loader image
October 14, 2024

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit të shquar shqiptar, Azem Idriz Marana

Profesor Xhevair Shaqiri, veprimtar i NDSH-së nga Nerashti i Tetovës shkruan: “Pasi u burgosëm, një natë para se të pushkatohet Azemi, policia e burgut erdhi dhe e mori atë, duke e vendosë në një qeli. Ne shokët e Azemit i dhamë një paketë cigare ‘Morava’ që kishte 100 cigare. Të nesërmen në mëngjes pamë derën e qelisë hapur. U futëm brenda, aty pamë paketën e zbrazët dhe me gurë të shkruar fjalia: ‘Sa e ëmbël qenka vdekja për liri’…”.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Më 25 mars të këtij viti u mbushën plot 100 vjet nga lindja e mësuesit, gazetarit, kulturologut, veprimtarit, atdhetarit të shquar dhe ideologut të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Azem Idriz Marana. Për hir të këtij përvjetori me rëndësi historike, e ndjeva si detyrim që shkrimin e radhës në revistën SHENJA t’ia kushtoj jetës dhe veprimtarisë së këtij kolosi të madh të çështjes shqiptare, i cili për fatin tonë të keq ende nuk e ka marrë vendin e merituar në historiografinë tonë kombëtare. E themi këtë, për arsye se sot, kur e përkujtojmë 100-vjetorin e lindjes dhe 76 vjetorin e pushkatimit të tij nga regjimi komunist jugosllavo-maqedonas dhe 33-vjetorin nga rënia e atij regjimi, me përjashtim të shkollës fillore periferike në fshatin Gajre (e cila falë dëshirës dhe vullnetit të madh të banorëve të këtij fshati e mban emrin e mësuesit të tyre të parë e të dashur Azem Marana), si dhe të një rruge të qytetit të Prishtinës, emri i tij nuk figuron në asnjë rrugë, bulevard, shesh, institucion arsimor e kulturor shqiptar në qytetin e Shkupit e më gjerë, edhe pse ai njihet si themeluesi i parë i shkollave shqipe në këtë qytet me rrethinë. Megjithëse Karshiaka dhe Marana krenohen se nga gjiri i tyre lindi Azem Marana, megjithatë për ta vendosja e emrit të tij në një rrugë rurale dhe të parëndësishme, siç është rruga midis Draçevës, Studeniçanit dhe Maranës, përbën nënçmimin më të madh që ka mund t’i bëhet atij, sepse veprimtaria e tij nuk pati karakter lokal, siç tentojnë ta paraqesin disa qarqe të këtushme, por mbarëkombëtar. Si i tillë, emri i Azem Maranës duhet të figurojë së paku në një shkollë fillore ose të mesme, si dhe në ndonjë shesh, institucion kulturor ose rrugë të rëndësishme në qytetin e Shkupit, i cili qytet, falë veprimtarisë së Azem Maranës dhe bashkëveprimtarëve të tij, gjatë viteve 1945-1946 qe shpallur qendra kryesore e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Kush ishte Azem Idriz Marana?

Azem Marana lindi më 25 mars 1923 në fshatin Maranë të krahinës së Karshiakës së Shkupit, e cila shtrihet në juglindje të Shkupit. Rrjedh nga një familje e cila në historiografinë tonë kombëtare njihet që nga Rilindja Kombëtare e këndej, si një ndër familjet më të ngritura në këtë krahinë. Teqeja e tyre një periudhë të gjatë ka shërbyer si qendër ku janë tubuar dhe kanë kuvenduar shumë patriotë, si Idriz Efendi Shkupjani, Sheh Strima, Sheh Vërtakica, Jashar Beu, shehu i Rahovecit, Seit Hoxha, Nexhib Draga e shumë të tjerë. Babai i tij, Idriz Kadriu, më se 40 vjet ka shërbyer si imam në xhaminë e katundit.

Shkollën fillore katërvjeçare e kreu me sukses shembullor në vitin 1933. Në vitin 1934 regjistrohet në një shkollë private në Shkup, që e mbante Remzi Efendi Abdullau, një ulema i njohur në atë kohë në këtë qytet e më gjerë. Shkollimin e mesëm e kreu në vitin 1940 në medresenë “Gazi Isa Beu” në Shkup. Në vitin shkollor 1940/41 u regjistrua në ciklin e lartë të kësaj medreseje, e cila shkollë pushoi së funksionuari me kapitullimin e Mbretërisë Jugosllave dhe pushtimin e Shkupit nga ushtria fashiste bullgare (prill të vitit 1941).

