Shumica dërrmuese e shqiptarëve në Bullgari kishin ardhur nga viset e Maqedonisë (Reka, Krusheva etj.) dhe nga zonat e Shqipërisë së sotme Juglindore (Korça, Kolonja etj.), që ka ndikuar edhe mbi veprimtarinë e tyre politike. Organizata kryesore e shqiptarëve të Bullgarisë ka qenë shoqata “Dëshira”, e cila u themelua më 1 janar 1893.
Anton PANÇEV, Sofje
Dihet mirë se në fund të shekullit XІX dhe në fillim të shekullit XX në kryeqytetin bullgar, Sofje, kishin gjetur strehë jo pak shqiptarë. Sipas disa të dhënave, në fund të shekullit XІX në Sofje kanë jetuar më shumë se 500 familje shqiptare (Бобев, Боби, Тома Кацори. Близката и непознатата Албания. София, 1998, f. 206). Shumica e tyre kanë qenë punëtorë, por ka pasur mjaft njerëz, të cilët merreshin me zejtari, me tregti dhe me veprimtarinë e tyre ekonomike kanë krijuar një mjedis të përshtatshëm për aktivitete kulturore dhe politike. Kolonia shqiptare në Bullgari, kryesisht në Sofje, por edhe në qytete të tjera, ka zhvilluar aktivitete të ndryshme në fushën e arsimit, të kulturës, të gazetarisë. Në këtë mënyrë, Sofja ishte kthyer në qendër me rëndësi të gjithanshme për Rilindjen shqiptare. Rilindësit shqiptarë në Bullgari zhvilluan aktivitete të mëdha letrare, publicistike, përkthyese, politike. Sofja u bë qendër e rëndësishme edhe për emigracionin politik shqiptar. Ata nuk i injoruan çështjet e mëdha kombëtare të lidhura ngushtë edhe me zhvillimet politike të kohës dhe me lëvizjen çlirimtare shqiptare. Këta njerëz kanë përcjellë me interes të madh zhvillimet shoqërore, politike dhe kulturore në atdheun nën pushtet të huaj dhe kanë kontaktuar vazhdimisht me qendrat kryesore të Rilindjes shqiptare, si në trojet shqiptare, ashtu edhe në Stamboll, në Bukuresht etj. Me këtë mënyrë shqiptarët në Bullgari kishin mbledhur përvojë organizative dhe kulturore dhe kishin ndërmarrë hapa më të mëdhenj drejt veprimtarisë së tyre atdhedashëse.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve në Bullgari kishin ardhur nga viset e Maqedonisë (Reka, Krusheva etj.) dhe nga zonat e Shqipërisë së sotme Juglindore (Korça, Kolonja etj.), që ka ndikuar edhe mbi veprimtarinë e tyre politike. Organizata kryesore e shqiptarëve të Bullgarisë ka qenë shoqata “Dëshira”, e cila u themelua më 1 janar 1893 (Соколова, Бойка. Албански възрожденски печат в България. София, 1979, f. 45; Бобев, Боби, Тома Кацори. Vepra e cituar, f. 208). Qëllimi kryesor i shoqatës ka qenë ta shpërndante diturinë dhe mësimin e gjuhës shqipe dhe të hapte shkolla shqiptare në Shqipëri, ndërsa statuti i “Dëshirës” kërkonte nga anëtarët e saj të punonin “për lulëzimin e gjuhës shqipe”. Shoqata e ka përdorur si alfabet zyrtar alfabetin e Shoqërisë së Stambollit nga viti 1879. Por, kjo shoqatë dhe kolonia shqiptare në përgjithësi nuk u kufizuan vetëm me aktivitete kulturore dhe arsimore. Në qendër të veprimtarisë së tyre kanë qenë edhe proceset politike, si edhe orvatjet për çlirim kombëtar dhe për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Sofja dhe Bullgaria u kthyen në bazë të përhershme ose të përkohshme të shumë atdhetarëve shqiptarë, si Shahin Kolonja, Midhat Frashëri (Lumo Skendo), Josif Bageri, Kristo Luarasi, Adam Shkaba, Spiro Garo, Petro Nini Luarasi, Sotir Ollani, Themistokli Gërmenji, vëllezërit Topulli e shumë të tjerë. Me interes të madh kanë qenë edhe lidhjet e këtyre personaliteteve shqiptare me lëvizjen revolucionare të bullgarëve të Maqedonisë. Ndër emrat më të spikatur në këtë aspekt ka qenë ai i Josif Bagerit. Ai ka qenë i palodhur në punën e tij për çlirimin e atdheut dhe veprimtaria e tij atdhedashëse ka filluar në vitet e rinisë, kur kishte arritur në Sofje. Ai ka bashkëpunuar në mënyrë mjaft aktive me patriotët shqiptarë në kryeqytetin e Bullgarisë. Dëshmi për lidhjet e Bagerit me lëvizjen çlirimtare bullgare është fakti që djali i tij, Kristi Bageri, ka marrë pjesë në luftën në Maqedoni kundër pushtuesit osman në kuadër të çetave të VMORO-s (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase dhe Ederenase). Kristi ra si dëshmor më 18.04.1906 në manastirin “Shën Ivan” afër fshatit Vetersko në një përleshje të përgjakshme me ushtrinë osmane (shih Аврамовъ, Стефанъ. Революционни борби въ Азоть (Велешко) и Порeчието. Македонски Наученъ Институтъ, София, 1929: Материяли за историята на македонското освободително движение, книга X, f. 136).
