loader image
July 27, 2024

Operacionet e përbashkëta komuniste maqedonase-kosovare kundër mërgatës politike shqiptare

Është më se e qartë se bashkëpunimi i organeve partiake dhe ato të shërbimeve sekrete maqedonase-kosovare, gjoja për ta afirmuar kulturën shqiptare tek mërgata, pati për qëllim futjen e elementëve të besuar (informatorëve të tyre) brenda organizatave shqiptare, me çka UDB-ja jugosllave do të kishte një pasqyrë më të qartë dhe më të përafërt rreth veprimtarisë politike e organizative të shqiptarëve që punonin dhe vepronin në shtetet e Europës Perëndimore.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar, çështja e Kosovës, përkatësisht çështja shqiptare nën pushtimin e federatës së atëhershme socialiste jugosllave, mori karakter ndërkombëtar. Duke u mbështetur në burimet relevante arkivore, arrijmë deri te konstatimi se ishin tre faktorë më të rëndësishëm që ndikuan për këtë, si: 1) demonstratat shqiptare të zhvilluara në Kosovë gjatë vitit 1981; 2) vendosja e masave të dhunshme ushtarako-policore në Kosovë menjëherë pas këtyre ngjarjeve, dhe; 3) mërgata shqiptare që vepronte në shtetet e Europës Perëndimore dhe në SHBA. Duhet të vihet në dukje se lufta e ashpër, që filloi në Kosovë në vitin 1981 nga autoritet komuniste të Beogradit e të Prishtinës, u përhap edhe në viset shqiptare jashtë territorit administrativ të Kosovës, si në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi. Në emër, siç thuhej në të gjitha procesverbalet e mbledhjeve të KQ të LKJ-së dhe LKM-së, “vëllazërim bashkimit”, “bashkëjetesës në Kosovë”, si dhe të “shtypjes së nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, organet e sigurimit, qofshin ato federative, republikane ose krahinore, ndërmorën një sërë masash represive kundër shqiptarëve, në përgjithësi, e kundër intelektualëve shqiptarë, në veçanti. Në kuadër të asaj lufte, në Maqedoni u arrestuan dhe u përjashtuan nga puna shumë mësimdhënës e studentë shqiptarë, u mbyllën thuajse të gjitha shkollat e mesme shqipe dhe në vend të tyre u hapën “paralele të përziera”, ku mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Veç kësaj, në RS të Maqedonisë u ndërmorën edhe një sërë masash të tjera represive, si: ndryshimi i toponimeve të vendbanimeve (me këto ndryshime shqiptarët ishin të detyruar t’i përdorin emrat e qyteteve me toponim sllav, si p.sh. në vend se Shkupi – Skopje, në vend se Dibra – Debar, në vend se Kërçova – Kiçevo, në vend se Manastiri – Bitolla etj), rrënimi i mureve të oborreve, dërgimi i vajzave shqiptare në stërvitje ushtarake, ndërrimi i emrave të shkollave shqipe që deri në atë kohë mbanin emra të figurave kombëtare shqiptare etj. Rreth këtyre masave të ndërmarra nga ana e strukturave politike e ekzekutive komuniste maqedonase, një dokument i hartuar në vitin 1987 nga organet e KQ të LKM-së, veç tjerash, vë në dukje se: “…aktivitetet e realizuara paraqesin vazhdimësi, si dhe intensitet ende më të dendur, të aksionit ideopolitik që Lidhja Komuniste e Maqedonisë e ngriti pas ngjarjeve kundërrevolucionare në KSA të Kosovës në vitin 1981, të cilat patën ndikim të drejtpërdrejtë edhe ndaj përforcimit të veprimtarisë nga pozitat e nacionalizmit shqiptar edhe në Maqedoni.”. Sipas dokumentit të sipërpërmendur, për realizimin e detyrave LKM: “…peshën e aktivitetit e fokusoi në vlerësimin e qartë ideopolitik të gjendjes në disa mjedise, si dhe në përgjithësi në republikë edhe atë: deri te identifikimi i qartë i së vërtetës dhe qëllimit të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar; deri te zbulimi i rrënjëve dhe arsyeshmërisë së gjendjes, si dhe në hapjen e proceseve për përmbysjen e mëtejshme të LK-së, forcave të tjera socialiste dhe organeve të tjera shtetërore përkatëse në luftën kundër të gjitha dukurive antisocialiste dhe antivetëqeverisëse, në kuadër të kësaj edhe kundër nacionalizmit shqiptar…”.
