loader image
December 12, 2024

Respektimi i elementeve përbërës të kulturës gjuhësore në radiotelevizion

“Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture”. (E. Çabej)

Shkruan: Mehmet HALIMI, Prishtinë

Gjuha është muzikë

Gjuha përbëhet nga këto elemente përbërëse: ritmin, pauzën, intonacionin, shprehësinë, intensitetin, ngjyrën e zërit, njerëzishmërinë dhe muzikalitetin radiofonik, elemente këto që dëshmojnë për muzikalitetin e gjuhës. Ligjërimi me tinguj shqiptuar këndshëm, me ritëm e me pauza të natyrshme, me fjalë e fjali akustike, me respektim të intonacionit dhe interpunksionit – përfaqëson një ligjërim integral, joshës e simpatik, duke e shquar dhe theksuar bukurinë e natyrës së gjuhës së njësuar të standardizuar kombëtare letrare të folësit në radiotelevizion. Këtu e kemi fjalën për kultivimin e kulturës së gjuhës së standardizuar letrare kombëtare në radiotelevizion si medium informativ, i cili ushtron një ndikim të ndjeshëm e të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme te teleshikuesit e te teledëgjuesit, jo vetëm shqiptarë, por edhe te shqipfolësit e huaj, duke ngrehur atë në një nivel të lartë të përsosmërisë së saj si gjuhë e kulturës, shkencës, e artit dhe teknikës.
Para se të thellohemi në analizën e gjuhës së radiotelevizionit si medium masiv gojor, do të përpiqemi t’u përgjigjemi tri çështjeve:
– Mjetet e informimit audiovizuel si mjete integruese të kulturës së gjuhës së njësuar të standardizuar kombëtare.
– Përmasat e ndikimit të saj në rrafshin ndërkombëtar. Paraqitja e kulturës gjuhësore, jo vetëm te shqipfolësit shqiptarë, por edhe te shqipfolësit e huaj (njohës të gjuhës shqipe).
– Kultivimi i normave drejtshqiptimore, duke respektuar elementet përbërëse të një ligjërimi melodik te folësit të radiotelevizionit, siç janë tempi e ritmi, pauza e intonacioni, shprehësia e intensiteti i zërit, respektimi i theksit e ligjërimi i ngrohtë e njerëzor dhe muzikaliteti i këndshëm akustik radiofonik tërheqës e simpatik.
Për teledëgjuesin, siç dihet, nuk ka rëndësi vetëm si është hartuar e si është shkruar një lajm nga ana drejtshkrimore, por edhe si kumtohet ky lajm nga ana drejtshqiptimore. Ligjërimi që i përmbushë kushtet në dy rrafshe, në rrafshin drejtshkrimor dhe në rrafshin drejtshqiptimor, është më i pranueshëm dhe më i kuptueshëm për teledëgjuesit. Sepse, ndër gjuhëtarët tanë është bërë dukuri obliguese gjuha e standardizuar letrare kombëtare të studiohet vetëm nga ana e rrafshit drejtshkrimor, duke lënë anash ose duke i kushtuar shumë pak kujdes rrafshit drejtshqiptimor.
Radiotelevizioni, si mjet i informimit gojor, është njëri ndër kultivuesit dhe standardizuesit më të rëndësishëm të zbatimit praktik të normës së gjuhës së standardizuar letrare kombëtare. Pikërisht për këtë arsye meriton të vëzhgohet e të studiohet në mënyrë më sistemore, të nxirren problemet, të bëhen përgjithësime të mëtejshme dhe mbi këtë bazë të ndihmohen punonjësit e të gjitha redaksive për të zotëruar në shkallë më të lartë e në mënyrë më besnike normën letrare dhe pasurinë leksikore të gjuhës sonë amtare.
Qartësimi i normës letrare si dhe zbatimi i saj i gjerë në trajtën e shkruar, mundëson vështrimin e duhur edhe të anës së saj të folur drejtshqiptimore.
Radiotelevizioni emisionet e veta i realizon me anë të ligjërimit (spikerimit të folësit), prandaj, ai përbën mjetin integrues të kulturës së gjuhës së njësuar standarde letrare. Përveç procesit mësimor universitar, në shkolla tetëvjeçare e në shkolla të mesme, në teatër e në tubime shkencore si dhe në konferenca publike, ku me ngulmë e me vetëdije të lartë, bëhen përpjekje të vazhdueshme që të zbatohet varianti ligjërimor e drejtshqiptimor i normës letrare, shtysë e fuqishme dhe mbështetje solide, në këtë drejtim është gjuha e radiotelevizionit si medium i drejtpërdrejtë informativ. Si i këtillë ky institucion kulturor e informativ është rrezatues kryesor i kristalizimit dhe i zbatimit të normave drejtshqiptimore të shqipes së standardizuar letrare, prandaj ai duhet të synojë në mënyrë të vazhdueshme dhe të bëjë përpjekje për rrafshimin e dallimeve dialektore e provinciale në unifikimin e tyre në një variant të përbashkët gjuhësor të të gjitha moshave. “Pak muaj, më parë u Krijua Këshilli Ndërakademik Kosovë-Shqipëri për një shqipe standarde. Të dy akademitë duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i kombësisë shqiptare, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore ndërmjet hapësirave kombëtare e vendeve ku flitet shqip, synojnë që zotërimi dhe përvetësimi i shqipes standarde të jetë objekti themelor i brezave të ardhshëm”, “Kryeministri duhet të kërkojë falje për shpikjen e termit “Kombi kosovar”, sepse shqiptarët kanë një gjuhë, një gjak, një komb”.
