Logjika që njëson ortodoksinë dhe kombin ka bërë që Greqia kurdoherë të përpiqet të ndërhyjë në punët e brendshme të Shqipërisë, gjoja për të mbrojtur ortodoksët shqiptarë, të cilët për shovinistët në Greqi janë ose grekë ose duhet të gëzojnë mbrojtjen e Greqisë ndaj shqiptarëve myslimanë. Prandaj, edhe pse Greqia i ka njohur kufijtë e Shqipërisë, sa herë që shteti shqiptar është gjendur në vështirësi, ajo ka ngritur pretendime për Gjirokastrën, Korçën dhe krahina të tjera shqiptare.
Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë
Një bust për Micotaqisin (ati)
Pjesa më butaforike e takimit midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Greqisë në Derviçan të qarkut të Gjirokastrës, në dhjetor 2022, ishte premtimi i Edi Ramës për t’i ngritur një bust në këtë fshat ish-kryeministrit të Greqisë, Konstantin Micotaqis, i ati i kryeministrit të tanishëm me emrin Qiriako. Jo sepse Rama nuk e kishte seriozisht, përkundrazi ngritja e një busti për një ish-kryeministër të Greqisë në territorin e Shqipërisë do të ishte më e pakta e akteve kundërkombëtare që Rama e të tjerë kryeministra shqiptarë, që i kanë paraprirë atij që nga rënia e komunizmit, kanë kryer në raport me Greqinë. Çështja është se çfarë ka bërë Micotaqis ati për Shqipërisë apo për përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, në mënyrë që ngritja e një busti për të në një fshat të banuar nga pakica greke brenda territorit të Shqipërisë të mos quhet thjesht një servilosje e Ramës ndaj Micotaqis birit?!
Micotaqis ati ka qenë kryeministri i parë i Greqisë që ka bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri në janar të vitit 1991, kur sapo ishte rrëzuar monizmi dhe priteshin të mbaheshin zgjedhjet e para pluraliste. Me rastin e vizitës së tij, Abdi Baleta, një politikan me një karrierë të gjatë diplomatike botoi te gazeta opozitare “Rilindja Demokratike” artikullin “Përse vjen z. Micotaqis në Shqipëri?” (12.01.1991). Sot, pas tridhjetë e dy vitesh, ky artikull mund të cilësohet si një kulm i publicistikës shqiptare, për shkak të parashikimit me vend të autorit se marrëdhëniet midis dy shteteve do të ishin gjithnjë problematike, një vazhdim i historisë dhe jo një këputje e saj. Vizita e Micotaqis atit në Shqipëri ishte e para pas gati një gjysmë shekulli e një zyrtari të nivelit të lartë të Greqisë, në një kohë kur populli i Shqipërisë po fitonte liritë qytetare dhe zhvillohej fushata e parë zgjedhore, prandaj Baleta e përshëndeste si një akt me rëndësi të madhe në vetvete, si dhe për vetë perspektivën që mund të hapte në marrëdhëniet dypalëshe. Ai shkruante: “marrëdhëniet shqiptaro-greke duhet të frymëzohen më shumë se kurrë nga shpirti i demokracisë dhe i tolerancës së ndërsjellë që po kultivohet me kaq zell sot në të gjithë Europën, nga sinqeriteti e gatishmëria për të forcuar atmosferën e mirëkuptimit ballkanik” (“Shqiptarët përballë shovinizmit serbo-grek”, Tiranë, 1995, f. 214-215). Baleta shprehte besimin se marrëdhëniet dypalëshe do të mund të zhvilloheshin sipas parimeve të fqinjësisë së mirë të Kartës së OKB-së dhe të dokumenteve të KSBE-së (tani OSBE), mirëpo paralajmëronte se “është iluzion të mendohet se këto marrëdhënie mund të zhvillohen pa asnjë vështirësi” (f. 215). Vështirësitë nuk do të mund të vinin nga Shqipëria, që historikisht nuk ka ndërmarrë veprime agresive ndaj fqinjëve, por nga Greqia, ku “dihet se në të kaluarën e tani… ngrihen herë pas here stuhi të forta propagande e veprimtarie antishqiptare nga qarqe të caktuara që kurrë nuk u kanë dashur të mirën marrëdhënieve shqiptaro-greke” (f. 216).
