loader image
July 26, 2024

Lufta dhe paqja shqiptaro-serbe!

Pas trazirave në Kosovë, në Serbi fillon propaganda e organizuar për gjenocidin e serbëve në Kosovë (raporte të falsifikuara për përdhunimin e grave serbe, emigrimin e serbëve, etj.)  Kisha Ortodokse Serbe, gjithashtu, luajti një rol të madh në përhapjen e ndjenjave antishqiptare. Në vitin 1985 u botua “Libri për Kosovën” i historianit serb Dimitrije Bogdanoviq, teza bazë e të cilit ishte se shqiptarët po kryejnë “gjenocid të planifikuar”.

Mersel BILALLI, Gostivar

Konflikti serbo-shqiptar shpreh armiqësi sidomos kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, kur vihen në funksion aspiratat shqiptare për shtet. Disa shekuj më herët aspekti fetar ka bërë që këta dy popuj disi të kooekzistojnë. Disa autorë mendojnë se nëna e Skënderbeut, Vojisllava, ishte me origjinë serbe nga familja Tribalda. Madje, Karagjorgje Petroviqi, një udhëheqës i Kryengritjes së Parë Serbe dhe një figurë kyçe në historinë serbe, thuhet se kishte origjinë shqiptare. Thuhet se fiset serbe dhe shqiptare me tradita të përafërta jetonin në marrëdhënie të qëndrueshme nën pushtetin osman.

Duke pranuar Islamin, shqiptarët e fituan statusin e qytetarëve të privilegjuar në Perandorinë Osmane, ndërsa serbët, të cilët nuk e pranuan Islamin, mbetën me status tjetër dhe kjo krijoi një hendek kulturor midis këtyre dy popujve. Mes 1683 dhe 1699 ndodhi Lufta e Madhe Osmane me disa fuqi europiane, të bashkuara në të ashtuquajturën “Lidhja e Shenjtë”. Pas depërtimit të ushtrisë austriake në Kosovë, shumë serbë u rebeluan kundër Perandorisë Osmane dhe iu bashkuan ushtrisë austriake, andaj shteti osman i shpalli armiq të shtetit. Pas luftës së mëvonshme midis Austrisë dhe Perandorisë Osmane (1737-1739), perandori Çarls VI – mobilizoi të krishterët në një kryengritje, duke pushtuar Nishin, kurse patriarku serb Arsenije IV i drejtoi njerëzit kah Kosova dhe Shqipëria veriore. Por, territori sërish u vë nën pushtetin osmane, ndërsa shumë serbë u zhvendosën në territorin e monarkisë habsburge. Në fakt, serbët në Kosovë ishin popullsi pakicë edhe në regjistrimet e fundit të shekullit XVIII.

Gjatë Kryengritjes së Parë Serbe filloi dëbimi në vendbanimet më veriore shqiptare, që nga Jagodina, gjatë vitit 1830. Më 1844, Ilija Garashanin e shkroi një program sekret të politikës së jashtme të Serbisë, që parashikonte zgjerimin territorial të shtetit serb në jug në zonat e banuara me shqiptarë. Deri në vitin 1878 shqiptarët kanë jetuar edhe në zonën e Nishit, Leskocit, Vranjës, Sjenicës dhe në luginën e Moravës jugore. Në betejat për Prokuplen dhe Kurshumlinë rezistencën më të ashpër e bënë shqiptarët. Por, pas pushtimit të këtyre zonave nga serbët, ushtria serbe kreu shumë krime kundër shqiptarëve, duke i detyruar të largohen. Serbia i aneksoi zonat e Nishit, Prokuplës, Kurshumlisë, Vranjës, Leskovcit, Jabllanicës dhe Toplicës, me rreth 640 fshatra shqiptare, popullsinë e të cilave e dëboi përmes vrasjeve dhe torturave.

Në fillim të vitit 1912, nën udhëheqjen e Komitetit të Kryengritjes së Përgjithshme, në trevën e Drenicës, Pejës, Gjakovës dhe veriut të Shqipërisë, u zhvillua një kryengritje e madhe shqiptare. Kryengritësit e kontrollonin gjithë Kosovën, veriun e Shqipërisë, madje edhe Shkupin. Osmanët, fillimisht, i refuzuan kërkesat shqiptare, por pasi kryengritësit shqiptarë arritën në Selanik, Porta u detyrua t’i pranonte të gjitha kërkesat e tyre. Premtimi i Portës për një Shqipëri autonome, e cila do t’i përfshinte katër vilajetet, i kërcënonte drejtpërdrejt interesat e shteteve fqinje të krishtera. Më 10 nëntor 1912 u mbajt një tubim i krerëve shqiptarë në Shkup, në atë kohë kryeqytet i Vilajetit të Kosovës. Aty u mor vendimi për bashkimin e shqiptarëve të katër vilajeteve: Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Me atë rast u vendos që në luftën e ardhshme shqiptarët të luftonin në anën e Perandorisë Osmane. Por, kësaj radhe, serbët e pushtuan gjithë Kosovën dhe pjesën dërmuese të Shqipërisë, duke shkaktuar krime të shumta, të cilat gjatë kohë do mbeten të memoruara.