Në fillim të vitit 1942 Azem Marana u regjistrua në Normalen “Sami Bej Frashëri” në Prishtinë, e cila qe hapur më 22 dhjetor të vitit 1941. Më 28 shkurt 1942, me Dekret Mëkëmbësuer nr. 43 m, Ministria e Arsimit dekretohet që t’i hapë dy kurse pedagogjike, njërin në Prishtinë e tjetrin në Elbasan. Kursi pedagogjik në Prishtinë filloi punën me datën 08.07.1942, ku u regjistruan gjithsej 62 kursantë, në mesin e të cilëve edhe Azem Marana. Në datat 5-9 tetor 1942 kursistët iu nënshtruan provimeve në lëndët: Gjuhë shqipe, Gjeografi, Didaktikë, Psikologji dhe Edukatë. Azem Marana e përfundoi me sukses të lartë kursin pedagogjik dhe me urdhër të Inspektorisë së Arsimit në Prishtinë i ofrohet punë në Pazar të Ri, mirëpo Azemi e refuzoi këtë ofertë dhe u kthye në vendlindje. Arsyet për refuzimin e punësimit në Pazar të Ri duhen kuptuar në dy aspekte: së pari për aq kohë sa qëndroi në shtetin shqiptar, ai u frymëzua aq shumë me ideale kombëtare, saqë të gjithë ato ide mendonte t’ua përcillte vëllezërve të tij në vendlindje dhe, së dyti, angazhimi i tij nuk do të kishte ndonjë peshë në vend të panjohur ashtu siç do të kishte në vendlindjen e tij të robëruar.

Posa u kthye nga Prishtina, menjëherë ndërmori aktivitete për hapjen e shkollës shqipe në fshat, edhe pse pushtuesi bullgarë një të tillë nuk e lejonte. Përkundër ndalesës, Azemi e hapi shkollën e parë shqipe në Maranë, e cila në historikun e shkollës shqipe do të njihet si e para në rrethin e Shkupit. Puna e saj ishte në ilegalitet dhe do të zgjaste deri në fillim të vitit 1943, atëherë kur forcat bullgare e rrethuan shkollën, duke dashur ta arrestonin mësuesin Azem, mirëpo ai me një shkathtësi të jashtëzakonshme arriti t’i shmangej arrestimit, duke u larguar prej fshatit, për të kaluar në Tetovë. Posa mbërriti në Tetovë, u paraqit në Inspektorinë e Arsimit, e cila më 23 shkurt 1943 i shkruante Ministrisë së Arsimit për sa më poshtë vijon:

“U-paraqit sot në këtë Inspektori i quejtuni Azem Marana nga nji katund Shqiptar tej kufinit. Vjetin e kaluem ky paska vazhduem mësimet në Normalen e Prishtinës e në verë paska ndjek me sukses edhe Kursin Pedagogjik t’atij qyteti. Mbas mbarimit të kursit qenka sëmue e kështu i âsht dashtë të shkojë mëçaftas në katundin e’tij. Atje, mbassi e ka ndi vehten mâ mirë, ka zhvillue nji si farë propagande ndër katundarë për Shqiptarizëm e për gjuhën Shqipe, tue u mësue atyne, ndër të tjera, edhe shkrim e këndim Shqip. I diktuem prej agjentave Bullgarë, për të shpëtue prej arrestimit ka kaluem natën kufinin, tue ardhë këtu. Çfaqi dëshirën që të shërbejë si mësues në nji nga katundet e Tetovës, për të vazhdue veprën e tij në favor të Shqiptarizmës e mb’anë tjetër për të siguruem edhe jetesën e vet. Ndonjë dokument justifikues, për studimet e bâme, nuk ka. Lutemi të shikohet n’arshivën e Asaj P.T. Ministrije në se i naltpërmenduni e ka krye ose jo Kursin Pedagogjik të Prishtinës e në rastin pozitiv e propozojmë për t’a emnue mësues në katundin Gajre të Tetovës, ku shkolla âsht gati ose të dërgohet në Negotinë, ku numri i nxanësvet vazhduesa âsht i math. Mb’anë tjetër Ju propozojmë edhe se, në rast qi Kostaq Tushi, i cili âsht emnuem në Neproshten, nuk dëgjon të vijë, atëherë të dërgohet këtu, mbassi ushtrija e ka liruem lokalin e shkollës prej kohësh. Shtojmë se, si emigrant e pa asnji mbështetje jetese, me dëshirën e vet e dërguem të banojë në shkollën e Pirrokut, mbassi e njef e e ka shok mësuesin e atjeshëm, Hilmi Ejupin, për deri sa t’i vijë përgjegja e kësaj shkrese nga Ajo P.T.Ministri. I thamë edhe këtë se mund të ndihmonte shokun e vet, tue marrë me mësue nxanësit e Sadik Kadilliut, ish mësues n’atë shkollë e tash i marrun nën armë”.

