loader image
December 1, 2023

Korrupsioni dhe modelet fatale të zhbërjes shoqërore

Ne duhet ta pranojmë se në gjithë këtë situatë kemi edhe një ndryshim kodi në perceptimin e modelit shoqëror, ndërkohë që “suksesi” ndërlidhet me fenomenin e korrupsionit. Duket të jetë një dekompozim shoqëror dhe moral, mbi të gjitha, në logjikën e tmerrshme që nënkupton se “secili pret rendin” për t’u korruptuar. Fataliteti më i madh ndodh kur një dukuri negative bëhet normalitet. Përkundër faktit që gjithnjë ka thirrje për ta luftuar korrupsionin, duket se ky fenomen po bëhet normalitet, sidomos në kohën kur institucionet shfaqen të pafuqishme për ta luftuar.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

“Korrupsioni është kancer i shoqërisë”. Ky është një nga definimet më popullore për korrupsionin, që realisht përfshin esencën e këtij fenomeni, që brenda këtyre tri dekadave shfaqet me shumë fytyra dhe mbetet i pranishëm në çdo qeverisje.

Nga “Transparecy Internation” korrupsioni definohet si abuzim me pushtetin e besuar për përfitime private. Korrupsioni e gërryen besimin, e dobëson demokracinë, e pengon zhvillimin ekonomik dhe e përkeqëson më tej pabarazinë, varfërinë, ndarjen sociale dhe krizën mjedisore.

Pikërisht për këto arsye, nga shumë institucione ndërkombëtare për luftimin e korrupsionit dhe nga shumë studiues, korrupsioni shihet si një fenomen kompleks, që shfaqet në forma të ndryshme, duke filluar nga niveli i nëpunësve publikë dhe deri te politikanët që i keqpërdorin paratë publike. Pavarësisht se ku shfaqet dhe me çfarë intensiteti, korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues që e gërryen pandalshëm shoqërinë dhe krijon “vrima të zeza”, të cilat e “përthithin” zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të një vendi.

Ndërlidhja e korrupsionit me shoqërinë dhe me zhvillimet shoqërore konsiston në faktin që korrupsioni, në kuptimin klasik, definohet si zhbërje e vlerave morale të shoqërisë. Korrupsioni dhe dimensioni shoqëror mbeten dy gjëra të pandashme, për shkak se pasojat e korrupsionit shfaqen gjithnjë në “shëndetin” e një shoqërie. Ky është një korrelacion i pashmangshëm ndërveprimesh, që në shumë raste e hap edhe dilemën e madhe për trajtim nëse mendësia shoqërore e prodhon korrupsionin apo korrupsioni krijon një gjendje të nderë shoqërore për të siguruar ambient për mbijetesën e tij.

Në përputhje me peizazhin e gjerë të definimeve sociologjike dhe në varësi të nivelit të autoritetit në vendimmarrje, i dallojmë dy lloje korrupsioni: korrupsion politik dhe korrupsion administrativ (burokratik). Shumë autorë bëjnë dallim midis “korrupsionit në nivel të lartë” dhe “korrupsionit në nivel të ulët”. Kategoria e parë e përfshin korrupsionin në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa kategoria e dytë e korrupsionit ndërlidhet me shërbimet e ndryshme publike.

Korrupsioni politik është i pranishëm në mesin e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe politikanëve që marrin vendime politike, që realisht u është besuar të udhëheqin dhe prej nga buron një fuqi e madhe – përgjegjësia për t’i përfaqësuar interesat publike gjatë ushtrimit të detyrës. Format e korrupsionit politik janë përvetësimi i parave nga politikanët në pushtet dhe kandidatët politikë, korrupsioni në procesin zgjedhor, ndikimi në autoritetin legjislativ për ta legalizuar trajtimin më të favorshëm për grupe të caktuara interesi, duke iu mundësuar sektorit privat “të blejë” ndikim politik. Format e korrupsionit politik përfshijnë ryshfetin, nepotizmin, klientelizmin etj.