Baleta paralajmëronte se gjithnjë ka pasur forca politike në Greqi që pakicën greke në Shqipëri e kanë përdorur si kalë beteje për të sulmuar e sabotuar Shqipërinë, ndërkaq që shqiptarët e Greqisë janë trajtuar në mënyrën më të keqe: vrasje, përdhunime, grabitje e shpërngulje masive. Baleta uronte që marrëdhëniet midis dy shteteve të frymëzoheshin nga shembujt më të mirë të historisë dhe në fund të artikullit të tij citonte fjalët e kryeministrit grek Teodoros Pangallos, cili në vitin 1925 zotohej se pakica shqiptare në Greqi do të trajtohej me drejtësi, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Pangallosi e bënte saktë dallimin midis pakicës ortodokse helenofone në Shqipëri dhe shqiptarëve ortodoksë, të cilët ai thoshte se “janë zot në shtëpinë e tyre, pavarësisht nga ideja e gabuar dhe e guximshme e disa prej tanëve që imagjinojnë se çdo ortodoks shqiptar është grek” (cit. po aty, f. 218).
Shumë shpejt do të dilte i vërtetë paralajmërimi i Baletës për vështirësitë që do të ngrinte Greqia për të pasur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë midis dy vendeve. Do të ishte vetë kryeministri Micotaqis (ati) ai që në korrik 1993 do të shpallte se atë status që shqiptarët do të kërkonin për Kosovën, po atë do të kërkonte Greqia për grekët në Shqipëri, tekstualisht: “Do të bashkëpunojmë me cilëndo përpjekje serioze që do të ketë si objektiv zgjidhjet e problemeve të komunitetit grek të Epirit të Veriut dhe të komunitetit shqiptar në Kosovë. Por nuk do të marrim parasysh asnjë propozim, cili nuk do t’u japë të njëjtat të drejta të dyve…” (po aty: 168-169). Që ta themi më qartë: grekët në Shqipëri duhej të shpallnin republikën e tyre dhe të kërkonin njohje ndërkombëtare, siç vepruan shqiptarët e Kosovës. Shqipëria nuk mund të bënte thirrje që bashkësia ndërkombëtare ta njihte Republikën e Kosovës si shtet sovran pa e njohur ajo vetë një republikë greke në “Epirin e Veriut”. Nuk kishte nder më të madh që Greqia mund t’i bënte Serbisë, që në atë ato vite kishte ngritur një sistem aparteidi në Kosovë dhe po përgatiste gjenocidin e radhës. Ja cila ishte konsiderata për Shqipërinë e njeriut që Rama do t’i ngrejë një bust në Derviçan! Bustet e monumentet që u ngrihen njerëzve të shquar pas vdekjes nderojnë veprat e tyre që ata ua kanë lënë trashëgim pasardhësve, prandaj vetëm një politikan i pandjeshëm ndaj historisë së kombit e shtetit shqiptar mund ta mendojë që ta lajkatojë Micotaqisin bir me premtimin e ngritjes së një busti për Micotaqisin at.
Pretendimet e Micotaqisit (biri)
Qeveria e Shqipërisë lejoi që Micotaqis (biri) të vizitojë tre komuna të Shqipërisë, të cilat ai pretendon se janë të banuara nga një shumicë greke. Në njëfarë mënyre vizita e tij ishte si një turne politik në “Greqinë matanë kufirit” apo “Vorio-Epir”. Këtë e nënkuptoi kryeministri i Greqisë kur në fjalimin e mbajtur në Himarë ai e lavdëroi turmën e mbledhur se paska ruajtur të paprekur helenizmin dhe ortodoksinë dhe se “Shqipëria është e detyruar të respektojë të drejtën tuaj për vetëvendosje”. Kjo do të thotë se Micotaqis biri po ecën në gjurmët e Micotaqis atit në trajtimin e pakicës greke në Shqipëri si mollë sherri në marrëdhëniet dypalëshe. Të paktën Micotaqis ati vizitoi kryeqytetin e Shqipërisë për takime me zyrtarët e lartë të shtetit, ndërsa i biri arrogant nuk denjoi të ngjitej deri në Tiranë dhe ishte kryeministri i Shqipërisë ai që zbriti në Derviçan e i bëri shoqëri.