Ndërkohë, inspektori i Arsimit të Tetovës, Mexhit Bekteshi, me 4 mars 1943 i shkruante edhe një letër plotësuese Ministrisë së Arsimit, në të cilën e njoftonte se në fshatin Gajre, me kërkesën e vetë banorëve të atij fshati, është dërguar mësuesi Azem Marana për të hapë shkollën shqipe. Në letër, e cila ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, fondi Ministria e Arsimit (195), M. Bekteshi shkruan:

“Sikurse kemi pas cekë edhe me t’onën Nr. 12/199 dt. 20.11.1942, shkolla e katundit Gajre ka qenë e shkatërrueme thuejse krejt dhe katundarët, tue pasë dëshirën e madhe që t’u shkonte nji mësues Shqiptar e meremetuen këtë shkollë dhe e bânë si të re, tue i blemë edhe shumë gjana kryesore si orendi etj. për nevojat e shkollës. Katundarët e këtij katundi herë mbas here na janë drejtuem dhe me shumë lutje kanë kërkuem qi t’u dërgohej mësuesi, mbassi mâ e kishin të gatshme shkollën. Ajo P.T.Ministri, tue qenë e shtrëngueme e tue i pasë shumë të pakët mësuesit, nuk mundi me ia plotsue dëshirën e këtij katundit. Tashti e solli si me thanë fati’ i tyne qi të vijë këtu kursisti i Prishtinës Z. Azem Morana i cili pranon me dëshirë qi të vejë në këtë katund të përbâmë vetëm prej shqiptarësh e të ndodhun shumë afër Tetovës. Me gjithë qi dokumentat përkatëse nuk na janë paraqitë ende, por tue i quejtë se këta do të jenë n’arshivën e Asaj P.T. Minmistrije, qysh sot Z. Morana e dërgojmë në Gajre, tue ju lutë Asaj P.T.Ministrije që të na e pranojë këtë propozim e njëkohësisht t’a njoftojë llogarin, për mbajtjen e shënimeve mbi pagesat e rrogës së tij, tue fillue prej datës 4.3.1943”.

Vendimi për dërgimin e Azemit në Gajre fillimisht u kundërshtua nga Ministria e Arsimit, e cila me 9 mars 1943 i dërgoi një telegram Inspektorisë së Arsimit të Tetovës, me këtë përmbajtje: “Azem Marana asht caktue për Mitrovicë pikë Në qoftë se paraqet arsye për pamundësi me shkue atje të dërgohet në Reçan dhe fillimi i tij me punë të na njoftohet”. Përplasjet midis inspektorit të arsimit të Tetovës, Mexhit Bekteshit, nga njëra anë, dhe Ministrisë së Arsimit, nga ana tjetër, zgjatën deri me 30 mars të atij viti, kur kjo e fundit njoftonte Drejtorinë e Arsimit Fillor në Tiranë, se: “Në mbështetje të shkresës Nr. 88/I dt. 4.3.43-XXI t’Inspektoris s’Arsimit të Tetovës, Z. Azem Salihi (Morana) i emnuem mësues në provë n’Obrij të Pejës dhe transferuem me urdhën në Gajre të Tetovës, ka fillue në detyrë më datën 4.III.1943-XXI. Të meren shënimet e nevojshme për pagimin e rrogës qysh nga data e sipërme”.

Duhet të vëmë në dukje faktin se malësorët e Sharrit, i bënë një pritje solemne, mësuesit të tyre, duke u tubuar në qendër të fshatit, për t’i uruar mirëseardhjen. Azemi paksa i hutuar, por edhe i emocionuar, masës së tubuar iu drejtua me këto fjalë:

Vëllezër të dashur, kam ardhur në fshatin tuaj, që t’i edukoj fëmijtë tuaj dhe nga ky moment edhe të mijtë, në gjuhën e bukur shqipe, por duhet të jemi të vetëdijshëm të gjithë ne, se me shkollën shqipe vërtet mbrojmë atdheun tonë. Nëse dikush na sulmon, unë do të dal në mal për të luftuar kundër armikut. Malësorë, ju do të m’i jepni rrobat e bukura malësore dhe rrogzinat që të mos mërdhij”.

Sipas regjistrit mësimor të vitit shkollor 1943/44, shkolla fillore “Muzaka” në Gajre pati gjithsej 55 nxënës, edhe atë 32 në klasë të parë dhe 23 në klasë të dytë. Ky vit shkollor duhej të fillonte me 23 nëntor dhe të mbaronte më 30 qershor 1944. Nga regjistri shkollor, por edhe nga dokumentacioni tjetër arkivor, del se Azem Marana shkollën fillore “Muzaka” në Gajre e kishte hapur më 4 mars 1943, ku u regjistruan 25 nxënës në klasë të parë, të cilët me 23 nëntor 1943 kaluan në klasë të dytë.

