loader image
December 13, 2024

Funksioni historik, politik dhe etik i Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë

“Ju nuk u keni bërë asnjë të keqe. Por, ata ua kanë bërë atë juve. Për këtë, ata tash ju urrejnë”. (Fjodor Mihailoviq Dostoevski)

Shkruan: Ferid MUHIQ, Shkup

Mohimi i kotë

 Në fjalimin e tij në OKB, para votimit për miratimin e Rezolutës për Përkujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë, Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, u bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë kundër miratimit të rezolutës, sepse ajo, sipas tij, padrejtësisht e akuzon Serbinë për këtë gjenocid, edhe pse Rezoluta nuk e përmend në mënyrë eksplicite Serbinë, as entitetin e Republikës Sërpska, as serbët e as ndonjë komb tjetër. Me amendamentet e miratuara, të propozu­ara nga Mali i Zi, autorët e gjenocidit në Srebrenicë në Rezolutë mbetën plotësisht anonimë!

Është e qartë se Vuçiqi, autori i kërcënimit gjenocidial “Ne do t’i mbysim 100 mys­li­ma­në (boshnjakë) për një serb të vrarë” assesi nuk e ka kuptuar se kështu vetë ai e shpalli Ser­binë, RS-në dhe serbët për fajtorë të gjenocidit ndaj boshnjakëve të kryer në Srebrenicë! Nëse nuk është përmendur asnjë vend dhe asnjë popull, atëherë pse ai u ndje i thirrur për të agjituar kun­dër miratimit të Rezolutës? Dhe, në çfarë cilësie? Si president i Serbisë për ta mbrojtur fy­ty­rën e Serbisë? Por, Serbia as që përmendet në Rezolutë! Për ta mbrojtur fytyrën e entitetit të RS-së? Por, as ai entitet, përndryshe pjesë përbërëse e Bosnjë e Hercegovinës dhe jo e Serbisë, nuk është përmendur! Ta mbrojë fytyrën e serbëve të cilët jetojnë edhe në Serbi, po edhe në entitetin RS? Por, përsëri, nuk është e qartë pse ai duhet t’i mbrojë ata, kur as serbët si popull nuk përmenden në Rezolutë? Vallë, a vërtet ai nuk e ka kuptuar se me paraqitjen e tij, vetë ai e ka pranuar shprehimisht se shteti i Serbisë, entiteti RS dhe serbët, edhe pse nuk përmenden në këtë rezolutë, janë autorë të gjenocidit në Srebrenicë? A supozoi ai se disa nga të pranishmit tanimë kishin dëgjuar diçka për të? Apo ndoshta sepse e kishte të qartë se tanimë të gjithë e dinin këtë? Sapo përmendet fjala – Srebrenicë!?

Në pyetjen retorike që ia bën vetes “A do të sjellë Rezoluta pajtim në Bosnjë dhe Hercegovinë?”, Vuçiqi i përgjigjet me vendosmëri: “Jo! Nuk do të djellë aspak pajtim!”. Do të ishte interesante se çfarë përgjigje do të jepte nëse do të ishte pyetur se si mund të ishte aq i sigurt se çfarë do të ndodhte në një shtet tjetër sovran dhe të pavarur? Në pyetjen që ai ia bën vazhdimisht vetes: “A thua Rezoluta do të sjellë pajtim në rajon?”, ai me të njëjtën siguri i parashikon ngjarjet në rajon sikur të ishte president i të gjitha vendeve të Ballkanit: “Jo! Assesi jo!”. Tirada retorike e kryetarit Aleksandër Vuçiq “Vetë pyes – vetë përgjigjem” vazhdon: “Vallë, a do ta bashkojë Rezoluta dikë”?, përgjigja është: “Jo” dhe pastaj vjen paralajmërimi: “Ndarjet do të bëhen edhe më të thella.” Në pyetjen “A do të kontribuojë në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në të ardhmen?”, sërish vijon negacioni kategorik: “Jo!”. Pa ndonjë grimcë dyshimi. Si mund ta dijë ai paraprakisht!? Në fund të fundit, ai vetë e ka përgatitur tashmë skenarin e ngjarjeve në Serbi, në Bosnjë e Hercegovinë, dhe në entitetin e RS, madje edhe në të gjithë rajonin!