Me pakicën greke në Shqipëri është abuzuar shumë dhe ajo ka marrë një vëmendje më të madhe se sa i takon numrit të saj. Pakicat historike dhe shtrirja e tyre në territorin e shteteve kombëtare përcaktohen me anë të dokumenteve dypalëshe dhe traktateve ndërkombëtare, në mënyrë që ato të gëzojnë mbrojtje nga shteti ku ndodhen, të gëzojnë të drejta komunitare veç atyre qytetare dhe t’u njihen lidhje kulturore me shtetin amë. Territori i pakicës greke në Shqipëri dhe i pakicës shqiptare në Greqi është i përcaktuar në dokumente zyrtare të certifikuara nga Lidhja e Kombeve atëherë kur u rikonfirmuan kufijtë e shtetit shqiptar. Çdo përpjekje politike e Greqisë për të rritur artificialisht numrin e pakicës greke, duke përfshirë në të shtetas shqiptarë jogrekë të besimit ortodoks apo shqiptarë që janë edhe folës të gjuhës greke, është agresion ndaj Shqipërisë. Të drejtat e veçanta të pakicës njihen në komunat e njohura për këtë qëllim. Pjesëtarë të pakicës që për arsye vetjake janë shpërngulur në pjesë të tjera të shtetit nuk mund të pretendojnë që shteti t’u sigurojë arsimin në gjuhën amtare apo njohjen e kulturës greke, por nëse dëshirojnë, mund të vetorganizohen dhe ta bëjnë këtë me mjetet e tyre, sipas ligjeve të Shqipërisë.
Pjesëtarët e pakicave etnike e kulturore janë shtetas shqiptarë dhe e kanë për detyrë të jenë besnikë ndaj shtetit. Nuk duhet të bëhen pre e qarqeve shoviniste në shtetet amë apo vegël e politikave shoviniste të shtetit amë. Pjesëtarët e pakicave gëzojnë të njëjtat të drejta qytetare si edhe pjesëtarët e kombit shqiptar dhe përballojnë së bashku të njëjtat vështirësi të përditshme. Ata nuk mund të pretendojnë të kenë nga shteti privilegje që nuk i kanë pjesëtarët e kombit shqiptar. Pjesëtarët e pakicave kanë të drejtën që të ankohen në organizata e forume ndërkombëtare në rast se u shkelen të drejtat e tyre të garantuara në Kushtetutën e Shqipërisë, por nuk mund të punojnë kundër shtetit shqiptar, duke ngritur pretendime absurde që i krijojnë probleme Shqipërisë në raport me fqinjët dhe me bashkësinë e shteteve perëndimore. Mbi të gjitha, ata minoritarë grekë që, së bashku me ata shqiptarë që hiqen sikur janë minoritarë grekë, kërkojnë “vetëvendosje” greke në Shqipëri duhet të ndërgjegjësohen për pozitën e tyre të palakmueshme kur, për përfitime personale, po bëhen vegla qorre të shovinizmit grek dhe po tregohen të gatshëm t’i ngulin thika në shpinë vendit kur kanë lindur dhe janë rritur. Shteti shqiptar, që nga krijimi i tij, asnjëherë nuk ka ndjekur praktika diskriminuese ndaj pakicës greke dhe pakicave të tjera në vend, prandaj pjesëtarët e pakicave duhet t’u rrinë larg individëve, grupeve dhe qeverive zjarrvënësve në Ballkan. Koha mund të jetë e maskarenjve, por Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët.