Mjetet e informimit gojor duhet të bëhen gjithashtu fokus rrezatues i përbashkët për shqipfolësit e të gjitha viseve shqiptare etnike mbarëkombëtare, duke u shtrirë kështu edhe në trevat e diasporës, por njëkohësisht të ushtrojë ndikim të fuqishëm edhe ndër mërgimtarët tanë me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm. Kështu shqipja letrare kombëtare nëpërmjet valëve të radios dhe të televizionit arrin shtrirje europiane e tejoqeanike te dëgjuesit e teleshikuesit shqiptarë në mbarë rruzullin tokësor, do të thotë me anë të radiotelevizionit, gjuha letrare kombëtare gamën e rrezatimit të vet e shtrinë edhe jashtë trojeve shqiptare. Në këtë mënyrë, falë të arriturave teknike, shqipja letrare kombëtare ushtron ndikim te shqipfolësit anembanë botës. Nga ky realitet rezulton se roli i radiotelevizionit në kultivimin e kulturës gjuhësore ndër masat shqipfolëse është shumë i madh. Prandaj, duke pasur parasysh rolin e madh të tij, duhet të kemi parasysh se edhe përgjegjësia për zbatimin korrekt të kulturës gjuhësore në emisionet radiotelevizive është e madhe dhe përcakton një ndërgjegje të lartë gjuhësore, sepse duke ofruar fizionominë besnike të gjuhës letrare kombëtare, ndihmohet vitaliteti e rivaliteti i saj i pandërprerë që si një ind i përhershëm lidh e ndërlidh, i afron dhe i bashkon të gjithë shqipfolësit në një variant të përbashkët të komunikimit gjuhësor ndërvëllazëror, duke i bërë ata ballëlartë e krenarë për një gjuhë amtare të përsosur, i respekton dhe i nderon ata kudo që gjenden në botë. Në këtë mënyrë gjuha letrare kombëtare bëhet kurorë e integrimit kombëtar, shenjë e shenjues me të cilin na njeh bota si popull dhe si komb i qytetëruar dhe i kulturuar. Këtë e dëshmon emisioni shumë i qëlluar i mërgimtarëve tanë, që emetohet për çdo të shtune, i emërtuar “FOL SHQIP!”, i cili tubon jo vetëm atdhetarët shqiptarë, por edhe dashamirët tanë e të gjuhës shqipe të përkatësive të gjuhëve të tjera të Europës. “Mallkuar qoftë ai bir shqiptari/ Që këtë gjuhë të perëndisë, / Trashëgim që na i la i pari / Trashëgim nuk ia le fëmisë. ”(Gj. Fishta)
Përpjekja për t’ia kundërvënë gjuhës së njësuar letrare kombëtare një variant dialektor për të bashkëvepruar e bashkëjetuar me të, e cila ka nxjerrë krye edhe nga një numër minor diletantësh të gjuhës në Kosovë, me tendencë të krijimit të një kombi të imagjinuar “kosovar”, përbën një rrezik me prapavijë dhe me pasoja të përçarjeve rajonale, që shpijnë jo vetëm drejt divergjencave dhe çintegrimit gjuhësor, por ç’është edhe më tragjike dëmtojnë e shpartallojnë edhe unitetin kombëtar, kulturor, arsimor e shkencor, që është ngritur me aq mund e përpjekje, me lot e me gjak. Gjuha është pronë shpirtërore e mbarë një populli dhe një kombi. Ajo është vlera më e shenjtë dhe më e shtrenjtë kombëtare. Shumë të rralla janë rastet në botë, ku një popull apo një komb të ketë dy gjuhë letrare.
“Nga Bostoni i Amerikës, Konica shprehej: “Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, koha plot shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë, dhe plot me dëshirë, trimoshët e dheut tanë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore e kulturore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri, kur në radhë të parë respekton vlerat e kombit tënd” Ndaj, me përgjegjësinë më të madhe mund të themi se gjuha e njësuar dhe e standardizuar letrare kombëtare është vepra më madhore e historisë sonë kombëtare, është fortifikata më e qëndrueshme, më e pranueshme, më e nevojshme dhe më e domosdoshme gjuhësore, e cila vijimisht duhet të latohet e plotësohet, të pasurohet e të zbukurohen muret e saja nga jashtë, por kurrsesi të dëmtohen nga themeli e të shemben nga brenda.
Qysh në KONSULTËN GJUHËSORE, mbajtur në Prishtinë më 23 prill 1968, u mor vendim i prerë: NJË KOMB – NJË GJUHË, që u përligj edhe në KONGRESIN E DREJTSHKRIMIT, më 1972, organizuar në Tiranë. Gjuha letrare kombëtare, që përbën kështjellën e kulturës gjuhësore, nuk mund të shembet e të kërcënohet për teke e qëllime tendencioze të disa individëve të caktuar, të vetmuar si një zë i ngjirur në shkretëtirë. Gjuha e njësuar letrare është synim shekullor, ashtu siç ishte Kongresi i alfabetit shqip në Manastir më 1908, i realizuar me përpjekje, me djers e gjak të këtij kombi. Siç dëshmon rasti i Petro Nino Luarasit: “Më vrisni, por lejoni që gjaku im t’u shërbejë për ngjyrë që t’i shkruani shkronjat e alfabetit shqip”. Që të jemi sa më afër njëri-tjetrit edhe si vëllezër edhe si shqipfolës duhet të komunikojmë në një gjuhë të vetme letrare kombëtare.
Kultura e të folurit duhet të ketë qëllim parësor afrimin e shqipfolësve në një pikë të përbashkët, e kurrsesi t’i largojë ata në të folme dialektore, lokale e provinciale, ndonëse këto të folme do të fliten edhe një kohë të gjatë nga pjesëtarët e saj. Sikur shqipfolësit të imitonin natë e ditë njëri-tjetrin, duke mësuar ligjërimin e një të folmeje dialektore, atëherë nuk do të ekzistonte kultura e të folurit të një gjuhe të njësuar letrare kombëtare. Mirëpo, folësit e një të folmeje dialektore, duke iu shmangur dhe larguar të folmes së tyre dialektore, nga njëra anë, dhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme t’i afrohen gjuhës së përbashkët letrare kombëtare, nga ana tjetër, ata në këtë nderje dhe në këtë kapërcyell, krijojnë kulturën e të folurit në gjuhën letrare kombëtare. Folësi (spikeri) i radiotelevizionit nuk ka të drejtë t’i drejtohet teleshikuesve dhe teledëgjuesve në të folme dialektore, sepse kështu do të krijojë pika larguese ndërmjet shqipfolësve të trevave të tjera që kanë tjetër të folme, ai bën një akt të pakulturar ndaj telespektatorëve të vet. Duhet të kihet gjithmonë parasysh qëllimin e afrimit të teleshikuesve nga treva të ndryshme dialektore. Kështu, duke dëgjuar emisionet radiotelevizive në gjuhën e normuar e të standardizuar letrare, dëgjuesit radiotelevizivë afrohen në një pikë të përbashkët të kulturës së të folurit në gjuhën e njësuar letrare kombëtare. Çdo kthim prapa paraqet një anakronizëm të zhvillimit historik, kulturor e gjuhësor, me përmasa të dëmshme, të pariparueshme e çintegruese për unitetin kombëtar. Sepse proceset e kryera nuk kanë kthim prapa. Ato janë kryer njëherë e përgjithmonë (si Alfabeti i Gjuhës Shqipe), rikthim e përsëritje nuk mund të ketë, por mund të ketë plotësime e freskime përkryerje e përsosje të këtyre proceseve.