Serbizimi dhe kolonizimi i Kosovës

Pas aneksimit të Kosovës në Mbretërinë e Serbisë, shqiptarët e Kosovës u përballën me politika të serbizimit të detyruar, e cila u reflektua në ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe, kolonizimin dhe spastrimin etnik. Vendbanimet shqiptare u emërtuan me emra serbë dhe shqiptarëve iu ndalua ta përdornin gjuhën e tyre. Madje, bëhej edhe konvertimi i detyruar i shqiptarëve katolikë në ortodoksë serbë. Me regjistrimin e popullsisë nga Mbretërisë së SKS në vitin 1921, Kosova kishte 439.010 banorë, prej të cilëve 64.1% ishin shqiptarë. Mbretëria e Jugosllavisë u përpoq ta ndryshonte imazhin etnik të Kosovës përmes politikës së reformës agrare dhe masave të kolonizimit. Në vitin 1937, Vaso Çubrilloviqi, akademik dhe politikan serb, shkroi një memorandum “Isterivanje Arnauti”, në të cilin propozonte spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët.

Lufta e Dytë Botërore

Menjëherë pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavi terrori ndaj shqiptarëve u intensifikua. Gjatë luftës jetëshkurtër të prillit, shumë ushtarë shqiptarë në ushtrinë jugosllave u vranë nga ushtarët dhe oficerët serbë. Ushtria vrau shumë shqiptarë të shquar dhe dogji shumë fshatra.

Situata u kthye pas kapitullimit jugosllav, kur njësitë italiane dhe gjermane hynë në Kosovë. Ndërmjet viteve 1941 dhe 1945, gjatë pushtimit fashist, Italia futi pjesën më të madhe të Kosovës, pjesët perëndimore të Maqedonisë dhe pjesët lindore të Malit të Zi nën qeverinë e Mbretërisë Shqiptare, e cila ishte një protektorat italian. Hakmarrja ishte çështje e pashmangshme, kjo si mllef i akumuluar nga shumë krime paraprake. Por, edhe çetnikët përreth kufirit s’mbetën borxh.

Në fund të vitit 1943 dhe në fillim të vitit 1944, në Kuvendin e Bujanit, Komiteti Popullor Çlirimtar i Kosovës mori vendim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Edhe pse krerët e partive komuniste të Jugosllavisë dhe Shqipërisë e negociuan fshehurazi, udhëheqja komuniste jugosllave nuk e vendosi kurrë këtë në veprim për shkak të ndikimit të madh të serbëve. Madje, në Kosovë u aplikua administrata ushtarake. Pas përfundimit të luftës, në vitin 1945 autoritetet e reja jugosllave ua ndaluan të gjithë kolonëve jugosllavë të dëbuar të paraluftës të kthehen në Kosovë, sepse i konsideronin eksponentë të politikës së Serbisë së Madhe.

Pozicioni i shqiptarëve në Jugosllavinë e Titos

Pavarësisht përmirësimit të dukshëm të pozitës së shqiptarëve në krahasim me periudhën e Mbretërisë së Jugosllavisë, barazia e plotë nuk u arrit as në Jugosllavinë federale të pasluftës. Të gjithë popujt sllavë i fituan republikat e tyre në shtetin e ri jugosllav, ndërsa shqiptarët edhe pse ishin më të shumtë se sllovenët, maqedonasit dhe malazezët, fituan vetëm një krahinë autonome të cunguar. Në vitin 1951 u aktivizua sërish çështja e emigrimit të shqiptarëve dhe u rinovuan negociatat me Turqinë, e cila ishte e interesuar ta vendoste popullatën shqiptare në kufi me kurdët. në regjistrimin e popullsisë të RFPJ-së në vitin 1953, administrata shtetërore bënte presion mbi shqiptarët që të deklaroheshin si turq. Kështu, ndërmjet dy regjistrimeve në Kosovë u rrit dukshëm numri i personave që e identifikonin veten si turq. Presioni më i madh mbi shqiptarët u ushtrua gjatë fushatës së grumbullimit të armëve në vitet 1955-1956, e cila u krye nga shërbimet shtetërore të drejtuara nga Aleksandar Rankoviqi. Me pretekstin e kërkimit të armëve, organet e sigurimit torturuan shumë shqiptarë.