Mbetet ta pyesim kryetarin Vuçiq, se – sipas tij – çfarë është ajo që do t’i sillte paqe dhe stabilitet Serbisë, entitetit RS, Bosnjë e Hercegovinës dhe, më në fund, mbarë rajonit menjëherë apo në të ardhmen? Ndoshta vetë Bosnja e Hercegovina duhet ta paraqesë një kërkesë për revokimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, sepse e ka përcaktuar se ai gjenocid nuk është kryer asnjëherë? Dhe, nëse është kryer, se atë nuk e kanë kryer ata që Aleksandër Vuçiqi po përpiqet t’i shfajësojë!? Çfarëdo që të kishte në mendje, fjalimi i tij në panik dhe grotesk mbeti një mohim i kotë i së vërtetës, që e gjithë bota dhe ai vetë e njeh prej 29 vitesh, që nga dita kur po ata njerëz të cilët ai mbron së koti, e kryen gjenocidin në Srebrenicë!

 Zbulimi i gënjeshtrave: Historia e gjatë e gjenocideve serbomëdha

Nëse për shtetin e Serbisë ky do ishte gjenocidi i parë i kryer, ndoshta do të gjendej një numër i mjaftueshëm i shteteve të painformuara dhe naivë të cilët gjatë votimit do të përpiqeshin që nga Rezoluta të fshihej të paktën emri i vendit të gjenocidit – Srebrenicë!, kjo për shkak se, pas aktgjykimit të miratuar nga instancat më të larta gjyqësore ndërkombëtare, atë emër sot secili njeri në botë në mënyrë të drejtpërdrejtë e ndërlidh me shtetet kryerëse – Serbinë dhe RS-në. Por, ky nuk është gjenocidi i parë i Serbisë dhe as boshnjakët nuk janë të vetmit popull kundër të cilëve ajo ka bërë gjenocid përgjatë historisë së saj! Le të kujtojmë:

Përpjekja e Aleksandër Vuçiqit nuk është e para në politikën e gjatë të udhëhequr shtetërore sistematike të Serbisë, që gjenocidet e kryera të fshihen dhe të mohohen. Në njërin nga njëmbëdhjetë gjenocidet kundër boshnjakëve, gjenocidi në Sjenicë – i kryer në vitin 1809 nga ushtria e Karagjorgjes kundër civilëve, të cilëve ai personalisht u kishte garantuar më parë me betim largimin e sigurt nga kalaja e rrethuar – të gjithë të vrarëve ua prenë kokat dhe i vendosën në hunj. Duke i treguar për këtë ngjarje Vuk Karaxhiqit, oficeri Antonije Protiq, një nga pjesëmarrësit në rrethimin e Sjenicës dhe dëshmitar i gjenocidit, ka deklaruar për një shifër prej mbi 2.500 koka të prera, duke vënë në dukje “…që kanë mbetur edhe shumë koka, nuk kanë mbetur hunj”.

I tmerruar nga tinëzaria dhe pandershmëria, sipas të cilave u krye masakra, nga numri i grave dhe fëmijëve të masakruar, si dhe nga përpjekja për ta fshehur dhe heshtur tërë ngjarjen e tmerrshme, Vuk Karaxhiqi e përshkroi në detaje krimin e tmerrshëm, duke komentuar: “Detyra e historianit nuk është që nga populli ta fshehë turpin e tij, por në emër të së vërtetës t’ia zbulojë atë për t’i ditur dhe për t’i dënuar ngjarjet e këtilla nga e kaluara e tij” [1]. Për shkak të këtij teksti, Vuk Karaxhiqi u sulmua ashpër nga historianët më të shquar serbë, ndërsa vetë ai tekst asnjëherë nuk u publikua, por mbeti vetëm si dokument arkivor. Në gjenocidin kundër boshnjakëve, të kryer më 9-10 nëntor të vitit 1924, në kushte paqeje, 600-1000 civilë boshnjakë, pleq, gra dhe fëmijë, u vranë nga grupet malazeze në bashkëpunim me autoritetet, sepse të rriturit një ditë para gjenocidit të planifikuar u mbyllën në Bijelo Polje.

