Historikisht, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që nga Kryengritja e Dervish Carës (1844), gjatë luftërave ballkanike, pas 1918-ës, dhe pas Luftës së Dytë Botërore, më shumë kanë dhënë kontribut për konsolidimin e Shqipërisë dhe të Kosovës sesa për forcimin e statusit të tyre në Maqedoninë socialiste dhe pas. Po qe se dallimet ideologjike dhe interesat politike do të mbizotërojnë në hapësirën politike shqiptare, atëherë bashkimi, qoftë edhe më i vogël, nuk do të arrihet dhe paragjykimet do të vazhdojnë, duke ndikuar në perceptime të gabuara për shumë ngjarje dhe procese në MV.
Selim IBRAIMI, Uashington
Fitorja gjermane në luftën franko-prusiane ishte lëvizja e fundit që çoi në bashkimin e Gjermanisë në vitin 1848. Po ashtu, ishte roli i kancelarit Otto von Bismark (1815-1899), rënia e perandorisë austro-hungareze dhe vetë fuqia ushtarake-ekonomike e Prusisë, që ndikuan në bashkimin dhe rritjen e prestigjit të Gjermanisë për më shumë se pesë dekada deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Pra, ishin disa faktorë që e shtynë bashkimin gjerman të shek. XIX të dëgjohej gjithashtu në fund të shek. XX nga gjeneratat e reja të politikanëve gjermanë. Nuk kemi raste të tilla në pjesët tjera të Europës, ku një popull, pavarësisht se i ndarë, ka punuar që një ditë përsëri të bashkohet. Edhe pse të ndarë disa dekada, perceptimet ideologjike nuk ndikuan që pas rrëzimit të Murit të Berlinit bashkimi mes tyre të nxirrte dallime të reja. Megjithatë, duhet pranuar se në hapësirën shqiptare vështirë se mund të gjejmë udhëheqës politikë që veprojnë përafërsisht si dikur drejtuesit gjermanë. Është e pamundur që një komb, në një hapësirë të caktuar gjeografike, pavarësisht ngjashmërive dhe dallimeve në sjellje dhe histori, të mbajë qëndrime të përbashkëta për shumë çështje. As në hapësira tjera etno-gjeografike nuk mund të gjejmë raste ku një komb i shtrirë në disa shtete të ketë mendim të njëjtë. Aq më pak në viset tona në Ballkanin Perëndimor, ku shqiptarët mes vete kanë dallime krahinore, gjuhësore, fetare dhe kulturore. Para pushtimit osman, dallimet nuk ishin të mëdha, sepse feja ishte e lidhur ngushtë me tërësinë individuale-fetaree të popujve të atëhershëm, përfshirë këtu edhe shqiptarët. Aty kah fundi i shekullit 18-të dhe pas luftërave ballkanike (1912-13), dallimet mes shqiptarëve filluan të rriten. Në veçanti pas pushtimit komunist të menduarit dhe të vepruarit tek shqiptarët filloi të ndryshonte. Në Shqipëri, në fillim të viteve të ‘90-ta, mbizotëronte një mendim se të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë janë kosovarë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut (MV) i quanin gjithashtu kosovarë ose kosovarë nga Struga. Shtrembërimet shoqërore dhe paragjykimet ishin të thella, pasi ish regjimi diktatorial i Enver Hoxhës (1944-91) kishte ngulitur një urrejtje të madhe në mendjet e shqiptarëve të Shqipërisë ndaj kosovarëve dhe shqiptarëve jashtë Shqipërisë, që kishin rënë nën sundimin e shtetit jugosllav.
Rishfaqja e enverizmit në hapësirën shqiptare
Përveç këtyre dallimeve të mëdha që ishin pasojë e ndarjeve dhe regjimeve, një përçarje e lehtë vërehej ose ekzistonte në mes vetë shqiptarëve në ish Jugosllavi. Disa qarqe në Prishtinë, në atë kohë, kishin filluar të shfaqnin një qëndrim refuzues ndaj shqiptarëve të MV-së. Qëndrimi në fillim ishte realisht i moderuar, ndërsa më vonë duke i vlerësuar edhe si fetarë dhe ekstremistë. Koha tregoi se paragjykimet ishin të pavërteta, përjashtuar rastet individuale. Historikisht, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që nga Kryengritja e Dervish Carës (1844), gjatë luftërave ballkanike, pas 1918-ës, dhe pas Luftës së Dytë Botërore, më shumë kanë dhënë kontribut për konsolidimin e Shqipërisë dhe të Kosovës sesa për forcimin e statusit të tyre në Maqedoninë socialiste dhe pas. Këtë e bënë me idenë se po qe se Kosova do të fitonte statusin e republikës, gjendja e tyre do të ndryshonte njëkohësisht. Sinjalet e gabuara që janë dhënë pas 2002-ës, janë perceptuar njëjtë në Kosovë dhe në Shqipëri. Sukseset individuale dhe grupore të partisë së Ali Ahmetit (BDI) janë paraqitur si suksese të përgjithshme, gjë që nuk është e vërtetë, pasi Ahmeti dhe grupi i tij është munduar të rishkruajë një histori tjetër “suksesi”. Kur jemi tek pozicioni i Kosovës, pra ai zyrtar, mund të themi se Prishtina me dekada ka pasur një pozicion të mjegullt në domosdoshmërinë e shqiptarëve të MV-së për një status më të mirë. Gjatë dy dekadave të fundit, mund të themi se Kosova zyrtare ka qenë në një vijë me politikën zyrtare të partive shqiptare në pushtet që kanë qeverisur me partitë maqedonase.