Përmasa në rrafshin ndërkombëtar të gjuhës shqipe dhe kulturës së saj

Përhapja e kulturës gjuhësore me anë të radiotelevizionit bëhet edhe ndër shqipfolës, të cilët shqipen nuk e kanë gjuhë amtare. Pra, sot shqipja mësohet e flitet edhe nga të huajt. Në këtë drejtim veprojnë e punojnë shumë katedra e lektorate albanologjike, ku mësohet e flitet shqipja si gjuhë joamtare, si p. sh. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Këto institucione kanë shënuar dhe po shënojnë rezultate të dalluara. Këtë e dëshmon numri i madh i veprave të botuara nga numri i konsideruar i albanologëve të shquar, siç janë të njohur: H. Pedersen, G. Majer, N. Jokli, W. Fidler, Oda Buchholz, V. Georgijev, B. Sokolova, A. Desnickaja e shumë të tjerë, të cilët kontribuuan edhe në kurorëzimin e gjuhës së sotme letrare kombëtare. Dikur qendrat e shkencave albanologjike ekzistonin dhe vepronin jashtë trojeve etnike shqiptare, ku flitej shqipja. Sepse populli shqiptar ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe pushtuesve serbosllav. Sot ato janë zhvendosur në qendrat universitare të truallit shqiptar: në Tiranë, në Prishtinë e në Tetovë e së fundmi edhe në Shkup. Në këto qendra universitare, pavarësisht nga të folmet dialektore të vendit, që fliten nga shqipfolësit e këtyre trevave, mësimi në këto qendra universitare zhvillohet në gjuhën e përbashkët letrare kombëtare. Madje, edhe arsimi fetar, ndonëse është injoruar e është mënjanuar nga pushteti i atëhershëm monist, kur u mbajt Konsulta Gjuhësore në Prishtinë (1968) dhe Kongresi i Drejtshkrimit, në Tiranë (1972), me kohë edhe institucionet fetare e përqafuan vullnetarisht gjuhën e njësuar letrare kombëtare, qoftë në shkolla fetare, e fakultete, qoftë në tekste të përkthyera të librave të shenjtë të Biblës dhe të Kuranit. Kështu sot, ylemaja myslimane dhe kleri katolik e ortodoks shqiptar në predikimet e tyre fetare, në të shumtën e rasteve, përdorin gjuhën e njësuar letrare kombëtare. Divergjencat gjuhësore në plan kombëtar ka kohë që janë zhdukur. Ndërkaq, ato që sot kanë qitë krye, pavarësisht nga qëllimi i tyre, nuk ndjellin erë të mirë në kultivimin e kulturës gjuhësore.
Sot, një numër i konsideruar radiostacionesh të botës, në emisionet e tyre, përdorin gjuhën e njësuar letrare kombëtare shqipe. Të gjitha këto qendra radiotelevizive për gjedhe të gjuhës letrare, në emisionet e rregullta, kanë radiostacionet televizive të qendrave shqiptare, kryesisht Radiotelevizionin e Tiranës. Sado që folësit e këtyre radiostacioneve të huaja përpiqen të shqiptojnë besnikërisht shqipen letrare, ata i tradhton ndikimi i madh i theksit të gjuhës së tyre amtare dhe ne me rastin e dëgjimit mund të konstatojmë se cili radiotelevizion i huaj po transmeton lajmet informative. E kjo hetohet me shqiptimin e fjalëve shqipe, por me: theks e ritëm, tempo e intonacion e ngjyrim të zërit të gjuhës së tyre amtare përkatëse: anglishtes, gjermanishtes, frëngjishtes, italishtes, rusishtes, kinezishtes etj. Sepse spikeri nuk mund të ikë prej vetvetes, nuk mund t’i largohet muzikalitetit e theksit të gjuhës së vet amtare. Kjo është krejt e natyrshme. Një model të shqipes origjinale, të gjuhës letrare kombëtare, këto radiostacione të huaja mund ta mësojnë dhe përvetësojnë vetëm nga ushtrimi i qendrave radiotelevizive shqiptare. Prandaj, folësit e këtyre radiotelevizioneve shqiptare kanë për detyrë, jo vetëm të realizojnë besnikërisht anën drejtshkrimore, por të zbatojnë me përpikëri edhe anën drejtshqiptimore, duke iu përmbajtur tempit interpunksional, theksit radiofonik e melodik, sepse gjuha në natyrën e saj ka ngjyrën e zërit, forcën e lartësinë, ritmin e melodinë, intensitetin e muzikalitetin e saj. Pra, duke pasur parasysh këto elemente të zëna ngoje, mund të themi me plot të drejtë se gjuha është muzikë. Ashtu si në muzikë, ku për të realizuar një melodi të caktuar, duhen respektuar notat muzikore, pikërisht siç veprojmë duke shtypur shkronjat përkatëse në makinën e shkrimit, formojmë fjalën e dëshiruar. Pra, edhe në emetimin e lajmeve informative duhet të përmbushen dhe realizohen kriteret drejtshqiptimore radiofonike e melodike, me një shqiptim të natyrshëm e muzikal, përvetësues e njerëzor, ku frymon kultura e njerëzishmërisë, saktësia kuptimore e bukuria ligjërimore gjuhësore. Respektimi i përpiktë i këtyre elementeve nga ana e spikerëve shqiptarë, dëshmon për shkallë të lartë të përgjegjësisë dhe të ndërgjegjes gjuhësore dhe të kultivimit të kulturës ligjërimore (të spikerimit) në radiotelevizion. Po nuk u respektuan elementet drejtshqiptimore në frymën e natyrës muzikale të shqipes letrare kombëtare, ajo nuk mund t’i përngjajë më gjuhës sonë amtare, por mund të duket si një shqipe artificiale, e folur si nga ndonjë shqipfolës i pangritur dialektor ose nga ndonjë shqipfolës joshqiptar. Ky është edhe njëri ndër faktorët kombëtar që ne si popull e si komb paraqitemi para botës me një gjuhë të njësuar letrare kombëtare, e jo me dy variante rivale, ndonëse në mungesë të ndonjë zgjidhjeje më të mirë, çdo e folme dialektore apo dialekt do të mund të ngrihej në normë të gjuhës letrare, por elita intelektuale mori këtë vendim dhe në Konsultën Gjuhësore – Një komb një gjuhë (1968) dhe në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), bëri këtë zgjidhje si njëra nga zgjidhjet më të mira dhe më të drejta. Ndaj, botës së qytetëruar duhet t’i tregojmë se njësimi i gjuhës i paraprinë edhe njësimit kombëtar e shtetëror, sepse “trupi pa gjymtyrë dhe gjymtyrët pa trup nuk mund të jetojnë e të zhvillohen ndaras, por vetëm të bashkuar si një trup dhe si një tërësi mund të zhvillohen e të përparojnë, duke ndërtuar: jetën, kulturën, artin, pra edhe gjuhën e tyre si pronë dhe mjet komunikimi të përbashkët kombëtar” Kështu gjuha letrare kombëtare fiton edhe një dimension në rrafshin ndërkombëtar të komunikimit dhe të kultivimit e të avancimit të saj drejt një gjuhe të përkryer dhe të përsosur, duke zënë vend në gjirin e gjuhëve më të zhvilluara e më të afirmuara botërore.
Kultivimi i normave drejtshqiptimore dhe respektimi i elementeve përbërës, që e ngrenë kulturën gjuhësore të radiotelevizionit në shkallë më të lartë të estetikës akustike e bukurtingëllimit radiofonik, siç janë: tempi, ritmi, pauza, intonacioni, shprehësia, intensiteti i zërit, respektimi i theksit, ngjyra e zërit (butësia e vrazhdësia e zërit), njerëzishmëria dhe muzikaliteti radiofonik. Sado që këto elemente ligjërimore është vështirë të ndahen njëri prej tjetrit, për t’i pasur më të qartë, ne do të bëjmë fjalë, duke i analizuar e trajtuar veç e veç secilin prej tyre. Kështu duke bërë një analizë të hollësishme të kulturës së gjuhës, që zbatohet (përdoret) në radiotelevizion, do të përpiqemi të arrijmë disa rezultate sintetizuese të kultivimit gjuhësor në mjetet informative të radiotelevizionit.