Prapëseprapë, qeveria e Mbretërisë së Jugosllavisë jo vetëm që nuk e dënoi askënd, por as nuk kërkoi llogari nga asnjë pjesëmarrës në këtë gjenocid, e as nga ndonjë përfaqësues i pushtetit vendor. Ndërsa ndaj ankesës të ashpër nga Reis-ul-ulema i asaj kohe, Xhemaludin Çausheviq, drejtuar mbretit Aleksandar Karagjorgjeviq, as që kishte ndonjë përgjigje! Dy gjenocidet mbetën praktikisht të panjohura deri në fund të ekzistencës së RSF-së Jugosllavisë, ndërsa autoritetet e Serbisë dhe Malit të Zi nuk kanë lejuar as vendosjen e pllakave përkujtimore në Sjenicë dhe në vendin ku dikur ishte fshati Shahoviqi!

Politikën gjenocidale të nacionalizmit serbomadh disa historianë e vendosin që në fillimet e themelimit të shtetit të pavarur të Serbisë. Kështu, Filip Kohen konstaton se “…fashizmi serb fillon në vitin 1804, që nga Kryengritja e Parë Serbe, kur serbët kryen gjenocid kundër popullatës joserbe dhe në kontinuitet vazhduan për më shumë se dy shekuj”[2].

Këtë politikë hegjemoniste të formuluar nga Ilija Garashanini, e elaboruan dhe e vazhduan si politikë shtetërore Vasa Çubrilloviqi, Stevan Moljeviqi dhe Milorad Ekmeçiqi, me faktin se në listën e joserbëve, pranë boshnjakëve, ishin shqiptarët, kroatët, bullgarët, hungarezët, maqedonasit dhe gjermanët e Vojvodinës.

Nga tetori i vitit 1912, në Luftën e Parë Ballkanike, shqiptarët u përballën me goditjen më brutale, të dëbuar sistematikisht nga Kosova, Sanxhaku dhe Maqedonia. Sipas dokumenteve serbe, deri në gusht të vitit 1914 nga këto vise janë dëbuar (“shpërngulur”) 281.747 “arnautë”, pa i llogaritur fëmijët nën gjashtë vjeç. Në pronat e tyre (të shqiptarëve) u vendosën mbi 20.000 familje serbe, ndërsa Mali i Zi përgatiti vendosjen e 5.000 familjeve (malazeze) në Kosovë. Dëbimi i shqiptarëve me ndalim të përhershëm kthimi vazhdoi edhe ndërmjet dy luftërave botërore. Për dy dekada, në vitet 1918-1938, në Mbretërinë e Jugosllavisë, ushtria, policia dhe skuadrat fluturuese çetnike dogjën 320 fshatra shqiptare. Kryengritjet fillestare u shtypën rëndë, kështu që për tre vjet, më 1918-1921, u vranë 12.346 shqiptarë, u burgosën 22.160, u plaçkitën 50.515 shtëpi dhe u dogjën 6.125 shtëpi. Sipas të dhënave të Institutit të Historisë nga Prishtina, gjatë periudhës 1919-1940 vetëm nga Mbretëria e Jugosllavisë për në Turqi kanë emigruar 215.412 shqiptarë[3].

I pakënaqur me ritmin e ngadaltë të dëbimit të shqiptarëve, akademiku i SANU-s, Vasa Çubrilloviq, në vitin 1937 përgatiti projektin “Spastrimi etnik masiv i Kosovës dhe Metohisë nga arnautët” për qeverinë e Stojadinoviqit, në të cilin ndër të tjera thuhet: “Është e pamundur që t’i dëbojmë arnautët me kolonizim gradual… E vetmja rrugë është forca brutale e një autoriteti të organizuar shtetëror…”.

Në tetor të vitit 1938 qeveria e Serbisë e pranoi projektin, ndërsa Ministria e Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllavisë menjëherë i organizoi njësitë sulmuese çetnike me në krye Kosta Peçanacin, Mile Krstiqin, Jovan Babunskin, Vasilie Trbiqin, me qëllim që “…masat kompakte të arnautëve të shpërbëhen dhe të dëbohen me dhunë, terror dhe plaçkitje, ndërsa në territoret e braktisura menjëherë të vendosen familjet serbe”.

