loader image
October 14, 2024

Kur do të mbushen me mend shqiptarët?

Liria e Kosovës, përveç me gjakun e 12-13 mijë kosovarëve, është njomë edhe me gjakun e viktimave të Srebrenicës. Sigurisht që Srebrenica është dhimbje e gjithë Ballkanit dhe gjithë Europës, por para se gjithash ajo është dhimbje e qytetarëve të Kosovës më shumë se e cilitdo popull pos vetë boshnjakëve.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Kur e paralajmërova tubimin përkujtimor për Srebrenicën në Prishtinë për datën 10 korrik 2023, rrjetet sociale vluan me kritika se përse duhet të mbajmë tubim përkujtimor për Srebrenicën kur Bosnja nuk e ka njohur Kosovën. Ky fakt tregon se sa pak e njohin historinë të rinjtë tanë, e aq më pak historinë e popullit boshnjak, që përgjatë gjithë kohës moderne e kemi pasur aleat.

Babai i kombit boshnjak, presidenti Alija Izetbegoviq, dhe kryeministri i kohës, Dr. Haris  Sillajxhiq, para dhe gjatë luftës në Kosovë patën bërë lobim të fuqishëm për Kosovën. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme të përkraheshe nga një vend i cili deri në ato momente kishte qenë viktimë dhe qendër e vëmendjes botërore. Fatkeqësisht, librat tanë të historisë nuk e pasqyrojnë këtë fakt, por ne që e kemi përjetuar atë kohë, e mbajmë mend fare mirë.

Ne duhet ta kuptojmë se po mos të ishte masakra a Srebrenicës, që ta zgjonte botën e qytetëruar, qytetarët e Kosovës do ta pësonin shumë më keq. Pra, po mos të ndodhte Srebrenica, derisa të aktivizohej bota e qytetëruar në mbrojtjen tonë, Kosovës do t’i ndodhnin minimum 10 Srebrenica. Rrjedhimisht, liria e Kosovës, përveç me gjakun e 12-13 mijë kosovarëve, është njomë edhe me gjakun e viktimave të Srebrenicës.

Sigurisht që Srebrenica është dhimbje e gjithë Ballkanit dhe gjithë Europës, por para se gjithash ajo është dhimbje e qytetarëve të Kosovës më shumë se e cilitdo popull pos vetë boshnjakëve.

Qytetarët e Kosovës, gjatë historisë së kohës moderne, kanë përjetuar shumë masakra, që për nga përmasat i afrohen gjenocidit në Srebrenicë. Të tilla masakra ndodhën në luftën e vitit 1877-78, në Luftën e Parë Ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore. Akoma më të mëdha janë ato të pas Luftës së Dytë Botërore: Masakra e Tivarit, Masakra e Prishtinës etj. Masakra me përmasa më të vogla se këto që i përmenda më parë u bënë në luftën e fundit në Kosovë, më 1998-99: Reçaku, Prekazi, Meja, Çyshku, rruga e Kovaçëve, Mahalla e Boshnjakëve e shumë të tjera.

Qytetarët e Kosovës janë krenarë që 80 vite me parë 4000 luftëtarët e saj në krye me Shaban Polluzhën, Iliaz Spahiun, Pajazit Boletinin, Mulla Zekë Bërdynën, Miftar Bajraktarin etj. e shpëtuan Novi Pazarin nga gjenocidi. Novi Pazari rrezikohej të bëhej një Srebrenicë 52 vite para Srebrenicës. Para se të rrethohej Novi Pazari nga forcat çetnike, ndodhi masakra me përmasa gjenocidi në krahinën e Bihorit mes Sjenicës dhe Bjello Poljes në Sanxhak. Ja se çfarë raportonte kryeministri i shqiptar i asaj kohe, Eqrem Libohova, para kabinetit të tij të ministrave:

“Bilansi i ditëve tragjike të Bihorit, shkurtimisht, asht ky: Shtëpija të djegura 1763, burra të vramë 590; të therun 185, gra të vramë 340; gra të theruna 285, fëmijë të therun 701; të djegun 705, të ngrimë prej të ftohtit: fëmijë 447, gra 266, burra 119, të vdekur nga urija, të plagosur: burra 359, gra 275, të marrun rob (gra e vajza) 251. Pra, gjithsej, si mbas hetimeve të bamë, del se të vdekurit janë 3741 dhe të plagosunit 634. Njerëz të zhvendosur e të pastrehë, gjithësejt rreth 10.000 veta.

Sa për 251 shpirt qi mungojnë, shumica e madhe e të cilave asht gra e vajza, këto do të jenë marrë rob qi t’u shërbejnë çetnikëve qi t’a plotësojnë veprën e tyne të turpshme e shnjerzore”.

