loader image
December 14, 2024

Kosova sot shënon fundin e romancës politike dhe fillimin e real-politikës

Ngjarjet aktuale personalisht nuk më befasojnë, por ndjehem keq kur shoh të jetësohet një parashikim i imi i kobshëm se nga prerja e nyjës ballkanike mund të ngrihet koncepti “Serbia qendër kryesore në Ballkan”. Më saktë, realizimi në qetësi i idesë “bota serbe”. Por, as kjo nuk më befason, përveçse më bën të ndjej neveri për politikën tonë naive, pa ëndërr shqiptare.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Çka po ndodhë në Kosovë? A po ndodhë zgjimi nga një romansë politike për të përjetuar një zhgënjim real politik? Duket se po, por me shumë vonesë. Si dhe pse tani na doli gjumi?

Më kujtohet tani se si 24 vite më parë, kur ushtria e NATO-s depërtonte në Kosovë, ndërsa populli i këtij vendi ishte i entuziazmuar brohoriste rrugës, hidhte lule mbi tanke kah kalonin ushtarët, i përqafonin ata, madje një plak shkoi aq larg, sa i puthi çizmet ushtarit. Unë isha në zyrat e grupit parlamentar, aso kohe deputet në parlamentin e Maqedonisë, në shoqërinë e dy kolegëve dhe udhëheqësve politikë, Abdurahman Alitit dhe Naser Ziberit. Me atë rast i pëshpërita fjalët: “Dashtë Zoti nuk do ta pres ditën kur mbi këta ushtarë do të hedhim gur e dru”. Dy kolegët e mi pa një pa dy m’u vërsulen dhe ma tërhoqën vërejtjen se flas broçkulla. “Kjo kurrë nuk do të ndodhë.”, më thanë ata. Në një atmosferë të tillë nuk kishte vend as për dialog e debat, por veçse u thashë: “Kështu janë pritur shumë ushtri tjera para kësaj, por si u përcollën?”. Nëpër dhëmbë i pëshpërita fjalët: “Në histori asnjë ushtri nuk ka shkuar për të pushtuar dikë, por për të çliruar; por, në fund kanë mbaruar si okupatorë, uzurpatorë, kolonialistë e shtypës ideologjik”. Ua përkujtova thënien e Makiavelit se “ushtria mercenare nuk është e mirë, por e huaja fare nuk bën”. Ai nuk flet për ushtri amerikane e europiane, as për ushtri çlirimtare që i shpëton vendet për t’ua sjellë lirinë si e Napolonit, as për atë naziste për ta çliruar njerëzimin prej korrupsionit dhe intrigantëve hebraikë dhe as për atë të Stalinit e Titos, që na çliroi prej nazizmit e borgjezisë. Ai të gjitha i përmbledh në një – “ushtri të huaja”. Çdonjëra prej këtyre ushtrive, përskaj qëllimeve të “mira”, megjithatë janë ose përfundojnë si të huaja.

I ndërgjegjshëm për këtë fakt historik, çdoherë kur shihja të organizohen koncerte falënderimi për ditën e pavarësisë së SHBA-së dhe shumë lëvdata e premtime boshe se “kurrë nuk do ta harrojmë miqësinë e Amerikës dhe popullit shqiptar”, mundohesha ta imagjinoj kohën kur gjithë ky iluzion do të përmbytet për të dalë në dritën e bardhë fytyra e vërtetë e real-politikës – “nuk ka miqësi të përhershme, nuk ka dashuri të përhershme, por ka interesa të përhershme”.

Sot përjetojmë një këndellje të trishtueshme, që dikush e quan “mjerim i politikës kosovare”, më saktë i Albin Kurtit, kurse për mua para mjerimit të kësaj politike qëndron mjerimi i politikës europiane dhe asaj amerikane. Nuk mund jetë asgjë tjetër, përveçse mjerim i politikës së këtyre dy qendrave, ku shqiptarët e kanë varur fatin e tyre, përderisa Ukraina mundohet të mbrohet në Ibër e Kosovë. Nuk mund të mos jetë mjerim më i madh kur dy diplomatët amerikanë, Eskobar dhe Hill, ngrenë dolli për një fillim të ri të bashkëpunimit serbo-amerikan me rastin e themelimit të odës ekonomike të këtyre dy shteteve. Po, biznesi nuk njeh kufij, por politika ka principe e parime dhe nganjëherë thyerja e tyre ka çmim më të lartë se çfarëdo përfitimi që mund të sjellë një bashkëpunim ekonomik.

