loader image
October 6, 2024

Origjina e dhunës në Lindjen e Mesme

Pavarësisht propagandës dhe presionit që bëhet, njerëzit duhet të kenë kurajë ta pranojnë që Hamasi nuk është thjesht një organizatë terroriste, pavarësisht se përdor terrorin si instrument dhe Izraeli nuk është një shtet demokratik, pavarësisht se e ndërron pushtetin me zgjedhje. Hamasi, shkruan historiani hebre Ilan Pappe në librin “Dhjetë mite për Izraelin” (së fundi edhe në shqip përkthyer nga Genc Çurgu), reflekton një reagim kompleks të palestinezëve “ndaj realiteteve të ashpra të pushtimit dhe një përgjigje ndaj shtigjeve të çorientuara të ofruara në të kaluarën nga forcat shekullare dhe socialiste palestineze.”

Çelo HOXHA, Tiranë

Më 7 tetor 2023 bota u trondit nga një sulm i Hamasit kundër objektivave izraelite, ushtarake dhe civile brenda territorit të Izraelit. Hamasi është akronimi i Lëvizjes Islamike të Rezistencës (i shkruar me shkonja latine), një organizatë politike dhe ushtarake, e cila prej vitit 2006 e ka pushtetin në Rripin e Gazës, një territor palestinez të pushtuar nga Izraeli.
Reagimi i shtetit të Izraelit ishte i menjëhershëm, ndërsa bilanci ishte tragjik. Bilanci i viktimave, për të dyja palët, deri më 21 nëntor 2023 është si vijon:
• Nga sulmi i Hamasit humbën jetën rreth 1200 persona, mes të cilëve 368 ushtarë izraelitë, 59 policë, 10 agjentë të shërbimit inteligjent “Shin Bet” dhe rreth 5132 të plagosur. Mes këtyre viktimave janë rreth 70 arabë nomadë të vdekur ose të humbur, që jetojnë në Izrael.
• Nga kundërpërgjigja e makinerisë ushtarake e shtetit të Izraelit llogariten se kanë humbur jetën mbi 15 000 persona, mes të cilëve 53 gazetarë (46 palestinezë, 4 izraelitë, 3 libanezë) dhe mbi 100 punonjës të ndihmave të OKB-së. Shumica e viktimave, mbi 14 500, janë palestinezë, ndërsa shumica e viktimave palestineze janë gra dhe fëmijë në Rripin e Gazës.

