Maqedonia e Veriut renditet e 87-ta (nga 180 vende) në listën e fundit të “Transparency International” për perceptimin e korrupsionit. Edhe në këtë pasqyrë, që në shikim të parë dhe krahasuar me të kaluarën duket si përparim, sërish keq jemi, ngaqë 87 vende të tjera janë më të mira se vendi ynë. Por, kur largohesh pak nga numrat, që shpesh dinë të jenë mekanizëm magjepsës për manipulim, realiteti është shumë më i zymtë seç mund ta paraqesin shifrat.
Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup
Militanti është besnik i partisë dhe ushtar i devotshëm i të parit të partisë. Ai, me të metat e tij, e mbulon të metën e partisë, duke pasur për qëllim krijimin e një pamjeje të rrejshme në sytë e qytetarëve. Ai është në gjendje të gënjejë njëqind herë, që të paktën një herë t’i besohet sa për ta hequr qafe. Ai e sheh atë që e sheh i pari i partisë. Në kokën e tij vetëm koka e tij i mungon. Ai e bart kokën e partisë dhe, natyrisht, flet me gjuhën që do të dëshironte ta dëgjonte qerthulli i parë i partisë. Në saje të pranisë së kësaj kategorie, politikanët e kanë shumë të lehtë. Ata pasurohen brenda natës, ngaqë ditën flenë. Natën tjetër, përmes kategorisë së militantëve dhe servilëve të pushtetit, i arsyetojnë veprimet e natës së mëparshme, për të dalë një natë tjetër në ndonjë televizion dhe për të folur rreth pastërtisë së tij, sfilitjeve të tij dhe kontributit të pashoq për këtë vend. Militanti, përpos që i duartroket furishëm, ai sa më shumë e shpërndan këtë paraqitjeje prej engjëllit, për ta krijuar kështu një panoramë dhe përshtypje të bukur edhe në sytë e atyre të cilët kanë mendim kritik dhe zemër të pakorruptuar. Andaj, jorastësisht në vendet në të cilat jetojmë kemi politikanë ose familjarë të tyre milionerë, por të cilët askush nuk i mban mend të kenë punuar diçka tjetër, pos angazhimit deri në “vetëflijim për atdhe”. Kemi politikanë të cilët prej kohësh i kanë shpallur luftë korrupsionit, por jo edhe të korruptuarve, të cilët pikërisht përmes përvetësimit të pasurisë së tjetrit në mënyrë të fshehur dhe të palejuar, i kanë siguruar karburant të mjaftueshëm veturës së tyre të pushtetit, një veturë kjo që me dakada të tëra nuk është punë të ndalet.
Në Maqedoninë e Veriut korrupsioni nuk fryen vetëm nga veriu, por nga jugu, lindja e perëndimi. Maqedonia e Veriut renditet e 87-ta (nga 180 vende) në listën e fundit të “Transparency International” për perceptimin e korrupsionit. Edhe në këtë pasqyrë, që në shikim të parë dhe krahasuar me të kaluarën duket si përparim, sërish keq jemi, ngaqë 87 vende të tjera janë më të mira se vendi ynë. Por, kur largohesh pak nga numrat, që shpesh dinë të jenë mekanizëm magjepsës për manipulim, realiteti është shumë më i zymtë seç mund ta paraqesin shifrat. Gjyqësori ende është larg reformave. Deklarativisht, është i ndarë nga pushteti qeveritar, por realisht është i kapur ngushtë pikërisht prej pushtetit qeveritar. Montimet politike nuk është punë të çmontohen. Ende shumë syresh dergjen burgjeve pa asnjë faj. Burgjet janë të stërmbushura, jo me politikanë, me të atillë që të parët do të duhej të ishin prapa grilave, por me të fajshëm e të pafajshëm dhe, si rrjedhojë e kësaj stërmbushjeje, duan të shpallin amnisti për t’i shkarkuar sadopak burgjet, edhe pse më e mira dhe më e drejta do të ishte një rigjykim i drejtë, ku një i pafajshëm nuk do t’i gëzohej amnistisë, por pafajësisë dhe dëmshpërblimit. Krejt kjo, për mendimin tim, nuk bëhet për t’i shkarkuar burgjet, por për t’i arsyetuar ndryshimet paradoksale të fundit, ku kuvendi brenda një kohe shumë të shkurtër, me një procedurë të shkurtuar dhe me flamur europian e pa debat publik, e ndryshoi Kodin Penal në pjesën e dënimeve, ku, ndër të tjera, parashihen dënime më të ulëta për veprat që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare, punën e pandërgjegjshme në shërbim dhe bashkimin kriminal.