Ngjarjet aktuale personalisht nuk më befasojnë, por ndjehem keq kur shoh të jetësohet një parashikim i imi i kobshëm se nga prerja e nyjës ballkanike mund të ngrihet koncepti “Serbia qendër kryesore në Ballkan”. Më saktë, realizimi në qetësi i idesë “bota serbe”. Por, as kjo nuk më befason, përveçse më bën të ndjej neveri për politikën tonë naive, pa ëndërr shqiptare. Jo njëherë kam paralajmëruar dhe e kam shtruar pyetjen se cila është ëndrra shqiptare? Politika zyrtare, me përjashtime të zërave të vetmuar, e proklamoi ëndrrën europiane, ëndrrën amerikane, por jo edhe ëndrrën shqiptare. Në mungesë të asaj ëndrre, në shtetet tona kemi zhgënjim dhe dëshpërim, ndërsa në vend të europeizmit kemi getoizimin. Të rinjtë dhe të rejat nisen rrugës që ta realizojnë ëndrrën e tyre në Europë e Amerikë. duke lënë pas vete shkretinë intelektuale dhe ngufatjen e entuziazmit rinor.

Si mbërritëm deri këtu? Injoranca, naiviteti politik, patriotizmi e nacionalizmi, në vend se të nxiten prej zemrës e të artikulohen nga mendja, ata fillojnë dhe mbarojnë te barku. Plotësimi i nevojave ekzistenciale, për neve mjafton të konsiderohet e arritur, patriotizëm e nacionalizëm, duke harruar dinjitetin, krenarinë, mirënjohjen dhe ndjenjën e përkatësisë si vlera më të larta njerëzore. Nëse e para garanton ekzistencën, një instinkt sa njerëzor, aq më shumë shtazor, vlerat shtesë, përfshi krenarinë, bëjnë dallimin nga paraardhësit tanë shtazorë. Nuk dua të besoj se te neve evolucioni ka ngecur, por se kemi nevojë për këndellje intelektuale e politike, kjo është më se evidente.

Me modestinë time intelektuale disa herë e kisha paralajmëruar këtë rrezik, por ja që pak ose aspak nuk u reagua. Më kujtohet viti 2008, kur patëm një punëtori në Shkup, të organizuar nga një ekspert i NATO-s me pretendimin që t’i parashohim rreziqet e mundshëm për Ballkanin në 10-15 vitet e ardhshme. Atëherë i kisha shtruar tre skenarët e mundshëm nëse dështon koncepti i shteteve multietnike, veçanërisht në Kosovë, me ç’rast procesi integrues në NATO dhe BE për vendet e rajonit do të vonohet. Sipas këndvështrimit tim asokohe, këta ishin tre skenarët e mundshëm: 1. Tendencë që nga shtete multietnike të bëhet përpjekje të formohen shtetet monoetnike; 2. Një përpjekje për pajtim shqiptaro-serb, jo kosovaro serb, që unë e kisha quajtur Albo-Serbi dhe, i fundit, e që më së paku e preferoja; 3. Ngritja e Serbisë në shtyllë kryesore stabiliteti në Ballkan me rrezikun që konflikti ndëretnik të transferohet në ndërfetar dhe nga ballkanike në euro-aziatike. Argumente e shtruara aso kohe nuk do t’i përsëris (ju sugjeroj t’i lexoni kolumnat e mia të botuar në librin “Sfidat shqiptare”). Nga kjo distancë kohore mund të përkujtoj se dy skenarët e parë nuk u realizuan dhe të paralajmëroj se ky i fundit është në realizim e sipër, bile edhe me ndihmën e elitave politike shqiptare dhe heshtjes intelektuale.

Tendenca për vizatim të kufijve etnikë nuk ishte veçse përpjekja për korrigjim të kufijve, këmbim territoresh, sido që ta quani angazhimin e proklamuar për këtë ide nga Thaçi e Rama. Ballkani i Hapur, një kopje e keqe e asaj që unë e shihja si pajtim shqiptaro serb, me promotorët Ramë e Vuçiq, dhe fatkeqësisht këtë të fundit, kur Serbia proklamohet si mbrojtëse e Ballkanit. Tanimë është e qartë se nga faktori ndërkombëtarë bëhen përpjekje për t’i dhënë pozitë qendrore Serbisë në regjion, nën pretekstin se duhet paguar çmimi që ta heqim prej kthetrave ruse dhe duhet t’i bëhet një shpagim për dëmin e bërë me intervenimin e NATO-s.