Fryma (e pashenjtë) e shovinizmit grek
Shovinistët grekë gjithnjë e kanë konsideruar kombin grek si më sipëror ndaj atij shqiptar. Ata kanë nxitur e ndezur armiqësinë ndaj shqiptarëve, kanë nisur e mbështetur politikat ekspansioniste të Greqisë në Shqipëri. Agresionin e Greqisë ndaj Shqipërisë nuk e përcaktojnë qeveri të veçanta, por fryma me të cilën është ngjizur shteti grek dhe simbioza e ngushtë e identitetit kombëtar grek me kishën ortodokse. Pavarësia dhe çdo etapë e zgjerimit të Greqisë është karakterizuar nga masakrimi dhe përzënia e myslimanëve nga tokat e tyre, përfshirë edhe ata të etnisë greke dhe përpjekja për asimilimin e popullsive ortodokse, si vllehtë, shqiptarët, arvanitasit dhe sllavët. Edhe shkëmbimi i popullsive me Turqinë ndoqi logjikën fetare, prandaj në të u përfshinë shqiptarët e Konicës e të Follorinës. Për çamët, që nuk u zhvendosën dot këtë radhë, gjithsesi planifikohej i njëjti fat, që do të realizohej në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Edhe kur ndonjë politikan grek e përmend përzënien e çamëve, mundohet të justifikohet me gjoja kolaboracionizmin e tyre. Kjo është një gënjeshtër e trashë, sepse nuk mund të akuzohet një popullsi e tërë – burra, gra, fëmijë e pleq – si kolaboracionistë dhe nuk mund të arsyetohet se përse grekët kolaboracionistë nuk pësuan të njëjtin ndëshkim.
Logjika që njëson ortodoksinë dhe kombin ka bërë që Greqia kurdoherë të përpiqet të ndërhyjë në punët e brendshme të Shqipërisë, gjoja për të mbrojtur ortodoksët shqiptarë, të cilët për shovinistët në Greqi janë ose grekë ose duhet të gëzojnë mbrojtjen e Greqisë ndaj shqiptarëve myslimanë. Prandaj, edhe pse Greqia i ka njohur kufijtë e Shqipërisë, sa herë që shteti shqiptar është gjendur në vështirësi, ajo ka ngritur pretendime për Gjirokastrën, Korçën dhe krahina të tjera shqiptare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, qeveria në mërgim e Greqisë ia doli që Britania e Madhe mos ta njihte Zogun si kreun në mërgim të një shteti të pushtuar, në mënyrë që Shqipëria pas luftë të quhej palë armike e mundur dhe aleatët të merrnin parasysh pretendimet territoriale të Greqisë. Po kështu, gjatë trazirave të vitit 1997, përveç angazhimit të agjenturës së saj në Shqipëri, Greqia po përgatitej për ndërhyrje të hapur ushtarake, që u bllokua nga deklarata e fortë e kryeministres turke Tansu Çiler se një veprim të tillë nga Turqia do ta konsiderohej si casus belli.
Nëse një qeveri e Greqisë do të donte sinqerisht që të vendoste marrëdhënie të miqësisë dhe të reciprocitetit me Shqipërinë, asaj do t’i duhej t’i kundërvihej kësaj tradite shoviniste që ka rrënjë historike dhe përhapje të gjerë në politikën, burokracinë shtetërore dhe shoqërinë greke. Asaj do t’i duhej t’i vinte fre edhe prirjes klasike të shteteve për të vendosur hegjemoninë e tyre politike, ekonomike dhe kulturore te shtetet fqinje që janë më të vegjël dhe më të dobët. Meqenëse, sikurse ka paralajmëruar Baleta, e kaluara është ajo që në një masë të madhe përcakton politikën e Greqisë ndaj Shqipërisë, është e pritshme jo vetëm që Micotaqis biri të vijojë në gjurmët e të atit, por dhe që kryeministrat e ardhshëm të Greqisë të vijojnë në të njëjtën linjë të ndërhyrjeve në punët e brendshme dhe të agresionit ndaj integritetit territorial të Shqipërisë. Mund të përmendim këtu disa objektiva që ka Greqia për sa i përket pakicës në Shqipëri, Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH) dhe hapësirës detare midis dy shteteve. Duke filluar me kishën, interesi i Greqisë është që, pas Janullatosit, në krye të KOASH-it të vijë një peshkop grek ose një peshkop që i bindet e kontrollohet nga Kisha Ortodokse e Greqisë. Kështu, kisha kombëtare shqiptare, e ideuar nga Sami Frashëri, e nisur nga peshkop Fan Noli dhe e kurorëzuar me sukses nga kongresi i ortodoksëve shqiptarë gjatë mbretërimit të Zogut, tani do të mbetet një shtojcë e kishës greke dhe përmes saj Greqia do të ketë një ndikim të madh në shoqërinë dhe politikën shqiptare.
