeve. Nën emrat e ekonomisë së tregut dhe zhvillimit, ne në Shqipëri shkatërrojmë publiken për interesa private: zhdukim Teatrin Kombëtar që të bëjmë vend për kulla, shumëfishojmë diploma të çdo lloji duke e vrarë universitetin dhe vetë idenë e universales. Tërmeti na nxjerr zbuluar cilësinë e shtetit: pallatet janë me leje shtetërore, por jashtë standardeve të vendosur nga shteti, në gërmadhat e pallateve e shtëpive të shembura punohet me duar për të nxjerrë të plagosurit dhe viktimat, pa qentë e shpëtimit dhe pa mjete të mekanizuara (në buxhet figuron zëri i ushqimit të qenve të shpëtimit, por atë e kanë ngrënë njerëzit). Nuk na zë turpi dhe nuk nxjerrim mësim nga vdekjet, sepse rivotojmë të njëjtët pushtetarë që vijojnë rrënimin. Tani po prishin një nga portet më të vjetër në Mesdhe, ndoshta pjesën më strategjike të Shqipërisë, që e kanë lakmuar përherë pushtuesit, që mbi tokën publike të ndërtohen pallate të tjerë (në qytetin më të dëmtuar nga tërmeti) dhe te moli një port jahtesh për pasanikë (në një nga shtetet më të varfra të kontinentit). Ndërkohë që nuk ka filluar ndërtimi i portit të ri të mallrave, në hapësirën e portit ekzistues investitori ka filluar shitjen e apartamenteve luksoze që ekzistojnë vetëm në letër. Me pezmatim e dëshpërim, Elvisi shkruan se “ky ndoshta është i vetmi vend në botë ku duhet të urosh të zhduket shteti që të shpëtojë atdheu!” (P2: 148).

Ndërkohë që shtohen apartamentet, banuesit pakësohen dhe është ironike se, ndërsa ankohemi se nuk kemi ende institucione që të garantojnë demokracinë, “demokracisë” sonë shumë shpejt do t’i mungojë vetë demosi. Mund të vijnë njerëz të rinj që interesi apo fati do t’i sjellë në këto troje, por populli do të jetë i pakët, sepse ai nuk është vetëm grumbulli i njerëzve në një vend, por është një kolektiv që ndër breza të panumërt ka vijimësi jetësh, kujtimesh, heronjsh, vuajtjesh e brengash në dheun e vet. Kur nuk punohet për ta mirëmbajtur lidhjen me dheun, kur nuk shumëfishohet dinjiteti e mirëqenia për të gjithë, por nëpërkëmbja e shumicës dhe e idesë së kombit, kur “aktet e lartë të trimërisë, dëshmitë e mëdha të dhunës e përdhunës, të zhdukurit tanë… janë shndërruar në aksident të historisë dhe nuk janë më domosdoshmëri e së ardhmes” (P2: 154), atëherë atdheun nuk e shohim më si dheun e bijve tanë. I liruar nga pesha e historisë, “shqiptari lind pa gravitet, ndaj fluturon drejt një dheu tjetër” (P2: 154). Tkurrja që po na ndodh është totale: demografike, ekonomike, historike, kulturore, arsimore etj. Tkurrje e shpresës dhe e vullnetit. Elvisi konstaton se “Shqipëria e sotme, në të gjitha format e saj është ajo çka mbetet. Siç duket, çdo brez shqiptarësh do të jetë punëtor e dëshmitar i një Shqipërie gjithnjë e më të vogël, çdo brez do të jetë bartës i një shprese gjithnjë e më të pakët” (P2: 155-156).

Parapolitik me botën

Një nga frazat e Elvisit që e kam pëlqyer qëkurse e kam lexuar herën e parë është kjo: “Një botë pa atdheun nuk është botë, një atdhe pa botën nuk është atdhe… sado i vogël atdheu, ai është vendi ku mësohet dashuria për botën” (P1: 27). Ky raport dialektik i yni me botën do të ishte i drejtpeshuar nëse do ta kishim të papërkulur bindjen se ne marrim pjesë në botë si komb i veçantë, por se komb (modern) e shtet kombëtar do të thotë të synosh që arritjet më të mira të botës t’i synosh edhe në vendin tënd, pra ta sjellësh botën në atdhe. Mjafton të lexojmë pjesë e tretë të manifestit të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” për ta kuptuar se si mendimi shqiptar i ka paraprirë shtetit, por se si shteti e ka tradhtuar mendimin rilindës. Kur nuk kishim shtetin ishim të pavënë re në botë (Shqipëria si nocion gjeografik, sipas një thënie që i vishet Bismarkut), por kur kishim shtetin totalitar ishim të shkëputur prej botës (e cila e shpërfillte “fanarin ndriçues”).