Arsyetimet mund edhe të duken të logjikshme, prandaj edhe elitat politike shqiptare, për momentin përjashto Kurtin, pa një pa dy, nga naiviteti, kapja ose injoranca politike u solidarizuan me këtë ide “euro-atlantike” për llogari të izolimit të Kurtit. Për mua, arsyeja e vërtetë është përtej se pragmatizëm politik, që mund të përshkruhet si panik, huti e mungesë ideje në të cilën gjendet bota perëndimore në kohën kur dridhet ngrehina e botës unipolare, post Luftës së Ftohtë, për t’i lënë hapësirë asaj multipolare, të cilën ende nuk e dimë si do të duket.

Në këto rrethana të turbullta, sërish e shtroj pyetjen, që disa herë e kam shtruar: çfarë do të ndodhë me idenë e bashkimit të shqiptarëve në Europën e bashkuar kur Europa seriozisht nuk mendon të zgjerohet, kurse neve në vend bashkimit shumë më tepër e preferojmë dezintegrimin, feudalizmin dhe getoizimin? E di se ka të tillë që thonë se Ukraina e ka ndërgjegjësuar Europën për rrezikun se nëse “gropa e zezë”, e quajtur Ballkani Perëndimor, nëse nuk mbushet, rrezikojnë gjithë të bien në te. Po, është e vërtetë se një retorik e tillë dominon, por përderisa jemi “Ballkani Perëndimor”, ne jemi “tjetri”, ndryshe, “jo-Europa”. Gjegjësisht, para se seriozisht të flasin për integrim, duhet të fillojnë të bëjnë “de-ballkanizimin” e Ballkanit nga koka e tyre. Kjo do të thotë se ata duhet ta pranojnë se ky regjion është Europë, qoftë ajo qendrore apo juglindore, me të përbashkëtat e dallimet, një dhe e pandarë nga kontinenti jo vetëm në aspektin gjeografik, por edhe mental, kulturor e sociologjik. Në të kundërtën do të mbetemi të presim nën strehën e saj kur do mëshirohen të na fusin brenda para se dikush tjetër të na ketë përvetësuar. Më së paku preferoj të mbetemi “vija ndarëse”, siç na trajtojnë për momentin, në mes të Europës, ose edhe më keq të jemi mbrojtësit e jashtëm të kështjellës që të parët duhet të sakrifikohemi para se ajo “të sulmohet”.

Krijimi i perceptimit se jemi një dhe të pandarë në shtetet që i preferojmë fatkeqësisht nuk zhvillohet. Përkundrazi, dominojnë etiketimet si “të korruptuar, të pareformuar e të paemancipuar, bizantin e orientalistë”, mbështjellë nën oblandën “mungojnë reformat”. Sigurisht se nuk pres përgjigje për alternativën shqiptare e as kthjellimin e opinionit publik në Europë, pos që shpreh zhgënjimin dhe dëshpërimin tim duke mbetur me shpresën se konteksti mund të ndikojë në qartësimin e nebulozës që mbizotëron për situatën dhe të ndikojë në gjenerim të ideve dhe reflektim se gjërat prej vetvetes nuk ndryshojnë, por që mund të përkeqësohen. Ndryshimi kërkon ide origjinale, vullnet, energji e guxim, njeri me mendje të ndritur dhe shpirt të pastër, që nuk është i kontaminuar përmes edukimit, trajnimit dhe shkollimit me një botë që rrënohet, për të shtruar vizionin për një të re që na pret. Por, një njeri i tillë për momentin nuk duken në horizont. Megjithëse shpresa vdes e fundit.