Presionet ndaj shqiptarëve vazhduan edhe pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht gjatë periudhës së terrorit të udhëhequr nga kreu famëkeq i UDB-së së atëhershme, Aleksandar Rankoviq. Pas largimit të tij në vitin 1966, filloi periudha e marrëdhënieve të relaksuara, në të cilën shqiptarëve për herë të parë me kushtetutë iu njoh statusi si popull i barabartë. Tanimë në fillim të viteve të 80-ta, pas vdekjes së Titos, u ripërtëri fushata e organizuar kundër shqiptarëve me përhapjen publike të urrejtjes nacionale dhe fetare kundër tyre.

Me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit dhe me heqjen e autonomisë së Kosovës në vitin 1989, terrori ndaj popullatës shqiptare u intensifikua, kështu që gjatë Luftës së Kosovës, të zhvilluar nga 28 shkurti i vitit 1998 e deri më 11 qershor të vitit 1999, të shndërrohet në akte gjenocidale me tentativën për dëbim total të shqiptarëve nga Kosova dhe me ekzekutimet masive të popullatës civile të kryera nga ushtria serbe (formalisht Ushtria e RS e Jugosllavisë) dhe policisë. Vetëm në një krim të tillë, në fshatin Mejë të Gjakovës, më 27 prill të vitit 1999, u vranë të paktën 377 civilë, 36 prej të cilëve ishin djem nën moshën 18-vjeçare. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe Historinë e vuajtjeve dyshekullore të boshnjakëve myslimanë në territorin e Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Sanxhakut, Kosovës dhe Malit të Zi, me njëmbëdhjetë gjenocidet e kryera nga regjimi i Serbisë së Madhe në periudha të ndryshme të qeverisjes serbe, bëhet e qartë se kjo rezolutë ishte e nevojshme nga këndvështrimi global, politik dhe rajonal.

Mesazh deri te “bijtë e Ajhmanit”

Gjatë gjykimit të Adolf Aihmanit, ideologut nazist dhe zbatuesit kryesor të kampeve të përqendrimit dhe holokaustit, të mbajtur në Jerusalem në vitet 1960-1961, filozofi gjerman Ginter Anders botoi një tekst të titulluar “Ne bijtë e Ajhmanit: Letër e hapur për Klaus Ajhmanin” (i biri i Adolf Ajhmanit). Edhe pse zyrtarisht letra i ishte adresuar të birit të Adolf Ajhmanit, ajo në fakt i drejtohej një grupi shkrimtarësh të rinj dhe të gjithë të rinjve në Gjermani dhe Austri, të cilët në ato kohë solidarizoheshin, në një mënyrë ose në një tjetër, me prindërit e tyre – brezin e mbështetësve të nazizmit dhe ushtarëve në ushtrinë e Hitlerit.

Në letrën e Andersit, ai propozon që emri i kryekriminelit Ajhman të bëhet simbol semantik universal për të gjithë autorët dhe mbështetësit e gjenocideve, si dhe për të gjithë ata që nuk flasin në mënyrë aktive kundër gjenocidit. Letrën e përfundon me mesazhin se: “…jo vetëm për Klausin, djalin e Ajhmanit, por për të gjithë ‘bijtë e Ajhmanit’ në botë, alternativa e vetme morale korrekte është që t’i dënojnë krimet e baballarëve të tyre, në vend që t’i mohojnë dhe të heshtin për ato”.

Pse ishte e nevojshme Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë?

Debati rreth Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë, e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, konfirmoi se “Bijtë e Ajhmanit” akoma jetojnë edhe sot dhe se një nga më të shquarit në mesin e tyre është Aleksandar Vuçiq. Pikërisht ky është motivi i parë që e justifikon pashmangshmërinë e kësaj rezolute! Kushdo që të jenë ata, si do që të emërtohen, çfarëdo funksioni të kryejnë, të gjithë ata që refuzojnë për ta dënuar gjenocidin në Srebrenicë dhe t’i pranojnë mesazhet dhe përmbajtjen e vërtetë në çdo fjalë të Rezolutës, do të mbahen mend përgjithmonë si “Bijtë e Ajhmanit”.