Është e rëndësishme të thuhet se antishqiptarizmi maqedonas mori përmasa më të theksuara, menjëherë pas Kongresit IX të LKM-së dhe Kongresit XIII të LKJ-së. Garnitura e re udhëheqëse maqedonase, në krye të së cilës ishin Jakov Llazarevski, Svetomir Shkariq, Millan Pançevski etj., në mesin e tyre edhe disa shqiptarë, si Taip Taipi, Abdylnadi Ademi, Idriz Ramadani, u vunë plotësisht në shërbim të politikës shoviniste të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, në krye të së cilës qëndronte gjakpirësi Sllobodan Millosheviq. Kjo garniturë, që erdhi në krye të KQ të LKM-së, gjatë vitit 1987 ndërmori një sërë masash ideopolitike, kryesisht antishqiptare, me çka situata e përgjithshme politike në viset shqiptare të Maqedonisë skajshmërish u përkeqësua. Për të pasur një pasqyrë më të qartë se si u zhvilluan ngjarjet në atë kohë, është e domosdoshme ta paraqesim në tërësi qëndrimin e Kryesisë së KQ të LKM-së në lidhje me, siç thuhej, “Realizimin e Qëndrimeve të LKJ-së për zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim bashkimin dhe bashkëjetesës në Kosovë”, i cili u aprovua në mbledhjen e 43 të asaj kryesie (qershor 1987), e që pati e këtë përmbajtje:
“Gjatë debatit rreth realizimit të Qëndrimeve të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë për zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, bashkim vëllazërimit dhe të unitetit në Kosovë, e cila u zhvillua në funksion të përgatitjes së mbledhjes së Kryesisë së KQ të LKJ-së dhe të KQ të LKM-së, në mbledhjen e 43-të u tha se tashmë nuk guxon të shtyhet kthesa radikale në zgjidhjen e problemeve të kundërrevolucionit në Kosovë, sepse çdo luhatje e mëtutjeshme, stërzgjatje dhe oportunizëm në LKJ do të sjellë deri te rrezikimi i stabilitetit të RSFJ-së, keqësimi i përgjithshëm i marrëdhënieve shoqërore, politike e ekonomike në vend, humbja e besimit në autoritetin dhe efikasitetin e sistemit dhe të Lidhjes Komuniste në luftën për tejkalimin e vështirësive të tanishme dhe, në përgjithësi, në përkeqësimin e pozitës dhe autoritetit ndërkombëtar të RSFJ-së. Kjo do të krijonte hapësirë për zgjerimin e mëtutjeshëm të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, si dhe për zgjerimin dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndërnacionale e politike në vend, si edhe për internacionalizmin e mëtejshëm të problemit dhe krijimin e kushteve për kalkulime strategjike-ushtarake dhe agresivitet më të madh në pikëpamjen e qëllimeve dhe interesave të blloqeve. Kryesia vuri në dukje se ky është shembulli më i rëndë i problemit të shoqërisë jugosllave dhe se LK-ja pikërisht në zgjidhjen e saj po e jep një ndër provimet më të rënda në historikun e ekzistencës, si dhe të veprimtarisë revolucionare të saj. Zgjidhja e kësaj çështjeje ka domethënie të vetme e të përbashkët jugosllave dhe se patjetër duhet të zgjidhet vetëm nëpërmjet programit komplet e kompleks jugosllav. Me këtë rast, u nënvizua nevoja e diferencimit ideopolitik dhe përgjegjësia e stafit udhëheqës, i cili një kohë më të gjatë ka qenë në funksione të larta në KSA të Kosovës edhe në Federatë dhe pati ndikim vendimmarrës në krijimin e politikës. Si kusht për një kthesë radikale u nënvizua tejkalimi