Krahas shkollës së rregullt, Azem Marana e hapi edhe kursin shkollor për të rritur. Kjo barrë nuk ishte e lehtë, duke e marrë parasysh faktin se ishte i angazhuar tërë ditën. Mirëpo, energjia e tij ishte aq e madhe, saqë nuk i mjaftonte vetëm kjo, por edhe pas orarit të punës mblidhte fshatarët dhe u shpjegonte gjëra të ndryshme, kryesisht arsim, kulturë. Jo rrallë ai i mësonte se si duhej punuar toka e si të ruhen bagëtitë, andaj për fshatarët u bë shumë i afërt dhe i dashur. Gajrasit nuk e donin Azemin vetëm sepse ishte mësues i tyre, por edhe pse ishte guximtar i madh dhe i pakursyer në ngritjen e ndërgjegjes morale dhe intelektuale të popullit shqiptar. Nuk do të shkonte shumë kohë dhe Inspektoria e Arsimit në Tetovë e dërgoi Azemin në fshatin Çegran të Gostivarit për ta hapur shkollën fillore atje. Ndaj këtij vendimi reaguan banorët e Gajrës, të cilët me një peticion të nënshkruar nga të gjithë kryefamiljarët kërkuan që mësuesi i tyre të kthehej në Gajre. Ky peticion pati sukses, sepse menjëherë Inspektoria e Tetovës e ktheu Azem Maranën në Gajre për të vazhduar të punonte me nxënësit e këtij fshati. Lidhur me këtë, inspektori i arsimit, Mexhit Bekteshi, më 3 dhjetor 1943, i shkruante Ministrisë së Arsimit se, në mungesë të personelit mësimor, ajo inspektori ishte detyruar t’i tërheqë mësuesit nga fshatrat e atij qarku për t’i vendosur në shkollat qendrore. Mirëpo, ky vendim u kundërshtua ashpër nga mbarë fshatarësia e atij qarku.

“…Mësuesit e katundevet, shkruante Bekteshi, qi janë mbajtë nëpër qendrat çdo ditë na kërkohen prej Komisjonevet të ndryshëm katundarë, madje Azem Marana i shkollës së Gajres, Idriz Idrizi i Reçicës dhe Abdyl-Qerim Seiti i Zhelinës u dërguen në vendet e shërbimit të shtrënguem prej këtyne kërkesave. Po në këtë mënyrë na kërkohen edhe personeli i paparaqitun ndër katundet e tjera. Simbas këtyne qi thamë, kemi hapë në Tetovë shkollën e Qendrës, të Reçicës, të Gajres dhe të Zhelinës në Gostivar e Kërçovë vetëm ato të qendrës…”.

Koha kur Azemi punonte si mësues në Gajre, ishte një kohë ku vendosej fati i çështjes shqiptare, ndaj ai si njeri me ndjenja të larta kombëtare, do ta mbështeste fuqishëm frymën nacionaliste shqiptare në Tetovë, së cilës i prinin Shuaip Kamberi, Nexhmedin Besimi, Gajur bej Derralla etj. Përkrahja e madhe që i dhanë gajrasit ia mundësuan Azemit organizimin e shumë takimeve të rëndësishme kombëtare, në të cilat morën pjesë intelektualët dhe nacionalistët shqiptarë të kësaj krahine shqiptare.

Në shtator të vitit 1944, me kërkesë të Shuaip Kamberit, Azem Marana nga Gajra kaloi në Tetovë, ku u inkuadrua në gazetën “Zani i Sharrit”, që ishte organ i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me detyrë që t’i kundërvihej propagandës komuniste, e cila në atë kohë propagandonte me të madhe “bashkim-vëllazërimin” e popullit shqiptar me popujt jugosllavë. Kjo detyrë e rëndë që iu dha Azem Maranës tregon se përkundër moshës së re, posa i kishte mbushur 21 vjet, ai po bëhej një burrështetas i vërtetë. Duke e shfletuar këtë gazetë, e cila pati fatin të dilte vetëm në katër numra (botohej një herë në javë), krahas Shuaip Kamberit si kryeredaktor i gazetës, dallohet edhe emri i Azem Maranës. Shkrimet e tij ishin shumëdimensionale, në të cilat prekej politika, kultura, tregimi, folklori, poezia, informatat për ngjarjet aktuale komentet etj. Nga shkrimet e shumta po veçojmë titujt: “Apostujt e shqiptarizmës” kushtuar Hoxhë Rexhep Vokës, pastaj “Vajza dibrane”, poezia “Kosova”, “Dasma në këngë”, informacioni për vizitën e prefektit të Tetovës në komunat e liruara nga okupatori bullgar. Në mënyrë të veçantë duhet përmendur tregimi me titull “Hakmarrja në përqafimë”, ku dy personazhet kryesore, Metë Kaci dhe Demë Kalisi, që ishin në hasmëri, për hir të atdheut përqafojnë njëri-tjetrin.

