loader image
July 4, 2024

Lulet e përgjakura të pafajësisë

Shkruan: Ismail SINANI

Sot e 29 vjet më parë, u njom toka e Srebrenicës. U njom me lëngun më të shtrenjtë, me gjakun e 8327 baballarëve, djemve, fëmijëve… U shuan po aq ëndrra.

Njeriu është krijesë shumë e çuditshme, shuan ëndrrat e tjetrit për t’i ndritë të vetat.

Zanafilla e këtij adeti është e hershme… Librat fetarë na mësojnë se kjo dukuri është ngjizur në mendjen e njeriut që nga brezi i dytë kur vëllai vrau vëllanë, e pastaj u pendua, por më kot pasi nuk e kishte më të vëllanë për ta ngushëlluar…

Shkenca nuk e ka përcaktuar dot lashtësinë e njeriut dhe as feja nuk na jep të dhëna të sakta se kur “kemi zbritur në tokë”. Por, megjithatë, dihet se që nga hapi i parë, gjaku ka shkuar lumë.

Sot, dhjetëra mijëra vjet apo miliona e miliarda vjet pas ardhjes n’këtë botë, njerëzimi vazhdon të pyesë se çfarë është njeriu? A është “njeriu për njeriun ujk” apo “njeriu për njeriun është mëshirë”?

Pse vritemi? A e vret njeriu njeriun nga smira, dëshira, interesi, xhelozia? Apo pas kësaj fshihet diçka më shumë?

Pse heshtim kur vriten njerëzit? Pse gjithmonë kur dikush diku është vrarë, shumë të tjerë kanë shikuar apo heshtur sikur nuk ka ndodhur asgjë?

Ç’është ajo që njeriun e bën kaq meskin?

Po vrasjet masive, gjenocidet? Ato a ndodhin në çast apo para se të ndodhin u prijnë një mori ngjarjesh dhe zhvillimesh? E kur ndodhin, përse bota dëshiron të heshtë?

Çfarë na mëson historia? Kush janë kryerësit më të mëdhenj të gjenocideve? Të zinjtë, të kuqtë, të verdhët apo “të civilizuarit” – të bardhët? Nëse të bardhët janë më gjenocidalët, atëherë si është e mundur që “më të ngriturit” të jenë kaq gadarë?

Srebrenica është lajtmotivi më i keq që e ka prekur ndërgjegjen tonë. Ky rast, në një kohë të përmbysjes së gjitha vlerave, është bërë një fije shprese për të devotshmit se drejtësia vonon, por nuk harron.

29 vjet pas asaj nate të tmerrshme, edhe pse me shumë hamendje, bota ose, më mirë thënë, ajo që quhet “qeveri e botës” e pranoi edhe zyrtarisht se atë ditë është turpëruar njerëzimi. Ky vendim ka një domethënie të veçantë për familjet e prekura – paralelisht është edhe një fije shprese për gjithë ne të tjerët, pasi që nga viti 1878 e këndej dihet se kush ka vrarë e masakruar në emër të “lirisë dhe fesë së vet”.

Shqiptarët dhe boshnjakët janë dy popujt më të persekutuar në këto 146 vjet. Historia moderne na e mëson Srebrenicën, Drenicën, Zhupën, Reçakun, Krushën, Izbicën… E kjo nuk është e mjaftueshme, pasi që në këto 146 vjetët e fundit, këta dy popuj kanë përjetuar gjenocide të njëpasnjëshme në të gjitha viset… ndërsa autori vazhdimisht ka qenë i njëjtë, Serbia, herë-herë Greqia dhe Mali i Zi.

Çfarë është ajo që nuk shkon me serbët? A janë të gjithë njësoj? Pa dyshim që jo. A janë të shumtë që heshtin? Pa dyshim që po.