Tempi

Tempi ka rëndësi të dorës së parë si në ligjërimin e përditshëm bisedor, e aq më tepër në ligjërimin informativ, që ushtron në ekranet televizive. Njeriu mendon në vetvete, përmbajtjen e këtij mendimi e koncepton për vete, por meqë flet para të tjerëve, ai duhet të shpreh atë mendim sa më qartë e sa më saktë, duke përdorur një temp të qëndrueshëm në ligjërim. Prandaj edhe folësi (spikeri) kur flet para ekranit televiziv duhet të ketë parasysh se në ç’masë mund ta kuptojë dhe ta pranojë mesazhin e caktuar teleshikuesi, dëgjuesi ose bashkëbiseduesi. Në qoftë se nga tërësia e fjalëve të shprehura nuk kuptohen së paku 40 për qind të tyre nga teleshikuesi, atëherë tempi i ligjërimit të folësit është tepër i shpejtuar. Spikeri duhet të ketë parasysh se teleshikuesi (teledëgjuesi) nuk është ndonjë kanal mikrofoni që mund t’i regjistrojë dhe t’i kuptojë të gjitha fjalët e shqiptuara me një shpejtësi aq të rrufeshme. Nuk mund të pranohet për pesë minuta ajo që duhet të absorbohet për gjysmë ore. Unë po shoh dhe po dëgjoj për çdo ditë se si spikerët e Radiotelevizionit të Kosovës gjatë transmetimit të lajmeve po përdorin një shpejtësi marramendëse, duke përdorë gjuhën para mendimit, “Gjuha nuk duhet të kalojë mendimin” (Hillon), duke mos i shqiptuar as tingujt e as fjalët të plota, duke mos menduar se ç’po thonë edhe vetë, po bëhen të pakuptueshëm. Sepse të flasësh pa menduar është si të qëllosh pa shënjuar. Përse kjo nguti? Nëse gjuha është mjet për marrëveshje ndërmjet njerëzve, atëherë kur ajo që thuhet turravrap, sikur të ndjek dikush, apo sikur nuk ke kohë ta thuash qartë mendimin tënd, ajo bëhet gjuhë dhe mjet i mosmarrëveshjes. E pra, cili është roli dhe qëllimi i radiotelevizionit marrëveshja apo mosmarrëveshja?! Nëse lajmet televizive kanë numër të madh të informatave, atëherë teledëgjuesi humbë interesimin dhe nuk i ndjek fare lajmet me kureshtje dhe interesim. Radiotelevizioni si mjet informimi, ka qëllim që për një kohë sa më të shkurtër, dhe në të njëjtën kohë të dëgjohet nga një numër sa më i madh teleshikuesish, sepse ky medium dëgjohet drejtpërsëdrejti. Prandaj, mund të thuhet se veçori e të folurit është të shfrytëzohet koha, kurse veçori e të shkruarit është të shfrytëzohet sipërfaqja-hapësira. Mënyra e komunikimit me anë të shkrimit nuk merr parasysh faktorin kohë, por cilësinë dhe përsosmërinë e tekstit. Poetit nuk i intereson sa kohë zgjatë vepra e tij, por sa larg depërton në masë dhe në ardhmëri, prandaj, investimi i kohës këtu çmohet më tepër. Në këtë rast ndeshim kundërthëniet ndërmjet dy formave të mesazhit ligjërimor.
Tempi i të folurit, shqiptimi i drejtë i fjalëve dhe i fjalive zgjojnë interesim dhe kureshtje te teledëgjuesi. Sepse fjalia është një peshojë ndërmjet subjektit dhe predikatit, ata përplotësojnë njëri-tjetrin. Fjalia duhet të ketë një organizim të thukët strukturor me qëllim që të përmbledh kohën momentale në një interval të caktuar kohor. Formulimi i informacioneve duhet të organizohet në fjali të shkurtra, të përmbledhura, të sakta e të qarta për teledëgjuesin. Sepse “Mendimet e larta gjenden në fjalitë e shkurtra” (Sami Frashëri). Sa më të ngritur intelektualisht të jenë teledëgjuesit aq më të gjata mund të përdoren fjalitë. Çdo fjali për t’u shprehur mund të zgjasë maksimum pesë sekonda. Nëse folësit (spikerët) e Radiotelevizionit i shqiptojnë fjalitë me temp më të shpejtuar, duke tejkaluar normën e caktuar kohore, ata më nuk e përjetojnë fjalinë si tërësi kuptimore, por interpretimin e tyre natyror e artificializojnë, duke interpretuar gjërat në mënyrë mekanike, sepse kur folësi flet shpejtë e pa pauza, duket sikur nuk mendon se ç’flet. Ky lloj leximi i folësve të Radiotelevizionit kushtëzon gabime eventuale të folësve, që e irritojnë teledëgjuesin. Kumtimi i lajmeve për të qenë sa më i bindshëm për teledëgjuesin duhet të ketë temp të natyrshëm të leximit apo ligjërimit, sepse tërë ajo që lexohet (spikerohet) dhe që kalon nëpër filtrin gojor, pavarësisht sa thellohet spikeri në përmbajtjen e saj, duhet të japë pamjen dhe bindjen se e tërë kjo të duket sikur po kalon edhe nëpër filtrin mendor. Ndaj jemi dëshmitar se Radiotelevizioni i Kosovës dhe radiotelevizionet private nuk po i përfillin këto kritere, por me kopjimin e imitimin e dukurisë së ngutjes ata po e bastardojnë, po e sakatojnë dhe po e shëmtojnë gjuhën tonë të bukur e të ëmbël amtare.