Josif Bageri e humbi djalin, por e ka vazhduar veprimtarinë e tij aktive patriotike dhe politike. Përmes gazetës së tij “Shqypeja e Shqypnisë”, Bageri e ka informuar publikun bullgar për situatën politike në trojet shqiptare dhe kryesisht për luftërat dhe kryengritjet kundër pushtuesit osman. Ai i ka dhënë shumë informata publikut bullgar edhe për kryengritjet e mëdha në periudhën 1910-1912. Ka shumë informata të tjera për veprimtarinë politike të Josif Bagerit, por ato meritojnë një hulumtim të veçantë.
Pikërisht gazetat shqiptare në Bullgari kanë qenë një vegël tepër e rëndësishme për shpërndarjen e ideve kulturore, arsimore, politike, patriotike të Rilindjes shqiptare. Qysh në fund të viteve 70-ta dhe në vitet 80-ta të shek. XIX kishin vepruar gazetarë shqiptarë në Sofje, të cilët kishin botuar gazeta, por në gjuhën turke. Në vitin 1897 në Sofje filloi të dilte kalendari atdhetar – “Ditërëfenjës i shqip”, i cili nga viti 1901e ndryshoi emrin në “Kalendari kombiar”. Në të publikoheshin kryesisht poezi, tregime, folklor. Në fund të kalendarëve jepej alfabeti shqip i Shoqatës së Stambollit. Me ndikim kanë qenë edhe revistat “Vetëtima” (Thoma Avrami) dhe “Shqipëria” (Nikolla Lako). Gazeta “Drita” (1901-1908) ka qenë ndër gazetat më të rëndësishme në shtypin shqiptar në Sofje. Botues i 18 numrave të parë ka qenë Thoma Avrami dhe pas tij Shahin Kolonja. Me rëndësi të madhe ka qenë edhe gazeta e Josif Bagerit “Shqypeja e Shqypenise”, e cila botohej në shqip por edhe një pjesë në bullgarisht. Një gazetë tjetër ka qenë “Liri e Shqipërisë” (1911-1915), e cila u përfshi në mënyrë aktive në betejat politike para dhe pas çlirimit të Shqipërisë. Gazetat shqiptare në Sofje kanë marrë pjesë në të gjitha diskutimet rreth çështjeve të rëndësishme të Rilindjes shqiptare, qoftë politike, qoftë kulturore dhe arsimore. Kështu, edhe opinioni bullgar njihej me problemet dhe me arritjet e çështjes shqiptare.
Një temë me shumë rëndësi për shqiptarët në Bullgari dhe respektivisht për shoqatën dhe për gazetat e tyre ka qenë Maqedonia dhe zhvillimet politike në këto vise. Kjo është tepër e kuptueshme jo vetëm për shkak të origjinës lokale të veprimtarëve shqiptarë, por edhe për shkak të rëndësisë së proceseve revolucionare dhe politike në Maqedoni për kauzën shqiptare në këto vise dhe në përgjithësi. Gazetat shqiptare në Bullgari përmbajnë shumë informata për gjendjen e popullatës vendëse, për luftërat e tij, për terrorin e pushtetit osman dhe të çetave serbe dhe greke. Studiuesja Bojka Sokollova i ka paraqitur dhe i ka analizuar këto lajme dhe artikuj në hulumtimin e saj “Shtypi shqiptar i Rilindjes në Bullgari”, prandaj nuk do të merremi me ta. Përveç gazetave, një burim shumë të rëndësishëm për mendimet dhe veprimtaritë e rilindësve shqiptarë nga kolonia shqiptare në Sofje në lidhje me Maqedoninë, për proceset në këto vise dhe për përpjekjet dhe projektet e tyre për kauzën shqiptare, janë kujtimet e shkruara prej disa veprimtarëve dhe shënimet historike për shoqatën “Dëshira”. Natyrisht, për aktivitetet e këtyre personaliteteve, që u përmendën më lart, mund të shkruhen monografi të tëra, prandaj në këtë tekst mund të paraqiten vetëm disa ngjarje dhe nisma kryesore të “Dëshirës”. Do të citojmë disa prej shënimeve të Loni Grabockës, historiani i shoqatës “Dëshira” (një pjesë prej tyre mund të gjeten në “Mbi shoqërinë ‘Dëshira’ të Sofjës”, Studime historike, Tirana, 1975/3: 163-186). Sipas Grabockës, “Dihet se lufta e “Dëshirës” për çlirim dhe pavarësi ishte e përbashkët me atë të bullgarëve të Maqedonisë, të cilët gjithashtu ishin në luftë për liri nga robëria turke. Kështu që, lidhjet e “Dëshirës” me bullgarët e Maqedonisë po zhvilloheshin në dy drejtime: 1. Në luftën e armatosur dhe 2. Në fushën politike”. Dëshmi për këto fjalë është fakti se