i jounitetit që ekziston në vlerësimin e gjendjes, si dhe në karakterin dhe përmbajtjen e masave dhe aktiviteteve në të gjitha nivelet e organizimit, posaçërisht në relacionin RS e Serbisë – KSA e Kosovës, e deri te KQ i LKJ-së dhe Kryesia e saj. Prandaj, uniteti i domosdoshëm në LKJ për këtë çështje duhet të sigurohet në bazë të qëndrimeve që do t’i miratojë KQ i LKJ-së, nëpërmjet përcaktimeve të argumentuara dhe tërësisht të hapura për opinionin, nëpërmjet respektimit konsekuent të demokracisë centraliste dhe parimit të përgjegjësisë dhe realizimit të domosdoshëm të diferencimit ideopolitik. Janë të papranueshme vlerësimet që apriori dhe në mënyrë të përgjithshme të kualifikohet shtypi si ‘fajtori kujdestar’ për gjendjen në KSA të Kosovës. Njëkohësisht, u vlerësua se shtypi në të shumtën e rasteve në mënyrë të drejtë e paraqet situatën, dukuritë dhe drejtuesit e këtyre dukurive negative në KSA të Kosovës, madje është një hap para sa u përket aksioneve të forcave subjektive. Kjo nuk do të thotë se një pjesë e shtypit nuk ka shkrime të njëanshme, tendencioze dhe sensacionale; Detyrimisht duhet të precizohet dhe të vlerësohet karakteri dhe shkalla e shprehjes së fjalës dhe dukurisë së ‘disponimit antishqiptar’. Nacionalizmi dhe separatizmi shqiptar nuk mund të barazohet me reagimin e arsyeshëm dhe brengosjen e njerëzve për shkak përshkallëzimit të vazhdueshëm të nacionalizmit e separatizmit shqiptar, përzierja në punë të brendshme nga ana e RPS të Shqipërisë për gjoja një disponimi antishqiptar, nga ana e jonë. Gjithashtu, nuk mund të krahasohet nacionalizmi shqiptar si baraspeshë e nacionalizmit tjetër, në rastin konkret politiko-shoqëror, e as që mund të pranohet si alternativë nacionalizmi serb, malazez dhe nacionalizmat e tjerë; Nuk mund të pranohet vlerësimi i shprehur se gjoja moszhvillimi ekonomiko-shoqërorë në KSA të Kosovës ose ngecja e vetëqeverisjes dhe gjendja e përgjithshme jugosllave janë vendimtare ose arsyet kryesore për gjendjen në planin e nacionalizmit dhe separatizmit; Në mënyrë të veçantë u theksua nevoja për tejkalimin urgjent të dukurive negative ende të pranishme nga ana e individëve, grupeve politike e institucioneve të tjera nga Kosova lidhur me kombësinë shqiptare në republikat tjera; Është e patjetërsueshme që në mënyrë konkrete dhe komplekse të përcaktohet politika demografike e popullsisë; Nacionalistët dhe separatistët shqiptarë nga KSA e Kosovës, në bashkëpunim me RPS të Shqipërisë dhe nacionalistët e separatistët shqiptarë në RS të Maqedonisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë përpiqen ta diskualifikojnë aksionin politik të LKM-së dhe forcave subjektive, me qëllim që të fshihet gjendja në Kosovë, ndërsa në anën tjetër të vazhdojë zgjerimi i mëtejshëm i nacionalizmit shqiptar në RS të Maqedonisë; Duhet që në mënyrë efikase të mënjanohen dobësitë e dukshme e të shumta të aktivitetit tonë politik ndërkombëtarë, si në realizimin e marrëdhënieve bilaterale me RPS të Shqipërisë, ashtu edhe në planin më të gjerë ndërkombëtar, në sferën e propagandës politike ndërkombëtare a në mënyrë të veçantë në mesin e punëtorëve të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme jashtë shtetit.”.