Ritmi

Si çdo gjuhë tjetër e botës, edhe gjuha shqipe ka ritmin e vet specifik e të veçantë. Ritmi është i domosdoshëm gjithkund në jetë, në natyrë, në gjithësi, pra edhe në gjuhë. E tërë gjuha është e ritmizuar. Ligjërimi ynë, ligjërimi i fëmijëve, cicërima e zogjve, fërfëllima e erës, pra edhe ligjërimi i folësve (spikerëve) në radiotelevizion. Ekziston ritmi i rrokjeve, ritmi i fjalëve dhe i fjalive dhe ritmi i gjuhës në përgjithësi. Në ritmin e fjalëve vijimisht ndikojnë elemente të nduarduarta. Kështu, te folësit mund të ushtrojnë ndikim të vazhdueshëm edhe të folmet dialektore, ku një zanore mund të zgjatet ose të shqiptohet më e shkurtër se ç’duhet shqiptuar, apo një bashkëtingëllore të shqiptohet jobesnikërisht dhe jo natyrshëm, duke prishur, jo vetëm ritmin e fjalës dhe të fjalisë, por duke sjell edhe ngatërrime kuptimesh. Në ligjërimin e përgjithshëm të folësit radioteleviziv, ndeshim ritmin e fjalës dhe ritmin e fjalisë. Për ligjërimin mund të thuhet se është ritmizimi edhe ushtrimi i muskujve të të folurit, ku nëpërmjet këtij ritmi, folësi përvetëson një të folur ritmik e të natyrshëm. Ligjërimi është shumë më i gjerë se tërësia e thellësia kuptimore e shprehjes sonë, sepse në ligjërim përdoren të gjitha mjetet shprehëse gjuhësore e leksikore, ku ndërlidhen edhe elementët jashtëleksikore, siç janë: intonacioni, intensiteti, tempi i fjalisë, pauza dhe gjestet. E tërë kjo zgjeron kuptimin më shumë seç zakonisht mund të kuptohet pa i zbatuar këta elementë. Njeriu është krijues dhe zotërues i fjalës, i cili përveç kuptimit parësor që ka fjala, mund t’i japë edhe kuptime tjera sipas dëshirës jashtëgjuhësore e jashtëleksikore me anë të tempit, ritmit, intonacionit, ngjyrës së zërit pauzës, gjesteve e mimikës. Të folurit është fenomen individual dhe kolektiv. Kultura e të folurit nuk duhet kuptuar vetëm si një akt ligjërimi, sepse gjuha e folur në jetën e përditshme mund të kuptohet si e folme dialektore. Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme nga e folmja e shkruar dhe e folmja e folur. Kjo vërehet edhe te pjesa dërrmuese e intelektualëve, të cilët kur flasin në stilin e tyre bisedor, komunikojnë në të folmen dialektore, ndërsa kur shkruajnë respektojnë normat e gjuhës letrare. Përkundër respektimit të pasurisë leksikore hetohet shqiptimi dialektor, i cili nuk lejohet të bëhet dukuri e folësve të radiotelevizionit. Nga kjo rezulton se gjuha amtare ka ritmin dhe ngjyrën e zërit specifik, që dallohet nga gjuhët tjera. Ritmi i gjuhës është i natyrshëm dhe origjinal, i cili paraqet anën estetike, melodinë e muzikalitetin e kulturës gjuhësore. Ritmi përfaqëson artin e shprehur në fjalë, sepse edhe ligjërimi i folësit është një lloj arti. Çdo gjë në natyrë zhvillohet sipas një ritmi: ritmi i frymëmarrjes dhe i pulseve të zemrës dhe i qarkullimit të gjakut. Edhe në poezi edhe në prozë ekziston ritmi. Profesor Petar Guberina thotë: “Ekziston një ind që ndërton bazën arkitekturore. Ky ind në të vërtetë është ritmi. Dhe ky ritëm do të shprehet domosdo nëpërmjet notave muzikore”, sepse në muzikë çdo notë, në pikturë çdo vijë, në valle çdo lëvizje, janë fjalë të shprehura me ritmin e zërit, të ngjyrave ose të kërcimit ritmik. Karakteristikë e çdo ligjërimi është ritmi. Ritmi është ndërmjetësues ndërmjet skajeve të fjalës, sepse organet ritmike janë mushkëritë dhe zemra. Zemra harmonizon këto skaje. Ndërsa truri është polistatik dhe qendror i njeriut, kurse jeta është rezultat i pandërprerë i forcës ritmike, që nuk shuhet. Prandaj, të dish të flasësh e të shqiptosh drejt fjalët, do të thotë, jo vetëm t’i zbatosh drejt ato, por edhe të shijosh bukurinë akustike të ritmit muzikor të gjuhës. Këtë duhet ta zbatojnë, në radhë të parë, folësit e radiotelevizionit, sepse televizioni është medium masiv gojor sot në botën moderne. Këta (folësit) mund të kultivojnë kulturën e tyre gjuhësore me anë të ushtrimeve të vazhdueshme. Të dëgjosh vetveten, do të thotë të kontrollosh, ta analizosh, prandaj folësi (televiziv) është me rëndësi të dëgjojë vetveten, të ndikojë në reprodukim. Ligjërimi është dinamikë e pandërprerë, ndaj me anë të vibratorit, folësi mund të kultivojë bukurinë ritmike të zërit. Ritmi ka rëndësi të veçantë në gjuhë, sepse edhe jeta e njeriut është krijuar sipas ritmit, pra edhe ne krijojmë sipas këtij ritmi jetësor. Ritmi gjuhësor realizohet nga një grup faktorësh kohor, si melodik po ashtu edhe dinamikë. Çdo veprim varet nga frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës, që është një veprim i kontrolluar si në valle, në muzikë, në të ecur dhe në të folur, ku cilësohet një ritmizim i qëndrueshëm. Ritmi i gjuhës është i kushtëzuar neurobiologjikisht. Pra, ritmi i të folurit përbëhet nga aspekti gjuhësor dhe biologjik. Ritmi vepron edhe në nivelin fonologjik. Ritmin mund ta ngadalësojë prania e grupeve të shumta të bashkëtingëlloreve, që ndodhen para një pauze. Në bazë të përdorimit të ritmit të shpejtë, normal dhe të ngadalësuar, kemi tre lloje spikerimi: të ngadalësuar, të moderuar dhe të shpejtuar, të cilët varen nga ritmizimi dhe izokronizimi i gjuhës (shqipe)”. (Shih, Irena Sawicka, Izokronizimi në gjuhën shqipe, Ligjëratë e mbajtur në ASHAK, më 22 nëntor 2022). Pa ritëm nuk do të kishte as jetë as ligjërim. Gjithçka lëvizë e vepron dhe sipas një ligji të caktuar qarkullon. Ritmi realizohet e jetësohet në lëvizje, kurse ligjërimi në të folur.