Kohë më parë, politikanët ia rritën vetes rrogën për 70 për qind, gjoja për ta krijuar përshtypjen se ata nuk vjedhin, andaj për të qenë më të frytshëm në punët e tyre, natyrisht kanë nevojë për rroga më të larta. E tani meqë e kanë nuhatur se një ditë, përgjatë rrugëtimit për në BE, dikush mund ta analizojë dhe hetojë pasurinë e tyre dhe ashtu lehtësisht të konstatohet vjedhja, atëherë përmes ligjit do të mund të mbrohen dhe me ndonjë dënim simbolik nesër të dalin të pastër, ashtu që lëre se jo në gjykatë, por as në medium e në ndonjë ndejë nuk do të mund t’i akuzosh për korrupsion, ngaqë ligjërisht do të jenë të pastër dhe ti si palë që sheh mirë e mbarë mund të paditesh për shpifje. Pikërisht ti, që përmes një matematike të thjeshtë e konstaton lehtë se nëse i merr dymijë euro në muaj, nuk mund t’i kursesh kurrsesi një milion euro në vit. Por, megjithatë, ti nuk guxon të bëzash, sepse si një shpatë e mprehtë të pret padia për shpifje.
Për më keq, tërë kjo maskaradë bëhet pranë syve të ndërkombëtarëve, pranë atyre që na e tregojnë rrugën dhe metodën se si ecet përpara drejt BE-së, si të pastër, pa krim ekonomik, pa krim financiar dhe krim të sigurisë, ani pse larmia e krimeve gëlon në arën tonë, të cilën me kënaqësi e mirëmban militanti dhe, në anën tjetër, me hidhtësinë më të madhe kallinjtë e tij duhet t’i korrin qytetarët, të cilëve po u the mbaje këtë hidhërim dhe këtë dëshpërim, të përgjigjen se nuk mund ta mbajnë e nëse u thua ta lëshojnë, të thonë se as ta lëshojnë nuk munden.
Si pasojë e kësaj gjendjeje të rënduar prej korrupsionit, sot nëpër kronikat tona, që janë më të fuqishme se gurët, figurojnë lajmë të tmerrshme dhe thellësisht kundërthënese, ku kemi të këqija, por pa të këqinj, kemi korrupsion galopant, por pa të korruptuar, kemi vrasje, por pa vrasës të vërtetë nëpër qeli të akullta, kemi autobusë të rrokullisur e të djegur me përplot viktima, por pa shkaktarë të këtyre tragjedive, kemi spital të djegur me të djegur brenda, të cilët kishin shkuar ta gjejnë mjekimin dhe mëkëmbjen, por pa përgjegjës të kësaj lemerie, kemi drejtues klinikash, të cilët nevojtarët për barna i kanë lënë pa barna për t’i shituar ata barna, për ta siguruar kështu ndonjë pushim në Plazhet e Karaibeve. Por, sërish batërdisë i mungon bastardi dhe, paradoksalisht, ende besojmë se – pavarësisht pranisë së gjakut të pafajshëm dhe harlisjes së krimit financiar – ne do të ecim përpara, duke u krenuar me pastërinë tonë morale dhe juridike. Militanti nuk e sheh këtë kronikë, ngaqë ka sëmundje kronike të servilizmit!