shoqata “Dëshira” ka qenë shumë aktive në lidhjet e saj me organizatat e bullgarëve të Maqedonisë dhe i ka zyrtarizuar lidhjet e saj me to. Kështu, për shembull, në vitin 1906 “Dëshira” ka dërguar dy delegatë në një kongres bullgar për mbrojtjen e pakicave etnike në Perandorinë Osmane. Shoqata “Dëshira” ka zhvilluar aktivitete të shumta ndërkombëtare gjatë luftërave ballkanike me qëllim të mbrojtjes diplomatike të kauzës shqiptare. Kështu, për shembull, në janar dhe në prill 1913 ata kanë dërguar telegrame deri Konferencën e Ambasadorëve në Londër me kërkesa për zgjidhje të drejtë të çështjes së kufirit të Shqipërisë sipas parimit etnik. Edhe pas Luftës së Parë Botërore, kur Maqedonia dhe Kosova prapë u kthyen nën pushtetin serb, “Dëshira” ka protestuar kundër politikës serbe në këto vise dhe ka kërkuar bashkëpunim me organizatat e bullgarëve të Maqedonisë. Shkurtimisht, do të prezantohen vetëm disa aktivitete në këtë drejtim:
Më 14 nëntor 1920 “Dëshira” ka dërguar një delegat në Kongresin e Bullgarëve të Maqedonisë në Sofje;
Më 31 nëntor 1920 “Dëshira” e ka marrë letrën e Komitetit të Organizatës Maqedone, në të cilën ka pasur propozim për bashkëpunim në përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të pakicave përkatëse nën pushtetin serb;
Më 21 gusht 1921 shoqata shqiptare ka emëruar Nikolla Lakon si kandidat i saj për kongresin e bullgarëve të Maqedonisë në Gjenevë. Ky kongres ka pasur për qëllim mbrojtjen e të drejtave të pakicave etnike që kishin mbetur nën pushtet të huaj. Delegati i “Dëshirës” ka pasur autorizim që të mbronte interesat e pakicave shqiptare në Serbi dhe në Greqi nën emrin e shqiptarëve që jetonin në Bullgari;
Më 20 tetor 1921 “Dëshira” ka dërguar dy delegatë, një shqiptar dhe një bullgar, në kongresin e Sofjes. Qëllimi i këtij kongresi ka qenë mbrojtja e pakicave që ndodheshin nën pushtetin e huaj në Ballkan. (Më shumë për këto veprime shih: Shënime historike 1893-1937: Dedikuemë naltmadhenis tij Zogut I Mbret i Shqiptarëvet: Prej Kollonisë shqiptare të Sofies, përpillue me rastin e 25 vjetorit të vetqeverimit kombëtar/Kryetar i nënkomisionit të redaksisë Spiro J. Rehova, Sofia, 1937).
Në këtë periudhë, pas Luftës së Parë Botërore, shoqata “Dëshira” ka pasur vizionin e saj për të ardhmen e Maqedonisë. Anëtarët e shoqatës kanë kërkuar bashkëpunim me përfaqësues të etnive të tjera në Maqedoni, që të gjendet zgjidhje e përbashkët që do të garantonte të drejtat e të gjitha etnive në këto vise. Një përfaqësues i “Dëshirës”, Sulejman Numan Karkini, ka marrë pjesë në Kongresin themeltar të Organizatës Federative Emigrante Maqedonase, që ishte zhvilluar në Sofje më 4 dhjetor 1921, dhe ishte zgjedhur në Byronë e Përhershme të Kongresit dhe në Komisionin Politik. Ky kongres ka marrë disa vendime, ndër të cilat më me rëndësi kanë qenë këto: ngritja e Maqedonisë në një njësi të pavarur federative politike nën garancitë e Fuqive të Mëdha në kufijtë e saj gjeografikë dhe ekonomikë, që do të shërbente për njësi bashkuese ndërmjet popujve dhe shteteve ballkanike me barazi absolute midis të gjitha etnive të saj, si dhe veprimtaria çlirimtare të realizohej në bashkëpunim të plotë midis të gjitha etnive në Maqedoni (Палешутски, Костадин. Македонското освободително движение след Първата световна война (1918-1924). София, 1993, f. 85). Këto ide kanë qenë të parealizueshme në rrethanat gjeopolitike dhe rajonale të kohës, por tregojnë qartë se organizata e shqiptarëve në Bullgari e ka mbështetur bashkëpunimin midis popujve, si edhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha etnive në Maqedoni. Pra, një lloj koncepti “Maqedonia – Zvicra e Ballkanit” ka qenë varianti më i preferuar për përfaqësuesit e “Dëshirës” pas Luftës së Parë Botërore, duke marrë parasysh përbërjen e larmishme etnike të këtyre viseve.