“… Metë Kaci i ngati dorën dhe e përlau për krahu: Ngrehu dhe shko në punën t’ande, gjakun e birit tem ta fala, ta fala vetëm për nder të Shqipnis, sepse ajo asht ma e çmueshme se biri jem dhe e dua ma tepër se vehten time. T’a duesh edhe ti, se pa te ç’na duhet jeta. Përgatitu pra për ta ruejtë nga anmiqtë që duen të na e shkelin e neve të na robnojnë, – i tha dhe e rrëmbeu për qafe për ta përqafue. Falemnderit për këshillat që mi jep dhe po ta jap fjalën e nderës dhe besën shqiptare se jeta e jeme ka me iu kushtue atdheut deri sa të jem gjallë, – i tha Dema Metës dhe ia hodhi edhe ky krahët përqafe …”.

Rrethanat e reja gjatë nëntorit 1944 e detyruan atë ta linte Tetovën për t’u kthyer në Shkup. Në atë kohë, në qytetin e Shkupit ishte vendosë edhe miku i tij i ngushtë, Hasan Billalli. Me vendosjen e këtyre dy personaliteteve të shquara shqiptare, fillojnë edhe lëvizjet e para kombëtare në këtë qytet të lashtë shqiptar. Ata, si dashamirës të arsimit shqip, menjëherë posa Ministria e Arsimit shpalli vendimin për hapjen e shkollave fillore, iu drejtuan Dhomës së Arsimit pranë Këshillit të Qytetit për marrjen e lejes së nevojshme për hapjen e shkollës shqipe në Shkup. Kërkesa e tyre fillimisht u hodh poshtë nga autoritetet e qytetit, me arsyetimin se “në Shkup nuk ka shqiptarë, por vetëm turq, andaj nuk mund të hapet shkollë shqipe, por vetëm turke”. Vetëm pasi Azem Marana dhe Hasan Bilalli reaguan deri te organet më të larta arsimore, edhe në këtë qytet u mundësua hapja e shkollës shqipe, mirëpo në shpalljen publike që e nxori Këshilli i Qytetit vërehej qartë shovinizmi maqedonas kundër shqiptarëve.

Në qytetin e Shkupit do të hapen shkolla shqipe e turke. Meshkujt myslimanë mund të regjistrohen në shkollën shqipe, ndërsa vajzat vetëm në shkollën turke”.

Pikërisht, një politikë e tillë diskriminuese nga ana e udhëheqjes politike maqedonase, siç vë në dukje Azem Marana para organeve të hetuesisë, solli që në shkollën turke të regjistroheshin 300 deri më 400 vajza, ndërsa në shkollën shqipe vetëm 2- deri 25 vajza. “Kështu, shprehet Azemi, pati raste që vëllau të ishte në shkollën shqipe, ndërsa motra në atë turke”.

Shkolla e parë shqipe në Shkup, e cila u hap më 1 dhjetor të vitit 1944 mori emrin “Liria”. Në të u regjistruan gjithsej 362 nxënës, të shpërndarë në gjashtë paralele. Mësues të parë, krahas Azem Maranës dhe Hasan Bilallit, ishin edhe: Mahmut Dumani, Anica Lora, Bajram Bajrami, Franjo Sopi, Hajrie Kokoboko dhe Halil Bejta. Drejtor i parë i shkollës u zgjodh Azem Marana. Së shpejti, kjo shkollë do të shndërrohet në çerdhe kryesore kombëtare shqiptare, në të cilën hartoheshin planet që kishin për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, jo vetëm në Shkup, por në të gjitha trevat verilindore shqiptare. Ajten Pllana, vajza e veprimtarit të shquar të NDSH-së, Mehmed Mehmedi, mbesa e prof. Ibrahim Kelmendit dhe bashkëshortja e prof. Shefqet Pllanës, e cila së bashku me dy vëllezërit e saj, Amirin dhe Gjynselin, i takonte gjeneratës së parë të asaj shkolle, në librin e saj “Tetëdhjetë vjet tregime” me mallëngjim e përkujton dashurinë prindërore të mësuesve Azem Marana e Hasan Bilalli:

“…Pranvera e vitit 1945 në Shkup. Pas dimrit të padurueshëm, gjelbërimi sikur i dha fuqi popullatës për një jetë më të mirë. Një ditë mësuesi na tha se do të shkonim në shëtitje në Çair – periferi të Shkupit….Që herët në mëngjes, shkolla ‘Liria’ që punonte në Jahja Pasha ishte plot e përplot me nxënës. Ishim të veshur me petkat më të bukura që kishim – sikur të shkonim në ndonjë vizitë, shfaqje ose dasmë…Vajza e djem kishim plisa të bardhë në kokë. Ishte urdhër në shkollë, që sa herë të shkohej diku t’i vinim plisat në kokë. Edhe pse ishim fëmijë të qytetit, neve na pëlqente. Ishte bukur! U rreshtuam. Të gëzuar u nisëm. Rrugës këndonim…Përnjëherë, ndodhi diçka e papritur! Ranë ca pika shiu! ‘Do të ndalet’, – thonin mësuesit. ‘Ndalet – ndalet’, porse nuk u ndal! Nuk kaloi shumë, filloi një rrebesh shiu. Nuk kishte vend për strehim…U nisëm për në Shkup. Unë e frikësuar, iu afrova Amirit. Fustani u lag, pikte ujë, ndërsa këpucët antilop u bënë tërë baltë. Shpejt u lodha. Atëherë, mësuesi i Amirit, z. Azem Morana, më mori ngrykë dhe më mbajti gati deri pranë Bit Pazarit. Pastaj më mori ngrykë z. Hasan Bilalli, mësuesi i Gjynselit, dhe më çuan deri në shtëpi.