Përfundim citati nga raporti i kryeministrit Eqrem Libohova.

Ky pra ishte gjenocidi në krahinën e Bihorit, krahinë kjo në Sanxhak mes Sjenicës e Bjello Poljes. E njëjta gjë e priste edhe Novi Pazarin më 1943. Por, gjenialiteti ushtarak i liderit të Sanxhakut Aqif Efendi Blytës dhe sakrifica e luftëtarëve të Kosovës (në të cilën luftë u plagos edhe gjyshi im Murat Spahiu, bëri që Novi Pazari të shpëtohet nga gjenocidi.

Në natën që po e përkujtonim 28-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, 28 vite më parë, unë isha në zyrën time në Tiranë në cilësinë e kryeredaktorit të gazetës “Albania”, njërës prej dy gazetave më të mëdha të kohës në Shqipëri. Atëherë  interneti ishte ende në zhvillim e sipër dhe lajmet ndërkombëtare i merrnim nga Reuters-i. Lajmi ishte se tanket e gjeneral Mlladiqit po i afrohen Srebrenicës.

Në rrethinat e këtij qyteti në gjysmën e dytë të vitit 1941, kur forcat gjermane ishin larguar nga qyteti, çetnikët e ardhur nga territori i Serbisë së Nediqit kishin therur mbi 1000 boshnjakë. Ky ishte një paralajmërim i frikshëm se çfarë mund të ndodhte nëse forcat e Mlladiqit futeshin në këtë qytet. Tani, pas 44 viteve, nuk ishin ushtarakët gjermanë, por ata holandezë. Dhe, masakra ndodhi në ditët në vijim.

Masakra e Srebrenicës nuk mund të zhbëhet. Por, nga kjo ngjarje mund të nxjerrim mësim. Kosovarët, boshnjakët e të tjerët të punojnë për forcimin e shteteve të tyre, kurse serbët të mos përsërisin krime të tilla. Shtrohet pyetja: A po heq dorë Serbia më në fund nga përpjekjet e vazhdueshme gjenocidale?

Në debate të ndryshme gjermanët tregohen shumë të zjarrtë, por sapo ua përmendë holokaustin ata e mbyllin gojën nga turpi dhe e ulin kokën. E kundërta e kësaj ndodhë në Serbi. Vërtet që presidenti Vuçiq ka kërkuar falje për Srebrenicën, por kjo nuk mjafton përderisa nxënësit serbë nuk e mësojnë në shkollë si vrasje të ndërgjegjes së tyre kombëtare.

Kur asambleja komunale e Novi Pazarit ka marrë vendim që sheshi kryesor i qytetit ta ketë emrin Aqif Efendi Blyta, shpëtimtarit të qytetit të tyre nga gjenocidi, qeveria e Serbisë e ka anuluar atë vendim me arsyetimin se Aqifi ka qenë deputet i Shqipërisë së Madhe. Një Serbi normale do t’i ishte mirënjohëse Aqif Efendi Blytës, që nuk lejoi që kombi serb të kishte edhe Novi Pazarin barrë në ndërgjegjen e vet siç e ka Srebrenicën. Po qe se qytetarët dhe klasa politike serbe vërtet do të pendohej për gjenocidin në Srebrenicë, presidenti Vuçiq do t’ia ndërtonte përmendoren Aqif Efendi Blytës jo vetëm në Novi Pazar, por edhe midis Beogradit.

Po qe se qytetarët dhe klasa politike serbe vërtet do të pendoheshin për gjenocidin në Srebrenicë, presidenti Vuçiq, në emër të shtetit serb, do t’i kërkonte falje edhe Kosovës. 24 vite më parë Kosova është çliruar nga Serbia, por kthetrat serbe ende po e ngufasin Kosovën. Nxënësit e studentët tanë ende po e mësojnë historinë e falsifikuar nga historianët shërbëtorë të shokut Enver Hoxha, i ardhur në pushtet pikërisht me ndihmën e Serbisë. Historiografi kjo që i edukon shqiptarët të jenë përherë viktima e jo aktorë të historisë. Fatkeqësisht, kjo qasje e të mësuarit të historisë, sikurse neve, u është imponuar edhe boshnjakëve. Është koha e fundit që edhe ne edhe boshnjakët ta ndryshojmë këtë qasje në tekstet e historisë. Duke i mësuar brezat e rinj se si të mos jenë viktima të gjenocideve, por aktorë të historisë, ne ia zvogëlojmë oreksin Serbisë për përpjekje gjenocidale.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X