Në përputhje me qëndrimet e mësipërme të Kryesisë së KQ të LKM-së, shërbimi sekret komunistë maqedonas, më 15 qershor 1987, i dërgoi një informatë shumë sekrete Kryesisë së sipërpërmendur, në të cilën përshkruhet veprimtaria, siç thuhet në të, “armiqësore e qytetarëve të RS të Maqedonisë, të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme në shtetet e Europës Perëndimore”, Fillimisht, në informatë, ofrohen të dhëna statistikore të banorëve shqiptarë që jetonin dhe vepronin në këto shtete, sipas së cilës: “Mendohet se ka rreth 53 000 qytetarë të kombësisë shqiptare, prej të cilëve 22 000 nga RSM, 26.000 nga KSA e Kosovës, 3.000 nga RS e Serbisë dhe 2.000 nga RS e Malit të Zi”. Sipas saj, numri i anëtarëve të LKJ-së të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme jashtë arrin shifrën “1.563, prej të cilëve 266 janë të LKM-së”, edhe atë: “në RFGJ – 174, në Zvicër – 20, në Austri – 13 etj.”. Më tej, informata e përshkruan veprimtarinë politike dhe organizative të mërgatës shqiptare në shtetet e Europës Perëndimore, ku shprehimisht thuhej: “Në disa shtete të Europës Perëndimore (Zvicra, Suedia dhe RFGJ) problem i veçantë paraqet veprimtaria e emigracionit armiqësor shqiptarë ndaj qytetarëve tanë me punë të përkohshme jashtë kombësisë shqiptare. Pjesa ekstreme e emigracionit shqiptarë, duke e shfrytëzuar mbështetjen e RPS të Shqipërisë dhe të disa organeve shtetërore dhe organizatave politike të shtetit nikoqir, ndërmerr aksione propagandistike (tubime, demonstrata), duke u përpjekur ta internacionalizojë ‘çështjen e Kosovës’ dhe për këtë qëllim të përfitojnë e tërheqin në aktivitete (duke shpërndarë material propagandues etj.) edhe përfaqësuesit e kombësisë shqiptare nga Republika jonë me punë të përkohshme jashtë shtetit… Si metodë të veprimit emigracioni armiqësorë shqiptarë e shfrytëzon marrjen e klubeve të kombësisë shqiptare të qytetarëve tanë jashtë (prej 40 klubeve të kombësisë shqiptare 19 janë nën ndikimin e emigracionit armiqësorë shqiptar)”.
Duhet të vëmë në dukje faktin se me nismën e Prokurës së Kryesisë së KQ të LKJ-së, në vitin 1985 u formua një grup punues në të cilin morën pjesë anëtarët e Prokurës së Kryesisë së KQ të LKJ-së, KQ LKM-së dhe KK LK të Kosovës. Grupi në fjalë hartoi një material me titull “Disa çështje aktuale lidhur me gjendjen politike e të sigurisë dhe vetorganizimi shoqëror në mesin e qytetarëve tanë të kombësisë shqiptare në botën e jashtme”, i cili me 28 janar të vitit 1986 u shqyrtua edhe nga ana e Prokurës së KQ LKM-së, në prani të kryetarëve të prokurave përkatëse të komiteteve komunale të LKM-së në komunat shqiptare. Në mbledhje morën pjesë edhe kryetarja e Prokurës së KK të LK të Kosovës, Kaqushe Jashari, si dhe sekretari Luk Caci. Ndërkohë, në muajin mars të vitit 1986, u hartua “Programi operativ për veprim ndaj qytetarëve të kombësisë shqiptare në RSM me punë të përkohshme në Europën Perëndimore”. Në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKJ-së, mbajtur me 25 maj të vitit 1986, ky dokument u vendos të jetë “Programi i përbashkët operativ për aktivitete politiko shoqërore të subjekteve nga KSA e Kosovës, RS e Maqedonisë, RS e Serbisë dhe RS e Malit të Zi dhe të organeve e organizatave të Federatës ndaj qytetarëve shqiptarë me punë të përkohshme në botën e jashtme.”. Programi ndahej në katër kapituj: Lidhja dhe bashkëpunimi i Prokurës së KQ LKM-së me klubet e mërgatës shqiptare; Veprimtaria informativo-propaganduese; Veprimtaria edukativo-arsimore; dhe Vizitat e shoqërive kulturore-artistike. Në kapitullin e parë, pika dy, thuhej se “gjatë qëndrimit në vendlindje të qytetarëve të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme në botën e jashtme” do të vazhdojë organizimi i mbledhjeve me të gjithë qytetarët, veçmas me anëtarët e LKM-së. Në këto mbledhje, përveç tjerash, rëndësi do t’i jepej “karakterit antijugosllav të aktiviteteve nacionaliste e irredentiste në vend e në botën e