Me qëllimin e rritjes artificiale të numrit të pakicës greke dhe të zgjerimit të zonave minoritare, në censin e ardhshëm në Shqipëri, Greqia me siguri do të kërkojë sërish që qytetarët e Shqipërisë të zgjedhin lirisht kombësinë dhe fenë, jashtë çdo kriteri familjar, historik, gjuhësor, kulturor etj., gjoja në emër të të drejtave të njeriut. Kjo është një tjetër hile greke që ka nisur qysh në vitin 1993, në kohën kur kryeministër i Greqisë ishte Micotaqis ati. Në atë vit, dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kosta Makariadhi dhe Azem Hajdari, me mbështetjen e heshtur të kryesisë së Partisë Demokratike (Partia Socialiste e kishte bojkotuar pjesëmarrjen në Kuvend), kërkuan që në dispozitat e atëhershme kushtetuese të përfshihej klauzola që qytetarët të lejoheshin ta përcaktonin vetë kombësinë. Kjo orvatje dështoi, por u ringjall përmes pyetjeve fakultative në censin e fundit që, për këtë arsye, u bojkotua nga një pjesë e mirë e qytetarëve. Po kështu, në prag të zgjedhjeve vendore të ardhshme, mund të jetë përgatitur ndonjë plan i fshehtë për ta realizuar në Himarë “vetëvendosjen” greke që shpalli Micotaqis biri. Ajo që dimë, tani për tani, është se parti politike parlamentare po bashkëpunojnë hapur me eksponentë ekstremistë në zonën e Bregdetit (përfshirë Fredin Belerin, një i dyshuar për pjesëmarrje në aksionin terrorist të vitit 1994 në fshatin Peshkëpi, ku u vranë dy ushtarë shqiptarë dhe u plagosën disa të tjerë).
Greqia ka sajuar edhe një çështje të paqenë midis dy shteteve, atë të detit. Shaban Sinani, njeriu-arkiv i diplomacisë shqiptare dhe njohësi i shkëlqyer i gjeopolitikës, na e jep të qartë strategjinë greke dhe tradhtinë e qeverive shqiptare në librin “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” (2021). Kur Micotaqis ati vizitoi Shqipërinë, nga pala shqiptare iu propozua hapja e bisedimeve për shelfin kontinental, por për më shumë se një dekadë nuk ka pasur përgjigje nga Greqia për këtë temë. Kur më 2006 dolën informacione se në hapësirën detare shqiptare, afër asaj greke, ka pellgje nafte dhe gazi, Greqia u hodh në sulm dhe me shkathtësi çështjen e shelfit ia imponoi palës shqiptare si përcaktim të vijës kufitare, me qëllim që pellgu me naftë e gaz t’i takojë Greqisë. Me kërcënimin e vetos ndaj pranimit të Shqipërisë në NATO, qeveria Berisha nënshkroi një marrëveshje për vijën kufitare të dëmshme ndaj interesave shqiptare, e cila edhe pse u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka mbetur si gjyle e rëndë në negociatat dypalëshe. Për t’u liruar prej saj, por pa pasur dijen dhe guximin për t’i rivënë negociatat në binarët e drejtë, ato të shelfit kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive, kryeministri Rama njoftoi se ka marrë vendim me Micotaqis birin për ta shpënë mosmarrëveshjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kjo ishte një fitore e madhe e Greqisë, sepse kështu Shqipëria pranoi para gjithë botës se kufiri i saj detar është një çështje e hapur. Dy zhvillime tregojnë se shtrimi i çështjes para Gjykatës së Hagës nuk është një