Pas shkarkimit të shefit të policisë jugosllave, A. Rankoviq, në vitin 1966, u publikuan një sërë masash represive të zbatuara nga autoritetet e sigurisë në Kosovë. Edhe pse shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në krahinë, serbët mbanin një numër të madh të posteve shtetërore dhe partiake, duke përfshirë kontrollin e policisë lokale dhe të forcave të sigurisë. Pas demonstratave të mëdha të vitit 1968, shqiptarët në Kosovë fituan autonomi më të madhe me elemente shtetërore. Kësaj kohe, shumë serbë dhe malazezë u zëvendësuan në organet politike e shoqërore. Por, serbët nuk e përballonin dot këtë dhe filluan të shpërngulen nga Kosova.

Protestat në Kosovë në vitin 1981 shumëçka kthyen mbrapa. Madje, ka indikacione se ato kanë qenë të shpikura nga shërbimet sekrete serbe me qëllim të suspendimit të autonomisë. Aq më shumë kjo mban kur statusi “republikë” i kërkuar synonte ndryshime territoriale në tri republikat jugosllave (Serbi, Mali të Zi dhe Maqedoni), ndërsa në mungesë të autoritetit politik të Titos vetëm se ishte një ushqim tejet i preferuar për këta tre nacionalizma. Kërkesave të studentëve shqiptarë qeveria jugosllave iu përgjigj me tanke, me vrasje dhe dënime të ashpra. Nga viti 1981 deri në vitin 1988, rreth 600.000 njerëz kanë kaluar nëpër procese policore dhe gjyqësore, që është më shumë se një e treta e popullsisë së Kosovës.

Pas trazirave në Kosovë, në Serbi fillon propaganda e organizuar për gjenocidin e serbëve në Kosovë (raporte të falsifikuara për përdhunimin e grave serbe, emigrimin e serbëve, etj.)  Kisha Ortodokse Serbe, gjithashtu, luajti një rol të madh në përhapjen e ndjenjave antishqiptare. Në vitin 1985 u botua “Libri për Kosovën” i historianit serb Dimitrije Bogdanoviq, teza bazë e të cilit ishte se shqiptarët po kryejnë “gjenocid të planifikuar”. Në vitin 1986 u botua një memorandum i ASSHA-së, e cila demonstratat shqiptare në Kosovë të vitit 1981 i quan “agresion neofashist” që bën “gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor kundër popullatës serbe”. Ky memorandum u vlerësua nga komisioni i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara disa vite më vonë si “mjet për përhapjen e ndjenjave antishqiptare”.

Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës, me presion, i miratoi amendamentet kushtetuese, me të cilat Kosova e humbi autonominë e gjerë të mëparshme. Pas heqjes së autonomisë, shqiptarët bënë rezistencë pasive, duke refuzuar të marrin pjesë në jetën politike të Serbisë, duke mos marrë pjesë as në zgjedhje e as në regjistrim. Disa muaj më vonë, pra në vitin 1990, popullsia shumicë shqiptare e krahinës e shpalli pavarësinë e Republikës së Kosovës, e cila nuk u njoh nga asnjë vend, përveç Shqipërisë. Shqiptarët filluan të organizojnë institucione shtetërore paralele, si: shkolla, sistemi i taksave, gjyqësori dhe policia. Policia serbe ndërhynte vazhdimisht në procesin arsimor dhe i ngacmonte mësuesit shqiptarë para nxënësve të tyre. Gjithë kjo solli deri në luftë, masakra e dëbime masive, ndërsa më pas edhe deri te intervenimi ushtarak i NATO-s.

Pas kapitullimit të Jugosllavisë së cunguar të Millosheviqit, Kosova u shpall protektorat i OKB-së, më 17 shkurt 2008 u shpall shtet i pavarur, i njohur nga shumë shtete relevante të botës, ndërsa më pas u anëtarësua edhe në disa organizata relevante ndërkombëtare, si IMF, WB, SECI, SEETO, CEFTA, ERDB, INTERPOL etj.

Tentimet për ulje tensioni

Për shumë vite bashkësia ndërkombëtare ka synuar pajtimin mes këtyre dy popujve dhe shteteve, madje duke kyçur edhe mediat. “Radio Europa e Lirë” pati tentuar fillimin e procesit për një pajtim historik mes serbëve dhe shqiptarëve. Këtu do t’i prezantojmë vetëm dy bashkëbisedues – Vuk Drashkoviq, asaj kohe kryetar i Lëvizjes Serbe për Ripërtëritje, dhe Adem Demaçi – ideator i shquar për të drejtat e popullit shqiptar.

