loader image
December 12, 2024

Mikroshteti i dilemave të mëdha

Rama duhet treguar i kujdesshëm sidomos kur i prek baraspeshat fetare, të krijuara natyrshëm ndër shekuj te shqiptarët.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë  

Ndërkohë që debati midis politologëve po zhvillohet nëse mikroshtetet duhet trajtuar si shtete, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tashmë ka 41 anëtarë të këtij formati. Bëhet fjalë për shtete të vogla, të përbëra vetëm nga një qytet, komunë, lagje, ishull gati të padukshëm ose edhe vetëm nga një ndërtesë. Këto shtete nuk kanë kapacitet të funksionojnë të vetme, pa mbrojtjen e një shteti më të madh. Faktikisht, nuk janë shtete e as që mund të definohen si të tilla. Pa ushtri, pa resurse të mjaftueshme, me numër të vogël banorësh dhe me një hapësirë gjeografike të parëndësishme, këto entitete nuk llogariten seriozisht në marrëdhëniet ndërkombëtare. Disa janë rezultat i simbolikës që bartin, i traditës që tentojnë ta mbajnë gjallë, i ruajtjes së një trashëgimie nga e kaluara ose i planeve për shndërrimin e atij territori në një atraksion turistik. Të tilla në Europë janë Vatikani, Andora, Monako, San Marino ose Lihtenshtajni, të gjitha me monarki si formë qeverisjeje. Ka mikroshtete nëpër botë që janë rezultat i kolonive, e që funksionojnë në bazë të tatimeve të ulëta, diskrecionit, lehtësirave administrative dhe fleksibilitetit ndaj fuqisë së financave. Të tilla janë Belize, Sejçelles, Bahamet, Ishujt Marshall… Përveç Vatikanit, që ka 44 hektarë, në Romë ka edhe një mikroshtet tjetër, i cili ka 0 (zero) hektar tokë. Bëhet fjalë për Urdhrin Sovran Ushtarak të Maltës, i themeluar në shekullin XI në Maltë. Edhe pse me zero metra katror territor, ky shtet ka kushtetutë, pasaportë dhe marrëdhënie me 100 shtete të botës. Gjithçka që posedon është një pallat në Romë të Italisë.

Plani i Ramës

Ideja e themelimit të Shtetit Bektashi në 0.11 kilometra katror, aq sa posedon ky komunitet fetar në Tiranë, u shpalos nga kryeministri Edi Rama pikërisht nga foltorja e OKB-së në New York. Askush ose pakkush e kishte ditur se ka një plan të tillë në qeveri. Si duket, koncepti i një mikroshteti fetar sipas modelit të Vatikanit ishte bluar vetëm në kokën e kryeministrit. As përfaqësues të komunitetit islam, katolik apo edhe bektashi nuk kanë qenë të konsultuar nëse ka nevojë për një projekt të tillë dhe cilat do të ishin përfitimet dhe dëmet nga ai. Kjo mungesë e transparencës mbi projektin e Ramës krijon shumë teori konspirative për qëllimin e mikroshtetetit bektashi. Mediat greke raportuan se qenka një projekt i Ramës dhe presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, për gjoja “islamizimin e Europës”. Disa media të rajonit spekuluan se është një tentim i Ramës për t’i pëlqyer opinionit brenda Bashkimit Europian (BE), i cili nuk qenka dhe aq në favor të integrimit të Shqipërisë, pasi brenda saj ka mbi 60 për qind myslimanë. Të tjera e lidhën idenë e Ramës me interesa financiare që do të mund të realizoheshin përmes mikroshtetit të ri, i cili do të zbatonte politika financiare njëjtë si mikroshtetet tjera në botë. Shumë teori dhe pak besim në versionin zyrtar të qeverisë se ky projekt realizohet për të përforcuar harmoninë fetare dhe për të shquar rolin e bektashizmit në Shqipëri në dy aspekte: në atë historik – si projektues dhe zbatues i pavarësisë së Shqipërisë, dhe në atë religjioz – si qendër e bektashizmit në botë, numri i të cilëve nuk kalon mbi 10 milionë.

Nëse qëllimi është të promovohet mikroshteti si qendër e të gjithë bektashinjve në botë, sipas modelit të Vatikanit, atëherë Shqipëria do të arrijë më kollaj ta shesë rrëfimin mbi këtë kategori besimtarësh. Kjo nuk do të sillte vetëm turistë shpirtërorë, pra religjiozë, por edhe turistë të tjerë që do të dëshironin ta vizitonin qendrën e një religjioni dhe të mësonin më shumë për të. Me forcimin e kësaj qendreje religjioze, Shqipëria do të fitonte një levë të fuqishme në ushtrimin e ndikimit mbi të gjithë bektashinjtë në botë, pa marrë parasysh se jo të gjithë e njohin autoritetin e Kryegjyshatës, e cila nga viti 1929 nga Turqia u zhvendos në Tiranë. Në kohën e sotme, të garës moderne për dominim global, është dëshmuar se religjioni ka qenë dhe mbetet mjeti më efektiv dhe më i lirë i shtrirjes së ndikimit politik me qëllim të caktuar realist.

Mungesa e debatit

Megjithatë, mungesa e konsultimeve me bashkësitë religjioze, me ekspertët, me opinionin publik të Shqipërisë, mund t’i hedhë në plan të dytë përfitimet e supozuara të projektit për themelimin e mikroshtetit Bektashi. Në Shqipëri vetëm 5 për qind e popullsisë është pjesë e këtij besimi, ndërkohë që shumica, prej mbi 60 për qind, janë myslimanë suni. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare janë me familje të përziera nga aspekti i besimit, por që bashkëjetesa në harmoni midis feve është parë së pari në këto mjedise. Me krijimin e mikroshtetit për afër 120 mijë bektashinj krijohet një pabarazi e panevojshme midis religjioneve që funksionojnë në harmoni të plotë. Kjo pabarazi do të ushqejë më tutje debatet që mund ta rrënojnë këtë harmoni, e cila shpesh merret si shembull i një bote utopike, ku nuk do të ketë luftëra me sfond fetar dhe ku çdo besim i tjetrit do të respektohet dhe çmohet.

Debati religjioz mund të bartet edhe në sferën politike, gjë që do të ishte tepër e rrezikshme për funksionimin e shtetit. Fakti se për ta krijuar këtë mikroshtet nevojitet ndryshimi i kushtetutës, që e mbron karakterin unitar të Shqipërisë, kjo implikon prioritetizimin e temave lidhur me identitetet fetare të njerëzve, përfshirë edhe të vetë aktorëve politikë. Kjo mund ta forcojë identitetin fetar, sidomos te shumica myslimane sunite, dukuri që më pas mund të reflektohet edhe në artikulimet dhe dinamikat politike. Fetarizimi i skenës politike në Shqipëri do ta dobësonte shtetin, njëjtë siç po bën etnizmi i politikës në Maqedoninë e Veriut ose në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Andaj, Rama duhet treguar i kujdesshëm sidomos kur i prek baraspeshat fetare, të krijuara natyrshëm ndër shekuj te shqiptarët.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X