jashtme”. Në pjesën hyrëse të kapitullit të dytë kërkohej që, për shkak se një numër i madh i qytetarëve nga RSM-ja me punë të përkohshme në botën e jashtme i përkisnin “kombësisë shqiptare” dhe për shkak të angazhimit të tyre në “veprimtari negative antijugosllave të propagandës armiqësore jugosllave”, të bëhej plotësimi i programit vjetor jugosllav për veprimtari informativo-propaganduese ndaj punëtorëve në botën e jashtme “me përmbajtje të cilat kanë të bëjnë për punëtorët e kombësisë shqiptare”. Kapitulli i tretë parashikonte dërgimin e mësuesve shqiptarë në RS të Gjermanisë, pastaj në Zvicër, Danimarkë, Belgjikë e në shtete të tjera perëndimore, të cilët me punën e tyre të deriatëhershme ishin dëshmuar si njerëz lojalë ndaj ideologjisë komuniste jugosllave e të cilët me aktivitetet e tyre të veçanta “do të pamundësojnë dhe do ta ngushtojnë mundësinë e veprimtarisë armiqësore të emigracionit shqiptar nga pozita e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”. Interes të veçantë paraqet edhe kapitulli i fundit, pika dy, ku thuhet: “Shoqëria kulturore-artistike nga Tetova të udhëtojë për RF të Gjermanisë dhe Zvicër me rastin e 11 tetorit – Ditës së Kryengritjes së Maqedonisë. Shoqëria përbëhet nga pjesëtarë të kombësisë shqiptare, ndërsa gjatë shfaqjes do të prezantohet kryesisht me këngë dhe valle shqiptare, kurse në përmbajtje do të jenë të përfshirë edhe këngë dhe valle të kombeve e kombësive tjera jugosllave”. Kjo pikë është shumë e paqartë dhe me shumë dilema, aq më tepër kur dihet se që nga viti 1982 autoritetet komuniste maqedonase në mënyrë të dhunshme e arbitrare i mbyllën të gjitha shoqëritë kulturore-artistike shqiptare, përfshirë edhe SHKA “Xheladin Zeqiri”, në përjashtim të SHKA “Emin Duraku” dhe SHKA “Ibe Palikuqi”, që të dyja nga Shkupi. Ndoshta bëhet fjalë për ndonjë shoqëri kulturore-artistike maqedonase, në kuadër të së cilës do të inkorporoheshin valltarë ose këngëtarë shqiptarë, lojalë ndaj regjimit të atëhershëm komunistë maqedonas.
Për një realizim sa më të suksesshëm të “Planit operativ” për vitin 1987, në lidhje me luftën antishqiptare, më 11 dhjetor të vitit 1986 në Shkup u mbajt një mbledhje ndërmjet kryetarëve të Prokurave të KQ të LKM-së dhe KK të LK të Kosovës, si dhe të këshillave koordinues të KR të LSPPM-së (Këshillit Republikan të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Maqedonisë) dhe KK të LSPPK (Këshillit Krahinor të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës), në të cilën është diskutuar “realizimi konkret i pjesës së programit operativ”, përkatësisht “mundësia e aksionit të përbashkët në vitin 1987”. Gjatë shqyrtimit të kësaj problematike është konstatuar se “në kohën e mëparshme komunikimin me qytetarët të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme në botën e jashtme” e realizonin thuajse vetëm “organet e organizatat nga KSA e Kosovës”, që sipas tyre, nga njëra anë “përbënte barrë për ta”, ndërsa nga anën tjetër “u tregua e dëmshme”, kjo për shkak të mungesës së përfaqësueseve të RS të Maqedonisë. Nisur nga kjo, dy palët negociuese arritën marrëveshje siç më poshtë:
“1. Të vizitohen bashkërisht klubet e kombësisë shqiptare, në të cilët marrin pjesë qytetarë nga RSM dhe KSAK në këto shtete-qytete; 1) RF e Gjermanisë – Hamburgu dhe Berlini Perëndimor; 2) Zvicër – Cyrihu, Gjeneva, Berni; 3) Suedi e Danimarkë – Stokholmi, Malme, Goteborgu dhe Kopenhaga; 4) Francë e Belgjikë – Parisi, Brukseli, Lioni. Grupet do të përbëhen nga një përfaqësues prej RS-së dhe një prej KASK-së.
2. U konstatua se në shtetet ku jetojnë qytetarët e RSFJ-së të kombësisë shqiptare, nëpër përfaqësitë konsullore-shtetërore (PKSh), nuk janë të përfaqësuar sa duhet kuadrot të kombësisë shqiptare, posaçërisht nga RSM, andaj do të duhej që nëpërmjet organeve përkatëse të kërkohet përfaqësimi më i madh. Paraprakisht duhet t’u mundësohej mësimi i gjuhëve të huaja, për t’iu përshtatur kështu kritereve të LSPP-së.