Vuk Drashkoviq: “Për shekuj kemi jetuar së bashku në të njëjtën tokë, pranë njëri-tjetrit, ka shumë martesa dhe miqësi të përziera. Mendoj se ka shumë më tepër gjëra që na bashkojnë sesa që na ndajnë. I nderuar Adem, e di reputacionin tuaj në mesin e shqiptarëve të Kosovës, andaj po ju lus që të ndihmoni në ndërtimin e një ure të pajtimit të madh ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Sot në Kosovë ka gati dy milionë shqiptarë dhe mezi mbi njëqind mijë serbë. Kjo është një mundësi që populli shqiptar dhe përfaqësuesit e tij ta tregojnë forcën e tyre, të bëjnë gjithçka për të mbrojtur pakicën serbe – jo nga shumica shqiptare, sepse shumica shqiptare nuk i kërcënon serbët në Kosovë – por nga shumë ekstremistë që po i dëmtojnë serbët… Adem, të lutem përdore ndikimin tënd dhe ndihmoje serbët e Kosovës, të cilët nuk e kanë më as Jugosllavinë dhe as Serbinë pas vetes. Do të ishte një investim i madh në të ardhmen e përbashkët të Serbisë dhe Kosovës, serbëve dhe shqiptarëve.”

Adem Demaçi: “Nuk duhet të më luteni, z. Vuço. Unë po flisja për këtë edhe para dhe kisha një problem të vogël me ekstremistët. Meqë ra fjala, sa i përket pozitës së serbëve në Kosovë, me siguri e dini se plani i Ahtisarit parasheh të drejta të tilla për ta që nuk i ka asnjë pakicë tjetër në botë. Ku e keni parë që gjuha e pakicës, e cila numëron 7-8 për qind të popullsisë së përgjithshme, është e barabartë me gjuhën e kombit shumicë në gjithë territorin e vendit? Ne kemi një dispozitë në kushtetutën tonë që nëse 10 deputetë serbë nga 15, sa vende në parlament janë të garantuara për serbët. refuzon një ligj, ai ligj nuk mund të miratohet. Por, shikoni se çfarë po ndodh me bashkatdhetarët tanë në Serbi – në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ata janë të shtypur dhe të zhveshur… Mos u shqetësoni për minoritetin serb në Kosovë. Përderisa është Ademi këtu dhe më besoni se ka shumë si unë, asnjë pjesëtari të popullit serb nuk do t’i mungojë asgjë. Mos u shqetësoni për këtë, por kujdesuni që populli serb të jetë i lirë, ta shprehë vullnetin e tij dhe të sjellë në pushtet njerëz si ju, si Çedomir Jovanoviq, Llazar Stojanoviqi e shumë të tjerë… Por, përderisa ish çetnikët janë kryeministra dhe presidentë, si Nikoliqi, do jetë vështirë. Ka njerëz që kanë humbur babanë, nënën, fëmijët, gjithë familjen. Ata nuk do të pajtohen lehtë. Por, shumica e shqiptarëve janë të gatshëm të bashkëpunojnë nëse në anën tjetër do të jetë Serbia si një shtet mik i vërtetë, si një fqinj i vërtetë, si një bashkëpunëtor i vërtetë.”

A është i mundshëm pajtimi?

Praktika ndërkombëtare dëshmon se bashkëpunimi dhe integrimi rajonal janë mënyrat më efikase për përfundimin e armiqësive. Këto dy shtete të armiqësuara nuk guxojnë ta ngrijnë konfliktin, sepse ai shkrihet në momente të volitshme. Andaj, këtu Procesi i Berlinit (që në vete shkriu Ballkanin e Hapur duke ia marrë tregun e përbashkët rajonal) mund të luajë rol të rëndësishëm. Kjo iniciativë përfshin katër objektiva: 1) zgjidhja e problemeve të brendshme; 2) pajtimi mes shoqërive në rajon; 3) bashkëpunimit ekonomik dhe tregu i përbashkët rajonal; dhe 4) krijimi i një baze për rritje të qëndrueshme në rajon. Ngritja e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) me seli në Tiranë është një arritje e dukshme drejt plotësimit të këtyre objektivave. Procesi i Berlinit mori disa komponentë nga Ballkani i Hapur, në veçanti “trenin e shpejtë brenda-integrues” dhe tregun e përbashkët rajonal. Procesi i Berlinit e ndryshoi disi rutinën e formatit të zgjerimit, duke e vendosur theksin te bashkëpunimi rajonal ekonomik, ku krahas strukturës klasike vertikale të procesit të zgjerimit, shtoi elementë horizontalë, me çështje të tilla si tregu i përbashkët rajonal, transporti, energjia dhe zona ekonomike rajonale, duke nxitur kështu kushtet për zhvillim të qëndrueshëm dhe marrëdhënie ndërmjet agjentëve të ndryshëm shoqërorë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X