Në fund, cili është roli i Kosovës në pikturën e madhe gjeopolitike që po vizatohet sot, pas 24 viteve të ndërhyrjes ushtarake? Ajo është e ngjashme sikur edhe para 24 viteve kur rrënohej bota bipolare për t’u ngrit kjo unipolarja. Kosova është toka ku zihen elefantët. Kur zihen elefantët, i pari që e pëson është bari mbi atë tokë. Atëherë kur përjetuan dëbim, gjenocid e degjenerim, u garantua strehim, atëherë mbijetesën e quajtëm çlirim e pavarësi, por jo shtet e sovranitet. Sot kërkohet territor për integritet – të këmbehet liria për lojalitet, ndërsa demokracia për partneritet. Krejt kjo për rolin që na është dhënë ose e kemi marrë – për të qenë fusha ku demat mprehin brinjët.

Që të kuptohet kjo, duhet të kuptohet se po përjetojmë procesin e perëndimit të dominimit perëndimor dhe ngritjes së qendrave alternative të ndikimit, pikësëpari atyre të largët, Kinës. Forca e kësaj fuqie të re botërore në ngritje te ne shpërfaqet përmes shtytjes që u bën aktorëve lokalë, si Serbi, Greqi e Bullgari, e atyre regjionalë, Rusi e Turqi. Kjo ma kujton kohën e rënies së Perandorisë Romake kur akuzohej Krishterimi dhe predikuesit e këtij besimi hidheshin në koleseume ose kohën e rënies së perandorisë papale, kur Xhordano Bruno e Nikola Koperniku digjeshin në dru për ide alternative. Përskaj kësaj masakre të luftës së të resë me të vjetrën, as Krishterimi nuk ndaloi në pushtimin e Romës, e as toka nuk u ndal që të rrotullohej rreth diellit. Por, çmimi i të qenit këlyshi i parë është të hidhesh në pleh.

E përbashkëta e asaj kohe me të sotmen, në aspektin gjeopolitik, është se edhe atëherë Kina ishte në ngritje si sot. Në rastin e parë bënte presion mbi vizigotët e ostrogotët, të cilën në fund e pushtuan Romën e pamposhtur dhe pas rrëmujës u ngrit pushteti papal. Në rastin e dytë Kina i shtynte mongolët, kurse këta të fundit selxhukët, të cilët e rrënuan Bizantin për të depërtuar osmanët në Ballkan dhe më gjerë në Europë, që si efekt anësor solli botën e re, që e quajmë civilizim perëndimor.

Çka i lidh dy historitë paraprake me situatën aktuale? Kina sot është po aq e fortë e në rritje dhe bën presion si më parë. Si rezultat anësor ishte rënia e Afganistanit – vija e parë ndarëse. U vazhdua me Irakun e Krimenë, që sot të vihet në rrezik fronti i parafundit, Ukraina. Shqiptarët, si mburoja e gjallë e kështjellës, përjetojnë plasaritje sa për fajin e vet, aq për mungesë ndërgjegjësimi perëndimor se “Hanibali nuk u mund para portave të Romës, por në Kartagjenë”. Që të shpëtohet Europa prej Kinës nuk duhet kërkuar betejë para portave të saj, siç është Kosova e regjioni, por kërkohet një strategji si e gjeneralit Publius Shipioni, që e mbrojti Romën duke e sulmuar Kartagjenën. Pasi nuk ka një strateg të tillë, sot kontinenti ka nevojë o për një Cezar që me aktin e martesës me Kleopatrën deshi të pajtojë Romën me Egjiptin o për një Augustin, që me zgjuarsi gjeti paqe në perandori për ta shtyrë së paku rënien për një kohë.

Pra, duhet kuptuar se ngjarjet në Kosovë dhe regjion nuk janë vetëm një episod para dramës së madhe gjeopolitike që zhvillohet. Andaj, çdo përpjekje për të dhënë një shpjegim se çfarë ndodhë në Kosovë, kush është në të drejtë e kush është fajtorë, pa e pasur parasysh hartën e madhe globale, është e mangët dhe jo e plotë. Albini, Osmani, Rama, Vuçiqi e Ali Ahmeti janë vetëm statistë në teatrin e madh politik, që megjithatë duhet të jenë në skenë, por që nuk ia vlen t’u kushtohet një vëmendje më e madhe. Pasi këta dhe ata para tyre e lëshuan shansin të bëjnë një zgjidhje më të qëndrueshme që do t’u rezistonin më fuqishëm këtyre turbulencave, s’na mbetet veçse të konstatojmë se mbaroi koha e romancave politike për Kosovën dhe shqiptarët dhe tash vijon fillimi i real-politikës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X