kompromis, ku Greqia dhe Shqipëria janë palë të barabarta, por është, në fakt, një dinakëri tjetër greke. Në vitin 2015, Greqia ka parashtruar pranë OKB-së qëndrimin zyrtar se ajo nuk e njeh autoritetin e Gjykatës së Hagës dhe të Gjykatës Ndërkombëtare për Detin në Hamburg për rastet që kanë të bëjnë me kufijtë detarë e tokësorë të Greqisë. Zhvillim tjetër është se marrëveshja që Shqipëria nënshkroi me BE-në për pranimin e statusit kandidat përmban një klauzolë, të porositur nga Greqia, që thotë se Shqipëria pranon si të detyrueshëm vendimin e Gjykatës së Hagës për kufirin detar midis dy vendeve. E thënë shkurt, Greqia është e lirë të mos pranojë çfarëdo vendimi që nuk i shkon për shtat, ndërsa Shqipëria nuk anëtarësohet në BE nëse nuk e zbaton vendimin e gjykatës për detin, edhe nëse ai do të jetë i padrejtë ndaj saj (Greqia i ka marrë masat juridike e politike që ta shtyjë një vendim të padrejtë për Shqipërinë, siç është deklarata për zgjerimin në 12 milje detare dhe dhënia artificialisht e efektit kufitar të ishujve të vegjël dhe shkëmbinjve të skajuar grekë në detin Jon, siç e analizon diplomati Murati në librin e përmendur më sipër). Duket sikur po vërtetohet parulla që u hodh nga Partia Socialiste në vitet 1990 se “rruga e Shqipërisë për në Europë kalon nga Athina”.
Nga një Micotaqis te tjetri, për më shumë se tri dekada, Shqipëria ka ndjekur politikën e lëshimeve ndaj shovinizmit grek, sepse ata që kanë qeverisur në Shqipëri kanë llogaritur ndihmën greke për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Politika e tolerancës dhe e lëshimeve ndaj kërkesave të padrejta të Greqisë nuk e kanë kënaqur këtë të fundit. Përkundrazi, e kanë trimëruar për të pretenduar më shumë. Nëse ndonjëherë së afërmi politika në Shqipëri do të vihet në binarë kombëtare, asaj do t’i duhet ta mbrojë sovranitetin dhe interesat kombëtare e ta përballojë agresionin e Greqisë. Meqenëse Greqia synimet e saj në Shqipëri i realizon përmes shqiptarëve, kundërshtimi i tyre është pashmangshëm edhe një përplasje brendashqiptare. Deri tani, mbrojtja e interesit kombëtar nga qeveritë e partitë kryesore politike ka qenë sporadike, e nxitur nga interesat e përkohshme e nga rrethanat ndërkombëtare. Ajo është zhvilluar me gjysmë zemre dhe nuk ka qenë mbështetur te tradita e mendimit nacionalist shqiptar, prandaj dhe janë shënuar sabotime e prapaktheu përballë ofensivave këmbënguljes greke. Në politikën e tanishme institucionale në Shqipëri – të karakterizuar nga grabitja e pronës publike, korrupsioni, lidhjet me krimin, padituria, përulja ndaj të huajve etj. dhe te shoqëria e tanishme – e varfëruar, e lodhur nga vijimi i padrejtësisë së pushteteve që kanë kapur shtetin, e kaptuar nga mania e braktisjes së vendit, e çoroditur nga mediat masive në shërbim të interesave private dhe agjenturave të huaja dhe me një nivel të ulët të moralit të përgjithshëm – nuk hetohet ndonjë kthesë e frymëzuar nga mbrojtja e identitetit dhe interesit kombëtar. Ngushëllimi ynë është se, të paktën, Shqipëria tjetër, Republika e Kosovës, ka hyrë në rrugë të mbarë!