loader image
December 11, 2024

Ndërmjet sovranitetit dhe aleatëve

Shkruan: Ismail SINANI

Tani, kur Kosova po shënon 24-vjetorin e çlirimit nga okupimi shekullor serb, sërish po vihet në pikëpyetje sovraniteti i saj i plotë në gjithë territorin. Aleatët perëndimorë, që e ndihmuan në pranverën e vitit 1999, në vitin 2023, tash në emër të dialogut, po i kërkojnë të heqë dorë nga pjesa veriore e Kosovës, por edhe nga shumë enklava të tjera brenda territorit, të cilat po qe se themelohen ashtu siç kërkon Beogradi, drejtpërdrejti do të shkaktojnë parcializim të shtrirjes së pushtetit cep më cep, në gjithë vendin.
Pa dyshim, në botën moderne, por edhe në të kaluarën, përkatësia në një kamp ekonomik, politik apo edhe ushtarak, çdo shteti ia ka hequr ca atribute të fuqisë shtetërore. Por, përjashtuar periudhën e protektoratit, asnjëherë nuk ka ndodhur që një vend me atribute të shtetit, me vullnetin e vet (të lirë), të heqë dorë nga sovraniteti i plotë.
Nisur nga kjo që u tha më lart, në Kosovë tashmë një periudhë të gjatë po zhvillohet një përplasje politike, e mbështetur nga analistët e shumtë televizivë, të cilët po shpërfaqin një përplasje të madhe të Qeverisë Kurti kundrejt SHBA-së dhe vendeve tjera të QUINT-it. Me një fjalë, po krijohet një atmosferë dytaborëshe, ku Qeverisë po i kërkohet të përcaktohet mes sovranitetit dhe aleatëve.
Tani parashtrohet pyetja, a ka rrugë të tretë, të ndërmjetme, që mund ta shpëtojë Kosovën, apo detyrimisht duhet përcaktuar për njërën nga këto dy antagonizma? Apo, në gjithë këtë debat, a ka gjasa të kthehet edhe një herë ideja për shkëmbim territoresh?
Gjithsesi se pyetjet përkitazi me këtë temë, mund të jenë të shumta, përfshi këtu edhe rolin e Shqipërisë, e cila përmes kryeministrit Rama, ofroi edhe një draft për çështjen e Asociacionit, kurse tani po kërkon që Kurti dhe Vuçiqi të mbyllen në një kështjellë “derisa të dalë tymi i bardhë”.
E teksa shtjellohen këto dilema ose, thënë më mirë, antagonizma (gjeo)politike, detyrimisht duhet thënë ca të vërteta, qofshin ato shumë të dhimbshme apo edhe pak të dhimbshme.
E para, Kosova, nën drejtimin e Kurtit, ka plotësisht të drejtë ta shtrijë sovranitetin mbi tërë territorin e shtetit.
E dyta, zgjedhjet në Veri ishin legale.
E treta, Kosova ka të drejtë legale dhe legjitime për çdo ankesë që e bën kundrejt Serbisë dhe shefit të saj, dikur adjutant i Sheshelit dhe shërbëtor i diktatorit Millosheviq.
Por, mes të drejtës dhe realitetit gjithmonë gjenden ca pengesa që për Kosovën janë tejdomethënëse.
E para, është e vërtetë se Kosova është çliruar edhe nga UÇK-ja, por dihet mirëfilli se pjesë e kësaj strukture ka qenë pak më pak se 1-përqindëshi i popullsisë prej rreth 1.8 milion banorë. Arsyetimet për mospjesëmarrjen në UÇK mund të jetë shumë objektive, megjithatë kjo nuk e zhbën faktin historik se kjo forcë ushtarake, pa ndihmën e NATO-s, vështirë se do ta çlironte Kosovën për një periudhë aq të shpejtë.
E dyta, Kosova, ndryshe nga shumë shtete, atributet shtetërore i ka fituar vetëm pas miratimit të Pakos së Ahtisarit, e cila të gjithë e dimë se shtetin më të ri në Europë, në shumë rrafshe, e ka lënë të cunguar.
E treta, të gjithë e dimë se 4 shtete anëtare të NATO-s dhe pesë të BE-së nuk ia njohin mëvetësinë Kosovës. Po kështu e dimë se dy, nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurisë në OKB, nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa bashkë me to edhe rreth gjysma e botës nuk ia njeh shtetësinë.
Duhet vënë në dukje se sot Kosova me kryeministrin e saj ka plotësisht të drejtë të jetë e pezmatuar me diplomatin amerikan, Eskobar, me shefin e diplomacisë së BE-së, Borrel, me Lajçakun e shumë lajçakë të tjerë. Madje, të gjithë e shohim se qasja e tyre është shumë përkëdhelëse për Serbinë dhe politikat e saj serbomëdha. Megjithatë, lufta në Ukrainë po shihet se e ka zhvendosur çdo gur të diplomacisë, siç edhe ka ndodhur shpesh në të kaluarën në këto dy shekujt e fundit.
Atëherë, a i bie kjo se Kurti duhet të dorëzohet? E kaluara e tij në tregon se një gjë e tillë kurrë nuk do të ndodhë. Madje, qasja e tij në politikë më shumë u ngjan filmave “Samuraji i fundit” dhe “Braveheart” sesa e një politikani/kryeministri. E kjo a është mirë, a është keq? Mirë për votuesit, por si duket në pista afatgjata mund të jetë rrezik për shtetin.
Tim Winter-i thotë se, “durimi dhe butësia kanë aftësinë që ta shkrijnë zemrën më të ashpër dhe më të egër”. Por, kur butësia zëvendësohet me ashpërsi, çfarë ndodhë?!
Nëse e gabojmë këtë kryqëzim historik, kostoja do të jetë shumë e lartë.
Rasti i “kthimit të shpinës” MEK-ut në Tiranë është treguesi më i mirë se si funksionojnë Fuqitë e Mëdha (lexo: SHBA-ja). Mendoj se Kurti duhet ta lexojë këtë shembull shkollor.
Lëvizja e pllakave tektonike zhduk shumë milingona dhe insekte. Ne, shqiptarët, duhet ta kuptojmë se kjo dridhje globale gjithsesi se mund dhe do të na prekë edhe neve, për të keq ose për të mirë. Tani varet shumë edhe prej nesh se në cilën pllakë do të ngjitemi.
Ne nuk kemi takat për t’u shtirë se kemi arsenal bërthamor, ndaj jemi të detyruar t’ia dimë hallin vetes. E nëse nuk e kuptojmë këtë, keq i kemi punët.
Mes narracionit dhe veprimit, ekziston një det i tërë, ka shumë patriotë prapa skenës, por skena nuk duron improvizime.
Dhe, krejt në fund, leximi i historisë na ka mësuar një gjë – janë ca gabime pas të cilave nuk ka më kthim prapa. Pleqtë një kohë thoshin, “tërhiqe, por mos e këput”!

(Editoriali i Revistës SHENJA)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X