            Vetëm një vit më vonë, mësuesit e të dy vëllezërve të mi, u burgosën si anëtarë të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH). Të dy mësuesit kishin qenë nxënësit e dajës tim, Ibrahim Kelmendi, profesor i historisë në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë në vitet 1941-1944.

  1. Azem Morana u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 1947. Populli e vajtoi me heshtje. Z. Hasan Bilalli u dënua me njëzet vjet, e i mbajti dymbëdhjetë. Kujtimi për këta mësues mbeti i pashlyer te ata që i njohën dhe qenë nxënës të tyre. U rrënjos në mendjet tona kujtimi për dy pishtarët të arsimit shqip që deshën drejtësi dhe liri për kombin e vet!…”.

Paralelisht me inkuadrimin në projektin e arsimit shqiptar, Azem Marana, së bashku me atdhetarët tjerë, siç ishin Hasan Bilalli, Mahmut Dumani, Hysniqemal Ejupi, Nebi Jonuzi, Qemal Qazimi dhe Nuredin Ibrahimi, mori pjesë aktive në katër mbledhjet e para në të cilat u themelua Organizata Nacional Demokratike Shqiptare – NDSH, e cila pas Kongresit I (III) që u mbajt në Kopilaçe gjatë verës së vitit 1945, u shpall organi më i lartë politik i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare.

Si njeri me vetëdije të lartë kombëtare, intelektual dhe mbi të gjitha guximtar i pashoq, ai do të jetë në ballë të Komitetit Qendror të NDSH-së, ku bashkë me Halim Oranën dhe Gjon Sereçin përbënte figurën kryesore të organizatës. Përderisa Gjon Sereçi, në pajtim me Komitetin Qendror të NDSH-së, u inkuadrua në organizimin e forcave të armatosura shqiptare që vepronin në malet e Kosovës, Halim Orana mbante kontakte me diplomacinë perëndimore, Azem Marana iu rrok punës që ishte e vështirë dhe me përgjegjësi të madhe, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me komitetet dhe forcat e armatosura të NDSH-së në Kosovë, me Komitetin e Barit në Itali dhe Zonën numër I, që vepronte në Greqi.

Në Kongresin II (IV) të NDSH-së, mbajtur me 1 qershor 1946, u zgjodh sekretar i organizatës, me detyrë të përgatiste, shumëfishonte dhe shpërndante skemën dhe programin e organizatës. Falë punës së palodhshme të Azem Maranës, ONDSH-ja, gjatë periudhës 1945-46, pati jehonë të madhe në opinionin gjithëshqiptarë, ku shtrirja e saj ishte në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare që ngeli jashtë shtetit shqiptar.

Në procesin gjyqësor kundër 19 anëtarëve të Komitetit Qendror të NDSH-së, i cili u mbajt më 26 janar-7 shkurt 1947 në Shkup, Azem Marana pati një qëndrim të prerë e të palëkundur. Kjo u pa kur ai para trupit do të deklarojë se: “shqiptarëve nuk iu është dhënë e drejta e vetëvendosjes siç iu është dhënë kombeve tjera në Ballkan”. Pikërisht, kjo fjali e Azem Maranës shkaktoi huti dhe nervozizëm te kryetari i gjyqit, Panta Marina, i cili në një moment iu kërcënua atij me fjalët: “Duhet ta thoni të vërtetën dhe shkakun kryesor të qëndrimi tuaj armiqësor?”. Kërcënimit të tillë, Azemi me një gjakftohtësi të paparë në kësisoj rastesh deri më sot iu përgjigj:

Unë mendoj se pyetjeve tuaja do tu përgjigjem në mënyrë të qartë e të plotë. Fliteshte dhe shkruhej për liritë dhe të drejtat e kombeve edhe për vetëvendosje. Unë e dijë se në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore shumicës shqiptare nuk i është dhënë e drejta e vetvendosjes, që të mund të bashkohen me Shqipërinë. Kjo ishte shkaku kryesor mendoj se nuk janë dhënë të drejtat e mjaftueshme, sepse nuk është dhënë e drejta e vetëvendosjes..”.