Ky është peizazhi i definimit të korrupsionit, kuptimet themelore të tij, por edhe kategorizimet të cilat dallojnë në disa nivele të korrupsionit. Sigurisht, duke mos e anashkaluar korrupsionin e nivelit të ulët, korrupsioni i nivelit të lartë, gjegjësisht korrupsioni politik, shfaqet si më problematik dhe me më shumë pasoja. Në vendet e Ballkanit, që kanë njohur një tranzicion gati anarkik nga sistemi komunist në atë demokratik, prania e korrupsionit ka qenë shumë e madhe dhe kjo dëshmohet me shumë raporte të institucioneve ndërkombëtare dhe të vendeve në perceptimin e korrupsionit nga ana e qytetarëve. Gjatë tërë kohës, ky fenomen mbetet shqetësues për qytetarët, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar që të bëhet më tepër në drejtim të luftimit të korrupsionit. Përkundër shumë proklamimeve për luftë kundër korrupsionit, rezultatet kanë qenë shumë të dobëta, gati se të pavërejtshme.

Brenda kësaj periudhe të tranzicionit, brenda një transponomi të gjerë shoqëror dhe institucional, që nga fillimet e demokracisë, kanë qenë të pranishme fuqi politike të interesit, të cilat janë lëshuar në korrupsion, ndërkohë që gjithashtu brenda kësaj periudhe janë shfaqur edhe oligarki të ndryshme, të cilat kanë qenë në interaksion të plotë korruptiv me politikën. Kjo dukuri tashmë është dëshmuar në vendet e Ballkanit dhe në Maqedoninë e Veriut nëpërmjet aferave të shumta në opinion, të cilat nuk e kanë gjetur hetimin e nevojshëm nga institucionet e shtetit. Pikërisht ky fakt ka krijuar dëshpërim edhe te shumica e qytetarëve, humbje besimi në institucionet, sidomos në institucionet e drejtësisë, të cilat janë kompetente për luftimin e korrupsionit.

Në planimetrinë e gjerë të korrupsionit shfaqet edhe një kompleksitet ndërthurjesh dhe ndërvarësish në raport me shoqërinë. Fatkeqësisht, gjatë kësaj kohe të mundimshme të tranzicionit është prodhuar edhe modeli i “njeriut të suksesshëm” të korruptuar, që në masë të madhe është pranuar si model funksionimi shoqëror. Termi “i zoti” tashmë njihet gjerësisht, ndërkohë që kjo “zotësi” shpeshherë ndërlidhet me fenomenin e korrupsionit. E keqja më e madhe mbetet që ky model shoqëror gjen impakt edhe te brezi më i ri si filozofi jetese, por edhe si model suksesi.

Ne duhet ta pranojmë se në gjithë këtë situatë kemi edhe një ndryshim kodi në perceptimin e modelit shoqëror, ndërkohë që “suksesi” ndërlidhet me fenomenin e korrupsionit. Duket të jetë një dekompozim shoqëror dhe moral, mbi të gjitha, në logjikën e tmerrshme që nënkupton se “secili pret rendin” për t’u korruptuar. Fataliteti më i madh ndodh kur një dukuri negative bëhet normalitet. Përkundër faktit që gjithnjë ka thirrje për ta luftuar korrupsionin, duket se ky fenomen po bëhet normalitet, sidomos në kohën kur institucionet shfaqen të pafuqishme për ta luftuar. Pa dyshim se kërkohet një ndryshim koncepti dhe ndryshim praktikash për ta ndëshkuar dhe luftuar korrupsionin. Denoncimi dhe presioni për ta luftuar korrupsionin mbetet një domosdoshmëri. Sigurisht, edhe ndryshim mendësie, në gjithë atë që nënkupton koncept etik i perceptimit të funksioneve publike, pa harruar dimensionin e ndëshkueshmërisë ligjore.

Nëse kemi parasysh gjithë degradimin institucional përgjatë këtyre tri dekadave, mund të merret me mend sa e vështirë është që të luftohet fenomeni i korrupsionit, i cili, fatkeqësisht, ashtu siç definohet edhe teoritiksht, e ka aftësinë që të shfaqet në shumë forma dhe shumë mënyra të sofistikuara. Vendet europiane kanë një mirëqenie qytetare pikërisht për shkak të mospranisë së korrupsionit. Gjatë tërë kohës, institucionet europiane kanë investuar në luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por rezultatet janë minimale. Mbase me vazhdimin e procesit të bisedimeve me BE-në lufta kundër korrupsionit do të konsolidohet dhe përforcohet. Kjo mbetet një shpresë për qytetarët. Në të kundërtën, korrupsioni do ta gërryejë çdo institucion dhe çdo pore të shoqërisë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X