3. U miratua propozimi i shokëve nga KSAK-ja, e cila parasheh hulumtimin e mundësisë së përfshirjes së solistëve të afirmuar të këngës popullore shqipe në grupet e shoqërive kulturo-artistike nga RSM-ja, të cilat do të udhëtojnë jashtë dhe do të shfaqin koncerte për përfaqësuesit e kombit maqedonas dhe kombeve të tjera edhe për kombësitë shqiptare e turke.
4. Është arritur marrëveshja që, sipas nevojës, të mbahen mbledhje konsultative ndërmjet përfaqësuesve të RSM-së dhe KSAK-së në këtë përbërje. Gjithashtu u shkëmbyen përvojat për organizimin e takimeve dimërore me qytetarët dhe anëtarët e LK-së me punë të përkohshme jashtë. Dy palët u pajtuan të fillohet me përgatitjen e përbashkët të materialit për punëtorët sezonal jashtë shtetit të kombësisë shqiptare”.
Si rrjedhojë e këtyre aktiviteteve, në fillim të vitit 1987, KQ i LKM-së, si dhe organizatat e tjera shoqërore që vepronin në RS të Maqedonisë zhvilluan një veprimtari të dendur nëpër komunat e Maqedonisë Veriperëndimore. Rreth këtyre veprimtarive, shërbimi sekret maqedonas, i raportonte Kryesisë së KQ të LKM-së kështu: “Në aksionin politik të komiteteve komunale të LKM-së në komunat ku jeton kombësia shqiptare, posaçërisht në punën e komisioneve për veprimtari të LK-së lidhur me qytetarët tanë me punë të përkohshme jashtë shtetit, gjatë vlerësimit politik e të sigurisë, si një ndër elementet e situatës u nënvizua veprimi i përbashkët në situatën e brendshme dhe ndikimi nga jashtë që kryhet nëpërmjet indoktrinimit të jashtëm nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar (‘Shqipëria e Madhe’, ‘Kosova Republikë’ etj), futjes së materialit propagandues etj., nëpërmjet një pjese të qytetarëve kur ata qëndrojnë në vendlindjet e tyre, ndërsa punojnë jashtë. Nëpërmjet Lidhjes Socialiste dhe Lidhjes së Sindikatave për momentin zhvillohet aksioni për lidhjen e klubeve në të cilët janë anëtarë qytetarët e Maqedonisë, përkatësisht qytetarë të kombësisë shqiptare me komunat, organizatat punuese, shoqëritë kulturore-artistike e sportive, shkollat në vendlindje. Gjatë realizimit të këtij aksioni do të ishte shumë i dobishëm propozimi i PKSh-së për përcaktimin e vendeve dhe klubeve konkrete.”.
Po ky shërbim, më 14 gusht të vitit 1987, e njoftonte KQ të LKM-së, përkatësisht kryesinë e saj, për zbulimin e një grupi “armiqësor” shqiptar nga Tetova, të cilët përkohësisht punonin në Zvicër. “Nëpërmjet masave të ndërmarra, Shërbimi erdhi deri te njohuritë e reja për pjesëmarrjen e aktiviteteve ilegale të organizuara nga Numan Beadinit (nga f. Xhepçisht i Tetovës – Q.L.) dhe Musli Fejzullahit (nga f. Bozovcë i Tetovës – Q.L.) dhe personat e tjerë nga Tetova, si dhe lidhjen e tyre me emigracionin armiqësor shqiptarë në Zvicër.”.