Më 7 shkurt 1947, Gjyqi i Qarkut të Shkupit, shpalli vendimin kundër 19 të akuzuarve. Prej tyre katër u dënuan me dënim maksimal – vdekje-pushkatim: Azem Marana, Qemal Skënderi, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi, ndërsa të tjerët u dënuan me burg të rëndë në kohëzgjatje nga 2 deri më 20 vjet heqje lirie.

Në vazhdim, po i shpalosi vlerësimet e disa bashkëkohanikëve dhe bashkëmendimtarëve të tij, të cilat janë grumbulluar gjatë punës sime hulumtuese në terren:

Mësuesi Mahmut Dumani: “Azem Marana ishte miku im më i ngushtë. Me të jemi njohur që nga viti 1943, kur ai ishte mësues në fshatrat e Tetovës, kurse unë në Sërbicë të Kërçovës. Pas mbarimit të Luftës, gjendja e shqiptarëve u keqësua shumë. Forcat komuniste, pa zgjedhë mjete, torturonin popullatën e pafajshme shqiptare. Ishte e pamundur t’i ndihmoje popullit, pa mos u kyç në sistemin e ri komunist. Të vetëdijshëm për këtë, një grup intelektualësh, që i prinim unë (Mahmut Dumani), Azem Marana, Hasan Bilalli, Jonuz Balla, etj., vendosëm që të inkuadrohemi në projektin e arsimit, që ishte përgatitë nga pushteti i ri “popullor”. Në dhjetor hapëm shkollën e parë shqipe në Shkup që e emërtuam “Liria”, drejtor u zgjodh Azemi. Menjëherë pas kësaj, formuam Organizatën e “NDSH”-së, ku në program futëm disa pika që kishin të bënin me ngritjen e vetëdijes kombëtare si: arsimi, kultura, bashkëpunimi me nacionalistët tjerë në mbarë trojet shqiptare, e gjithë kjo punë duhej bërë duke vepruar brenda në sistem. Të gjithë ne që punonim për kauzën shqiptare ishim të vendosur, por dallimi mes nesh dhe Azem Maranës ishte se tek ai mbisundonte energjia, vullneti dhe optimizmi i madh drejt realizimit të aspiratave tona. Mu kjo e shtynte Azemin të punonte pa ndërprerë ditë e natë, në çdo lëmi: arsim, kulturë, politikë, sport etj. Ai tek unë kishte besim të madh, prandaj për secilin hap që do ta ndërmerrte, paraprakisht konsultohej me mua. Është vështirë të zgjedhish fjalë, që do ta përshkruajnë personalitetin e Azem Maranës, sepse atë e kishte krijuar Perëndia që t’i ndihmonte kombit shqiptar, mirëpo falë tradhtisë që u bë nga disa vegla të pushtetit, ne u zbuluam nga UDB-ja jugosllave, dhe me këtë ne humbëm një personalitet shumë të madh, që ishte në krijim e sipër. Me eliminimin e Azem Maranës humbi e tërë shqiptaria. Në veçanti, dua të theksoj se më së shumti humbi Shkupi dhe Karshiaka e Azemit, që aq shumë e donte. Ende më janë të freskëta vizitat që i bënim me Azemin fshatrave të Karshiakës si: Patishka Rekën, Maranën, Satapetkën, Çiflikun, Vërtakicën, Dobrninën, Paligradin etj., ku banorët e këtyre fshatrave na pritnin përzemërsisht, dhe ishin në gjendje të bënin çdo gjë për ne. Mjerisht, pas pushkatimit të Azemit dhe sundimit 50 vjeçar komunist, kjo krahinë shqiptare ngeli e paarsimuar, e pazhvilluar, dhe thuajse para zhdukjes fizike të saj”.

Rexhep Bunjaku: “Me Azem Maranën jam takuar, sa herë që vija në Shkup, mirëpo ende e kam të freskët takimin e fundit me të, që e pata një javë para se të arrestoheshim. Ky takim u bë në parkun e qytetit, ku ashtu, duke shëtitur, Azemi ishte disa hapa para meje dhe ishte futur në mendime të thella. Për një çast ia parashtrova një pyetje: Azem, a thua gabuam pse e morëm këtë hap? Pyetjes sime, Azem Marana iu përgjigj shkurt dhe prerë: Aspak nuk jam pishman për punën tonë, sepse farën e kemi futur shumë thellë. Ndoshta ajo do të bijë vonë, por ama do të jetë shumë e shëndoshë’…”.