Mediet ndërkombëtare, kryesisht ato perëndimore, me shumicë në mbështetje të Izraelit, u munduan të ndërtojnë një narrativë të tillë që Hamasi është një organizatë terroriste, e cila vret për shkak të karakterit të saj kriminal dhe duhet zhdukur rrënjësisht, pa marrë në konsideratë dëmet në popullsinë civile palestineze. Nga ana tjetër, të njëjtat media e paraqesin Izraelin si i vetmi shtet demokratik në Lindjen e Mesme, i cili e përdor dhunën ushtarake vetëm për t’u vetëmbrojtur.
Por, realiteti është shumë më ndryshe. Duke gjykuar nga niveli i dhunës që përdorin, Hamasi dhe ushtria izraelite janë njëlloj, me ndryshimin që ushtria izraelite është më e armatosur, me burime më të shumta dhe e aftë të bëjë dëm më të madh.
Pavarësisht propagandës dhe presionit që bëhet, njerëzit duhet të kenë kurajë ta pranojnë që Hamasi nuk është thjesht një organizatë terroriste, pavarësisht se përdor terrorin si instrument dhe Izraeli nuk është një shtet demokratik, pavarësisht se e ndërron pushtetin me zgjedhje. Hamasi, shkruan historiani hebre Ilan Pappe në librin “Dhjetë mite për Izraelin” (së fundi edhe në shqip përkthyer nga Genc Çurgu), reflekton një reagim kompleks të palestinezëve “ndaj realiteteve të ashpra të pushtimit dhe një përgjigje ndaj shtigjeve të çorientuara të ofruara në të kaluarën nga forcat shekullare dhe socialiste palestineze.”
Hamasi është krijuar më 1987, ndërsa terrori në Palestinë (që tani quhet Izrael) është përdorur prej dekadash, nga të dyja palët. Të parët që kanë përdorur terror në Palestinë janë zionistët, gjatë përpjekjeve për krijimin e shtetit të Izraelit. Krijimi i shtetit të Izraelit nuk ishte një sipërmarrje paqësore, ngase shpërngulja e palestinezëve nga atdheu i tyre nuk ishte një largim i vullnetshëm.
Shpërngulja e palestinezëve u bë me një plan që njihet si Plani D (i njohur dhe si Plani Dalet), i hartuar më 1948. Plani D ishte një plan ushtarak zionist në fazën e luftës civile në luftën e Palestinës për pushtimin e territorit në Palestinën e Mandatuar nga OKB-ja, kjo si përgatitje për krijimin e një shteti hebre. Plani synonte të ishte një tekst metodologjik për të vendosur kontrollin zionist mbi Palestinën, për të mbrojtur kufijtë dhe popullsinë e shtetit hebre që do të krijohej, përfshirë popullsinë hebreje jashtë kufijve, në rast të një pushtimi të mundshëm nga ushtritë e rregullta të shteteve të tjera arabe. Plani D parashikonte pushtimin e qyteteve dhe fshatrave arabe brenda kufijve të parashikuar për shtetin e hebrenjve në planin e OKB-së për ndarjen e Palestinës. Në rast se popullsia e fshatrave që pushtoheshin nga hebrenjtë bënte rezistencë, ajo do të shpërngulej jashtë kufijve të shtetit hebre. Nëse nuk bënin rezistencë, banorët e qyteteve dhe fshatrave do mbeteshin në trojet e tyre nën sundim ushtarak. Plani D fliste specifikisht për marrjen nën kontroll të zonave jashtë kufijve të shtetit hebre, ku do që banonin hebrenj palestinezë (që jetonin në Palestinë para krijimit të shtetit hebre).
Mënyra e krijimit të shtetit të Izraelit vazhdon të jetë objekt kundërshtimesh. Disa historianë e mbrojnë idenë që kjo ishte mbrojtje, ndërsa disa e konsiderojnë spastrim etnik, si pjesë e një strategjie të planifikuar.
Në valën e parë të dhunës ndaj palestinezëve (1948), forcat ushtarake izraelite shkatërruan me qindra fshatra palestineze dhe përzunë me dhunë nga territori i tyre rreth 750 mijë palestinezë. Në total, numri i palestinezëve të përzënë nga territori i Palestinës, gjatë 75 viteve, të cilët njihen si refugjatë nga OKB, është 5.9 milionë.
Plani D ishte i katërti në radhë dhe u emërtua sipas shkronjës së katër të alfabetit herbre (Dalet). Plani A u hartua më shkurt 1945 dhe synonte shtypjen e qëndresës së palestinezëve ndaj pushtimit zionist të pjesëve të Palestinës. Plani B u hartua më shtator 1945, në përgjigje të zhvillimeve të reja, dërgimin e çështjes së Palestinës nga Britania në OKB dhe me rritjen e kundërshtimeve të shteteve arabe për planin zionist të ndarjes së saj. Plani C, i hartuar më 1946, synonte rritjen e mobilizimit ushtarak dhe policor zionist.
Izraeli ka shumë mbështetje ndërkombëtare, politike e mediatike, të cilët mundohen të imponojnë interpretime të ndryshme për mënyrën e krijimit të shtetit izraelit, por ajo që u ndodhi palestinezëve e përmbush përkufizimin e spastrimit etnik, i cili thotë se pastrimi etnik është shpërngulja me forcë dhe në mënyrë sistematike e një popullsie të caktuar për arsye etnike, racore, apo fetare, nga një territor i caktuar.
Izraeli e përzuri popullsinë vendase dhe e zëvendësoi atë me hebrenj të ardhur nga gjithë bota. Kryeministri i parë izraelit, David Ben Gurion (1886-1973), përgjegjës për shpërnguljen e popullsisë vendase palestineze, kishte lindur në Plonsk (Poloni), asokohe pjesë e perandorisë ruse; Moshe Sharot (1894-1965), kryeministri dytë (1953-1955), ishte i lindur në Kherson (Ukrainë), asokohe në perandorinë ruse; kryeministri i tretë (1963-1969), Levi Eshkol (1895-1969), ishte lindur në perandorinë ruse (Ukrainë); Golda Meir (1898-1978), kryeministre më 1969-1974, ishte lindur në Kiev (Ukrainë), asokohe pjesë e perandorisë ruse; Menachem Begin (1913-1992), kryeministër (1977-1983), ishte lindur në Brest-Livstok (Bjellorusi), asokohe perandorie ruse; Shimon Peres (1923-2016), kryeministër më 2007-2014, ishte lindur në territor polak, tani pjesë e Bjellorusisë. Shkurt, personat që projektuan dhe zbatuan projektin për shpërnguljen sistematike të palestinezëve nga tokat që i zotëronin prej mijëra vjetësh, vinin kryesisht nga territoret ruse ose ishin pasardhës kolonësh rusë ose nga vende të tjera europiane.
Kryeministria Golda Meier, a ashtuquajtura Nëna e Izraelit, e cila në vitet 1920-të jetonte në Palestinë, pas krijimit të Izraelit jetoi në një shtëpi, pronarët realë të së cilës ishin shpërngulur sepse ishin palestinezë. Familja, së cilës i përkiste shtëpia, është identifikuar, ndonëse zaptimi i shtëpive të palestinezëve nga kolonët zionistë vazhdon ende.
Sipas autorit Ilian Pappe dhe shumë të tjerëve, Izraeli është një entitet pushtues dhe, me këtë qasje, dhuna e përdorur nga Hamasi ose entitete të tjera palestineze merr një kuptim. Dhuna e tyre nuk përdoret si qëllim në vetvete, por si një instrument rezistence. Kjo qasje u mbështet dhe nga Presidenti i Turqisë, Rexhep T. Erdogan, i cili në muajin e kaluar deklaroi se Hamasi nuk është organizatë terroriste, por organizatë rezistence.
Shqiptarët i njohin mirë planet e spastrimit etnik, sepse i kanë përjetuar në jetën e tyre. Fatkeqësisht, serbët kanë përgatitur disa të tilla përgjatë më shumë se një shekulli.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X