loader image
May 27, 2024

Kronizmi si mendësi qeverisëse: “Sa më shumë, sa më shpejt”

Duhet theksuar se kronizmi bën dallim nga korrupsioni ose nepotizmi, pavarësisht se këto të fundit janë dy instrumentet më të zakonshëm të mënyrës se si ai funksionon. Nëse veprimi korruptiv mund të kryhet, ta zëmë, midis punonjësit të një zyre shtetërore dhe një qytetari që kërkon ta përfundojë procedurën sa më shpejt duke dhënë para dorazi, në rastin e kronizmit paraja nuk ekziston (më së paku jo dorazi) pasi ai ka të bëjë më tepër me ofrimin e jashtëligjshëm të mundësisë për të fituar para në mënyrë të ligjshme.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Pas rënies së monizmit, sistemi i ri politik që do të ndërtohej në vendet e Ballkanit duhet të përballej me tri sfida kryesore për vendosjen e stabilitetit politik dhe ekonomik: Së pari, implementimi i parimeve të tregut të lirë parakuptonte një shtresë të pasur ekonomike në gjendje të investojë dhe një shtresë të mesme që të konsumojë, mirëpo në vende të tilla si Shqipëria, të dyja këto shtresa ishin në mungesë. Së dyti, kalimi nga një regjim ku çdo liri individuale qe e ndaluar, në një rend të ri ku liria që shihej me prioritetin më të lartë ishte pikërisht liria individuale, shfaqej si diçka e pakonceptueshme për një shoqëri të organizuar prej dekadash sipas modelit të kolektivizimit dhe me përçmimin ndaj “sferës private” ose çfarëdolloj iniciative private që realizohet krahas shtetit. Së treti, duke qenë se arka e shtetit ishte në standardet e një vendi të botës së tretë, e vetmja mënyrë për të vjelë investime ishte nga Perëndimi, por që shtetet perëndimore të investonin në “bunkerin” e Europës lypseshin garanci.

Të tri këto çështje çuan te një zgjidhje e vetme, duke qenë se gjatë 4-5 viteve të para të tranzicionit, pakkush mendonte se mund të pasurohej përmes biznesit të tij privat, duke qenë se për këtë kërkohej një investim i vazhdueshëm dhe afatgjatë teksa paratë mungonin ashtu sikurse mosbesimi për të ardhmen ishte në shkallë kritike, politika filloi të shihet si një formë sektori “i nëndheshëm” i ekonomisë, ku fitimet ishin më të mëdha dhe më të shpejta dhe ku mund të sigurohej pothuaj gjithçka: qysh nga legalizimi i pronës, zaptimi i tenderëve e deri te vendosja e emrit në listat zgjedhore. Kësisoj, bizneset e mëdha, që nisën të përhapen masivisht në Shqipëri përgjatë dekadës së parë të tranzicionit, në masën dërrmuese nisën të pasurohen në kurriz të shtetit, qoftë përmes evazionit fiskal ose duke zaptuar toka shtetërore, vetëm përmes ruajtjes së një marrëdhënie nepotike, informale dhe kroniste me shtetin.

Koncepti Chrony Capitalism ose Kapitalizmi i mikut (në literaturë njihet edhe me emërtimin e thjeshtë: kronizmi) e ka origjinën nga një shkrim i vitit 1980 i ekonomistit George M. Taber, përmes të cilit ai e ka trajtuar krizën ekonomike në Filipine gjatë diktaturës së Ferdinand Markosit. Pas rënies së Murit të Berlinit, koncepti i kronizmit është zgjeruar më tej duke përfshirë edhe vende të tilla si Rusia postsovjetike ose India. Me pak fjalë, kjo formë kapitalizmi do të mund të përkufizohej si një sistem ekonomik që favorizon individët dhe bizneset me lidhje politike dhe influencë (si përjashtimi nga taksat, monopoli i tenderëve ose lloje të tjera avantazhesh të akorduara nga shteti), në mënyrë që individët dhe bizneset e tjera që nuk e disponojnë një lidhje të tillë politike të falimentojnë.