Hilmi Shehu, miku dhe bashkëveprimtari i ngushtë i Azemit: “Me Azem Maranën, jam njohur që nga Medreseja ‘Gazi Isa Beu’, pastaj bashkërisht vazhduam shkollimin në Prishtinë. Kam shumë kujtime të freskëta për te, por këtu dua të them vetëm një rast. Pasi mbaruam kursin pedagogjik, çdo kursanti i jepej vendimi për punë. Azem Maranës iu dha vendimi për të hapë shkollën në një fshat në Pazar të Ri. Meqë ne ishim shokë të ngushtë, në mbrëmje ai m’u drejtua me këto fjalë: ‘Ilmi, unë nuk do pranoj që të shkoj në fshatrat e Pazarit të Ri. Kam vendosur, të kthehem në Maranë që aty ta hapi shkollën shqipe’. Edhe pse Shkupi me rrethinë ishte nën sundimin bullgarë, Azem Marana, hapi shkollën e parë shqipe në Maranë, e cila funksionoi shumë shkurt sepse forcat policore bullgare atë e mbyllën dhe Azemi u detyrua të kalojë në Tetovë”.

Profesor Xhevair Shaqiri, veprimtar i NDSH-së nga Nerashti i Tetovës: “Pasi u burgosëm, një natë para se të pushkatohet Azemi, policia e burgut erdhi dhe e mori atë, duke e vendosë në një qeli. Ne shokët e Azemit i dhamë një paketë cigare ‘Morava’ që kishte 100 cigare. Të nesërmen në mëngjes pamë derën e qelisë hapur. U futëm brenda, aty pamë paketën e zbrazët dhe me gurë të shkruar fjalia: ‘Sa e ëmbël qenka vdekja për liri’…”.

Ekzekutimin e vendimit me vdekje-pushkatim të tij, si dhe të dy atdhetarëve tjerë Hysni Rudit dhe Mehmet Bushit, pushteti e kreu me 19 maj 1947, në orën 23,00. Paraprakisht, lënda e katër të akuzuarve me vdekje u shqyrtua në Prezidiumin e Kuvendit Popullor të RFPJ-së. Кy organ më i lartë i federatës jugosllavele, në mbledhjen e mbajtur me 7 mars 1947, nën udhëheqjen e Ivo Llolla Ribarit, solli vendim me të cilin, për çudi, pranohet lutja e Qemal Skënderit, i cili ishte i akuzuari i parë, ashtu që dënimi me vdekje-pushkatim i zëvendësohet në dënim me burg në kohëzgjatje prej 20 vjet, ndërsa refuzohen lutjet e Azem Maranës, Hysni Rudit dhe Mehmet Bushit. Për një vendim të tillë nga ana e Prezidiumit, Ministria e Drejtësisë e RP të Maqedonisë, me 15 maj 1947 njoftoi Gjyqin e Qarkut në Shkup, ndërsa ky i fundit me 16 maj, nëpërmjet një shkrese i drejtohet MPB të RP të Maqedonisë, me të cilën lejohej realizimi i vendimit me vdekje-pushkatim. Në të shprehimisht thuhet:

Në pajtim me vendimin e këtij gjyqi vendimin e gjyqit Suprem dhe vendimin e Prezidiumit të RFPJ-së nr. 925/47 Ju lejohet realizimi i dënimit me vdekje me pushkatim ndaj të dënuarve Azem Idriz Marana, Hysni Muarrem Rudi dhe Mehmet Nezir Bushi”.

Për rrjedhojë, komisioni për realizimin e vendimit, i udhëhequr nga Reis Shaqiri, më 19 maj 1947, në orën 23.00 i pushkatoi tre figurat e shquara të kombit shqiptar. Në procesverbalin e këtij komisioni thuhej:

Në pajtim me shkronjën I’ nga rregullorja e përkohshme për ekzekutimin e dënimeve, komisioni në përbërje: Reiz Shaqiri – kryeshef i Departamentit për Punë të Brendshme si përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme të RP të Maqedonisë, shoku Jovan Dukovski – ndihmës prokurori, si përfaqësues i Prokurorisë Publike për RP të Maqedonisë dhe shoku Gjorgji Gavrillski, ndihmësministër, si përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë Popullore të RP të Maqedonisë, në prani të procesverbalistit, shokut Ratko Panovski, me datën 19.V.1947 u takua në Drejtorinë e Burgut-Shkup. Komisioni pasi konstatoi se të dënuarit me vdekje Azem Marana, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi janë njoftuar për ekzekutimin e dënimit me vdekje, se janë njoftuar familjet e tyre dhe se gjithçka është shkuar sipas procedurës ligjore, urdhëroi që të dënuarit me vdekje të dërgohen në vend të caktuar për pushkatim. Pas kësaj të dënuarit menjëherë qenë dërguar dhe shoku prokuror publik të gjithë të dënuarve ua dha fjalën përfundimtare, pasi të gjithë u shprehën u shkua në realizimin e dënimit me vdekje pushkatim ndaj të treve. Pas 15 minutave nga pushkatimi, mjeku konstatoi se personat kanë vdekur, komisioni urdhëroi që personat të varrosen në vendin e caktuar për atë qëllim. Me këtë u mbarua në ora 23 në datën 19.V. të vitit 1947”.

Nga e majta, i treti Hasan Bilalli, i katërti Mahmut Dumani dhe i pesti Azem Marana

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X