Pauza

Pauza është një harmonizim ndërmjet logjikës dhe leximit ose ligjërimit. Nëse spikeri flet me ritëm tepër të shpejtuar dhe pa respektuar pauzat (pushimet) logjike, që përfaqësojnë interpunksionin, kemi përshtypjen se ai njeri nuk mendon fare kur flet dhe nuk është i vetëdijshëm se çka flet. Kështu ngjanë edhe me disa folës (spikerë) të Radiotelevizionit të Kosovës, të cilët flasin aq shpejt e ngutshëm, duke i hëngër shkronjat e duke përdhunuar pauzat, që na duket se e kanë mësuar tekstin përmendësh. Pauzat qëllimore, krijojnë përshtypje sikur diç po mendojnë derisa flasin, nga njëra anë dhe se pas çdo pauze fillon një mendim i ri, nga ana tjetër. Pra, pauza shënon mbarimin e një mendimi dhe fillimin e një mendimi tjetër. Pauza ka qëllimin e ndërmjetësimin-ndarjen dhe njëkohësisht thellimin e një mendimi të ri. Ndërkaq, disa folës të tjerë bëjnë pauzë pa nevojë, e kur nuk duhet, sepse pas kësaj pauze ligjërimore, pason diç krejtësisht e parëndësishme, që nuk sjell asgjë të re, që nuk është aspak informative, ndaj kjo fjalë mund të thuhej edhe pa pushim, do të thotë pa pauzë. Këtu, në këtë rast pushimi (pauza) është artificializuar, është përdorur pa vend. Gjithmonë, në fillim paralajmërohet tema ose një problem, me një fjalë të vetme, e pastaj kjo dendet me informacione të hollësishme. Duke respektuar pauzën, është parapëlqyer leximi (spikerimi) as i shpejtë as i ngadalshëm. Leximi i shpejtë vështirëson vëllimin e të kuptuarit, ndërsa leximi tepër i ngadalshëm bëhet monoton e i panatyrshëm dhe zvogëlon shkallën e interesimit. Kur respektohen pushimet, ne e kuptojmë më mirë një tekst të lexuar. Sepse me këtë rast informacionet ofrohen si pija ose ushqimi në gota e në pjata më të vogla, që mund të pihen ose të gëlltiten më lehtë. Pra, ashtu edhe një tekst i lexuar me pauza interpunksioni mund të kuptohet më lehtë, më mirë e më drejtë. E nëse shpejtohet ritmi, pa respektuar pauzat (pushimet), pason diskontinuiteti, duke hepuar mendimet e idetë me diç krejtësisht tjetër, që nuk ka të bëjë me ligjërimin e spikerit. Integrimi i një fjalie ndërlidhë të gjitha fjalët në një intonacion e informacion tërësor.

Intonacioni

Folësi në radiotelevizion duhet të respektojë edhe intonacionin e zërit me të cilin i drejtohet teleshikuesve dhe teledëgjuesve. Intonacioni ka rëndësi të veçantë në shqiptimin e fjalëve dhe në kumtimin e një informacioni të caktuar. Fjalët nuk janë vetëm njësi semantike ose nocione kuptimore, që shprehin mendimin fjollë në vijë të drejtë, por ato janë të ngjyrosura me shprehësi dhe me disponim shpirtëror e me ngrohtësi njerëzore. Prandaj, ka shumë rëndësi se si kumtohet një informacion (një lajm) dhe çfarë intonacioni i japim: Intonacion i rëndomësisë, i habisë, i frikës, i kureshtjes, i urrejtjes, i gëzimit e i hidhërimit apo i pikëllimit, i mallëngjimit e i nostalgjisë. Të gjitha këto momente shpirtërore mund të shprehen me fjalë të rëndomta, por me intonacion të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet intonacionit, njeriu modelon fjalë, duke u dhënë kuptime të mirëfillta fjalëve përkatëse, ai mënjanon kuptimin arbitrar, që fjalës së caktuar mund t’i japin leksikografët. Nëpërmjet gjesteve dhe intonacionit, ne mënjanojmë arbitraritetin e fjalëve. Ndërsa sipas dëshirës sonë i japim kuptim të caktuar. Falë intonacionit, ne udhëheqim me ligjërimin tonë. Në bazë të intonacionit përcaktohet edhe kuptimi e domethënia e caktuar e fjalës përkatëse. Sepse vetë njeriu është timonier, krijues dhe zotërues i fjalës, me anë të intonacionit ai i jep kuptim fjalës sipas dëshirës së vet e sipas qëllimit semantik.

Shprehësia

Nëpërmjet intonacioneve të nduarduarta me efekte të ndryshme, ne mund të ndryshojmë strukturat semantike të fjalisë. Fjalia, përveç intonacionit vertikal e horizontal, ka intensitetin dhe shprehësinë e vet. Në këtë denduri krijuese të shprehjeve, çdo fjalë që në aspektin leksikologjik nuk është shprehëse, mund të shndërrohet në kuptim shprehës. Këtë mundësi mund ta emërtojmë shprehësi leksikore. Në qoftë se themi: “Po kjo qenka gjë e tmerrshme!”, kur kemi dhembje, ndonëse është fjalë e mundshme, sepse fjala dhembje si njësi leksikore ka shprehësi më të ulët se fjala tmerrshme. Vlen të theksojmë se përdorimi i dimunitivit dhe augmentativit bartin në vete kuptime shprehëse. Shprehësia shfaqet edhe me përdorimin e interpunksionit. Për shembull, Nuk dua të mësoj, sepse më dhembë koka. Apo Mëso, si baba gomar mos u bën! Dhe duke ia ndërruar vendin presjes, do të thotë pauzës: Mëso si baba, (e)gomar mos u bën”. Pra, dihet mirëfilli se shprehësia nuk qëndron vetëm në kuptimin leksikor të fjalëve, por në vetë njeriun, në vetë folësin, i cili ka mundësinë e të shprehurit të lirë, në mënyra të nduarduarta. Folësi ka rezerva të mëdha dhe mundësi të gjera për të shprehur mendimet e veta në mënyrë, jo vetëm të saktë, të qartë, por edhe në mënyrë të civilizuar, duke kultivuar kulturën gjuhësore në shkallë të lartë të përsosmërisë të kulturës së gjuhës letrare kombëtare, që mund të bëhet model edhe për folësin e rëndomtë. Në këtë mënyrë folësi plotëson dy kritere: respekton normën letrare, nga njëra anë, por njëkohësisht respekton edhe teleshikuesit (teledëgjuesit), nga ana tjetër. Baza e çdo shkrimi është ligjërimi. Ndonëse, shkrimi nuk mund të shënojë besnikëriht çdo ligjërim, sepse përkundër shenjave të pikësimit, si: presjes, pikëpresjes, pikëpyetjes, pikëçuditëses, etj. , nuk shënohet gjatësia e zanoreve, e tempit, e ritmit, e intonacionit, d.m.th.., mungon theksi i ligjërimit besnik. Përkundër kësaj, folësi shqiptar, tekstin në fjalë e lexon dhe e shqipton drejt e me lehtësi, sepse ajo për të është gjuhë amtare. Ligjërimi i paraprinë shkrimit. Nuk ekziston lexim pa shkrim. Folësi (spikeri) në televizion lexon atë që është shkruar. Duhet të mësohet leximi besnik edhe i fjalëve në gjuhë të huaja si dhe të respektohet ana shprehëse në kumtimin drejtshqiptimor të informacionit. Gjuha mësohet edhe nëpërmjet shprehësisë. Fëmijët, të cilët nuk e mësojnë gjuhën amtare në gjirin familjar, kurrë nuk do ta mësojnë mirë drejtshqiptimin e fjalëve, por do të kenë probleme të vazhdueshme gjatë tërë jetës së tyre. Gjuha e huaj mësohet artificialisht, kurse gjuha amtare mësohet natyrshëm, duke dëgjuar e shijuar dhe duke folur vijimisht në ambientin e gjirin intim familjar. Nëse gjuha nuk pasurohet vijimisht, ajo do të mplaket dhe do të zhduket si çdo organizëm tjetër i gjallë. Nëse gjuha nuk flitet një kohë të gjatë, shumë fjalë veniten e zbehen, harrohen e zhduken. Kështu ka ndodhur me leksikun e pasivizuar, ku shumë fjalë, përveç pasivizimit, janë zhdukur krejtësisht. Shprehësia është e lidhur ngusht me intensitetin e zërit.