Koha jonë karakterizohet nga (1) shpërthimi i kërkesave të kombeve për vetëvendosje e vetëqeverisje dhe (2) integrimi euro-atlantik i shteteve të kontinentit. Janë dy procese politike të ndërvarur, por me logjikën e vet. Kështu, Gjermania Lindore u integrua në BE dhe NATO përmes bashkimit kombëtar me Gjermaninë Perëndimore; çekët, sllovakët, sllovenët, kroatët më parë u ndanë nga federatat për të integruar shtetet e veta në BE e NATO. Pra, përvoja europiane (Irlanda, Skocia Katalonia) na tregon se çështjet kombëtare mund të zbuten nga mirëqenia ekonomike, demokracia dhe integrimi e sigurimi europian, por nuk shuhen si çështje, sepse ato burojnë nga raportet midis kombeve. Madje, proceset e integrimeve euro-atlantike mund të acarojnë raportet midis kombeve e shteteve, si në rastin e agresioneve të Rusisë ndaj Gjeorgjisë e Ukrainës apo kushtëzimeve të Greqisë e Bullgarisë ndaj kandidimit të Maqedonisë së Veriut. Çështjet kombëtare gjejnë zgjidhje me anë institucioneve klasike që u përgjigjen raporteve midis kombeve – shteti kombëtar, autonomia, federalizmi – jo vetëm me integrime në BE dhe as me mballoma sui generis si shteti shumetnik për një popullatë kombëtarisht pothuajse homogjene. Paralel me procesin e integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit, çështja shqiptare ka zgjidhje afatgjata bashkimin e Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, federalizimin e Maqedonisë së Veriut, shkallë të vetë-qeverisjes së shqiptarëve në Malin e Zi e Serbi dhe kthimin në trojet e veta në Greqi të pasardhësve të çamëve të përzënë etj.

Mbizotërimi në politikën institucionale të shqiptarëve i ideve se “integrimi europian është aspiratë shekullore e shqiptarëve” dhe se “bashkimi i kombit do të bëhet në Bruksel”, tregon se nuk e kemi kuptuar se ç’është integrimi europian. Elvisi shkruan: “Shqiptari na e dashka Europën vetëm për të realizuar veten! Ndërkohë askush në Europë nuk e deshi Europën për të realizuar veten, por një bashkim të një lloji tjetër… Ai bashkim [europian] që përfaqësimi ynë politik e deklaron të natyrshëm, është historikisht më i panatyrshmi (P1: 60; kursivi ynë). BE-ja lindi si përpjekje për të mbyllur apo kapërcyer historinë e ndarjeve e luftërave europiane, ndërsa përfaqësuesit tanë politikë flasin për aspiratën tonë historike për integrim me Europën! Po të ishin të sinqertë do të përpiqeshin edhe për integrimin brendashqiptar, sepse bashkimi i vetes së ndarë është i natyrshëm dhe i domosdoshëm për bashkime me të tjerët.

Kur integrimi europian masivisht kuptohet e lakmohet si liri për të emigruar apo shëtitur në shtetet perëndimore, atëherë shqiptari përballë Europës është parapolitik, sepse, siç shkruan Elvisi, “politik do të thotë të jesh për integrim, të qëndrosh në atë vend ku ke lindur dhe ta sjellësh botën aty. Përgjithësisht, e sidomos ne të Shqipërisë londineze, në ditët e sotme, preferojmë të ikim drejt Europës, meqë standardet e saj nuk i sjellim dot këtu” (P1: 256). Në këtë mënyrë, vijmë sërish te tkurrja e atdheut, sepse  individi shqiptar “integrohet” më shpejt me Europën përmes figurës së mërgimtarit: “Udha e shqiptarit drejt integrimeve nuk është kolektive por individuale, nuk është publike por private, nuk është subjektive por objektive, pra degdisëse” (P1: 37).

Një tjetër shprehje interesante e Elvisit është: “Formula e vetme ku shqiptarët kanë integruar botën është lufta e UÇK-së për liri dhe vetëvendosje” (P1: 256). Me sakrificën për liri, shqiptarët fituan simpatinë e botës, intelektualët e opinioni publik perëndimor e detyruan NATO-n të ndërhynte dhe, më vonë, diplomacia perëndimore u detyrua të kapërcejë skemat e veta (Komisioni Badinter), për të bërë vend për një shtet të ri në Ballkan. Mirëpo, nuk arritëm ta mbajmë vëmendjen e Perëndimit sa duhet në krahun tonë. Elvisi shkruan se “kemi prodhuar shumë më tepër argument për ndërkombëtarët gjatë ngutit të luftës se sa gjatë rehatisë së paqes… [dhe kështu] u bë e mundshme që të kalohet gradualisht nga një gjykatë penale për krimet në ish-Jugosllavi në dhoma speciale për udhëheqës të UÇK-së” (P1: 169-170). Ndoshta edhe gjatë ngutit të luftës nuk prodhuam sa duhet argument, por ishte Serbia ajo që prodhoi me shumicë vdekje sa për ta bindur Perëndimin të linte mënjanë atë që i detyrohej Serbisë e Jugosllavisë (aleanca në Luftën e Madhe, neutraliteti i Jugosllavisë gjatë Luftës së Ftohtë) dhe të ndihmonte viktimën.