Megjithatë, duhet thënë se pranimi i Rezolutës nuk nënkupton faljen e krimit të kryer. Të drejtën për të falur e ka vetëm ai ndaj të cilit është bërë e keqja. Dhe, vetëm e atij që i është bërë keq. Vetëm i vrari mund t’ia falë vrasësit të tij. Nëse ndonjëherë, diku, do të takohen! Rezoluta nuk është as thirrje për hakmarrje. Ashtu si të drejtën për të falur, edhe të drejtën për t’u hakmarrë e ka vetëm ai ndaj të cilit është bërë e keqja. Dhe, ajo është e drejtë vetëm e atij ndaj të cilit është shkaktuar e keqja. Prandaj, kjo Rezolutë nuk i përmend as hakmarrësit, e as ata ndaj të cilëve do të hakmerreshin.

Rezoluta nuk paraqet as thirrje për pendim deri të pasardhësit e autorëve të gjenocidit në Srebrenicë. Njeriu mund të pendohet vetëm për diçka që ai vetë e ka bërë. Asnjëri nga pasardhësit e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të autorëve të gjenocidit në Srebrenicë nuk duhet të pendohet për asgjë që e kanë bërë prindërit ose të afërmit e tyre.

Përgjigja në pyetjen pse ishte e nevojshme Rezoluta për Srebrenicën, pasi që tanimë nuk ka as funksion për ta falur gjenocidin në Srebrenicë, e as për atë që dikush t’i hakmerret dikujt, e as që dikush të pendohet, është e qartë:

1. Për shkak të rëndësisë së saj historike epokale;

2. Për shkak të ndikimit të përhershëm politik rajonal dhe global;

3. Për shkak të mesazhit të saj universal edhe etik.

Rezoluta thekson një të vërtetë historike të pamohueshme (gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995) dhe në atë mënyrë e afirmon kriterin e argumenteve mbi falsifikimet ideologjike me të cilat janë shkruar historitë nacionale në rajon dhe në disa vende të botës. Në fakt, me miratimin e saj, kjo rezolutë është promovuar në një paradigmë të imperativit të së vërtetës historike!

Ndikimi politik rajonal i kësaj rezolute u ndje që para pranimit të saj, para paralajmërimit të parë publik se do të miratohej. Frika se miratimi i saj do ta shkatërronte mitin e, gjoja, ambicieve të drejta hegjemoniste dhe luftërave agresive kundër fqinjëve për realizimin e tyre, u tregua si e arsyeshme. Rezoluta ndihmoi që tëra ajo mitologji ideologjike të shembet dhe pas saj të zbulohen krimet dhe gjenocidet e tmerrshme, me çka Rezoluta në mënyrë rrënjësore e ripërcaktoi plejadën reale të barazisë së shteteve nacionale dhe të kombeve në Ballkan, tashmë të vendosur mbi themelet e fuqishme të së vërtetës në vend të miteve ideologjike.

Ndikimi politik global qëndron në forcën e precedentit me të cilin kjo rezolutë do t’ua kujtojë përgjithmonë edhe shteteve më të fuqishme në botë, pavarësisht nga fuqia e tyre, detyrimin për ta dënuar pa kushte çdo gjenocid, përfshirë këtu edhe ata të cilët vetë e kanë kryer.

Mesazhi etik universal i kësaj Rezolute është ai që fuqia e saj vazhdimisht të na e kujtojë të gjithëve detyrën për t’u bërë dhe veçanërisht për të mbetur – njerëz! Madje, edhe kur të pushojnë së heshturi dhe së mohuari, edhe kur atëherë kur sinqerisht t’i dënojnë të gjitha gjenocidet, përfshirë këtu edhe ato të kryera nga baballarët e tyre, do të mund që “bijtë e Ajhmanit” dhe bijtë e viktimave të baballarëve të tyre nga gjithë bota dhe nga të gjitha epokat të ulen në të njëjtën tryezë dhe ta shikojnë njëri-tjetrin në sy!

FOTO: Rromir IMAMI

[1] V.S.Karadžić, Istorijski spisi II, Beograd 1964., str. 481.
[2] Види Phillip J.Cohen: Tajni rat Srbije, propaganda i historijska obmana, Sarajevo 1996
[3] Isterivanja Albanaca i kolonizacija Kosova, II (Istorijski institut u Prištini)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X