Intensiteti i zërit

Si përbërës qenësor i kulturës së gjuhës, konsiderohet edhe intensiteti i zërit, i cili shquhet me veçori të ndryshme me përmasa të elementeve tjera. Prandaj, kërkohet t’i kushtohet kujdes edhe intonacionit, ndërrimit të zërit, lartësisë në forcë e në ritëm, që nuk janë gjithnjë të natyrshme. Kjo vërehet në shkallë të ndryshme të përdorimit të elementeve në fjalën te folësit e çdo emisioni. Fjala në radiotelevizion është shtyp i folur, kur folësi lexon, por sipas sintaksës së konceptuar mendimore ai është mendim i artikuluar me fytyrë radiofonike drejtshqiptimore të gjuhës letrare kombëtare.

Respektimi i theksit

Intensiteti i zërit përbëhet nga theksimi i rrokjeve. Gjuha ka rrokje të theksuara dhe të patheksuara në fjalë dhe fjalë të theksuara në fjali e fjali të theksuara në tekst gojor dhe në atë shkrimor. Shpesh në emisionet televizive ndeshim mosrespektimin e theksit, si për shembull te përdorimi i fjalëve të huaja, të cilat shqiptohen gabimisht tábllo për tablló, kálcium për kalcíum; Kóman për Komán; Líverpul për Liverpúl; kompjutér për kompjúter; Ankárë për Ankará; Kanadë për Kanadá, etj. Mirëpo, ndjehen edhe luhatje te fjalët: e diéle për e díel; herét për héret; i sigúrt për i sígurt, ose drenicásit, prishtinásit e vendásit në vend të: drenícasit (Drenicë), prishtínasit (Prishtínë), véndasit (vénd) apo Zhegér e Ferizáj në vend të: Zhégër e Ferízaj (nga Feriz). Shih edhe Skenderáj për Skénderaj, Vúshtrri për Vushtrrí.

Ngjyra e zërit

Çdo folës i ka veçoritë e ngjyrës së zërit. Çdo folës ka organitetin e vet individual e origjinal, ndaj flet e sillet sipas tij, duke i shprehur tiparet e tij në të folur: ngjyrën e zërit, mungesën ose praninë e nazalitetit (hundësimit), madje shpesh tepër të theksuar në tinguj të caktuar, vrazhdësia e zërit dhe njerëzishmëria e muzikaliteti radiofonik.
Nazaliteti i theksuar është cilësi negative dhe tepër antipatike (folës ndërhundës, nërhunç, hunç e hunaç, krahaso me thuthaç, ai që flet me maje të gjuhës e që i shqipton të gjithë tingujt të ngjyrosur me timbrin e bashkëtingëllores th). Folësi, që shqipton zanoret tepër të hundorëzuara, i tëhuaj dhe i largon teledëgjuesit, i irriton dhe i nevrikos, bëhet antipatik dhe jo i dëgjuar me ëndje.
Vrazhdësia e zërit shkakton te teledëgjuesit e te radiodëgjuesit antipati e indiferentizëm. Vrazhdësia e zërit shkakton në zonën e veshit frekuencë të madhe auditive, për këtë arsye shkakton nervozizëm te teleshikuesit dhe te radiodëgjuesit. Ligjërimi me zë të ngjirur, me zë të spirruar ose me zë tepër të thekshëm, më tepër frikëson sesa të tërheq. Në këto raste më tepër na tërheq vëmendjen ngjyra e stërkequr e zërit të pazakonshëm e të panatyrshëm e karikaturist, sesa përmbajtja e tekstit. Prandaj, një zë i tillë, një zë i vrazhdë, vështirëson përcjelljen dhe të kuptuarit e drejtë të përmbajtjes së mesazhit. Edhe ligjërimi i ngadalësuar e zvarritës (zhagitës) është antipatik. Ky ligjërim merr kuptim ironik e karikaturistik, veçanërisht ligjërimi i artistëve në skenë teatrore apo i filmave, i cili siç dihet në raste gjegjëse ka për qëllim të thumbojë ose të ironizojë e të karikaturizojë e të përqeshë një individ ose një dukuri shoqërore negative.

Kultura e ligjërimit

Butësia e zërit varet nga shkalla e kulturës së folësit (spikerit), nga shkalla e intensitetit të zërit. Zëri i lartë, jo vetëm që mund të konsiderohet si imponim, por shpesh merr ngjyrim të tonit kërcënues. Leximi i fjalëpërfjalshëm është lexim i dobët, i mërzitshëm dhe mënjanon njerëzishmërinë, dhe si i tillë është përdhunim i gjuhës, është i panjerëzishëm dhe i panatyrshëm, që u mungon kultura gjuhësore. Ana drejtshkrimore ofron edhe anën drejtshqiptimore, mirëpo në disa treva gjuhësore mungojnë fonemat q, gj, sepse këto qiellzore grykore kanë kaluar dhe shqiptohen si afrikate paraqiellzore ç, xh, ndaj mund të ndodh ngatërrimi ndërmjet fjalëve qaj, qarë (lotoj, qaj me lot) dhe çaj, çarë (dru, rrugën) në vetën e parë, si dhe mosshqiptimi i h-së nistore si: ëna, ëngra etj. , në vend të hëna, hëngra, dhe në pozicion mestor koa, haet, etj, në vend të koha, hahet. Duhet të kihet kujdes gjithashtu në nyjëtimin dialektor të disa tingujve. Kështu kemi hetuar se shumë anëtarë e folës nga Shqipëria e Jugut dhe në Kosovë (Pejë) nuk i dallojnë mirë tingujt r dhe rr; shqiptohen me r fjalët: rafsh i rallë, rebesh, regull, resht për: rrafsh i rrallë, rrebesh, rregull, rresht, përkundrazi aty ku nuk duhet të shqiptohen me rr, fjalët: i rrafinuar, rrebel, rracë, rraport, etj në vend të : i rafinuar, rebel, racë, raport. Në Radiotelevizionin Shqiptar dëgjova shqiptimin me shkronjën rr për Presidentin Rugova, që nuk tingëllonte fare natyrshëm, sepse ngatërrohej me foljen rrugova, rrugëve, rrugoj, etj. Këtë dukuri e ndeshim edhe në të folmen e qytetit të Pejës. Përdorimi i pavend i numërorit themelor tre e tri, si: tre javë, tre herë, tre parti, etj. , në vend të: tri javë, tri herë, tri parti. Sepse i vetmi numëror themelor që ka gjini, femërore e mashkullore është numri tre e tri. Në kohët e fundit, veçanërisht në periudhën e tranzicionit demokratik kanë filluar të vërshojnë një numër i madh fjalësh të huaja në mënyrë të pakontrolluar, si: eviniment, verdikt, balotazhë, dikaster, departament, flesh, kesh, divorc, etj: në vend të fjalëve thjesht shqipe, me brumë të gjuhës amtare, që nuk i mungojnë asaj. Ndaj, duke vërejtur këtë dukuri të shëmtuar, akademik Shaban Demiraj tërheq vërejtjen: “Të gjithë ata që shqipen e quajnë gjuhë të tyre të nënës, të mos heqin dorë nga mbrojtja e saj… ”