Siç marrim vesh, zbulimin e këtij grupi UDB-ja maqedonase kishte arritur ta bëjë përmes involvimit të njerëzve më të besuar të saj brenda organizatës. Njëri ndër ata informatorë (anonim), me kërkesë të UDB-së, në mars të vitit 1987, bashkë me Numan Beadinin dhe Musli Fejzullahun udhëton për Mirshvill të Zvicrës, gjoja si punëtor sezonal. Aty inkuadrohet në organizatën ilegale e cila udhëhiqej nga Elmaz Ademi dhe Xhemil Beqiri. Në një mbledhje që do të mbahet midis Numan Beadinit, Musli Fejzullahut dhe informatorit, Beadini u kishte propozuar që çdonjëri nga ata në Tetovë “të formojnë qeli të tyre, të cilat do të ishin të pavarura”. Para se të kthehet në Tetovë (27 korrik 1987), informatori kishte pranuar një pamflet nga Elmaz Ademi, duke marrë për detyrë nga ai dhe Beadini që, posa të kthehet, pamfletin me titull “TRAKT” ta shumëzojë dhe ta shpërndajë nëpër Tetovë. Me t’u kthyer në Tetovë, informatori i njoftoi organet e UDB-së për aktivitetin e mërgatës shqiptare në Zvicër, duke ua dorëzuar edhe pamfletin e sipërpërmendur. TRAKTI, që mbante nëntitullin “Për ta kuptuar drejtë luftën e kombit shqiptar”, kishte këtë përmbajtje: “Kombi shqiptar nëpërmjet mjeteve demokratike lufton që Kosovës t’i pranohet statusi i Republikës në kuadër të RSFJ-së, me çka nuk cenohet integriteti dhe sovraniteti i vendit si shtet në tërësi dhe ndryshimin e politikës shtetërore në përgjithësi, por hapen shtigjet për barazi dhe pranim të vetëvendosjes së shqiptarëve. Kërkesa që Kosovës t’i pranohet statusi i Republikës në kuadër të RSFJ-së nuk është një absurd, por një kërkesë e drejtë, reale dhe revolucionare e cila nuk kërkon robërinë e kombeve tjera e as pushtimin e territoreve tjera. Kjo është kërkesë për barazi dhe drejtësi, e cila na inspiron të shkojmë përpara në fitore të patjetërsueshme. Roftë Republika e Kosovës”.
Ndërkohë, pas shumë takimeve sekrete që u mbajtën nga ana e prokurave të KQ të LKM-së dhe KK të LK të Kosovës, në pjesën e dytë të vitit 1987 u formuan katër grupe të përziera, të cilat në përfundim të muajit tetor dhe fillim të muajit nëntor 1987 zhvilluan takime të ndara me disa klube shqiptare në RF të Gjermanisë, Zvicër, Suedi, Danimarkë, Belgjikë dhe Holandë. Grupi i parë, që përbëhej nga Tosum Pohumi – kryetar i Konferencës Komunale të LKM-Karposh dhe anëtar i KQ të LKJ-së dhe Ekrem Arifi – anëtar i Kryesisë së KK të LK të Kosovës, nga data 15-20 tetor 1987 qëndroi në RF të Gjermanisë (Hamburg, Hanover) dhe në Berlinin Perëndimor. Grupi i dytë, që përbëhej nga Mirko Apostollski – anëtar i Kryesisë së Këshillit të LSM-së dhe Bashkim Hisari – anëtar i Prokurës së KK të LK të Kosovës, nga data 15-20 tetor 1987 qëndroi në Suedi dhe Danimarkë. Grupi i tretë, që përbëhej nga Ajredin Memeti – kryetar i LSPPM – Strugë, Agim Bekteshi – anëtar i Kryesisë së Komitetit Krahinor për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Maria Gashi – ndihmëse e kryetarit të Komitetit Krahinor për Informim, nga data15-20 tetor 1987 qëndroi në Zvicër. Grupi i katërt, që përbëhej nga Todor Dimitrievski – drejtor i ndërmarrjes “Silika” – Gostivar, Ymer Gashi – kryetar i Këshillit Koordinues të KK të LSPPK-së dhe Shaban Bahtiri – drejtor në “Bankos”, nga data 30 tetor deri më 2 nëntor 1987 qëndroi në Belgjikë dhe në Holandë.
Në dhjetor të vitit 1987, në Brezovicë, u mbajt mbledhja e përbashkët e Prokurës së KQ të LKJ-së, Prokurës së KK të LK të Kosovës dhe Prokurës së KK të LSPP të Kosovës, Prokurës së KQ të LKM-së dhe Prokurës së KR të LSPPM-së, Prokurës së KQ të LK të Serbisë dhe Prokurës së KR të LSPP të Serbisë, në të cilën u shqyrtua vetëm një pikë e rendit të ditës: “Vlerësimi i situatës politike e të sigurisë në mesin e qytetarëve të kombësisë shqiptare pas vizitës së punëtorëve politiko-shoqëror”. Folësi i parë (Remzi Kolgeci) vuri në dukje nevojën e bashkëpunimit me RSM-në dhe me pjesën jugore të Serbisë, si edhe për paraqitjen e përbashkët në botën e jashtme, gjatë së cilës e shtroi “arsyen dhe nevojën e dërgimit të më shumë grupeve të përbashkëta të punëtorëve politiko-shoqëror nga KSA të Kosovës me RS të Maqedonisë dhe RS të Serbisë për bisedime me qytetarët jugosllavë të kombësisë shqiptare në botën e jashtme”. Kryetari i Prokurës së KQ të LKM-së foli rreth veprimtarisë së asaj prokure me, siç theksoi, “qytetarët e kombësisë shqiptare nga RSM-ja me punë të përkohshme në botën e jashtme”, ku ndër të tjerave tha se “bashkëpunimi i deritanishëm me KSA të Kosovës ka qenë frytdhënës”, dhe si shembull i mori “katër vizitat e përbashkëta” të lartpërmendura. Në fjalën përfundimtare kryetari i Prokurës së KK të LK të Kosovës, pasi i vlerësoi si “dobiprurëse” vizitat e grupeve të përbashkëta me RSM-në, shtoi se do të ishte “më mirë që këtij aksioni t’i bashkëngjitet edhe RS e Serbisë”.