Duhet theksuar se kronizmi bën dallim nga korrupsioni ose nepotizmi, pavarësisht se këto të fundit janë dy instrumentet më të zakonshëm të mënyrës se si ai funksionon. Nëse veprimi korruptiv mund të kryhet, ta zëmë, midis punonjësit të një zyre shtetërore dhe një qytetari që kërkon ta përfundojë procedurën sa më shpejt duke dhënë para dorazi, në rastin e kronizmit paraja nuk ekziston (më së paku jo dorazi) pasi ai ka të bëjë më tepër me ofrimin e jashtëligjshëm të mundësisë për të fituar para në mënyrë të ligjshme. Në këtë kuptim, kronizmi përngjason më tepër me nepotizmin, por ndryshe prej tij raportet e “tarafit” (ose networkut) te kronizmi janë shumë më fluide, aq sa dy grupe politike që janë sharë e hedhur baltë prej vitesh mbi njëri-tjetrin, nëse takohen me një partner biznesi dhe marrin prej tij ofertën e duhur, krejt befasisht mund të shfaqen si ortakë, paçka se në dukje sërish do të jenë të detyruar të luajnë rolet reciproke të antagonistëve politikë. Me fjalë të tjera, kronizmi si model qeverisjeje, na prezanton me faktin se në ditët tona, sado të pakapërcyeshme të duken pengesat për arritjen e dialogut dhe sado të kundërta të duken pozicionet e partive politike respektive, kjo ndodh vetëm sepse ende nuk ka ardhur oferta e duhur nga grupet e biznesit ose nga organizatat ndërkombëtare.

Qysh pas themelimit të Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), janë shtuar gjithnjë e më tepër emrat e politikanëve të lidhur në mënyrë direkte ose indirekte me aferat korruptive në vend. Në fakt, aktiviteti i SPAK-ut në kaq pak vite ka qenë shumë herë më efikas sesa ai i prokurorisë dhe gjykatave në më shumë se 3 dekada. Mirëpo SPAK-u nuk mund ta parandalojë korrupsionin, por thjesht të vendosë përpara drejtësisë politikanët e korruptuar. Teknika e funksionimit të kronizmit në Shqipëri nuk është gjë tjetër, veçse një simptomë e tranzicionit demokratik të vendit dhe këtë SPAK-u nuk mund ta ndryshojë. Ai është një tregues i dëshirës më karakteristike të pjesës dërrmuese të shoqërisë për t’u pasuruar sa më shpejt, sa më lehtë e pa shumë sakrifica. Përpjekjet në realizimin e kësaj dëshire i kanë çuar shumë shqiptarë drejt informalitetit, botës së krimit të organizuar ose të “investitorëve strategjikë”, por sot është edhe vetë shteti i cili po merret me promovimin e kësaj dëshire, duke iu përveshur mendësisë “Shumë dhe shpejt” në sektorin e turizmit, një tjetër sektor që shihet fitimprurës me pak kosto dhe pa shumë sakrifica (maksimumi ndonjë rrugë e re, çka sigurisht që e përforcon më tej networkun me tendera).

Nga ana tjetër, po ta shohim nivelin e prodhimit sot në ekonominë e vendit, duket haptazi se Shqipëria nuk konkurron dot me asnjë produkt vendas në tregun rajonal, ndërsa në kushtet e privatizimit masiv të ekonomisë është e dukshme se kompanitë shtetërore nuk janë më rentabël, por në vend që shteti të investojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit, mendësia “shumë dhe shpejt” ngadhënjen sërish, duke sjellë fitimet e shpejta që vijnë nga privatizimet dhe sigurimin e një “partneri biznesi” potencial te kompania qe e merr në koncesion.

Nga sa u tha më lart, duket qartë se kronizmi përfaqëson denjësisht logjikën e tranzicionit “shumë dhe shpejt”, ndaj është duke u promovuar rishtazi me PPP e qeverisë, si shembulli më tipik i “kapitalizmit të mikut”, kësaj metode qeverisjeje të lartësuar edhe më tej qysh pas 2013-ës, që dje mburrej për inceneratorët dhe sot për naftën në Shpirag.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X