Thonë se kur zullumi trashet, ndërhyn “Dora e Zotit”. Pas masakrave të mëdha në territorin boshnjak, serbët, duke u përpjekur që t’i fshehin gjurmët, njerëzit i kanë hedhur nëpër gropa masive, që ne sot i quajmë varre. Çuditërisht, pa ndonjë shpjegim të fuqishëm shkencor, në ato vende të lëna pa gjurmë, fillojnë të mbijnë ca lule, një specie e panjohur për këto treva. Dalja e tyre në sipërfaqe bëhet një tregues i sigurt se aty ka diçka, ka trupa njerëzish, kurse lulet në fjalë mbijnë si një revoltë, po sikurse feniksi.

Ballkani është i mbushur me lule të tilla.

Sot, për fat të keq, bota po vazhdon “të lulëzojë” nga “lulet e vdekjes”. Gaza, Ukraina… e posaçërisht Gaza, edhe një herë po e vendosin në sprovë gjithë njerëzimin, se pse duhet të heshtim kur e dimë se çfarë po ndodhë. Pse duhet ta argumentojmë gjenocidin nesër kur mund ta parandalojmë sot?

Pse njeriu i bardhë po bëhet sërish kaq cinik, sikurse kontingjenti holandez në Srebrenicë 29 vjet më parë?

Nëse “filozofia moderne”, humanizmi, liberalizmi… demokracia, lindën nga të bardhët, atëherë si është e mundur që këta “eksportues të mëdhenj vlerash” t’i shkaktojnë dhe lejojnë kaq shumë dhimbje njerëzimit?

Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi rezolutën me të cilën 11 korriku shpallet si Dita Ndërkombëtare e Gjenocidit në Srebrenicë.

Ky vendim i OKB-së, gjithsesi i drejtë, megjithatë në vete përmban një substancë të madhe të hipokrizisë. Ai, si i tillë, përpiqet ta lajë mëkatin e trupave të ashtuquajtur “paqeruajtës” të OKB-së, para syve të të cilëve ndodhi masakra e mbi 8000 civilëve boshnjakë.

Nga viti 1948 e këndej, OKB-ja zyrtarisht i ka njohur tre gjenocide: të Srebrenicës, të Ruandës dhe Kamboxhias. Po vrasjet e tjera çfarë janë?

S’do mend se dekadat pas Luftës së Dytë Botërore janë të stërmbushura me “incidente gjenocidale” në Afrikë dhe Azi. S’do mend se këta “të pacivilizuar”, siç i quajnë oksidentalët, e kanë marrë në qafë veten duke e derdhur gjakun e tyre. Por, nëse nisemi nga parimi se krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen asnjëherë, atëherë atyre që merren me zbulimin e këtyre krimeve makabre u bie të punojnë jashtëzakonisht shumë për ta vendosur në shina të drejtën dhe historinë.

Sidoqoftë, t’i kthehemi realitetit tonë, të sotëm, këtu dhe në këtë kohë.

Nëse duam paqe, atë mund ta ndërtojmë duke e pastruar të kaluarën. Ata që thonë se “nuk duhet kthyer prapa”, flasin me kute të dyfishta, pasi që Gjermania edhe sot e kësaj dite i paguan dëmet e turpit që i kreu mbi hebrenjtë 80 vjet më parë.

Nëse gjermanët paguajnë dëmet e gjyshërve të tyre të tërbuar, atëherë pse edhe serbët mos ta paguajnë çmimin e çmendurisë së tyre disa shekullore.

Fundja, narracioni për supremacinë serbe në këto treva ka nisur që me Car Dushanin, 700 vjet më parë. Kjo i bie se gjenocidet serbe janë thellë të ngulitura në ADN-në e tyre. Zërat që paraqiten rrallë për ta kundërshtuar këtë turp kolektiv heshten sa hap e mbyll sytë.

Serbia, por edhe Greqia dhe Mali i Zi, domosdo duhet të përballen me vetveten. Krimi i pandëshkuar përsëritet.

Lulet e përgjakura i kemi gjithandej nëpër trojet tona. Vetëm se duhet t’i shohim e t’ua tregojmë fëmijëve tanë.

(Editoriali i Revistës SHENJA)

 

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X