Rritja e perceptimit të gabuar politik në Shqipëri dhe në Kosovë
Tre vitet të fundit kemi një ndërrim thelbësor na atë se si Prishtina duhet t’i shohë shqiptarët në MV. Te politika shqiptare e partive në pushtet, ky ndryshim është parë si një ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit maqedonas. Reagimet e BDI-së së Ali Ahmetit dhe të qeveritarëve të tij kanë qenë të njëjta me ato të partive maqedonase ose, madje, më të ashpra. Shqipëria zyrtare, që nga 1991, gjithashtu nuk ka dalluar nga Prishtina. Varësisht nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, Tirana është pozicionuar kah “e vërteta” e partive në pushtet dhe aspak nuk ka pasur një qëndrim të vetin kombëtar. Viteve të fundit, qytetari i Shqipërisë për arsye të qarkullimit të lirë e ka njohur më mirë jetën e një shqiptari të MV-së. Paragjykimet ngadalë janë bërë më të zbehta, por përsëri vështirësitë në të kuptuar mbeten. Duhet theksuar se pas politikës me keq qëndron media e paguar nga partitë në pushtet dhe nga burimet e tjera të financimit, që kanë për detyrë t’i rrisin përçarjet brendashqiptare dhe të mbajnë gjallë paragjykimet. Media shqiptare, në përgjithësi, në Shqipëri, viteve të fundit, ka mbajtur përsëri anën zyrtare të interpretimit të ngjarjeve që kanë pasur ndikim në jetën politike dhe shoqërore të shqiptarëve në MV. Disa gazetarë nga Shqipëria me raportet e tyre e kanë zgjeruar fushën e informimit të shqiptareve ndaj gjendjes së shqiptarëve në MV. Disa kanë shkuar edhe me thellë, duke mbajtur anën kombëtare dhe profesionale në mbrojtje të së vërtetës dhe informimit për diskriminimin dhe asimilimin e shqiptarëve të MV në disa anë të shtetit maqedonas. Krahasuar me dekadat e mëparshme, njohuritë janë zgjeruar për shqiptarët e MV-së nga shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Por, për të bërë më shumë, shtetet si Kosova dhe Shqipëria, së pari duhet të gjejnë një patriotizëm modern institucional, me një shpërndarje të një fryme të sigurt e të përhershme për shqiptarët jashtë atdheut. Duhet nënvizuar se Prishtina zyrtare, si duket së fundmi, duke i parë rrethanat e fundosjes politike të shqiptarëve në MV, tërthorazi ka arritur të motivojë politikanë lokalë shqiptarë që të bashkohen e të sjellin ndryshime politike me idenë për një pozitë më të mirë në kuadër të MV-së të integruar në BE nga një klasë politike e pakorruptuar. Pavarësisht historive të hidhura brendashqiptare, shqiptarët e MV-së kanë gjasa të ecin para me kohën, pasi janë pjesë e Europës. Mundësitë, gjithashtu, janë të mëdha që emigracioni të lë pasoja të mëdha në natalitetin e popullatës dhe uljen e kapaciteteve për të mbajtur e organizuar jetën politike e shoqërore. Për ta mbajtur gjallë ëndrrën për një status më të mirë juridik dhe ekonomik, shqiptarët në MV duhet të punojnë në drejtim të rrëzimit nga pushteti të një klase politike me ideologji enveriste, që ua ka zënë frymën të gjithëve. Këtu ndihmë nuk duhet të presin as nga Tirana dhe as nga Prishtina. Pasi, historikisht, shqiptarët e MV-së i kanë ndihmuar të tjerët. Tani është koha që të bëjnë më shumë për të ardhmen duke u organizuar vetë. E gjitha duhet bërë me mjete paqësore për një hapësirë që pret të hyjë në BE. Po qe se dallimet ideologjike dhe interesat politike do të mbizotërojnë në hapësirën politike shqiptare, atëherë bashkimi qoftë edhe më i vogël nuk do të arrihet, paragjykimet do të vazhdojnë, duke ndikuar në perceptime për shumë ngjarje dhe procese në MV.