Njerëzishmëria

Ligjërimi i folësit të radiotelevizionit duhet të shquhet edhe nga cilësia e njerëzishmërisë, nga butësia e ngrohtësia e zërit, afërsia intime e njerëzore. Ligjërimi që përmban sa më tepër që është e mundshme zë të këndshëm, ritëm, pauzë, shqiptim e diksion të kumbueshëm, duke respektuar njëkohësisht shenjat e pikësimit (interpunksionin), bëhet më i pranueshëm dhe do të ketë dëgjueshmëri më të madhe. Njeriun e gjejmë në të folur, e jo në gjuhë. “Fjala është forcë e madhe, ajo bind, shndërron, detyron” (Emerson). Gjuha jeton në njeriun, pra S-ja (përfaqëson subjektin-njeriun), kurse P-ja (kallëzuesin, predikatin, veprimin), kurse S2- P2, subjekti jep predikatin. S2 do të thotë se njeriu shqipton fjalët (subjekti-njeriu është krijues, ndaj gjuha jeton në të, në subjekt). Prandaj, me rastin e pranimit të folësve radiotelevizivë, duhet pasur parasysh në radhë të parë, zërin melodik e akustik dhe estetik e artistik. Zëri që i plotëson këto cilësi e kritere, zëri që është më i kumbueshëm, më i ngrohtë e më i njerëzishëm, më i kultivuar e më akustik, më estetik e më i bukur, është më i pranueshëm e më i parapëlqyeshëm nga teleshikuesit e teledëgjuesit. Disa folës kanë zë të natyrshëm, të lindur. Çdo shqipfolës nuk mund të bëhet spiker dhe interpretues i mirë i radiotelevizionit. Prandaj, në kultivimin e kulturës gjuhësore në televizion ndikojnë edhe faktorët e zënë ngoje. Gjuha e standardizuar letrare kombëtare duhet të bëhet trajtë e motivuar për të gjithë, e afërt e dashur për të gjithë shqipfolësit e saj. Ashtu siç ka spikerë me prirje të talentuar për të ligjëruar mirë, ka edhe teledëgjues e simpatizues kureshtarë e të talentuar për të dëgjuar me ëndje të madhe rregullisht emisionet radiotelevizive. Ai bëhet ushqim shpirtëror e mendor për teledëgjuesit e rregullt. Shtimi i numrit të tyre varet nga spikerët e mirë radiofonikë. Kultivimi i kulturës gjuhësore në radiotelevizion obligon dhe kultivon edhe kulturën e teledëgjuesve për të dëgjuar me kureshtje, me kënaqësi e interesim të veçantë folësit e tij mediatikë. Sepse ashtu si toka pjellore që nuk jep fryte pa e punuar, po ashtu edhe gjuha nuk përsoset pa e kultivuar kulturën e saj gjuhësore. Ndaj, ne kulturën e të folurit e mësojmë nëpërmjet gjuhës së njësuar letrare kombëtare, e cila është gjuhë e standardizuar, jo vetëm për shqipfolësit brendakombëtarë, që shqipen e kanë gjuhë të nënës, por edhe për shqipfolësit, teleshikuesit e radiodëgjuesit, për shqipfolësit ose shqipkuptuesit e simpatizuesit ndërkombëtarë anembanë botës që si model kanë gjuhën tonë të njësuar letrare kombëtare, e cila është ndërtuar nga të folmet tona dialektore. Mendimin dhe qëndrimin tim për lidhjet e ngushta të gjuhës letrare me të folmet popullore, unë para katër dekadash i kam krahasuar si lidhjet ndërmjet qumështit dhe ajkës (mazës). Sepse ashtu siç nuk mund të ekzistojë ajkë (mazë) pa qumësht, nuk mund të ekzistojë as gjuhë letrare pa të folme e pa dialekte. Vetëm në saje të ekzistimit të qumështit ekziston edhe ajka (maza) e tij, por edhe qumështi pa ajkë (mazë) nuk ka cilësi të lartë. Pra gjuha popullore, do të thotë të folmet dhe dialektet ofrojnë ëndën e parë, pasurinë gjuhësore e leksikore, kurse gjuha letrare e standardizuar kombëtare bënë finalizimin e saj, duke krijuar rregulla dhe norma gjuhësore të përgjithshme dhe të përbashkëta, ajo e standardizon dhe e kodifikon gjuhën popullore në një gjuhë të kulturës dhe të shkencës e teknikës. Pra, “Të folmet popullore dhe gjuha letrare kombëtare janë të ndërlidhura si qumështi e ajka. Njëra pa tjetrën as nuk kanë vlerë as nuk mund të ekzistojnë, por njëra-tjetrën e ushqejnë dhe e ndërplotësojnë” (M. Halimi, E FOLMJA E KARADAKUT, Prishtinë, 2008, f. 11) Gjuha letrare falë lidhjeve të pandërprera me të folmet popullore, ajo gjithnjë nëpërmjet kapilarëve të saj është ujitur e selitur, është freskuar e pasuruar nga të folmet popullore dhe ka arritur të bëhet Gjuhë letrare kombëtare e standardizuar, forma më e përsosur e gjuhës sonë amtare, të ëmbël, melodike e muzikale, të cilën e flet dhe e kultivon, e ruan me nostalgji, e don dhe e çmon me dashuri të madhe si gjënë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë kombëtare.

*Për shkak të natyrës së revistës, janë hequr të gjitha fusnotat.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X