Është më se e qartë se bashkëpunimi i organeve partiake dhe ato të shërbimeve sekrete maqedonase-kosovare, gjoja për ta afirmuar kulturën shqiptare tek mërgata, pati për qëllim futjen e elementëve të besuar (informatorëve të tyre) brenda organizatave shqiptare, me çka UDB-ja jugosllave do të kishte një pasqyrë më të qartë dhe më të përafërt rreth veprimtarisë politike e organizative të shqiptarëve që punonin dhe vepronin në shtetet e Europës Perëndimore. Në kuadër të asaj politike, Kryesia e KQ të LKM-së, në fillim të vitit 1987, dërgoi disa mësues shqiptarë në Gjermani, Danimarkë, Zvicër dhe Francë, të cilët morën përsipër të paraqiten nëpër klubet shqiptare se gjoja “me vetiniciativë kanë ardhur që t’i edukojnë fëmijët shqiptarë”. Këta mësues mbanin kontakte të përhershme me përfaqësitë konsullore jugosllave dhe për gjithçka u ofronin informata diplomatëve jugosllavë. Në mesin e tyre kishte edhe maqedonas e ndonjë shqiptar. Për një aktivitet të tillë, shërbimi sekret maqedonas në qershor të vitit 1987 e njoftonte Kryesinë e KQ të LKM-së me sa vijon: “Lidhur me veprimtarinë edukativo arsimore bëhen përpjekje për përfshirjen e tërësishme të fëmijëve në shkollimin plotësues në gjuhën shqipe. RSM organizon kësi shkolla nëpërmjet 4 mësuesve me rreth 200 nxënës në RF të Gjermanisë, Francë, Danimarkë e Zvicër. Nevojat na obligojnë të dërgojmë edhe një arsimtarë në RFGJ”.
Krahas luftës së ashpër, të zhvilluar në atë periudhë kohore për, siç thuhej, “zbulimin e drejtuesve të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar me punë të përkohshme jashtë shtetit”, një luftë e tillë gjatë vitit 1987 në RS të Maqedonisë u zhvillua edhe brenda viseve shqiptare si në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Dibër, Kërçovë, Strugë etj… Përveç diferencimeve ideo-politike, arrestimeve e përndjekjeve, organet partiake e organizatat shoqërore, si LSPP, LSSM, LRSM etj. gjatë tërë kohës zhvillonin aktivitete me banorët shqiptarë, në të cilat diskutohej çështja e “nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, që sipas tyre kishte për qëllim “cenimin e integritetit dhe sovranitetit të Jugosllavisë” dhe “krijimin e Shqipërisë së Madhe.”
Në përmbyllje të këtij shkrimi duhet të vëmë në dukje se, përkundër luftës së rreptë, politike, propaganduese dhe represive kundër çështjes shqiptare në përgjithësi e të mërgatës së saj në veçanti, nga ana e udhëheqjes komuniste jugosllave, serbe, maqedonase e kosovare, e cila luftë gjatë vitit 1987 mori përmasa të një gjenocidi të vërtetë në Kosovë dhe në trevat shqiptare në Maqedoni, shqiptarët në përgjithësi ngelën të paluhatshëm në kërkesat e tyre kombëtare dhe, për rrjedhojë, në fillim të viteve të nëntëdhjeta përfundimisht erdhi deri te rënia e komunizmit dhe shpërbërja e federatës jugosllave.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X