loader image
October 11, 2024

Lidership miop apo…

Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare na mëson se lidershipet janë elitat që mbartin në vetvete nevojat, dëshirat, e po ashtu edhe aspiratat. Shtrohet pyetja retorike se a ishte e nevojshme, e dëshiruar dhe a përfaqësonte aspiratën e kërkuar nga kombi shqiptar ideja e “Ballkanit të Hapur”, duke u krijuar paralele dhe duke e devijuar rrugën e Procesit të Berlinit? Përgjigja dihet.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Më 10 tetor 2019, liderët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u takuan në Novi Sad të Serbisë dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik, me qëllimin kryesor të largimit të pengesave, për të promovuar lëvizjen e mallrave, njerëzve dhe shërbimeve midis këtyre vendeve të sipërcituara. Kjo ide, e cila u trumbetua si “Minishengeni Ballkanik”, për të marr më pas një emër tjetër, si “Ballkani i Hapur”, mëtonte të nxiste bashkëpunimin rajonal mes shteteve, duke u bazuar në bashkëpunimin mes shteteve të rajonit, e që sikur të ishte ashtu, do të duhej përshëndetur dhe përkrahur, por skilja serbe, e kishte futur këtë si ide jo për të lehtësuar lëvizjen dhe bashkëpunimin e mirëfilltë, por më shumë për të dal si faktori vendimtar i integrimit në Ballkanin e mbyllur në problemet e hapura, si dhe për të nxitur farën e përçarjes mes vet shqiptarëve, gjegjësisht mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke ia njohur paraprakisht pikat e dobëta shqiptarëve. Dhe, me plot të drejtë mund të themi që ia doli të fusë grindjet dhe mospajtimet mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ditë më parë, e dëgjuam të gjithë deklaratën e papritur të kryeministrit Rama, i cili tha se kjo nismë tashmë kishte marrë fund dhe se të gjitha energjitë tani e tutje do të përqendroheshin drejt Procesit të Berlinit. Kur Kosova dhe shtetarët e saj, bukur shumë para Ramës, shpreheshin se duhej favorizuar dhe nxitur Procesin e Berlinit, në vend të ideve konspirative që vinin nga kuzhina serbe, ata djallëzoheshin dhe baltoseshin se janë kundër bashkëpunimit rajonal, gjë që ndikoi tej mase edhe në nxirjen e imazhit të tyre edhe para faktorit ndërkombëtar.

Me këtë deklarim të kryeministrit Rama mund të përdëftojmë lehtë se mungesa e vizionit te lidershipi, ngutja, mosshtrimi dhe mosanalizimi i duhur i gjërave, kryeneçësia dhe inati, protagonizmi i paduhur dhe mungesa e një mekanizmi frenues të ambicieve, shpie në përqafim të ideve që në fakt janë të mbrapshta, e që ndikojnë në përçarje dhe fragmentim.

Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare na mëson se lidershipet janë elitat që mbartin në vetvete nevojat, dëshirat, e po ashtu edhe aspiratat. Shtrohet pyetja retorike se a ishte e nevojshme, e dëshiruar dhe a përfaqësonte aspiratën e kërkuar nga kombi shqiptar ideja e “Ballkanit të Hapur”, duke u krijuar paralele dhe duke e devijuar rrugën e Procesit të Berlinit? Përgjigja dihet.

Pse lidershipi shqiptar u fut në këtë rrugë, e kësisoj në këtë gjendje, duke pluskuar mes ndasive dhe përçarjeve? Pse në njërën anë më integrues shfaqemi me të tjerët se mes vete?

Përgjigjen e mirëfilltë mbase do të duhej ta jepnin akademitë tona, të cilat janë në hibernacion, e aty-këtu merren me ndonjë deklarim sa për të arsyetuar honorarët. Sa për ilustrim, historikisht, shkëlqimin e Francës në arenën ndërkombëtare e bënë të mundur kokat e mençura, atëherë kur u tubuan tok dhe themeluan Akademinë Diplomatike Franceze, në motin 1633. Që prej atëherë, çdo vendim në nivel shtetëror, paraprakisht kalon në filtrat e kësaj akademie. Pra, kokat e shquara të Francës, të bazuara në urtësi dhe pragmatizëm, kontribuojnë dhe luajnë rolin kyç në sjelljen e vendimeve kruciale dhe të ndjeshme për shoqërinë franceze. Pra, vetë akademikët dhe intelektualët janë pjesë e sjelljes së vendimeve, pjesë e lidershipit. Janë vetë lidershipi. Cilat janë veçoritë e lidershipit? Një besim i grupit ndaj liderit dhe një besim i liderit ndaj grupit; respekti reciprok dhe dëgjimi reciprok; dhe sigurisht dhënia e shembullit nga ana e liderit, nëse dëshiron të ruajë besimin e grupit me kalimin e kohës.

Përballë lëvizjeve tektonike në nivel botëror, përballë ndryshimeve të mëdha shoqërore, përballë një skicimi dhe rikonfigurimi të rendit botëror, cili është roli i lidershipit dhe akademive tona? Me plot të drejtë konstatojmë se ata janë ende në ligjërimin e viteve të ’90-ta, me paqartësi dhe ambiguitete, si dhe në kaos dhe disharmoni.

Megjithëse nuk ka një definicion të prerë të lidershipit ideal, tek të gjithë udhëheqësit e mirë e të duhur, që i shikojnë detyrat shtetërore dhe kombëtare si parësore, vërehen karakteristika që janë unike për ta. Është mirë që udhëheqësit shqiptarë, kudo qofshin ata, t`i kenë parasysh ato të radhitura taksativisht: të besojnë një ide, projekt ose vizion me arsye; të vendosin qëllime të qarta; t`i personifikojnë vlerat e udhëheqësisë; të mundësojnë shkëmbimin dhe transmetimin e njohurive dhe informatave me akademitë, me opozitën, shoqëritë civile; të nxisin dhe shpërblejnë nismat e mbara; të inkurajojnë ndryshimin; të dinë të kujdesen për imazhin e vetvetes dhe kombit; të komunikojnë me elitat intelektuale në mënyrë transparente; si dhe të dinë të dëgjojnë (kur jemi këtu, vlen një thënie e bukur që thekson se të dëgjuarit është një aftësi që shpesh neglizhohet, por kur përdoret mirë, ka fuqinë të krijojë një atmosferë sigurie dhe suksese).

Eric Berne, psikiatër me origjinë kanadeze (1910-1970), kishte theksuar njëherë e një kohë se në lidership është shumë i rëndësishëm roli që luhet, e jo personi. Me gjasë, politikanët dhe shtetarët shqiptarë, duke menduar se personaliteti i tyre është më i rëndësishëm sesa roli që duhet ta luajnë në histori, i kanë ngatërruar gjërat dhe kanë rënë në kurthin miop, duke e mbiçmuar veten në raport me kombin dhe shtetin. Andaj edhe shfaqin projekte dhe ide, lansojnë platforma, të cilat pas një kohe dalin dhe i kundërshtojnë apo i shpallin si të vdirrshme dhe të përfunduara.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X