Në gjeopolitikën e tanishme, Serbia është peng i Rusisë, Shqipëria është anëtare e NATO-s, por së brendshmi është e gërryer nga krimi e korrupsioni. Kosova ka ekipin më të mirë përfaqësues (presidencë-kuvend-qeveri) që shqiptarët kanë pasur ndonjëherë në dekadat e fundit, por nuk duhet harruar se para gjykatës speciale ndodhen të akuzuar për krime një ish-president dhe një ish-kryeparlamentar i Kosovës. Shqiptarëve u duhet në krah një Perëndim i unifikuar dhe i qartësuar, jo vetëm në raportet e tij me Rusinë, por edhe në raport me “Rusinë e vogël” në Ballkan.

Dëshmori kundër kohës

Kur do të mbarojë koha parapolitike dhe si do të vijë koha politike? Koha është gjithnjë politike, varet nga ne sa arrijmë të ecim sipas kohës. Dhe, në kohën tonë, duke u kufizuar në Kontinentin e Europës, kemi integrime të shteteve rreth një projekti, kemi shtete që vendosin të ecin vetëm (Brexit), kombe që kërkojnë pavarësi në mënyrë paqësore (Katalonia), kombe që po luftojnë kundër pushtuesit, kemi kozmopolitë por edhe populistë sovranistë, kemi lëvizje të lirë por dhe tela me gjemba e mure që mbajnë jashtë refugjatët etj. Historia nuk pritet të përfundojë, prandaj Elvisi shkruan se “e ardhmja nuk është abstrakte, sepse është e ardhme kombesh dhe shtetesh. Ne nuk po shkojmë drejt një bote të çinteresuar” (P1: 177). Na duhet të kthehemi e të veprojmë sipas traditës sonë më të mirë politike, që do të thotë se duhet kultivuar “besimi për vazhdimësinë e një populli rreth të njëjtit projekt. Vetëm në këtë formë ky popull mund të kthehet në popull politik” (P1: 49).

Nëse kohën parapolitike e mendojmë si gjumë, siç thuhej nga rilindësit, atëherë le të ndalemi pak për të menduar se përse u vetëflijuan dëshmorët tanë. Elvisi thotë se “dëshmori shkurton kohën e letargjisë kolektive” (P1: 232). Figura e dëshmorit është më sublimja, sepse ai “fundësinë vetanake e [jep] për një të ardhme anonime” (P1: 241). Fakti që historikisht kemi pasur shumë dëshmorë, do të thotë se kemi pasur pak popull, apo një pakicë politike të rrethuar nga anonimati. Dëshmori e dhuron kohën e vet për të një ardhme të papërveçme, në të cilën do të jetojnë dhe ata që ndoshta do ta harrojnë dëshmorin, duke rritur kështu gjasat që të nevojiten dëshmorë të tjerë. Për analogji, përpjekja kombëtare është përsëritje e pareshtur e një basti kundër kohës: mundi e ndoshta mundja jonë e tanishme do të na nxjerrë prapëseprapë të fituar nëse kombi do të jetë në të ardhmen. Detyra jonë është përpjekja për liri dhe vetëvendosje. Siç thotë edhe Elvisi, “janë të lirë të gjithë shqiptarët t’i shpëtojnë kësaj detyre. Ndoshta kombi do të rrudhet, por do të mbetet. Dhe për sa që kombi mbetet, mbetet e gjallë detyra historike dhe mundësia e saj rilindase” (P1: 256). Këto fjalë Elvisi i ka shkruar për herë të parë në vitin 2016. Njëqind e shtatëdhjetë vite më parë, në vitin 1846, pararendësi intelektual i Rilindjes sonë Kombëtare, Naum Veqilharxhi, i shkruante të nipit se “kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njëri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë dhe ky [kombi shqiptar]…. Cili komb mbiu menjëherë i madh, i fortë, i ditur, i lavdishëm?… Pra ‘Meglio tardi che mai’ kështu zbatohet dhe shpjegohet”. Naum dhe Elvis: çështja shqiptare i thërret emrat e përveçëm të shqiptarëve të dikurshëm dhe të tanishëm dhe i bën bashkëkohorë.

(Fjalë e mbajtur me rastin përurimin e librave të Elvis Hoxhës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinë “Hasan Prishtina”, më 20.12.2022.)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X